Home Blog Page 16

Olha Priadko – gazetarja e radhës ukrainase që strehohet në Kosovë

0

Mbrëmjen e 31 majit, programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i është bashkuar Olha Priadko bashkë me djalin e saj, Yaroslav Tkachenko.

Priadko u mirëprit në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari.

Nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, përfitojnë gazetarët nga Ukraina dhe Afganistani.

Journalists in Residence – Kosovo që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF e po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

Fushatë e rrezikshme me fotomontazhe ndaj gazetarëve

0

Berat Buzhala, Bekim Kabashi dhe Lavdim Hamidi, janë bërë cak i foto-montazheve, të cilat po shpërndahen në rrjete sociale këtë pasditë.

Foto-montazha e Buzhalës është krijuar në atë formë që të duket gjoja se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ripostuar një cicërimë të Buzhalës, duke thënë se është njëri nga gazetarët më të mirë kosovar. Ndërsa, Kabashit dhe Hamidit, u janë vendosur flamuj të Serbisë në ballë me mbishkrimet: “Zagarët e Vuciqit”, si dhe “Bravo vëlla” (duke aluduar se kështu po iu drejtohet presidenti Serb dy gazetarëve).

Një fushatë e tillë, është shumë e rrezikshme dhe vë në cak të sulmeve online si gazetarët, ashtu edhe familjet e tyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen, në mënyrë që mediet të kenë mundësi të ushtrojnë profesionin e tyre pa u penguar.

Në Leposaviq vandalizohet vetura e Syri.net

0

Disa protestues serbë në Leposaviq kanë shpuar gomat e veturës së ekipit të Syri.net.

Situata e cila po përshkallëzohet nga çasti në çast, po rrezikon punonjësit medialë të cilët po raportojnë nga veriu.

Ky është sulmi i katërt gjatë ditës së sotme, në drejtim të ekipeve të mediave, të cilët po raportojnë për situatën në veri të vendit.

AGK-ja, shpreh shqetësim për kushtet e punës së gazetarëve të cilët po raportojnë nga ajo zonë. Njëherësh, u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve të ekipeve, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit.

Sulmohen ekipet e gazetarëve në Zveçan, goditet fizikisht gazetari Burim Zariqi

0

Ekipet e gazetarëve që janë duke raportuar nga Komuna e Zveçanit, janë sulmuar nga protestuesit lokalë pasi kanë tentuar të filmojnë momentin e sulmit ndaj veturës së Policisë së Kosovës.

Në një video dërguar AGK-së, shihet se protestuesit urdhërojnë që të mos xhirohet, kështu duke i shkuar nga prapa e pastaj sulmuar në bark, gazetarin e RTV 21, Burim Zariqin, njëherësh anëtarin e Bordit të AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me pamjet e dhëna në këtë video, dhe ju bëjmë thirrje kolegëve që janë në këto komuna, të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit.

AGK-ja, njëherësh ju bën thirrje organeve kompetente, që të marrin masa për t’i siguruar gazetarët që gjenden në këto komuna.

Sulmohet vetura e ekipit të KALLXOs në Zveçan

0

Një sulm tjetër është shënuar gjatë ditës së sotme ndaj veturës së ekipit të kallxo.com, në Zveçan.

Në fotografitë e publikuara nga media, shihet se protestuesit lokalë i kanë thyer xhamat veturës, e që fatmirësisht nuk ka të lënduar

Ky shënon sulmin e 17 ndaj medieve që po raportojnë nga komunat veriore të Republikës së Kosovës, që nga dita e hënë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u bën thirrje kolegëve gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në asnjë mënyrë të mos rrezikojnë sigurinë e tyre për hir të raportimit.

Sulmohet ekipi i RTV Dukagjinit – i dëmtohet vetura e dytë

0

Ekipit të RTV Dukagjini gjatë raportimit në Zveçan i është dëmtuar vetura. Fatmirësisht raportohet se nuk ka të lënduar, në ndërkohë që kjo është vetura e dytë e këtij mediumi që është vandalizuar nga protestuesit lokalë.

Në vazhdën e ngjarjeve në komunat veriore të Kosovës, ky është sulmi i 16 në drejtim të mediave brenda dy ditësh.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim të thellë kërkon posaçërisht nga prezenca ndërkombëtare që të krijojë ambient më të sigurt për gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe shoferët, që janë në krye të detyrës, e po raportojnë nga veriu i vendit.

Sulmohet taksi me të cilën po udhëtonte ekipi i REL-it

0

Një mjet shpërthyes është hedhur nga një grup i protestuesve serbë, në drejtim të veturës (taksi) në të cilën ishte ekipi i Radio Evropa e Lirë.

Sipas ekipit prezent, nuk dihet mjeti shpërthyes i cili është hedhur në drejtim të tyre, mirëpo zhurma ka qenë e madhe. Fatmirësisht, asnjëri nga pjesëtarët e ekipit nuk është lënduar.

Në vazhdën e ndodhive në komunat në veri të vendit, mbi 15 sulme në drejtim të gazetarëve kanë ndodhur vetëm dy ditët e fundit.

Vetura e Periskopit është gjuajtur me plumba gjatë natës në Zveçan

0

Veturat e disa prej ekipeve mediale nga Prishtina, mbrëmë kanë mbetur të bllokuara në Zveçan, pas largimit të gazetarëve dhe kameramanëve, disa orë pas përleshjeve mes KFOR-it dhe serbëve lokalë.

Pas KTV-së dhe T7, edhe portali online “Periskopi” e ka gjetur veturën sot të dëmtuar, dhe në bazë të pamjeve në drejtim të saj janë gjuajtur plumba.

Situata është përshkallëzuar, ndërsa sulmet në drejtim të mediave vetëm sa po intensifikohen tutje. Gazetarët vazhdojnë të raportojnë në kushte të rënda, ndërsa rreziku vazhdon të shtrihet në të gjitha komunat në veri të vendit.

Sulmohet ekipi i RTV 21 në veri të Mitrovicës

0

Ekipi i RTV21, i përbërë nga gazetarja Lirie Dibrani dhe kameramani, Berat Bahtiri, janë sulmuar fizikisht nga serbët derisa po raportonin në sheshin Car Llazar.

Mediumi ka njoftuar AGK-në, se krahas sulmit fizik ndaj kameramanit, atij i është marrë edhe pajisja me të cilën ishte duke xhiruar.

Ekipi ka njoftuar AGK-në, se aktualisht janë duke dhënë deklaratë rreth sulmit në Policinë e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është thellësisht i shqetësuar me pamjet e sulmit ndaj kameramanit, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që ta trajtojnë rastin sa më parë në mënyrë që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë. Njëherësh, AGK-ja, u bën thirrje Policisë së Kosovës që t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u rrezikuar dhe penguar.