AGK dhe Policia e Kosovës thellojnë bashkëpunimin për sigurinë e gazetarëve

0
196

PRISHTINË, 28.03.2017 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës takuan të martën drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ku u diskutua për një bashkëpunim më të mirë për sigurinë e gazetarëve në vend.

Kryetari i bordit të AGK-së, Shkelqim Hysenaj prezantoi para drejtorit të policisë raportin e vitit të kaluar të asociacionit në lidhje me lirinë e mediave dhe sigurisë së gazetarëve, e në veçanti u diskutua për rekomandimet e dala për policinë.

Hysenaj kërkoi nga drejtori Maxhuni që Policia e Kosovës t’i trajtojë me prioritet rastet e sulmeve apo kanosjeve ndaj gazetarëve dhe për të njëjtat të bashkëpunojë me organet e drejtësisë. Po ashtu, një nga rekomandimet tjera ishte që të organizohen trajnime me oficerë policie që kanë për qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet policisë dhe mediave.

AGK dhe Policia e Kosovës u dakorduan që së shpejti të fillojnë më organizimin e trajnimeve të ndryshme në të cilat do të jetë e përfshirë edhe AGK-ja.

Drejtori i përgjithshëm, Shpend Maxhuni u zotua për një bashkëpunim të ndërsjellë që do të ndikonte pozitivisht në punën e policisë dhe mediave në vend.

Në takim poashtu u diskutua për transparencën e policisë në raport me mediat ndërkohë që teme diskutimi poashtu ishte edhe trajtimi nga ana e Policisë së Kosovës të kërcënimeve që vijnë përmes rrjeteve sociale. Sa i përket kësaj cështje, drejtori Maxhuni deklaroi se institucioni që ai drejton, i trajton të gjitha llojet e kërcënimeve dhe sulmeve që mund të kenë gazetarët.

Duke ju referuar shifrave zyrtare, Maxhuni theksoi se policia ka qenë mjaft efektive në trajtimin e rasteve kur gazetarët janë viktimë e sulmeve, kërcënimeve apo kanosjeve si pasojë e punës së tyre profesionale qe bëjnë.