Home Blog Page 21

DASh publikon Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022

0

Departamenti i Shtetit të ShBA-ve ka publikuar sot raportet për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022.

Në pjesën për Lirinë e Shprehjes në Kosovë, raportohet se Liria e Shprehjes është respektuar në përgjithësi, por që ka pasur tentime për frikësim të gazetarëve dhe udhëheqësve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Raportet kredibile theksuan se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare u përpoqën të frikësonin përfaqësuesit e medieve. Problemet e financimit gjithashtu dobësuan pavarësinë e medieve. Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacioneve nga qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që garantojnë qasje në dokumente publike.”, thuhet fillimisht në raport.

Departamenti amerikan i Shtetit citon edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, për sulmet në drejtim të gazetarëve gjatë raportimit në veri të Kosovës, arrestimin e kameramanit, Albion Selitaj, nga Policia e Kosovës, si dhe sulmet kibernetike ndaj medieve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës deri në muajin dhjetor, ka raportuar 29 raste të sulmeve, kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve ose sulmeve kibernetike në drejtim të medieve nga zyrtarët qeveritarë, liderëve politikë, stafi gjyqësor, grupeve të biznesit e atyre fetare. Në dhjetor, Reporterët pa Kufij i bënë thirrje policisë dhe forcave të sigurisë që të ofrojnë mbrojtje më të mirë për gazetarët që raportuan nga veriu i Kosovës, pas sulmeve që ndodhën ndaj gjashtë ekipeve mediatike mes 15 nëntorit dhe 19 dhjetorit. Në muajin shkurt, policia arrestoi kameramanin e agjencisë së lajmeve Ekonomia Online, Albion Selitaj, teksa ai ishte duke xhiruar një aksion policor në Suharekë. Selitaj u lirua pas hetimeve të bëra. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kritikoi policinë për sjellje joprofesionale e që cenonte lirinë e shprehjes.

Në raport gjithashtu është evidentuar edhe kampanjat urrejtje-nxitëse në drejtim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, pas reagimeve në mbrojtje të disa gazetarëve e medieve.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë link.

Shqetësuese tentim frikësimi ndaj redaktorit Alban Selimi

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien e garazhit të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi.

Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit.

“Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!”, ka shkruar ai.

Për AGK-në kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve.

AGK: E papranueshme gjuha e zyrtarit komunal të Kamenicës ndaj T7

0

Vaxhid Rexhepaj, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, Kadri Rrahimaj, ka përdorur gjuhë të papërshtatshme ndaj gazetarit të Televizionit 7, Çlirimtar Morina.

Rexhepaj, i pyetur për një fotografi montazh në zyrën e Rrahimajt që është bërë virale, ka zgjedhur t’i sulmojë mediat, në vend të dhënies së një përgjigjeje.

Në videon e publikuar nga T7, Rexhepaj dëgjohet duke thënë se “pikturën do t’ua dërgojmë pronarëve tuaj, si Aleksandar Vuciqi”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron të papranueshme dhe kërcënuese një gjuhë të tillë, e që nuk është një rast i izoluar ndaj gazetarëve që përcjellin aktivitetet e zyrtarëve shtetërorë në terren. Edhe njëherë, AGK-ja, u bën thirrje zyrtarëve të pushtetit si qendrore ashtu edhe lokale, që të mos përdorin gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe të respektojnë punën e tyre.

Anëtarët e Safe Journalists takohen me përfaqësues të institucioneve evropiane në Bruksel

0
Gjatë kësaj jave, në kuadër të platformës rajonale Safe Journalists, janë zhvilluar takime pune mes anëtarëve të platformës dhe përfaqësueseve të institucioneve evropiane.
Takimet u zhvilluan në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian në Bruksel, në të cilat AGK-ja, u përfaqësua nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe Rabije Hyseni – Zyrtare për Komunikim.
Mulliqi Bojaj dhe Hyseni, u takuan me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon-Taubade, dhe Romeo Franz – anëtar i Parlamentit Evropian dhe pjesëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani.
Anëtarët e Safe Journalists gjithashtu u takuan me përfaqësuesit e Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations in Brussels. Të pranishëm në takim ishin Anna Vezyroglu – Zyrtarja për Politikë dhe Strategji Rajonale për Ballkanin Perëndimor, Chloe Berger – Zyrtare Politike për Serbinë, Victor Tiela – Zyrtar politik për Maqedoninë e Veriut dhe Velislav Ivanov – Zyrtar për Politika të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.
Anëtarët e rrjetit prezantuan gjetjet e raporteve “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve”, si dhe diskutuan për raportin e progresit dhe rekomandimet e tij.

AGK-ja i dënon kërcënimet në drejtim të gazetarit të Kallxo.com

0
Zyrtarja e Komunës së Fushë-Kosovës, Hasime Qyqalla, ka tentuar të frikësojë gazetarin e KALLXO.com

, Behar Mustafën, me inicim të ndjekjes penale.

Ky frikësim vjen pas një hulumtimi të KALLXO.com

, ku përfshihet i biri i zyrtares në fjalë. Në ndërkohë që, e njëjta gjatë ditës së sotme, nëpërmjet telefonit e ka kërcënuar gazetarin se do t’ia vendosë emrin në një kallëzim penal.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon këtë tentim të personit zyrtar për të heshtur gazetarin Mustafa, në ndërkohë që i rikujton se në Kosovë shpifja është e dekriminalizuar.
AGK-ja, u bënë thirrje të gjithë zyrtarëve dhe personave me ndikim, të përmbahen nga kërcënimet dhe deklaratat e tilla në drejtim të gazetarëve, ngaqë narrativat e tilla, e dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe tundin themelet e demokracisë. Për më tepër, AGK-ja, i inkurajon të gjithë kolegët që të vazhdojnë me raportimet e tyre të drejta dhe të mos bien pre e kërcënimeve të tilla.

Reagim i AGK-së mbi gjuhën e Agron Bekës ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është njoftuar për akuzat që anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës – KPK, Agron Beka, i ka bërë ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”, në mbledhjen e KPK-së, të enjten.

Më 18 shkurt 2023 në KTV, është transmetuar emisioni “Betimi për Drejtësi”, me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin Beka ishte protagonist i shpërfaqur përmes kallëzimeve penale, si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Beka në mbledhjen e KPK-së, ka akuzuar se përmbajtja e emisionit televiziv ka qenë “e porositur”, dhe ka krahasuar atë me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe emisioni “Betimi për Drejtësi”, i kanë reaguar Bekës, duke thënë se “kanë zhvilluar hulumtimin në përputhje të plotë me të gjitha standardet më të larta etike dhe profesionale, duke prezantuar fakte dhe dëshmi si dhe duke ju ofruar të gjitha palëve hapësirën e duhur për tu intervistuar për ta dhënë versionin e tyre”.

AGK-ja, shpreh shqetësim për gjuhën e përdorur në këtë mbledhje ndaj emisionit “Betimi për Drejtësi”, dhe bën thirrje që të mos shfrytëzohen institucionet publike për të linçuar mediet.

Kryetari i Bordit të AGK-së mirëpritet në Sindikatën Kombëtare të Gazetarëve në Ukrainë

0

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, është duke qëndruar në Ukrainë në kuadër të bashkëpunimit të AGK-së dhe Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës, për strehimin e kolegëve ukrainas në Kosovë.

Rexha në kryeqytetin ukrainas është mirëpritur nga homologu i tij, Sergiy Tomilenko, me të cilin kanë diskutuar për të arriturat e deritanishme të projektit “Journalists in Residence – Kosovo”, si dhe rreth planeve për të ardhmen në mënyrë që programi të implementohet sa më me lehtësi.

Në kuadër të kësaj vizite, Rexhës i është dhuruar një pikturë e realizuar nga një nxënës i një shkolle në Kiev.

Journalists in Residence – Kosovo, është program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e që për qëllim ka strehimin e gazetarëve ukrainas dhe afganë në vend. Në kuadër të këtij programi, përveç strehimit, gazetarëve u sigurohet pagë mujore, shërbime shëndetësore, si dhe biletë kthimi kur rrethanat do të krijohen që të njëjtit të kthehen në shtëpitë e tyre. Programi përkrahet edhe nga Iniciativa Hannah Arendt.

Nadia Gulabzada – gazetarja e pestë afgane që strehohet në Kosovë

0

Mëngjesin e sotëm, në Kosovë, ka mbërritur gazetarja e pestë afgane, Nadia Gulabzada.

Gulabzada u mirëpritë në aeroport nga bashkëkombësja e saj Amina Omid, tanimë e strehuar në Prishtinë prej një jave, Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, përfaqësuesi i MPB-së, Kushtrim Nreci, dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Kolegët afganë janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosovo”, inicuar nga ECPMF, e që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij programi, përvec strehimit gazetarëve afganë u sigurohet pagë mujore, shërbime shëndetësore, si dhe biletë kthimi kur rrethanat do të krijohen që të njëjtit të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Journalists in Residence – Kosovo”, përkrahet edhe nga Iniciativa Hannah Arendt.

Ekipi i T7 kërcënohet me armë zjarri në Leposaviq

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka pranuar me shqetësim të mërkurën raportimin për një incident serioz në veri të Kosovës ndaj një ekipi të televizionit T7.

“Gazetari Unitet Berisha edhe kameramani Përparim Gashi kanë shkuar sot në Leposaviq për të raportuar për një kontrabande të cilën e ndaloi Policia e Kosovës në fshatin Jashanicë, mirëpo gjatë rrugës për në këtë fshat një veturë me 3 persona të armatosur brenda është vënë në ndjekje të ekipit të televizionit. Gjatë gjithë kësaj kohe nga vetura me targat GM-074-NO, personat brenda ia kanë drejtuar armën ekipit të T7 duke kërkuar nga ekipi që të ndalin veturën. Ndjeka e tyre ka përfunduar vetëm në momentin kur janë afruar pikës në të cilën qëndron Njësia Speciale e Kosovës. Ekipi i T7 ka dhënë dëshmi në stacionin policor në Zveçan”, ka raportuar televizioni.

AGK-ja, e dënon ashpër sulmin dhe alarmon për pasigurinë me të cilën ballafaqohen ekipet e gazetarëve që shkojnë nga Prishtina për të raportuar në veri.

AGK-ja, fton organet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë që të shtojnë përpjekjet e tyre për të ofruar sigurinë e nevojshme që gazetarët ta kryejnë punën e tyre të parrezikuar.