Gjykata pranon rekomandimet e AGK, rastet e gazetarëve do të trajtohen me kohë

0
153

PRISHTINË, 17.03.2017 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kryetari Shkelqim Hysenaj si dhe hulumtuesi i lartë Petrit Çollaku kanë takuar të mërkurën kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi. Në takim u diskutua për rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve që gjenden si lëndë të papërfunduara në këtë gjykatë për disa vite të fundit.

Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj prezantoi para kryetares Bytyçi raportin e fundit të asociacionit duke u fokusuar në rekomandimet e dala për gjyqësorin, ku ndër të tjera, kërkohet trajtim me kohë për të gjitha rastet kundër gazetarëve, duke përfshirë sulmet fizike, kërcënimet, frikësimet dhe shantazhet. Gjykata Themelore në Prishtinë përfshinë pothuajse shumicën e këtyre rasteve në vend.

Kryetarja Bytyçi theksoi se do të kërkojë nga gjykatësit përkatës që të punojnë më shpejt në rastet e gazetarëve që janë viktima të dhunës, si në lëminë civile po ashtu edhe penale. Gjykata në bashkëpunim me AGK-në do të identifikojnë të gjitha rastet e gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medial që janë si viktima e që presin drejtësinë të thotë fjalën e fundit.

Me këtë rast, AGK i bënë thirrje të gjithë kolegëve që në ndërkohë kanë pranojnë ftesa që të paraqiten në gjykata apo prokurori, që të lajmërojnë paraprakisht asociacionin.

AGK kërkoi nga kryetarja e gjykatës që të krjioj transparencë në proceset gjyqësore, sidomos ndaj figurave të larta publike që paraqesin interes të lartë për opinionin publik.