Home Blog Page 22

AGK: Proces i ri për drejtor të televizionit në RTK

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me vëmendje të shtuar zhvillimet e fundit rreth transmetuesit publik në vend, RTK.

AGK-ja, konsideron se emërimi i Rilind Gërvallës – mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), për drejtor të kanaleve shqip në RTK, përbën konflikt interesi dhe cenon rëndë pavarësinë e transmetuesit publik. Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht.

Rekomandimi dhe emërimi i tij është në kundërshtim me praktikën e mirë që është krijuar gjatë përzgjedhjes së bordit të RTK-së, proces ky që ishte lavdëruar ndërkombëtarisht, si transparent dhe profesional.

Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.

Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies.

Gazetarët afganë: Mirënjohës ndaj Qeverisë dhe AGK-së për mundësinë për të vazhduar profesionin në një vend si Kosova

0

Gazetarët afganë Amina Omid, Ahmad Shaker Sangi, Nimatullah Gholami dhe Rafiullah Nikzad të shoqëruar nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, kanë mbajtur sot konferencë për medie.

 

Në konferencën e mbajtur në zyrat e AGK-së, gazetarët afganë janë shprehur mirënjohës për mbështetjen e dhënë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e ECPMF-së dhe AGK-së për t’i ndihmuar ata.

 

“Falënderoj Qeverinë e Kosovës dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës që na kanë krijuar këtë mundësi që të jemi në Kosovë dhe që ta vazhdojmë profesionin tonë të sigurt” – tha Omid, duke shtuar se shpreson që të gjithë gazetarët e Afganistanit, veçanërisht vajzat dhe gratë të jetojnë në liri të plotë ashtu siç jetojnë në Kosovë.

 

Teksa gazetari, Ahmad Shaker, tha se shumë prej kolegëve të tij janë kërcënuar me jetë dhe se shumë prej tyre janë detyruar të ikin në shtetet tjera.

 

“Afganistanin e kemi lënë në gjendje të rëndë, mediet atje nuk janë aspak të lira dhe secila medie ka një përfaqësues të talebanëve që i kontrollon. Ata vërtetë e kanë krijuar një gjendje të pasigurt sepse nuk pranojnë asnjë kritikë ndaj pushtetit. Përafërsisht 60 për qind e medieve janë mbyllur dhe gazetarët e kanë lëshuar shtetin. Një pjesë e atyre gazetarëve janë strehuar në shtetet afër Afganistanit, por që po jetojnë një jetë mjaftë të varfër”, tha ai.

 

Më tej, gazetari Raifullah Nikzad, tha se është shumë i lumtur që gjendet në Kosovë, por njëkohësisht është shumë i shqetësuar për familjen e tij që ka mbetur në Kabul.

 

“Nga mediet dhe gazetarët e Kosovës ju kërkoj që të trajtojnë më shumë gjendjen e Afganistanit dhe kolegëve të tyre atje, që t’i ndihmojnë atyre që të ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm”, tha Nikzad.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, u shpreh i lumtur për ndihmën e dhënë nga shteti për strehimin e gazetarëve afganë në Kosovë, teksa falënderoi edhe kolegët për solidarizimin me ta.

“AGK-ja është shumë e lumtur që të ndihmojë në strehim gazetarët afganë, që janë detyruar të ikin nga shteti i tyre për shkak të situatës politike. Jam falënderues për solidarizimin e komunitetit gazetaresk me ta, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi që ata të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre si gazetarë në një ambient të sigurtë”

 

Flutura Kusari – Zyrtare Ligjore në ECPMF teksa shpjegoi programin dhe benefitet e tij, tha se do të bëhet çdo gjë që kolegët afganë të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë.

 

“Shtëpia jonë është shtëpia e tyre. Do të bëjmë gjithcka që është e mundur që të bëjnë një jëë të mirë dhe të vazhdojnë punën e tyre si gazetare.”, tha Kusari.

 

 

Gazetarët afganë u mirëpritën në Kosovë një muaj pas vendimit të Qeverisë për strehimin e tyre, në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është i iniciuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbështetet bujarisht nga Iniciativa Hannah Arendt.

 

Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Kosova i mirëpret katër gazetarët afganë

0

Amina Omid, Ahmad Shaker Sangi, Nimatullah Gholami dhe Rafiullah Nikzad – janë katër gazetarët afganë që kanë mbërritur sonte në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

Kolegët afganë u mirëpritën në aeroport nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Gazetarët afganë u mirëpritën një muaj pas vendimit të Qeverisë për strehimin e tyre në Kosovë. Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për gazetarët ukrainas dhe afganë mbështetet bujarisht nga Iniciativa Hannah Arendt.

AGK-ja i bën thirrje FFK-së të organizojë Kuvend të hapur për mediet dhe transparent

0
Pak orë para mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FFK-së, gazetarët dhe mediet në Kosovë nuk e kanë asnjë informacion për vendin dhe orën e kësaj ngjarjeje.
AGK-ja, i bën thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që të organizojë Kuvend të hapur dhe transparent, në mënyrë që opinioni të jetë i informuar për vendimet e rëndësishme që do të merren në këtë Kuvend. Kjo bëhet akoma më e rëndësishme në kohën kur shtëpia më e madhe e futbollit në vend nuk e ka përfunduar ende procesin e licencimit. Në cilëndo rrethanë, FFK-ja, duhet të krijojë kushtet e nevojshme për raportimin profesional të medieve.

AGK-ja e përkrah bojkotin e sotëm të gazetarëve ndaj Qeverisë

0

Gazetarët dhe kameramanët e medieve kosovare sot janë organizuar spontanisht për të bojkotuar konferencën për shtyp, pas Mbledhjes së Qeverisë. Gazetarët kanë pritur më shumë se 40 minuta për paraqitjen e dy ministrave të Qeverisë, Hekuran Murati dhe Arbërie Nagavci.

AGK-ja, përkrah kolegët gazetarë për veprimin e sotëm, pasi që kjo nuk është hera e parë që Qeveria vonon pa ndonjë shpjegim konferencat.

AGK-ja, gjithashtu i kërkon Qeverisë respektimin e punës së gazetarëve duke organizuar konferencat për shtyp, në një kohë të arsyeshme pas përfundimit të mbledhjeve. Qeveria duhet ta vendosë interesin publik në rend të parë, duke pranuar pyetjet e gazetarëve për vendimet që ajo i merr.

Gazetarët ukrainas mirëpriten në Kuvendin e Republikës së Kosovës

0

Gazetarët ukrainas sot janë takuar me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe kanë ndjekur nga afër punimet e seancës së dytë për sesionin pranveror.

Kolegët nga Ukraina janë përshëndetur nga deputetët e pranishëm në Parlament, teksa kanë brohoritur “Slava Ukraina” dhe “Rroftë Kosova”.

Luidmyla Makei, Sehri Shevchenko, Luidmyla Mekh, Maryna Zhyvotkova, Oksana Chykanchy, Viktoriia Kaidash, Iryna Synelnyk dhe Olga Lysnicha, në shoqërimin e Drejtores Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe Zyrtares Ligjore të ECPMF-së, Flutura Kusari, kanë shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tyre karshi ndihmës së dhënë për ta nga Institucionet dhe populli i Kosovës.

Gazetarët nga Ukraina janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, që është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF dhe financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 

Fyerje dhe kërcënime ndaj gazetarit, Bujar Vitija

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari, Bujar Vitija, për një seri fyerjesh, linçimesh e kërcënimesh që i janë bërë në ditët e fundit, pas një serie shkrimesh rreth dyshimeve për korrupsion në Spitalin Publik të Vushtrrisë.

AGK-ja e dënon gjuhën e përdorur ndaj gazetarit Vitija, dhe konsideron se ajo pengon punën e tij dhe të gazetarëve të tjerë. Të gjitha organet duhet ta bëjnë punën e tyre profesionale, për të zbardhur ngjarjet rreth akuzave të ngritura.

Kosovë: ECPMF dhe EFJ mirëpresin mbështetjen e re për gazetarët afganë

0
epa09663664 Journalists cover the protest as people demand the unfreezing of central banks assets abroad, in Kabul, Afghanistan, 02 January 2022. The protesters criticized the United States President Joe Biden and the international community for allowing the people of Afghanistan to starve due to the economic crises, and urged them and the Taliban government to help them. The return of the Islamists, criticized of human rights abuses during their previous regime during 1996-2001, prompted the US to freeze its foreign assets, while a large part of the international community imposed economic sanctions and blocked aid. Photo: picture alliance/EPA/STRINGER

Qeveria e Kosovës sot ka njoftuar se do t’u ofrojë strehim pesë gazetarëve që ikin nga persekutimi në Afganistan. Gazetarëve do t’u sigurohet strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe një biletë kthimi, kur rrethanat të krijohen që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Projekti do të integrohet në programin e ECPMF-së për Gazetarët në Rezidencë në Kosovë, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ).

Organizatat do të bashkëpunojnë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK, si partner implementues. Pas njoftimit, Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, tha se: “Ne e mirëpresim këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, të cilët sërish po ofrojnë mbështetjen e tyre për gazetarët të cilët janë të persekutuar thjesht për kryerjen e punës së tyre. Nga programet tona ekzistuese JiR në Leipzig dhe Kosovë, ne e dimë se ndihma e punonjësve të medias me zhvendosjen në një kohë krize të thellë është e pakrahasueshme. Ne i jemi mirënjohës edhe qeverisë gjermane për mbështetjen thelbësore dhe mundësinë që të jemi në gjendje të ofrojmë këtë mbështetje edhe për gazetarët afganë.”

“Ne u jemi shumë mirënjohës autoriteteve të Kosovës, të cilët po tregojnë një ndjenjë të jashtëzakonshme solidariteti me gazetarët e rrezikuar në mbarë botën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutiérrez.

“Dëshiroj të përgëzoj edhe organizatat e gazetarëve evropianë, dhe në veçanti partnerët tanë nga AGK-ja, të cilët me përkushtim shembullor po mbështesin kolegët tanë ukrainas dhe afganë në mërgim. Solidariteti është një përgjigje efektive ndaj atyre që duan të shkatërrojnë gazetarinë.”

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, tha: “Jemi të kënaqur që kolegët tanë afganë do të mund ta quajnë Kosovën shtëpinë e tyre së shpejti. Kjo do të shpërfaqë atë se bashkëpunimi jonë tashmë me EFJ-në, ECMPF dhe Qeverinë e Kosovës, të zgjerohet përmes programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë” me gazetarë, puna e të cilëve është bërë e pamundur për shkak të gjendjes së luftës nëpër vendet e tyre. Ne në AGK, jemi të gatshëm të bëjmë maksimumin për të ndihmuar kolegët afganë të punojnë si gazetarë nga Kosova, në një mjedis të sigurt.”

Programi JiR në Kosovë për gazetarët ukrainas dhe afganë mbështetet bujarisht nga Iniciativa Hannah Arendt, një program i nisur bashkërisht nga Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock dhe Ministrja e Shtetit për Kulturën, Claudia Roth.

Programi JiR Kosovo është pjesë e Zërave të Ukrainës, një projekt i zbatuar nga ECPMF dhe i financuar nga Iniciativa Hannah Arendt.

Informatat se si mund të aplikoni do të publikohen së shpejti në ueb faqet tona, si dhe do të shpërndahet përmes rrjeteve sociale.

Alarmuese: Ekipi i Klan Kosovës hospitalizohet pas sulmit me gurë nga persona të maskuar në Zupç

0

Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.

Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok.

Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime.

Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri. Andaj, AGK-ja, kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.