Home Blog Page 28

Deklarata e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës para Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

0

3 Maji – shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993, e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit. 3 Maji, gjithashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të medieve për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale.

Në nder të shënimit të kësaj dite, Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë adresuar shqetësimet për Qeverinë, Institucionet e Sundimit të Ligjit dhe akterët e tjerë relevantë, për ta ngritur zërin e tyre ndaj cenimit të lirisë së medias, sigurisë së gazetarëve, gjuhës denigruese ndaj gazetarëve dhe ndikimit të saj në besimin në media.

Këtë deklaratë, Bordi i AGK-së e ka adresuar përmes një konference për shtyp që është mbajtur pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Deklarata e plotë e Bordit të AGK-së:

MEDIAT NUK JANË ARMIKU !

Në fillim të dekadës së tretë të lirisë së Kosovës, roli i mediave mbetet po aq vital për zhvillimin demokratik të saj.

Ndër vite, gazetarët dhe mediat kosovare kanë luajtur rolin e tyre primar – informimin e publikut dhe mbajtjen përgjegjës të njerëzve në pushtet që kanë udhëhequr e udhëheqin me vendin.

Ndodhë rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe nuk presin një gjë të tillë. Por, ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë.

Sulmet e vazhdueshme dhe të orkestruara nga pushteti aktual, shpeshherë të bëra me gjuhë ‘politikisht në rregull’, janë duke e degraduar profesionin e gazetarit si asnjëherë më parë. Kjo sjellje, në kombinim me mbylljen e institucioneve dhe mostransparencën që ka mbizotëruar gjatë tërë vitit të kaluar, e bën punën e gazetarit shumë të vështirë.

Tentativa e politikanëve që skandalet të fshihen duke sulmuar gazetarët me narrativën e mirë-orkestruar që “ata shpifin, mos iu besoni”, është e rrezikshme dhe i bën gazetarët të duken kinse janë armiku i vendit. Kur kjo narrativë bëhet e përditshme, atëherë ajo përbën kërcënim direkt për sigurinë e gazetarëve.

Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ne kërkojmë që politkanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.

MEDIAT NUK JANË ARMIKU!

AGK dhe NDI mbajtën modulin e fundit të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, mbajti sot modulin e fundit të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit.

Gazetarët pjesëmarrës diskutuan për verifikimin e videove, imazheve, sigurinë kibernetike dhe luftimin e dezinformatave bashkë me Blerton Abazin – Doktor i Sigurisë Kibernetike njëherësh profesor në Kolegjin UBT, si dhe Adea Beqajn – Zyrtare e Programit në NDI.

Gjatë këtij moduli u diskutua për mekanizmat parandalues, metodat dhe teknikat që mund të aplikohen për verifikimin e informatave, si dhe u prezantuan shembuj konkret se si përdoren rrjetet sociale për përhapjen e dezinformatave.

Në këtë takim gjithashtu u prezantuan edhe gjetjet e vlerësimit të ambientit medial në Kosovë – “Integriteti i Informacionit në Kosovë: Vlerësim i Politikës Ekonomike të Deznformimit”.

Akademia e Gazetarëve për Integritetin e Informacionit filloi në nëtor të vitit 2021 me mbështetjen e dhënë nga NDI dhe USAID, ku përmes të cilës u ofruan një seri e trajnimeve dhe diskutimeve lidhur me integritetin e informacionit, profesionalizmin në gazetari dhe prezencën e dezinformimit, etikën gjatë raportimit me fokus të veçantë në portretizimin e grave në media dhe perspektivën ligjore të gazetarisë dhe mediave.

May be an image of 3 people, people sitting and indoor

May be an image of 4 people, people sitting and indoor

May be an image of 3 people, beard, people sitting and indoor

May be an image of 3 people, people sitting and indoor

May be an image of 3 people, eyeglasses and indoor

Thaçi Mehmeti ndan përvojën e saj si gazetare hulumtuese në konferencën rajonale të Safe Journalists në Sarajevë

0

Gazetarja e Klan Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti, bashkë me kolege gazetare nga i gjithë rajoni, ka ndarë përvojën e saj në gazetarinë hulumtuese në kuadër të panelit për dhunën dhe problemet që gratë gazetare hasin në rajon.

“Në Kosovë, dhuna ndaj grave gazetare nuk është domosdoshmërisht fizike, por më shumë psikologjike. Na bëhet presion që të heqim dorë në pengesën e parë”, ka thënë Thaçi Mehmeti.

Ajo është fokusuar në hulumtimet e vitit 2019 sa ishte gazetare në KTV, e që lidheshin me punësimet dhe aferat korruptive në Telekomin e Kosovës, si dhe ofertat e presionin që ka pasur për të hequr dorë nga raportimet.

Thaçi Mehmeti ka folur në kuadër të Konferencës Rajonale të Safe Journalists, ku po merr pjesë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, bashkë me asociacionet e 6 shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

AGK-ja po merr pjesë në konferencën rajonale të Safe Journalists në Sarajevë

0

AGK-ja po merr pjesë në Konferencën Rajonale të Safe Journalists në Sarajevë

Në Sarajevë të Bosnjë Hercegovinës po mbahet konferenca rajonale e organizuar nga Rrjeti SafeJournalists i 7 shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të prezantuar gjetjet e Indikatorit për Lirinë e Medieve dhe Sigurinë e Gazetarëve.

Në emër të AGK-së, për situatën në Kosovë gjatë vitit 2021 ka folur Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha.

“Prej vitit 2018 rastet e sulmeve të formave të ndryshme ndaj gazetarëve në Kosovë janë rritur, dhe në vitin 2021 janë shënuar në total 29 raste. Një pjesë e madhe e këtyre sulmeve, kryesisht verbale dhe online kanë ardhur direkt nga njerëz në pushtet ose të lidhur ngushtë me pushtetin, që përbën një trend shqetësues në vend. Një pjesë e gazetarëve vazhdojnë të punojnë pa kontrata dhe të paguhen nën nivelin e rrogës mesatare në Kosovë”, ka thënë Rexha.

Safe Journalists, financiuar nga Komisioni Evropian monitoron lirinë e medias dhe raporton për sulmet ndaj gazetarëve në Serbi, Bosnjë e Herecegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni Veriore dhe së fundi edhe në Shqipëri.

EFJ: Vendet tjera ta ndjekin shembullin e Kosovës

0

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) e ka përshëndetur sot ardhjen në Kosovë të gazetares së parë ukrainase, Lyuidmila Makay.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Ricardo Gutiérrez, ka thënë se shtete e tjera evropiane duhet ta ndjekin shembullin e Kosovës.

“Oferta e Qeverisë së Kosovës është përgjigja më e mirë për agresorin rus, i cili po mundohet të imponojë terror duke i targetuar gazetarët në Ukrainë, dhe duke zbatuar cenzurë të papredecent në Rusi. Gazetarët ukrainas duhet të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, në mënyrë që ta informojnë publikun. EFJ u bënë thirrje qeverive të tjera evropiane ta ndjekin shembullin e Kosovës: t’u japin strehë gazetarëve të kërcënuar ukrainas, në mënyrë që ta vazhdojnë punën e tyre në ekzil. Mos e lejoni Kremlinin që të imponojë heshjten përtej kufijve. E falënderojmë përzemërsisht Kosovën që e hapi rrugën në këtë aspekt”, ka thënë Gutiérrez.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mars të këtij viti mori vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 150 mijë eurove në emër të pranimit 20 gazetarëve ukrainas në Kosovë, në kohën kur Ukraina po përballet me agresionin rus.

Për t’i identifikuar dhe pranuar gazetarët nga Ukraina, u angazhua Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), përmes programit “Journalists-in-Residence Kosovo“.

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë.

Makey, konferencë për media në AGK: Jam shumë mirënjohëse për mikpritjen dhe mundësinë për të vazhduar punën si gazetare

0

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, e shoqëruar nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Këshilltarja Ligjore në ECPMF, Flutura Kusari, kanë mbajtur një konferencë në zyret e AGK-së sot në nisje të zbatimit të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovo”, që parashikon mbërritjen në Kosovë të 20 gazetarëve nga Ukraina që është pushtuar nga Rusia.

Makey është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e dhënë nga Kosova, si dhe solidarizimin e gazetarëve për luftën në Ukrainë.

“Sapo zbrita nga aeroplani e ndjeva sinqeritetin dhe mikpritjen e njerëzve që më takuan…Më ka bërë përshtypje tejet mase se si dhimbja e vendit tim ndjehet në zemrën e popullit të Kosovës. Jam mirënjohëse ndaj Qeverisë së Kosovës për mbështetjen ndaj popullit të Ukrainës në një moment kaq të vështirë, si dhe solidarizimin e kolegëve nga Kosova sepse është shumë e rëndësishme që bota të dëgjojë për Ukrainën”, tha ajo.

Makey gjithashtu tha se ndjehet tejet e nderuar që po përfaqëson Unionin e Gazetarëve të Ukrainës që ka mbi 16 mijë anëtarë, si dhe që po i jepet mundësia të raportojë nga Kosova.

“Jam sinqerisht mirënjohëse për mundësinë që të bëhem gazetarja e parë ukrainase që vjen në Kosovë. Për mua kjo është mundësi e mirë për të qëndruar në profesion dhe për të njohur kolegët gazetarë në Kosovë”, ka thënë mes tjerash ajo.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se ndjehet krenar me punën që është bërë deri më tani për akomodimin e kolegëve nga Ukraina, si dhe vullnetin e kolegëve e medieve nga Kosova për t’u ofruar hapësirë pune gazetarëve që do të vijnë në Kosovë.

“Hapësira e AGK-së do të shërbejë për gazetarët e parë si vend pune, njëherësh falënderojmë të gjithë kolegët dhe mediet e tjera që kanë shprehur gatishmëri për t’i ofruar hapësira pune për kolegët nga Ukraina. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për AGK-në, është solidaritet në vepër dhe jam shumë krenar me punën që është bërë dhe do të bëhet, dhe me gjithë vullnetin e gazetarëve, kolegëve për t’i ndihmuar gazetarët nga Ukraina”, tha ai.

Teksa, Flutura Kusari nga ECPMF, tregoi se përveç buxhetit që është ndarë për akomodim, shpenzimeve mujore dhe udhëtimit, kolegëve nga Ukraina u janë siguruar edhe kurse të Gjuhës Shqipe, shërbime mjekësore dhe psiko-sociale.

“Me buxhetin që është ndarë, që është 150 mijë euro për gjashtë muaj, gazetarët që do të vijnë në Kosovë do të marrin 500 euro në muaj për shpenzime mujore, 300 euro për qira të banesës dhe rreth 1 mijë euro për udhëtim për të ardhë në Kosovë, dhe për t’u kthyer në vendin e tyre kur të vjen koha e duhur. Ne po ashtu, kemi siguruar shërbime mjekësore, shërbime psiko-sociale, kurse të Gjuhës Shqipe dhe kurse të integrimit, dhe po ashtu falë AGK-së dhe medieve të tjera kemi siguruar zyre dhe redakësi ku gazetarët do të mund të punojnë”, tha Kusari.

Ajo gjithashtu njoftoi se roli kryesor i ECPMF-së së bashku me Federatën Europiane të Gazetarëve është verifikimi i gazetarëve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e progaramit “Gazetarët në Rezidencë”.

“Roli i Qendrës Europiane për Liri të Shtypit dhe të Medias, dhe EFJ-së është pranimi i kërkesave të gazetarëve nga Ukraina dhe verifikimi i tyre. Ne duam të sigurohemi që gazetarët që vijnë në Kosovë, janë gazetarë të cilët njihën në Ukrainë dhe këtë e bëjmë në bashkëpunim me dy Unionet e Gazetarëve në Ukrainë”, tha ajo.

“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e OSBE-së dhe European Endowment for Democracy, si dhe në bashkëpunim me dy unionet e gazetarëve në Ukrainë.

Ludmila Makey (foto) është gazetarja e parë që të dielën ka mbërritur në Kosovë nga Ukraina, ku do të ketë mundësinë të banojë dhe punojë për gjashtë muaj. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )

Gazetarja e parë nga Ukraina mbërrin në Kosovë

0

Lyudmila Makey – gazetare nga Ukraina, është e para që ka mbërritur në Kosovë, sot në mesditë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.

Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Zonja Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova.

Për javë të tëra, shumë institucione publike vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të pritur gazetarët nga Ukraina.

Me të arritur në aeroport, Znj. Makey tha që sot është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë 21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, shtoi ajo.

“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .

Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Zonja Makey është pritur në aeroport nga Xhemajl Rexha (AGK), Flutura Kusari (ECPMF), si dhe përfaqësues të MPB-së e Policisë së Kosovës.

AGK-ja dënon sjelljen e ministrit Sveçla ndaj gazetares Besarta Hoti

0

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë shtypi sot i ka quajtur “budallallëqe” pyetjet e gazetares, Besarta Hoti, të portalit “Periskopi”.

Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë shtypi.

Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mbanë dhe gjithashtu ka konotacione seksiste. Përgjigja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren.

AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave.

Raporti i DASH-it: Gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet kryesore të Raportit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovë.

Në raportin e publikuar këtë javë thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish pati tentime për frikësim të përfaqësuesve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

Raporti evidenton se problemet e financimit gjithashtu dëmtuan pavarësinë e medieve, si dhe pati vështirësi në marrjen e informatave nga Qeveria dhe insitutcionet publike.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhet në raport.

Sipas raportit, mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një shumëllojshmëri pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa zyrtarë qeveritarë, parti politike, biznese të lidhura me Qeverinë, grupe fetare dhe individë të pakënaqur u bënin trysni pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që të mos publikonin rrëfime ose materiale të caktuara.

Departamenti Amerikan i Shtetit citon raportet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, për sulmin fizik ndaj Visar Duriqit, intervistimin nga Prokuroria të Parim Ollurit për raportimin për vaksinat, si dhe kërcënimin e deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi ndaj portalit “Albanian Post”, si tri prej incidenteve më të rënda në vitin 2021.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e raportit duhet të jenë alarm për institucionet e vendit që duhet të angazhohen në krijimin e një ambienti më të mirë e të sigurt të të bërit gazetari.

AGK-ja gjithashtu fton pronarët e medieve që të lejojnë që gazetarët të raportojnë pa u cenzuruar e frikësuar se do të humbasin vendin e punës.