Home Blog Page 29

AGK-ja dënon përpjekjet për frikësim me padi ndaj gazetarëve të FrontOnline nga Gjiko

0

Menjëherë pas publikimit të një pjese të aktakuzës me të cilën Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon këngëtarin Asdren Gjikolli, të njohur si Gjiko, ky i fundit ka paditur për shpifje gazetarët e portalit “Front Online”, kryeredaktorin Lavdim Hamidi dhe drejtorin Enis Veliu, duke kërkuar edhe masë sigurie ndaj postimeve të tyre në Facebook. Postimet ndërlidhen me raportimet e tyre në FrontOnline.

Gjiko ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prishtinës ta urdhërojë Hamidin dhe Veliun që të fshijnë postimet dhe ka kërkuar dëmshpërblim prej 5,100 euro nga secili. Paditë janë përgatitur nga shoqëria e avokatëve “Kërveshi & Partners”.

AGK konsideron që paditë dhe kërkesat për masë të përkohshme përmbajnë elemente të Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP), padi këto që nuk kanë për qëllim të fitohen në gjykatë, por të frikësojnë mediat dhe të largojnë vëmendjen nga akuzat që rëndojnë ndaj këngëtarit Gjiko.

Dyshimet për dhunim të një të miture, nga një figurë e njohur publike, përbëjnë temë me interes publik dhe mediat kanë obligim që të informojnë publikun kur akuza të tilla ngriten nga prokuroria. Po ashtu, gazetarët, mediat, shoqëria civile dhe qytetarët kanë të drejtë që të diskutojnë publikisht këto akuza sepse janë temë me interes publik.

Përdorimi i padive për shpifje si strategji për të mos lejuar askënd që të diskutojnë këtë temë janë përpjekje të kota që do të rezultojnë të passukseshme.

Ne besojmë që Gjykata Themelore në Prishtinë do të trajtojë këto padi në mënyrë profesionale dhe në pajtim me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

AGK e alarmuar me ndjekjen penale 4 vjeçare të gazetarëve të Infokusit

0

Më datë 9 mars 2018, prokurori Remzush Latifi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë kundër gazetarit Shkelzen Dakaj dhe gazetares Valdete Dakaj të portalit Infokus për “Lajmërim apo Kallëzim i Rremë” sipas nenit 390 të Kodit Penal. Prokurori Latifi pretendon që portali Infokus “kishte publikuar informata të pavërteta se kinse biznismeni Blerim Devolli posedon pasaportë të falsifikuar të Malit të Zi”. Devolli ishte ankuar në prokurori për dëmtim të imazhit. Aktakuza përmend një seri shkrimesh të publikuara nga portali Infokus në periudhën kohore 23 dhjetor 2016 deri më 25 janar 2017.

Mbrojtja e reputacionit rregullohet me Ligjin Nr. 02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes. Shpifja është dekriminalizuar përfundimisht në Kosovë në vitin 2012 me Qëndrimin Parimor K.94/2012 të Gjykatës Supreme, sipas së cilit shpifja nuk mund të ndiqet penalisht. Po ashtu, neni 390 i Kodit Penal nuk ka të bëjë me publikime në media, por me deklaratat e dhëna tek personat zyrtarë, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë situatë.

Prokurori Latifi në mënyrë të paprecedentë dhe në kundërshtim të hapur me Qëndrimin Parimor të Gjykatës Supreme ka pesë vite që zvarritë në procedura penale gazetarët e Infokusit. Ndjekja penale e gazetarëve në përpjekje për të mbrojtur imazhin e kujtëdo është ndërhyrje e paarsyetur në lirinë e medias, cënon rëndë lirinë e medias dhe krijon efekt frenues jo vetëm tek gazetarët në fjalë por edhe tek gazetarët tjerë.

Kërkojmë nga prokurori Latifi dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë që menjëherë të tërheqë aktakuzën dhe të sigurohet që të ardhmen nuk e shfrytëzon autoritetin e tij që të frikësojë gazetarët.

AGK-ja dënon sulmin e Ramush Haradinajt kundër mediave e gazetarëve në Shqipëri dhe Kosovë

0

Kryetari i AAK-së njëherësh deputeti, Ramush Haradinaj, ka sulmuar sot mediat në Shqipëri dhe Kosovë duke i quajtur “mercenarë” dhe “të shitur”, pas pretendimeve të tij se ato kanë raportuar se mund të konsiderohet si kandidat për President të Shqipërisë. Për më tepër, Haradinaj i ka akuzuar mediat se punojnë “kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës”.

Një gjuhë e tillë është kërcënuese, denigruese, e papranueshme dhe që rrezikon sigurinë e gazetarëve.

AGK-ja e fton zotin Haradinaj dhe të gjithë akterët politikë që ankesat e tyre për raportimet t’i drejtojnë në organet vetërregulluese, dhe të përmbahen nga gjuha fyese dhe kërcënuese.

AGK-ja dënon vendimin për mbylljen e Kuvendit të FFK-së për gazetarët dhe mediat

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mbyllur punimet e Kuvendit zgjedhor për gazetarë dhe media, të paraparë për 6 prill.

Sipas njoftimit të FFK-së, vetëm një transmetues do të lejohet në atë hapësirë, por asnjë gazetar.

Arsyetimi i hapësirës është i paqëndrueshëm, pasi që ngjarje të ngjashme janë mbuluar edhe në të kaluarën nga të gjitha mediat e interesuara. Një mbyllje e tillë pamundëson raportimin profesional nga vendi i ngjarjes, për një ngjarje të rëndësishme dhe me interes publik.

AGK-ja kërkon nga FFK-ja të rishqyrtojë vendimin dhe të lejojë gazetarët dhe mediat të kryejnë punën e tyre duke mos u penguar.

AGK kërkon veprim të shpejtë të organeve të rendit pas kërcënimeve ndaj gazetarit Diamant Bajra

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar njoftimin për kanosjen ndaj gazetarit, Diamant Bajra.

Në njoftimin drejtuar AGK-së, thuhet se Bajra ka pranuar mesazhe kërcënuese pas emisionit të tij të fundit ku kishte trajtuar qarkullimin e parave të falsifikuara.

“Pas transmetimit të emisionit “Falsifikimi që rrezikon Kosovën” në televizionin “Kanal10”, Bajra ka publikuar në profilin e tij në “TikTok” një pjesë të shkëputur nga emisioni, ku edhe ka pranuar një mesazh kërcënues nga një profil i rremë ku shkruan se – “A e menon qe tdel njk ta kerset automat edhe se din askush”. Lidhur me këtë çështje është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët tashmë ka hapur një rast hetimi të cilësuar si kanosje ndaj gazetarit”, thuhet në njoftimin e Gazetës Blic, ku Bajra është redaktor.

AGK-ja e dënon këtë sulm dhe fton organet e rendit ta trajtojnë me prioritet rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij veprimi të dalin para drejtësisë, si dhe gazetarëve tu mundësohet ushtrimi i papenguar i profesionit.

AGK-ja dënon sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi ndaj medieve

0

Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato. 

AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim.  

Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend. 

 

Gazetarët bëhen përfitues të ndihmës juridike falas

0

Gazetarët, fotoreporterët, kameramanët dhe redaktorët për herë të parë janë përfshirë si kategori përfituese në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 25 shkurt 2022.

Ky ndryshim ligjor nënkupton që nëse gazetarët largohen nga puna, paditen për shpifje, ballafaqohen me Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) apo ndiqen penalisht, ata do të përfitojnë shërbime falas juridike dhe përfaqësim në gjykatë nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Ndryshimi ligjor është propozuar nga juristja e së drejtës së medias Flutura Kusari dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe është mbështetur nga shumica e partive politike në pushtet dhe në opozitë.

Përfitues mund të jenë vetëm ata që punojnë në radio dhe televizione të licencuara nga Komisioni i Pavarur për Media dhe/apo ata që punojnë në mediat online që janë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Nr. 04/L-017 për Ndihmë Juridike Falas, neni 10/A (1.11). https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=55138

Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha priti në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport

0

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Xhemajl Rexha, sot priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovës, Ambasadorin Michael Davenport.

Në takim u diskutua për gjendjen e lirisë së mediave në vend, projektet e përbashkëta që priten të implementohen në muajt pasues, si dhe shënimin e 3 Majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Ambasadori Davenport përgëzoi AGK-në për punën e bërë deri më tani si dhe u zotua që të vazhdojë përkrahjen për aktivitetet e ardhshme.

Në këtë takim prezent ishin gjithashtu Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Shefi i Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, Dane Koruga dhe Dorin Vremis – asistent pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë.

May be an image of 4 people, people sitting and people standing

Sulm kibernetik ndaj Buletini Ekonomik, AGK-ja thërret organet e rendit ta trajtojnë me prioritet rastin

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për sulmet kibernetike ndaj faqeve të “Buletini Ekonomik” dhe “Buletini Newsletter”.

Në njoftimin drejtuar AGK-së thuhet se: “Më 25.02.2022, në orët e hershme të mëngjesit janë sulmuar dy faqet kryesore të “Buletinit Ekonomik” në Facebook: “Buletini Ekonomik” dhe “Buletini Newsletter”. Për momentin, të dyja këtyre faqeve u është tjetërsuar pronësia nga sulmi kibernetik i sipërpërmendur. Që nga dje, stafi udhëheqës i portalit tonë, nuk i ka nën menaxhim këto faqe…Për rastin, qysh mbrëmë është njoftuar Policia e Kosovës, dhe për këtë stafi i Buletinit Ekonomik ka dhënë deklaratë për rastin.”

AGK-ja e dënon këtë sulm dhe fton organet e rendit ta trajtojnë me prioritet këtë rast në mënyrë që kryerësit e këtij veprimi të dalin para drejtësisë.

AGK-ja thekson nevojën e reagimit të menjëhershëm të organeve të rendit në këto raste në mënyrë që të mundësohet ushtrimi i papenguar i profesionit.