Home Blog Page 14

FPU dhuron donacion mjete mbrojtëse për gazetarët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri

0

Organizata Free Press Unlimited – FPU, me iniciativën dhe ndërmjetësimin e Zyrtares Ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, i ka dhënë donacion AGK-së, mjete mbrojtëse për gazetarët që raportojnë në terren ku rrezikohet siguria e tyre fizike.

Pjesa e parë e këtij donacioni që përmban 14 jelekë antiplumb, 16 helmeta dhe 17 pako për ndihmë të parë, është pranuar sot nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari. Teksa pritet që brenda muajit të arrijë edhe pjesa e dytë e këtyre mjeteve.

Shpërndarja e pajisjeve mbrojtëse për mediet do të bëhet duke marrë parasysh nivelet e rrezikut në vend.

Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në koordinim me ECPMF-në dhe FPU, do të bëjë shpërndarjen e jelekëve me mbishkrimin PRESS për mediet qendrore dhe lokale, të cilat raportojnë nga veriu i vendit.

AGK-ja dënon gjuhën e Drejtorit të Financave të Telekomit, Feim Kelmendi ndaj gazetarëve të Front Online

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është njoftuar nga redaksia e “Front Online” për gjuhën denigruese dhe etiketimet që Drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, ka përdorur ndaj gazetarëve të këtij portali lidhur me një shkrim në publikuar në këtë medie.

Drejtori Financiar i kësaj ndërmarrjeje publike ka fyer rëndë gazetarët duke përdorur edhe etiketime të papranueshme si “Moti ju kam thane qe: S’ka bir nene e as bire k**ve qe gjene skandale ne Telekom”. Për më tepër, Kelmendi ka vazhduar fyerjet edhe në profilin personal të Kryeredaktorit të Front Online, Lavdim Hamidi.

Kjo nuk është hera e parë që Drejtori Financiar i Telekomit të Kosovës, Feim Kelmendi, fyen, kërcënon dhe etiketon gazetarët e medieve në Kosovë.

AGK-ja, i bën thirrje Bordit dhe Drejtores së këtij institucioni që të distancohen nga gjuha ofenduese e Kelmendit dhe etiketimet e përpjekjet për të ndërhyrë në punën e gazetarëve.

Kolegëve ukrainas i bashkohet gazetarja Liudmyla Lukianchenko

0

Programit “Journalists in Residence – Kosovo”, i është bashkuar gazetarja e radhës nga Ukraina, Liudmyla Lukianchenko.

Në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, Lukianchenko u mirëprit nga Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, Koordinatori i Terrenit, Adem Sylejmani, Përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci, si dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Journalists in Residence – Kosovo që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF e po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

Ambasadori Francez priti në takim përfaqësues të AGK-së

0

Dje, Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, priti në takim Drejtoren Ekzekutive të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, si dhe Zyrtaren për Komunikim, Rabije Hyseni, ku u njoftua nga afër me ngjarjet e fundit sa i përket sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias.

Në këtë takim, Ambasadori Guerot priti edhe me praktikantët francezë, Axel Guillou dhe Remi Hunault, të cilët i janë bashkuar AGK-së muajin e kaluar. Për më tepër, gjatë takimit u rikonfirmua mbështetja e Ambasadorit për AGK-në dhe komunitetin të cilin e përfaqëson.

AGK-ja bën thirrje për procedurë transparente të ankesës së Klan Kosovës në ARBK

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëpritur kompletimin e dokumentacionit dhe dërgimin e ankesës së televizionit, Klan Kosova në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

AGK-ja, i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që pa vonesë dhe në një proces transparent të caktojë përbërjen e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, dhe që e njëjta ta pranojë si të bazuar ankesën e Klan Kosovës.

AGK-ja, beson se ky veprim procedural do t’i jepte fund tentimit qeveritar për të mbyllur këtë televizion, gjë që tashmë ka ndikuar në lirinë e medies dhe pluralizmin medial në Kosovë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës angazhon konsulent juridik

0

Me mbështetjen e dhënë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, z.Yll Zekaj është angazhuar si konsulent juridik për të ofruar ndihmë juridike Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe anëtarëve të saj.

Mbrojtja ligjore për komunitetin është tejet e rëndësishme për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, andaj inkurajojmë të gjithë kolegët që t’i raportojnë rastet kur pengohen gjatë kryerjes së detyrës, ose janë cak i sulmeve dhe kërcënimeve.

Shqetësimet, kërkesat, dhe pyetjet mund t’i adresoni në këtë email adresë: [email protected].

ARBK-ja anulon vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit për Klan Kosova

0

Televizioni Klan Kosova, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve – ARBK, përmes një vendimi zyrtar, ka bërë të ditur se ka shfuqizuar vendimin për suspendimin e certifikatës së biznesit ndaj këtij mediumi.

Klan Kosova nëpërmjet një shkrese ka falënderuar të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe shprehjes, ambasadat, si dhe kolegët gazetarë që i dolën në mbështetje në këtë proces.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga publikimi i këtij vendimi, kishte ngritur shqetësimin për veprimin e MINT-it, dhe e mirëpret faktin që kanë përfunduar procedurat.

Sulmi ndaj medieve në Leposaviq, pëson lëndime trupore gazetarja e Klan Kosova, Qendresa Sinani

0

Qendresa Sinani – gazetare në Klan Kosova, është sulmuar gjatë ditës së sotme derisa po raportonte nga Komuna e Leposaviqit.

Sinani ka qenë në turmën e medieve që është gjuajtur me gurë nga protestuesit e maskuar, dhe ka pësuar lëndime në këmbën e djathtë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me sulmet fizike kundër gazetarëve që kanë ndodhur sot në Komunën e Leposaviqit, andaj bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe të mos rrezikojnë sigurinë e tyre fizike.

AGK-ja, njëherësh i bën thirrje Policisë së Kosovës, që t’i sjellë para drejtësisë sa më parë që është e mundur sulmuesit e kolegëve tanë.

Laura Kerolli dhe kameramani Ardijan Shala nga IndeksOnline sulmohen nga protestuesit në Leposaviq

0

Ekipi i portalit IndeksOnline i përbërë nga gazetarja, Laura Kerolli, dhe kameramani, Ardijan Shala, janë sulmuar fizikisht sot në Leposaviq.

Kerolli dhe Shala kanë marrë lëndime trupore, ndërsa po ndiqeshin dhe sulmoheshin nga protestues serbë.

Vetëm gjatë ditës së sotme, deri tani në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, janë raportuar pesë raste të sulmeve fizike në drejtim në ekipeve të mediave shqip-folëse.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje kolegëve gazetarë që ta prioritizojnë mirëqenien e tyre.