Home Blog Page 42

AGK dënon ashpër gjuhën ofenduese të ish-kryeministrit Haradinaj në drejtim të gazetarëve

0

PRISHTINË, 08.09.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e vlerëson të papranueshme gjuhën e përdorur nga kryetari i AAK-së, njëherësh ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në drejtim të gazetarëve.

Haradinaj mbrëmë (7 shtator), në një emision debatues i ka quajtur “zagarë”, gazetarët që kanë raportuar nga Washingtoni, duke thënë se shumë prej tyre janë mercenarë që “me një kaçik të sulmojnë”.

“Kur më kanë thënë mua që ty do të sulmojnë mi kanë lëshuar menjëherë zagarët në shpinë, zagarët janë shumë gazetarë mercenarë që me një kaçik të sulmojnë. Menjëherë më kanë sulmuar, në sekond sikur kam kundërshtuar për Ujmanin, shihni prononcimet e gazetarëve tanë në Kosovë që kanë shkuar atje, gazetarët serbë nuk bëjnë kështu. Gazetarët serbë, e mbrojnë Vuçiqin. Gazetarët që kanë qenë në Washington, shihi statuset…”, ka thënë ndër të tjera Haradinaj.

Për AGK-në është shqetësues fakti që gazetarët ende janë pre e linçimeve të tilla. Etiketimet si këto nga ish-kryeministri i vendit për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, janë tërësisht të papranueshme dhe cenojnë rëndë lirinë e shprehjes.

AGK u bën thirrje përfaqësuesve të shtetit dhe liderëve politikë që të njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ushtrimi i presioneve ndaj tyre. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend.

AGK: Kërcënimi ndaj Ermal Pandurit i papranueshëm dhe shqetësues

0

PRISHTINË, 08.09.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me shqetësim ka marrë lajmin për kërcënimet në drejtim të gazetarit, njëherësh drejtuesit të RTV Dukagjinit, Ermal Panduri.

Panduri ka njoftuar se është duke u kërcënuar me jetë nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale. Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi përmes rrjetit social Facebook, ku ka postuar një koment ofendues dhe kërcënues në drejtim të tij.

“Ky djali po më kërcënon me jetë, po ma shan’ krejt familjen! Si ky janë shumë, por të mirët janë më shumë”, ka shkruar ndër të tjera Panduri.

Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes në rrjete sociale në drejtim të gazetarëve, janë duke u shpeshtuar dhe po bëhen çdo herë e më serioze.

Për AGK-në janë të papranueshme kërcënimet dhe ofendimet që ka pranuar Panduri. Andaj, ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me rastin në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se kërcënimet e tilla e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

AGK u bën thirrje kolegëve tanë që rastet e kërcënimeve t’i raportojnë në Policinë e Kosovës.

AGK i dënon ashpër kërcënimet në drejtim të Radiotelevizionit të Kosovës

0

PRISHTINË, 05.09.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka marrë lajmin për kërcënimet në drejtim të Radiotelevizionit të Kosovës nga persona të panjohur.

Rastin për medie e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, me ç’rast ka deklaruar se në lidhje me rastin janë marrë veprimet e nevojshme.

“Menjëherë njësitet komeptente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme profesionale për të trajtuar informatat e tilla dhe janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe fakteve që ndërlidhen me këtë raportim”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Kërcënimet e tilla për AGK-në janë tërësisht të papranueshme, andaj i ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me këtë rast, në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes kanë pasoja serioze në klimën e të bërit gazetari në Kosovë. Andaj, AGK vlerëson se vetëm duke dënuar kërcënuesit do të dëshmohet se këto sjellje janë të papranueshme në një shoqëri demokratike.

Rikonfirmon MPB: Pavarsisht orës, gazetarët dhe punonjësit tjerë medial nuk pengohen në përmbushjen e detyrave të tyre

0

PRISHTINË, 27.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar shqetësime nga disa kolegë gazetarë se nga dita e enjte do të gjobiten njëjtë si qytetarët e tjerë nëse shkelin orarin e lëvizjes së lirë. Në lidhje me këtë, AGK menjëherë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila ka bërë të ditur se nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin për lejimin e lëvizjes për gazetarët dhe punonjësit medial.

Në përgjigjen drejtuar AGK-së, MPB-ja ka bërë të qartë se për lëvizjen e gazetarëve dhe punonjësve medial vlejnë rregullat e deritanishme.

“Ju njoftojmë se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim, vlejnë rregullat e deritanishme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

AGK u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe punonjësve të tjerë medial që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional.

Photo credits: Arben Llapashtica

AGK e mirëpret ngritjen e aktakuzës për sulmin ndaj Gazetës Online Insajderi

0

PRISHTINË, 25.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret vendimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarit, Ardian Alajt, për tri vepra të rënda penale që lidhen me sulmin drejt Gazetës Online Insajderi si dhe urdhërin për fletarrest ndaj të dyshuarit tjetër, Florim Alajt.

Kjo aktakuzë është ngritur më 13 gusht, teksa është bërë publike gjatë ditës së sotme. Aktakuza i ngarkon të dyshuarit, Ardian Alajn dhe Florim Alajn, për veprat penale hyrje në sistemet kompjuterike, vetëgjyqësi dhe keqpërdorimit të besimit.

“Duke filluar nga data 20.04. 2020, në vazhdimësi , i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje me të pandehurin Florim Alaj, kanë ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që mendojnë se u takon në atë mënyrë që i pandehuri Florim Ala, nga Zvicra, pasi ishte duke e mirëmbajtur rrjetin e portalit në aspektin teknologjik , e për të cilën gjë e kishte autorizuar të pandehurin Ardian Alaj si mirëmbajtës i rrjetit në Prishtinë për këtë portal, fillimisht i kanë paralajmëruar të dëmtuarit se do t’i largojnë e më pas këtë veprim e kanë përmbushur me datën e lartcekur ku i kanë larguar në mënyrë të kundërligjshme të dëmtuarit Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri dhe punëmarrësit e tjerë nga domeni www.insajderi.com”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

AGK-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj insajderi.com, ku si pasojë e tij rrezikoheshin të humbin punën 43 gazetarë.

Andaj, AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet dhe seriozitet rastet ku janë të përfshirë gazetarët, në radhë të parë që të garantohet raportimi i lirë dhe i pavarur i medieve në Kosovë, si dhe të garantohet zhvillimi i demoracisë në vend.

AGK: Shqetësues dhe i papranueshëm pengimi i ekipit të RTK-së në Zubin Potok

0

PRISHTINË, 14.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), me shqetësim ka marrë lajmin për ndalimin e ekipit të Radio Televizionit të Kosovës në Zubin Potok nga një grup personash me uniformë të njëjtë ku shihej flamuri i Serbisë.

Ekipi i përbërë nga kameramani Mumin Jashari dhe dy pjesëtarët tjerë Zymer Leci dhe Arben Jashari, edhe pse kishin leje nga KFOR-i që të xhironin në Zubin Potok, ata gjatë ditës së djeshme (13 gusht), në mënyrë tërësisht jo legale janë penguar të xhironin nga këta pjesëtarë, e më pastaj janë përcjellë edhe për në stacionin policor.

“Dje kemi qenë zyrtarisht duke xhiruar Liqenin e Ujmanit. Kemi pasë leje nga KFOR-i dhe Policia për xhirim me dron. Duke filmuar, fillimisht ka ardhë një veturë, i ka kontrolluar targat e automjetit tonë, janë interesuar se kush jemi dhe kanë shkuar. Pastaj kanë ardhë edhe dy vetura me katër persona. Dy prej tyre kanë qenë me një uniformë që shkruante ‘sigurimi’, në gjuhën serbe. Ata kanë fotografuar gjatë gjithë kohës dhe kanë kërkuar që t’i ndërpresim xhirimet. Nuk na kanë lënë të lëvizim dhe kërkonin me presion që me i fshi fotografitë të cilat ia bëra atyre. Na kanë mbajtur aty derisa ka ardhë policia për të na marrë, e që për ekipin ishte një presion i madh. Pas 15 minutave kanë ardhë tre policë serb, të cilëve ua kam treguar lejen për xhirim dhe ID-të. Pastaj jemi shoqëruar për në Stacionin e Policisë në Zubin Potok. E gjithë kjo ndalesë ka zgjatur afro 2 orë derisa Policia e Kosovës pastaj na ka liruar. Tri herë radhazi kam provuar ta lajmëroj redaksinë, por një gjë e tillë nuk më është lejuar.” – ka sqaruar kameramani Mumin Jashari për AGK-në.

AGK vlerëson se veprimet e këtilla ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të medieve që janë në detyrë, përbëjnë presion ndaj tyre. Ndalimi dhe format e tjera të frikësimit kohëve të fundit po shënojnë rritje dhe kjo kërcënon sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe lirinë e përgjithshme të medieve në Kosovë.

AGK ka kërkuar nga autoritetet përkatëse që sa më shpejtë t’i identifikojnë këta persona që penguan ekipin e RTK-së për të xhiruar në Zubin Potok dhe të marrin masat adekuate rreth rastit.

AGK e pranon me shqetësim hapjen e televizionit TVV nga subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje

0

PRISHTINË, 07.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e pranon me shqetësim hapjen e televizionit të ri online, TVV, të drejtuar nga partia politike Lëvizja Vetëvendosje.

Themelimi i një mediumi televiziv nga një parti politike është i dëmshëm për lirinë e medieve. Një formë e tillë e funksionimit të televizionit nuk është gazetari.

Për hapjen e TVV-së nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarisë përmes një ‘tweet-i’, të publikuar në rrjetin social Twitter.

“Televizioni i ri online TVV në Kosovë, është i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhet në reagimin e federatës.

AGK i bashkohet reagimit të EFJ-së, duke theksuar se hapja e një televizioni të tillë është i dëmshëm dhe i papranueshëm për lirinë e medieve dhe për një shtet demokratik.

AGK së bashku me ShSK-në ndajnë 15 mijë maska dhe mbi 3 mijë e 300 dezinfektues për gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë

0

PRISHTINË, 07.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), nënshkruan sot kontratë bashkëpunimi, me qëllim që t’u ndihmohet gazetarëve në Prishtinë, marrë parasysh se që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prishtinës është ballafaquar me numrin më të lartë të rasteve të infektuar me Covid 19.

Në donacionin e siguruar nga ShSK-ja, bëjnë pjesë 15 mijë maska, 3 mijë dezinfektues 100ml dhe 300 dezinfektues 1l.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë ndihmë të ShSK-së, për t’i mbrojtur gazetarët, të cilët edhe ashtu ballafaqohen me probleme të shumta, jo vetëm financiare. Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medies, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Teksa, drejtori i ShSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me ShSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storiet më të mira.

Sa i përket procedures së shpërndarjes, AGK posedon listat e kolegëve tanë që punojnë në terren dhe të cilët janë furnizuar me pako mbrojtëse gjatë donacionit të parë. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen me kohë.

AGK do ta vazhdojë angazhimin drejtë sigurimit të donacioneve tjera, në mënyrë që të ndihmohet komuniteti që përfaqësojmë dhe kolegëve tanë t’iu lehtësohet sado pak puna përgjatë pandemisë.

AGK dhe Këshilli i Evropës mbajtën trajnimin “Administrimi i mirë i drejtësisë dhe raportimi nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs”

0

Prishtinë, 04.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Këshillin e Evropës mbajtën trajnimin “Administrimi i mirë i drejtësisë dhe raportimi nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs”, në kuadër të projektit Liria e shprehjes dhe medies -JUFREX2.

Trajnimi u udhëhoq nga Flutura Kusari – juriste dhe eksperte e medieve, teksa mysafire ishte edhe Shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun, Angela Griep.

Gazetarët dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë trajnim patën mundësinë të njihen me rregullat e raportimit për çështjet e drejtësisë dhe disa nga standardet që aplikohen nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.