Home Blog Page 13

Presion publik i deputetëve të Vetëvendosjes ndaj gazetares së RTK-së

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellur me shqetësim presionin publik që deputetë të Vetëvendosjes kanë bërë ndaj gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila e ka bojkotuar konferencën për shtyp të Ministres së MINT, Rozeta Hajdari, bashkë me shumicën e kolegëve të medieve tjera.
Deputeti Valon Ramadani ka shkruar se “si duket, ky institucion i qenka shmangur obligimit ligjor, duke mos qëndruar në konferencën e Ministres Rozeta Hajdari”. Në vijë të njëjtë ka shkruar edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, kurse të tjerë eksponentë të partisë në pushtet i kanë bërë jehonë këtyre qëndrimeve duke kërkuar largimin nga puna të gazetares.
AGK-ja, e konsideron bojkotin e së martës, si formë legjitime të protestës së gazetarëve dhe medieve, dhe fton partinë në pushtet të mos bëjë presion ndaj gazetarëve të mediumit publik.
Gjithashtu, AGK-ja e fton menaxhmentin e RTK-së të mos ndikohet nga presioni i pushtetit në raportim me veprimin e ekipit të vet në terren.

Gazetarët dhe shoqëria civile protestuan në mbrojtje të fjalës së lirë

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës sot së bashku me kolegë gazetarë, kameramanë, fotoreporterë si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, protestuan në Sheshin Zahir Pajaziti deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Protesta me moton “Demokracia vdes në errësirë”, u mbajt në shenjë kundërshtimi për vendimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga MINT, një vendim politik i Qeverisë Kurti që është goditje direkte ndaj medias dhe fjalës së lirë në Kosovë.

Gjithashtu, me anë kësaj proteste kërkojmë nga Gjykata që ta trajtojë rastin e Klan Kosovës në mënyrë të drejtë dhe pa u ndikuar.

Kërcënohen me jetë gazetarja dhe kameramani i “Betimi për Drejtësi”

0

Gazetarja, Alberta Hashani dhe kameramani, Dituron Aliu, janë kërcënuar me jetë përderisa ishin duke e zhvilluar një hulumtim që pritet të publikohet në muajin shtator.

Sipas redaksisë së “Betimi për Drejtësi”, gazetarja dhe kameramani janë kërcënuar me jetë nga një shitës i mallrave ilegale.

Raportohet se fillimisht kameramanit i është dërguar mesazh kërcënues, duke i thënë se i ka borxh një gjak.

“Komt.qet..shum.shpet.umk.pre.bes.um.ki.borq.ne.qak”, thuhet në mesazh.

Ndërsa, më pas i njëjti ka telefonuar gazetaren duke u shprehur se atë se bashku më kameramanin do i fur në bander.

“Unë ty ka me të gjete edhe atë djalin, ka me iu fur në tel në bander, ka me iu fur. A po ninë, a po ninë o idiota”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar me këtë raportim të kolegëve, dhe fton Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të trajtojnë rastin sa më parë.

AGK-ja e tronditur me vendimin e Qeverisë Kurti për mbylljen e Klan Kosova

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e Komisionit të Ankesave pranë MINT për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke lënë kështu në fuqi vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi.
Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e Qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve.
AGK-ja, e inkurajon Klan Kosovën që ta vazhdojë betejën në gjykatë dhe shprehë besimin që gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.
Vendimi i sotëm politik i Qeverisë Kurti është goditja më e rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.

AGK-ja kundërshton kufizimin e hapësirës së punës për mediet në Kuvend

0

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga Kuvendi i Kosovës kanë njoftuar se në seancën e së enjtes, janë ballafaquar me kufizim të dukshëm të kryerjes së detyrave nga hapësira e Kuvendit të Kosovës.

Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë, është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve.

AGK-ja, e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi. Ky vendim gjithashtu nuk i kontribuon transparencës për punën e të zgjedhurve të popullit.

AGK-ja, fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut. Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit.

Liliia Vorobiova dhe Volodymyr Martynov gazetarët e radhës nga Ukraina që strehohen në Kosovë

0

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, sot kanë arritur dy gazetarët ukrainas Liliia Vorobiova dhe Volodymyr Martynov.

Vorobiova dhe Martynov në Kosovë do të strehohen në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

Kolegët u mirëpritën nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Koordinatori i Terrenit, Adem Sylejmani, si dhe zyrtarë të MPB-së e Policisë së Kosovës.

Journalists in Residence – Kosovo, që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së KosovësOSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt

Sulmohet fizikisht kameramani i Nacionales në Gjakovë

0

Kameramani i gazetës online Nacionale, Arbër Latifi, është sulmuar fizikisht sot në afërsi të Spitalit të Gjakovës nga pjesëtari i sigurimit të këtij spitali.

Latifi së bashku me gazetaren, Gentiana Hasani, kishin shkuar në Spitalin e Gjakovës për të raportuar rreth ndërprerjes së të gjitha operacioneve që ishte bërë me arsyetimin e temperaturave të larta.

Sipas raportimeve të Nacionales, kolegët kanë marrë ndihmë mjekësore dhe gjithashtu ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës. Njëherësh, bëhet e ditur se pjesëtari i sigurimit që e ka kryer këtë sulm është ndaluar për 48 orë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet tejet i shqetësuar me sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales, dhe u bën thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet rastin.

Gjuhë e rrezikshme e Ministrit Sveçla ndaj gazetarëve

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka parë me shqetësim një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve.

Ministri Sveçla insinuon se audio-incizimet e Shefes së Grupit Parlamentar të partisë së tij, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Srpskas, Simiq u janë dhënë medieve kosovare nga presidenti serb, Vuçiq.

Ministri gjithashtu akuzon gazetarët Berat Buzhala dhe Vehbi Kajtazi për organizimin e protestës së veteranëve.

Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet.

AGK-ja dënon presionin ndaj gazetarit Berat Buzhala pas publikimit të audio-incizimeve

0

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, e ka publikuar sonte një dokument të brendshëm të Administratës Tatimore të Kosovës me subjekt gazetarin dhe pronarin e portalit “Nacionale”, Berat Buzhala, me të cilin e akuzon atë për shmangie tatimi në vlerë prej 71 mijë Euro.

Buzhala e ka publikuar një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e këtij kontesti tregtar-administrativ me vendim përfundimtar të gjykatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh shumë shqetësues faktin që një dokument i tillë i ATK-së, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës, është në posedim dhe publikohet nga një deputet i Kuvendit të Kosovës.

AGK-ja, e sheh këtë si presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet, ndaj z. Buzhala dhe Nacionales, pas publikimit të serisë së audio-incizimeve të zonjës Mimoza Kusari Lila – Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, me ish-deputetin e Listës Srpska, Slavko Simiq.