Home Blog Page 32

Pengohen dhe gjobiten nga Policia, ekipi i Klan Kosovës dhe i RTV Dukagjinit

0

Policia e Kosovës fillimisht ka penguar e më pas edhe ka gjobitur një ekip të Klan Kosovës, i cili kishte shkuar në vendin e ngjarjes për të raportuar për grabitjen e armatosur në rrugën Prishtinë – Gjilan.

Gazetari Flamur Gajtani, kameramani Arben Kajtazi dhe shoferi Gazmend Salihu, u penguan dhe më pas u gjobitën kur tentuan të shkojnë nëpër një rrugë alternative për të mbërritur te vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës gjithashtu ka gjobitur edhe ekipin e RTV Dukagjinit, gazetarin Mehmet Krasniqi dhe kameramanin, Visar Kryeziu. Kjo rrugë u lejua të përdoret nga qytetarët e tjerë, por jo edhe nga këto ekipe televizive.

AGK-ja, e dënon pengimin në punë të këtyre ekipeve dhe e fton Policinë e Kosovës, që në vend se të pengojë, të ndihmojë gazetarët që të bëjnë punën e tyre.

EFJ reagon për sulmet e Hysamedin Ferajt ndaj AGK-së :”E mbështesim AGK-në dhe punën e tyre të rëndësishme”

0

Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ, ka reaguar ndaj deklaratës së Hysamedin Ferajt se “AGK-ja është organizatë e rrezikshme për shtetin dhe se po punon kundër vlerave të gazetarisë evropiane”.

“Është krejtësisht e papërgjegjshme të promovohet publikisht urrejtja dhe të drejtohet gishti ndaj gazetarëve në këtë mënyrë. Ne dënojmë këtë sjellje të turpshme dhe e mbështesim AGK-në dhe punën e tyre të rëndësishme që e bëjnë për gazetarët në Kosovë”, kanë shkruar EFJ në Twitter.

Feraj, të martën në një prononcim për media ka thënë se AGK-ja  është një organizatë e rrezikshme për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, por para së gjithave për qytetarët e saj, sepse sipas tij ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë një propagandë linçuese që bëjnë gazetarët.

AGK-ja dënon linçimet e Hysamedin Ferajt të VV-së ndaj disa gazetarëve

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përsëritshme linçuese të zyrtarit të Vetëvendosjes dhe ish-kandidatit të kësaj partie për deputet, Hysamedin Feraj, ndaj një grupi të gazetarëve.

Në një postim në Facebook të hënën, Feraj i ka akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”.

“Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”, ka shkruar Feraj.

Gjuha e tillë, e sidomos kur vjen nga zyrtari i një partie në pushtet, vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe si e tillë është e papranueshme.

AGK-ja i bën thirrje Vetëvendosjes që të distancohet nga gjuha kërcënuese e pjesëtarëve të saj ndaj gazetarëve.

AGK fillon ciklin e trajnimeve me temën “Raportimi mbi standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë”

0

Organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe UN Women, gazetarja Dafina Halili ligjëroi para studentëve të AAB-së mbi temën “Raportimi mbi standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë”.

Trajnimet e ngjashme dhe aktivitete të tjera të ndërlidhura me temën do të organizohen përgjatë muajit nëntor, të cilat janë të mbështetura nga korniza e projektit “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë” i cili implementohet nga UNOPS dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.

AGK dhe UNKT ndajnë çmimet për Raportimin më të mirë mbi Çrrënjosjen e Varfërisë, këta janë fituesit

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNKT, nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Ulrika Richardson, ka mbajtur sot edicionin e 16-të të çmimeve vjetore të gazetarisë “Çmimi për raportimin më të mirë mbi Çrrënjosjen e Varfërisë”.

Edicioni i 16-të u mbajt nën moton “Portretizimi i përgjegjshëm i varfërisë”.

Këtë vit, në kategorinë “Video-storja e shkurtër më e mirë”, u shpërblye storja e gazetares Genta Zejnullahu nga TV Syri.

Çmimi për audio-storjen më të mirë iu nda gazetarit nga Radio Kosova 2, Denis Galushi.

Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetarit të Grupit KOHA, Fitim Gashi.

Teksa, në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari “Sot, për nesër”, i gazetares Vjosa Çerkini.

Për fotografinë më të mirë u shpërblye fotografi i pavarur, Valdrin Fetahu. Përveç dhënies së çmimeve, të pranishmëve iu adresuan edhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson.

AGK-ja gjithashtu falënderon Dukagjini Bookstore për ofrimin e hapësirës së tyre për organizimin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

 

Bordi i AGK-së diskuton për punën katërmujore

0

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën prezent ishin 8 nga 9 anëtarët.

Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, në këtë mbledhje raportoi për projektet e implementuara gjatë këtij katërmujori, si dhe idetë e planet për aktivitetet që do të zbatohen në muajt pasues.

Para anëtarëve prezent, raportoi edhe Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, ku i njoftoi ata për takimet e zhvilluara me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në vend, si dhe pjesëmarrjen e tij në takimin vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Gjatë kësaj mbledhjeje, gjithashtu u diskutua edhe mbarëvajtja e konferencave paraprake, si dhe organizimi i ceremonisë së dhënies së çmimeve për raportimin më të mirë për varfërinë, ide të reja për bashkëpunim me organizatat simotra, si dhe fokus të veçantë pati ideja për organizimin e një trajnimi për kameramanët.

AGK dhe Këshilli i Evropës mbajtën konferencën “Mbrojtja ligjore e pluralizmit politik në media”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, mbajti konferencën “Mbrojtja ligjore e pluralizmit politik në media”.

Konferenca u organizua në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe e medias – JUFREX II”, pjesë e së cilës ishin përfaqësues të partive politike, gazetarë dhe përfaqësues të organeve rregullative të medieve.

Panelistët diskutuan se si është i rregulluar pluralizmi politik në media nga legjislacioni që rregullon fushëveprimin e mediave jashtë proceseve zgjedhore, cilat janë detyrimet e Transmetuesit Shtetëror Publik dhe ato të transmetuesve privatë në lidhje me pluralizmin politik jashtë proceseve zgjedhore, cilat janë detyrimet ligjore të mediave gjatë fushatave zgjedhore, si dhe se a kanë partitë politike dhe kandidatët qasje të drejtë e të barabartë në media gjatë fushatave zgjedhore.

AGK, UNKT dhe AAB shënojnë Ditën e OKB-së

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Kolegjin AAB, sot me anë të një tryeze diskutimi shënoi Ditën e Kombeve të Bashkuara.

Diskutimi mbi lajmet e rreme dhe verifikimin e fakteve gjatë pandemisë në Kosovë u zhvillua me studentët e Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB. Paneli u udhëhoq nga Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ndërsa panelistë pjesëmarrës ishin gazetarët Jehona Zhitia, Bujar Vitija, Arbreshë Uka, Gentiana Hasani dhe Anđelka Ćup.

Studentët e pranishëm më nga afër u njoftuan me vështirësitë gjatë raportimit në kohë pandemie, si dhe sfidat e gazetarëve në luftimin e lajmeve të rreme dhe dezinformatave.

Dita e OKB-së shënon përvjetorin e hyrjes në fuqi të Kartës së OKB-së në vitin 1945. Me ratifikimin e këtij dokumenti nga shumica e nënshkruesve të tij, përfshirë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht. 24 Tetori është festuar si Dita e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1948.

AGK në bashkëpunim me UNKT në vazhdën e aktiviteteve për përmbushjen e SDG-ve, më 5 nëntor do të ndajë çmimet mbi raportimet më të mira për çrrënjosjen e varfërisë. Njëherësh, falënderojmë të gjitha agjencitë e Ekipit të OKB-së në Kosovë, posaçërisht ato që këtë herë përkrahën bashkëpunimin për: shënimin e ditës së OKB-së dhe Çmimit të Gazetarëve për Çrrënjosjen e Varfërisë: Zyra e Koordinatorit të OKB-së Për Zhvillim-UNDCO, Agjencisë së OKB-së për Refugjatë- UNHCR, UN Operations- UNOPS, Programit për Zhvillim të OKB-së- UNDP, si dhe Agjencisë për Barazi Gjinore Agjencia për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues e OKB-së – UNFPA dhe fuqizim të Grave- UN Women. dhe fuqizim të Grave- UN Women.

Thirrje publike për Programin e Mbështetjes së OShC-ve “safejournalists.net”

0

Rrjeti SafeJournalists, anëtarë të të cilit janë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë, Asociacioni i Gazetarëve të BH-së, Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë,Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Mediave të Malit të Zi, shpall thirrje për propozime për ndihmë financiare (grante të vogla) për organizatat e shoqërisë civile në territorin e Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Kjo thirrje shpallet në kuadër të projektit “safejournalists.net” që synon të inkurajojë dhe mundësojë pjesëmarrjen e qytetarëve në avokim dhe vendimmarrje me qëllim të përmirësimit të sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias.

Programi i Mbështetjes (grande të vogla) “safejournalists.net” është krijuar për të forcuar rolin e OShC-ve në aktivitetet me autoritetet dhe qytetarët si akterë relevantë në procesin e vendimmarrjes. Kjo qasje ka dy përfitime: do të forcojë përpjekjet e rrjetit të Safejournalists për të zgjeruar rrethin e avokuesve për të përmirësuar mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve dhe liritë e medias.

Qëllimi i përgjithshëm i thirrjes për propozime është qët’u mundësojë organizatave lokale të shoqërisë civile të përdorin qasje inovative dhe eksperimentale me qëllim të mobilizimit dhe fuqizimit, të sjellë rëndësinë e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e lirive të medias më afër qytetarëve dhe stimulimin e tyre për të krijuar dhe marrë pjesë në platforma të ndryshme dialogu.

Granti i kërkuar duhet të jetë ndërmjet 6,850 dhe 8,200 euro. Bashkëfinancimi i projektit nga aplikanti (ose partneri) i projektit nuk është i detyrueshëm.

Kohëzgjatja e projektit duhet të jetë nga 9 deri në 12 muaj.

Procesi i aplikimit përfshin dy hapa:

1. Dorëzimi, vlerësimi dhe përzgjedhja e Koncept-dokumentit të projektit (thirrje e hapur)

2. Procesi i dorëzimit, vlerësimit dhe përzgjedhjes së projekt-propozimeve të plota (thirrje e mbyllur)

Afati i fundit për dorëzimin e koncepteve të projektit është data 12 nëntor 2021 në orën 23:59. (CET-Koha e Evropës Qendrore).

Nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me thirrjen për propozime, ju lutemi shkruani tek: [email protected] (për pyetjet në lidhje me programin) dhe tek: [email protected] (për pyetje në lidhje me financat) jo më vonë se deri më 5 nëntor 2021.

Udhëzimet dhe formularin e aplikimit mund t`i gjeni në këtë vegëz.

UPDATE: Vendimin e datës 30.12.2021 për shpërndarjen e fondeve në kuadër të programit mbështetës “Safejournalists.net” e gjeni këtu.