Home Blog Page 15

Gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi sulmohet me gurë në kokë

0

Gazetaren Dorentina Thaqi, protestuesit të cilët i kanë sulmuar edhe kameramanët e RTK-së dhe TëVë1-në, e kanë qëlluar me gurë në kokë, ndërsa e kanë gjuajtur edhe me shok-bombë.

Ky është sulmi i 28-të në drejtim të ekipeve të mediave, gjatë tensioneve të fundit në veri të vendit, ndërsa sulmi i katërt vetëm gjatë ditës së sotme në Leposaviq.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon që urgjentisht të sillen para drejtësisë protestuesit, ndërsa u bën thirrje ruajtësve të rendit dhe paqes, Policisë së Kosovës, Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it, që të krijojnë kushte të favorshme për raportim, në këto kohë të ndjeshme.

Gazetarit Pleurat Salihu ia thyejnë krahun protestuesit në Leposaviq

0

Gjatë raportimeve të ekipeve të mediave, në komunën veriore të Leposaviqit, në vendin ku u sulmua grupi me gazetarë e kameramanë, gazetarit të Arbresh,info, Pleurat Salihut ia kanë thyer krahun.

Sipas informatave nga kolegë prezent, Salihu ,ka pranuar ndihmën e parë mjekësore, posa kanë arritur të largohen nga zona e rrezikut.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto sulme janë të tmerrshme dhe të papranueshme. Ky është sulmi i tretë brenda një periudhe të shkurtër vetëm gjatë ditës së sotme, i shkaktuar nga protestuesit e maskuar serbë, në prani të organeve të sigurisë.

Sulmi në Leposaviq, i lënduar edhe kameramani i Tëvë1

0

Në Komunën e Leposaviqit sot janë sulmuar fizikisht ekipe të medieve nga Prishtina, derisa po raportonin nga atje.

Lëndime trupore, krahas kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, ka marrë edhe kolegu nga Tëvë1, Albin Rrahmani.

Redaksia ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se Rrahmani ka marrë lëndime në këmbë, teksa fatmirësisht pjesa tjetër e ekipit të këtij mediumi, kanë shpëtuar pa u sulmuar.

“Në mesin e gazetarëve të lënduar është edhe kameramani Albin Rrahmani, i cili ka pësuar lëndime në këmbë. Aktualisht, ekipi është duke dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës”, ka thënë redaksia e Tëvë1 për AGK-në.

Sulmi brutal i sotëm ndaj gazetarëve dhe kameramanëve në Leposaviq është krejtësisht i papranueshëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, dhe i ftojmë organet kompetente të Republikës së Kosovës që të trajtojnë rastin me prioritet në mënyrë që sulmuesit e kolegëve tanë të arrestohen sa më parë. Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i njoftojë të gjithë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me rastin.

Sulmohen mediat në Leposaviq, kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, pëson lëndime të rënda në kokë dhe trup

0

Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq.

Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren. Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit.

Në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e medieve, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i bënë thirrje urgjente Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar aty.

AGK-ja, dënon ashpër këtë sulm, njëherësh bën të ditur se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Sulmohet vetura e RTK-së në Zveçan

0

Në Zveçan sonte u sulmua vetura e ekipit të Transmetuesit Publik, Radio Televizionit të Kosovës – RTK, e përbërë nga gazetarja, Arbresha Berisha, kameramanët Ilir Uka dhe Bardh Bekteshi, si dhe inxhinieri, Mentor Vinarci.

Gjatë raportimit të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve nga kjo komunë, gazetarja Arbresha Berisha, ka njoftuar se disa persona kanë gjuajtur me tulla në drejtim të veturës, si dhe i kanë shpërthyer gomat. Fatmirësisht, nuk ka të lënduar.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto sulme janë të papranueshme dhe shumë shqetësuese, duke qenë se në një interval prej dy javësh sulmet kanë shënuar ngritje të paprecedentë deri tani.

AGK-ja, i fton organet e rendit, vendore dhe ndërkombëtare, që të garantojnë siguri për ekipet e mediave, të cilat po raportojnë mbi tensionet në komunat veriore të vendit.

AGK-ja e shqetësuar me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i tronditur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për pezullimin e licensës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim.

AGK-ja, e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës. Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me fatin e kolegëve tonë gazetarë, kameramanë dhe punëtore të tjerë të Klan Kosovës të cilët do të afektohen direkt negativisht nga ky vendim arbitrar. Konsiderojmë gjithashtu që ky vendim është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht.

AGK-ja, do të jetë në kontakt me organizatat partnere ndërkombëtare për lirinë e medias për të denoncuar këtë akt të Qeverisë.

Ekipi i ATV-së sulmohet me gurë në Zveçan, lëndohen gazetari dhe kameramani

0

Në Zveçan është sulmuar me gurë ekipi i ATV-së, i përbërë nga gazetari Fatlum Jashari, kameramani Blend Thaçi, si dhe shoferi, Enis Sherifi, përderisa po përcillnin zhvillimet e fundit në këtë komunë.

Sipas mediumit, disa persona të maskuar, e kanë sulmuar me gurë veturën derisa ishte në lëvizje, e që si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe iu janë thyer xhamat veturës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të jetë i shqetësuar për ekipet e medieve që po raportojnë nga veriu i vendit, andaj ju bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për ta.

Gjuhë linçuese e deputetit të VV-së, Artan Abrashi ndaj portalit “Albanian Post”

0
Deputeti i shumicës parlamentare, Artan Abrashi i Vetëvendosjes ka përdorur gjuhë linçuese sot ndaj portalit “Albanian Post”, pas publikimit të shkrimit që paralajmëron sanksione të mundshme kundër kryeministrit Albin Kurti, dhe të tjerëve rreth situatës në veri. Një shkrim i ngjashëm është publikuar edhe në “Euronews Albania”.
Për sanksione ndaj Kosovës po flet portali i Stanishiqit në shqip. E ka emrin Albanian po nuk ka asgjë shqiptare në të”, ka shkruar deputeti në Facebook.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër gjuhën e përdorur nga Abrashi, dhe konsiderohen se një etiketim i tillë rrezikon seriozisht sigurinë e të gjithë gazetarëve, dhe punonjësve të tjerë të këtij mediumi.
AGK-ja, e fton kryeministrin Kurti që të distancohet nga sulme të tilla të njerëzve të qeverisë dhe partisë që udhëheq ndaj medieve dhe gazetarëve.

Ekipi i RTV 21 ndiqet nga një person i armatosur në Leposaviq

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka pranuar me shqetësim lajmin se ekipi i RTV 21, është ndjekur nga persona të maskuar në Leposaviq.

Gazetari Venhar Isufi, së bashku me kameramanin, Olti Pacolli, fillimisht janë penguar gjatë kryerjes së detyrave profesionale.

Sipas Isufit, ata janë kërcënuar dhe u është kërkuar të largohen nga vendi i ngjarjes.

“Jemi penguar të filmojmë negociatat të cilat janë bërë nga ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq me zyrtaret e KFOR-it.” u shpreh ai. “Ne tentuam të afrohemi për të xhiruar atë se çfarë po ndodhte dhe të njëjtit na kanë kërcënuar duke na thënë të largohemi nga aty dhe të mos i përdorim kamerat. Ndërsa, pas 15 minutave, kemi dalur më poshtë për ta përcjellur ngjarjen dhe pas nesh ka dalur nje person i maskuar me armë në bel i cili qëndronte aty.”

Sipas ekipit të RTV 21, ky rast është raportuar edhe pranë Policisë së Kosovës.

Për AGK-në, siguria e ekipeve të cilat po raportojnë nga veriu i vendit, vazhdon të jetë shqetësuese, ndërsa u bën thirrje PK-së, KFOR-it dhe EULEX-it, që të krijojnë kushte më të mira për ta.

Ky është rasti i 21-të i sulmeve, kërcënimeve e dëmtimeve të pronës private, të ekipeve të mediave, të cilat kanë raportuar mbi ngjarjet e fundit nga komunat në veri të Kosovës.