Home Blog Page 41

AGK dhe UNHCR do të bashkëpunojnë në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve rreth raportimeve mbi temat për azilkërkuesit

0

PRISHTINË, 05.11.2020 – Kryetarja e bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, ka zhvilluar një takim me Shefin e Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, ku është biseduar në lidhje me modalitete të reja të bashkëpunimit, veçmas në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve të cilët raportojnë mbi çështjet e azilkërkuesve në Kosovë, sikurse edhe nevojën për takime me përfaqësues medialë, marrë parasysh ndjeshmërinë e raportimit mbi temën në fjalë.

Arduç e vlerësoi të një rëndësie të veçantë që të merren hapa konkret të cilët do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve për raportime sa më profesionale mbi çështjen e azilkërkuesve. Ndërkaq, që znj. Begolli-Pustina shprehu gatishmërinë e AGK-së që të kontribuojë në organizimet e nevojshme, me qëllim që raportimet në medie të trajtohen në mënyrën e duhur, pa lëshime që do të mund të cenonin të drejtat dhe liritë e imigrantëve të detyruar, respektivisht refugjatëve.

AGK dhe UNHCR gjatë ditëve në vazhdim do të koordinohen mbi organizimet konkrete të cilat do mundësojnë një raportim sa më profesional lidhur me zhvillimet e fundit rreth azilkërkuesve në Kosovë.

Zyra e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Prishtinë ka për qëllim përfshirjen në zhvillimin e kornizave legjislative dhe administrative në fushat e azilit, regjistrimit të gjendjes civile dhe zgjedhjeve të qëndrueshme për popullatën e zhvendosur.

AGK-ja kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur në Kosovë

0

PRISHTINË, 02.11.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve, AGK-ja bën thirrje që autorët e krimeve ndaj gazetarëve të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi. Kjo klimë e pandëshkueshmërisë ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, fton organizatat ndërkombëtare që të ndihmojnë për krijimin e një fondi të veçantë për hulumtimet e gazetarëve për hetimin dhe ndriçimin e rasteve të kolegëve tanë të vrarë dhe të pagjetur.

“Për mua jo vetëm si Kryetare e AGK-së, jo vetëm si gazetare, por pikë së pari si njeri, është mëse e rëndësishme që jo vetëm kryrësit, por edhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë. Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, u shpreh Begolli Pustina.

AGK-ja rikujton se 12 gazetarë janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe 4 gazetarë raportohen si të pagjetur.

Hetimi i këtyre rasteve ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) e më pas EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit) ndërsa që nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi, ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale në drejtim të gazetarëve.

Në vitin 2018, Federata Evropiane e Gazetarëve, në takimin vjetor në Lisbonë, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet hetimi i vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në periudhën 1998-2005 dhe kompensimi i familjeve të viktimave.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit

Në këtë ditë bëhet fushatë globale përmes së cilës kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën në drejtim të gazetarëve.

AGK publikon hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë COVID 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”

0

PRISHTINË, 27.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me mbështetje të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), sot më 27 tetor, publikoi hulumtimin “Ndikimi i Pandemisë Covid-19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”.

Hulumtimi është realizuar nga hulumtuesja Lirika Demiri dhe fokusohet në largimet nga puna dhe zvogëlimi i pagave të gazetarëve, ndikimin e Pakos Emergjente në sektorin e medieve, si dhe mirëqenien fizike e mendore të punëtorëve medialë gjatë periudhës së pandemisë COVID 19.

Drejtoresha Ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi Bojaj, shprehu falënderimin në emër të AGK-së për pjesëmarrjen e panelistëve, medieve, si dhe për përkrahjen e dhënë nga KFOS-i gjatë kohës së pandemisë, gjë që ka qenë shumë e rëndësishme për komunitetin e gazetarëve, fillimisht në sigurimin e mjeteve mbrojtëse e më pastaj edhe me përkrahjen e këtij hulumtimi, i cili vë në pah gjendjen e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve në kohë të pandemisë.

“Ky raport ka për qëllim të shpalosë gjendjen ekonomike apo ndikimin të cilin e ka pasur pandemia Covid 19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve. Me KFOS-in ka qenë bashkëpunimi i parë fare në fillim të pandemisë kur kemi kërkuar ndihmë nga ta që të sigurojnë mjete mbrojtëse për anëtarët tanë, gjegjësisht gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, të cilët kanë qenë në vijën e parë të frontit duke u përballur me një të panjohur”, tha Mulliqi Bojaj.

Ndërsa, hulumtuesja e raportit, Lirika Demiri, shpalosi para të pranishmëve të gjeturat e raportit.

“Raporti është rezultat i një hulumtimi që është zhvilluar prej muajit qershor të këtij viti deri në fund të muajit shtator. Kemi realizuar një anketë online me rreth 120 punonjës medialë – gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë, dhe kemi marrë përgjigjet e tyre që kanë të bëjnë kryesisht me ndikimin e pandemisë në gjendjen ekonomike të punonjësve medialë, si dhe me ndryshimin e dinamikës dhe vështirësitë e hasura gjatë raportimit në pandemi. Përveç anketës, ne kemi zhvilluar edhe intervista me gazetarë të ndryshëm dhe me profesionistë të fushës së medias”, ka thënë Demiri.

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe gazetarët Jehona Zhitia dhe Bujar Vitija.

Gazetarja Zhitia tregoi disa nga sfidat me të cilat janë përballur gazetarët gjatë raportimit për pandeminë Covid 19.

“E kemi nisur këtë sfidë pa ditur se çfarë na pret gjatë rrugës. Pavarësisht përvojës së gjatë që mund të kesh në medie, ne jemi më të rinj në moshë dhe nuk na ka rastisur që të raportojmë në ndonjë situatë të ngjashme shëndetësore. Ndonëse edhe vetë mjekët e kishin shumë të panjohur atë se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim, kjo bëhej edhe më e vështirë ndoshta për neve si gazetarë, për formën tonë të raportimit se çfarë do të themi në fillim…Konsideroj që ishte sfidë edhe për gazetarët, megjithatë ne ia dolëm që ta bënim punën më së miri”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Teksa, Vitija foli për rolin e medieve dhe gazetarëve në menaxhimin e pandemisë.

“Roli i medieve ka qenë mjaft i rëndësishëm. Gazetarët asnjëherë nuk kanë hezituar që ta kryejnë punën e tyre më përgjegjësi në luftimin e lajmeve të rrejshme. Rreth 30% e kosovarëve nuk kanë besuar në eksiztencën e Covid 19 dhe kjo e ka vështirësuar në masë të madhe menaxhimin e pandemisë nga institucionet. Rol të rëndësishëm për ta përmbysur këtë sondazh, kanë luajtur mediet dhe gazetarët”, ka thënë ndër të tjera Vitija.

Raportin e plotë në Gjuhën Shqipe dhe Gjuhën Angleze e gjeni në këtë link.

AGK: Mungesa e zëdhënësit të qeverisë po e vështirëson punën e gazetarëve

0

PRISHTINË, 21.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar shqetësime të shumta nga kolegët tanë gazetarë për mungesën e zëdhënësit në Qeverinë Hoti.

Sipas tyre po mungon komunikimi i duhur në mes të qeverisë dhe medieve për shkak se nuk po e kanë një adresë zyrtare politike se ku t’i drejtojnë pyetjet e tyre.

Mos emërimi i një zëdhënësi të qeverisë edhe pas pesë muajve të formimit të saj për AGK-në është praktikë e gabuar dhe duhet të ndërpritet.

AGK-ja i kërkon Qeverisë Hoti që sa më parë ta emërojë një zëdhënës në mënyrë që të jenë sa më transparent, jo vetëm ndaj kolegëve tanë gazetarë, por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës.

EDICIONI I 15-TË I NDARJES SË ÇMIMEVE VJETORE TË GAZETARISË PËR ÇRRËNJOSJËN E VARFËRISË

0

PRISHTINË, 20.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Ulrika Richardson, ka mbajtur sot edicionin jubilar, atë të 15-të për ndarjen e çmimeve më të mira vjetore të gazetarisë që për qëllim kanë çrrënjosjen e varfërisë.

Nora Xhuzi dhe kameramani Edon Gërbani të Radio Televizionit të Kosovës, u shpërblyen për video-storjen e shkurtër më të mirë nga Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi.

Çmim për video-storjen e shkurtër më të mirë, mori edhe gazetarja Angjelka Çup nga portali “Graçanicaonline”. Ajo u shpërblye nga Larissa Bruun, zv. Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Çmimi për storjen e shkruar më të mirë iu nda gazetarit të Kohës Ditore, Rexhep Maloku nga Maria Suokko, Shefe e Zyrës së UNDP-së në Kosovë.

Në ndërkohë që në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari i gazetares Valdete Osmani nga Radio Televizionin e Kosovës, çmim ky i ndarë nga Visare Mujko Nimani, Shefe e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë.

Për fotografinë më të mirë u shpërblye fotografi, Valdrin Fetahu nga portali “Gazeta Objektiv”, çmim i cili u nda nga Blerim Azizi, Koordinator i Zyrës së UN Volenteers në Kosovë.

Krahas ndarjes së çmimeve, të pranishmëve iu adresuan edhe Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, gjatë fjalimit të saj tha se pandemia paralizoi shumëçka këtë vit, ekonominë, prodhimin, jetën sociale, por jo edhe punën e gazetarëve. Sipas saj, kolegët tanë, pos që ishin në vijën e parë të frontit duke raportuar nga spitalet e stërmbushura me pacientë, ata për asnjë moment nuk e lanë anash raportimin për ata që mezi mbijetojnë nga varfëria.

“Këto nuk janë raportime thjeshtë për raste individuale, por mesazhe të forta për nevojën urgjente që shteti të dëshmojë se kujdeset për këtë kategori. Ndoshta, me pak euro në xhep edhe vetë, shumë gazetarë pasqyruan Kosovën e vërtetë, atë që jo të gjithë e shohim nga afër. Zëri i tyre do të ishte i heshtur e nuk do ta dëgjonim as sot, pa përkushtimin e jashtëzakonshëm të kolegëve tanë nga të gjithë etnitë që jetojnë në Kosovë”, deklaroi ajo.

Teksa, në fjalën e saj, Ulirika Richardson – Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, theksoi rëndësinë e të diskutuarit për varfërinë, pasi që për herë të parë në 20 vjet, shkalla e varfërisë do të rritet shkaku i pandemisë COVID 19.

“Jemi këtu sot për të festuar punën që e bëni ju, në veçanti atë me fokus në varfëri… Është shumë e rëndësishme të diskutojmë, të dëgjojmë e të shohim storje për varfërinë. Kjo gjë na tërheqë vëmendjen, sepse na dëshmon sesa e vështirë është ta luftojmë varfërinë, sepse siç e pamë nuk mund ta ushqesh familjen me dy euro në ditë. Pandemia COVID 19, ka ekspozuar anën e ndjeshme të shoqërisë sonë dhe veçanërisht shërbimet tona sociale, prandaj është shumë e rëndësishme që të flasim për të, se nëse nuk flasim rrezikojmë të harrojmë se kush janë njerëzit që jetojnë në varfëri dhe pse ata jetojnë në varfëri.”, tha Richardson.

Në fund të ceremonisë, Begolli Pustina, përgëzoi kolegët për çmimet e fituara dhe në të njëjtën kohë në emër të AGK-së dhe komunitetit të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, shprehu mirënjohje të përzemërt për agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në krye me Ulirika Richardson, të cilët për 15 vite radhazi ishin përkrah gazetarëve, jo vetëm në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të tyre, por edhe në inkurajimin dhe shpërblimin e punës së tyre.

Organizimi i sotëm u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë që shënohet më 17 Tetor, e cila u caktua në bazë të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 2 dhjetor të vitit 1992 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

AGK: Shtënia me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi, goditje e rëndë për lirinë e shprehjes

0

PRISHTINË, 18.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit të gazetës online, Reporteri.net, Shkumbin Kajtazi.

Gazetari përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se mbrëmë në Mitrovicë vetura e tij është qëlluar me disa plumba.

“Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime është qëllua me 5 ose 6 plumba. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, ku vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës”, ka shkruar ai.

Kajtazi më tej ka bërë të ditur se rastin e ka lajmëruar në Polici, ku ka deklaruar se sulmi lidhet me punën e tij, meqë siç ka deklaruar vetë ai, probleme personale nuk ka pasur.

AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë deklaruar se rasti është duke u hetuar.

“Rasti është iniciuar dhe po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Në vend të ngjarjes në veturën e dëmtuar janë gjetur katër predha të armës. Nuk raportohet për të lënduar. Hetuesit policorë janë duke punuar”, ka deklaruar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Për AGK-në, sulmi me armë zjarri në veturën e gazetarit Kajtazi është tejet shqetësues dhe rëndon jo vetëm klimën e të bërit gazetari, por rrezikon edhe jetën e kolegëve tanë. AGK fton organet kompetente që ta hetojnë sa më shpejtë këtë rast, në mënyrë që personat që kanë kryer këtë akt të dalin para drejtësisë.

Është shqetësues fakti se si brenda një periudhe prej katër muajsh kanë ndodhur dy sulme në drejtim të gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj interesit publik dhe demokracisë në vend.

AGK pjesëmarrëse në serinë e webinareve të organizuara nga EFJ

0

PRISHTINË, 15.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po prezanton punën dhe sfidat e organizatës dhe të gazetarëve përgjatë pandemisë në webinaret e organizuara nga Federata Evropiane e Gazetarëve.

Pjesëmarrëse në webinar ishin Getoarbë Mulliqi Bojaj, Drejtoreshë ekzekutive në AGK dhe Vesa Bala, Koordinatore e projekteve. Ato folën për trajnimet dhe aktivitetet tjera online të organizuara nga AGK, pakot mbrojtëse të ofruara për komunitetin që përfaqësojmë, ndihmën e ofruar ligjore dhe monitorimin e rasteve të gazetarëve. Gjithashtu, u paralajmërua publikimi i raportit ‘Ndikimi i pandemisë COVID19 në gjendjen ekonomike të gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve”. Në vazhdën e webinareve, do të flitet për lirinë e medieve, të drejtat e gazetarëve në vendin e punës dhe planet e veprimit për të ardhmen.

Përmes webinareve synohet të vlerësohen pasojat e pandemisë në asociacionet dhe sindikatat e gazetarëve në Evropën Perëndimore dhe Juglindore, për sa i përket burimeve financiare, anëtarësimit dhe aftësive tona për të kryer aktivitetet e parapara.

AGK dënon kërcënimin në drejtim të gazetarëve të Gazetës Express

0

PRISHTINË, 13.10.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), dënon ashpër kërcënimin e gazetarëve të Gazetës Express nga Naser Gashi, i njohur në publik si Naser Qeli.

Sipas Gazetës Express, Gashi, të shtunën në mbrëmje ka thyer derën e redaksisë dhe i ka kërcënuar gazetarët për shkak të një shkrimi që ishte publikuar nga gazeta për ish-bashkëshorten e tij.

Hyrja me dhunë në redaksi dhe kërcënimi me vrasje në drejtim të gazetarëve për AGK-në janë veprime të pa precedent që duhet të trajtohen me seriozitet të lartë dhe ta marrin dënimin e merituar.

AGK ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me rastin, por deri më tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me këtë rast, në mënyrë që kërcënuesi të del para drejtësisë.

Dënimet e merituara duhet të jenë të pashmangshme në të gjitha rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

OAK njëanshëm tërhiqet nga MOU, në mes të Pandemisë lë gazetarët pa përfaqësim ligjor

0

PRISHTINË, 21.09.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), më 5 gusht, ka pranuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për shkëputjen e njëanshme të Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili iu mundësonte anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

Përkundër se Oda e Avokatëve të Kosovës përbëhet nga më shumë së 1080 avokatë, të cilët pos tjerash kanë obligim ligjor trajtimin e një rasti “pro bono” në vit, pra gjithsej mbi 1080 raste në vit, strukturat e reja udhëheqëse të OAK-ut kanë refuzuar që në këtë numër të përgjithshëm rastesh, t’iu vihen në mbrojtje gazetarëve. Vlen të theksohet se që nga nënshkrimi i Memorandumit, për afro një vit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deleguar tek Oda e Avokatëve vetëm 2 raste.

Për më tepër, është jashtëzakonisht shqetësues fakti që ky Memorandum Mirëkuptimi, sipas sinjalizuesve të AGK-së, është shkëputur ekskluzivisht për raporte të brendshme personale në mes të strukturës së kaluar udhëheqëse dhe udhëheqësisë së re.

Në njërin prej e-maileve të brendshëm të strukturave udhëheqëse të OAK-ut, kryetari i degës regjionale në Prishtinë, Nasuf Hasani, këtë memorandum i cili mbronte gazetarët ligjërisht, e quante “qirkuz” dhe “demoagogji” të ish kryetarit të OAK-ut, e që sipas tij ishte nënshkruar në mënyrë klandestine.

AGK i rikujton z. Hasanit që memorandumi në fjalë është nënshkruar në ditën më të rëndësishme për OAK-un, “Dita e Avokatisë” dhe “46 vjetori i themelimit të OAK-ut”, ku pjesëmarrës pos udhëheqësisë, kanë qenë edhe akterë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë. Për më tepër, ngjarja është mbuluar nga shumica e medieve në vendin tonë.

Shtrohet pyetja se si z. Hasani, përkundër që drejton degën regjionale të Prishtinës, nuk ka qenë në dijeni për marrëveshje të tilla publike dhe se si është informuar vetëm pas ardhjes së udhëheqësisë së re.

Ky Memorandum që ishte nënshkruar më 16 nëntor të vitit 2019, u shkëput nga Këshilli i ri Drejtues i OAK-ut, me arsyetimin se gazetarët nuk i përkasin kategorisë së përfituesve të ndihmës juridike falas, të përcaktuara sipas Ligjit të Avokatisë – neni 42, statuti i OAK-ut – neni 95, par. 1.13.

Duke marrë parasysh se kushtet e vështira ekonomike të gazetarëve, konkretisht pagat e vogla që ata kanë, ka qenë njëra nga arsyet dhe qëllimet e nënshkrimit të këtij memorandumi, referenca e OAK-ut në nenet e përmendura nuk korrespondon si arsyetim i vendimit të cilin e ka paraqitur Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve. Të ardhurat që përfitojnë punonjësit medial në Kosovë, nuk mbulojnë as për së afërmi kërkesat për një mbrojtje ligjore efektive. Si rezultat i kësaj, AGK vlerëson se komponenti social, i paraparë në vendimin e OAK-ut, më shumë i përgjigjet vlerësimit tonë, sesa arsyetimit të tyre.

Për më shumë, OAK ka lidhur Memorandume Bashkëpunimi me dhjetëra institucione e organizata, sipas parimit të vullnetit të mirë për bashkëpunim dhe jo si obligim për zbatim të drejtpërdrejt të dispozitave të Ligjit për Avokatinë.

Pos këtyre, Memorandumi është shkëputur pa asnjë lajmërim paraprak gjë që është në kundërshtim me Nenin 7 të Memorandumit, ku thuhet: “Palët mund të heqin dorë nga ky memorandum vetëm nëse konsideron se pala tjetër nuk është duke iu përmbajtur detyrave të parapara. Nëse njëra prej tyre vendos të largohet nga memorandumi, është e detyruar ta njoftojë palën tjetër, jo më pak se 30 ditë para datës në të cilën është paraparë të ndërpritet bashkëpunimi”. Pra, OAK nuk ka respektuar afatin e paraparë për ndërprerje të bashkëpunimit si dhe marrëveshja do të mund të shkëputej vetëm nëse ndonjëra palë do ta shkelte atë, e që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Pas pranimit të vendimit, më 7 gusht 2020, kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, zhvilloi një takim me kryetarin e OAK-ut, Behar Ejupi, me ç’rast ajo kërkoi që të shqyrtohej edhe njëherë shkëputja e kësaj marrëveshjeje. Kryetari Ejupi, propozoi që nga ana e AGK-së të kërkohej rishqyrtim i memorandumit, ashtu që të funksionalizohej një marrëveshje e re. Por, AGK nëpërmjet një përgjigje zyrtare drejtuar OAK-së, ka bërë të qartë se kërkon që vendimi për shfuqizimin e Memorandumit ekzistues të rishqyrtohet përsëri dhe jo të arrihet një marrëveshje krejtësisht e re pa komponentin kryesor, përfaqësimin dhe mbrojtjen ligjore falas për kolegët tanë.

Mirëpo, në përgjigjen pasuese të pranuar nga OAK, tregohej qartë se nuk ishin të gatshëm të vazhdonin Memorandumin ekzistues, duke u arsyetuar se për shkak të pandemisë edhe avokatët gjenden në pozitë të pafavorshme financiare për të siguruar shërbime juridike pa pagesë. Sa i përket kësaj çështjeje, AGK sërish thekson se që nga nënshkrimi i memorandumit e deri më tani, OAK ka pranuar vetëm dy kërkesa për përfaqësim dhe mbrojtje ligjore për gazetarët.

Andaj, AGK e sheh si një veprim të paprecedent shkëputjen e këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, aq më shumë pa diskutim dhe njoftim paraprak. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do t’i informojë të gjithë mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë për këtë vendim të OAK-ut, i cili nga ana jonë vlerësohet arbitrar dhe i padrejtë, e i cili ua pamundëson gazetarëve përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas, në një kohë kur ata veprojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe në një klimë ku janë të atakuar jo vetëm nga faktori politik e ekonomik, por edhe nga drejtuesit e mediumeve ku janë të angazhuar dhe nga grupe të ndryshme të interesit.

Bordi i AGK-së edhe njëherë kërkon publikisht nga kryetari i OAK-ut, Behar Ejupi dhe nga strukturat tjera vendimmarrëse që të tërhiqen nga vendimi i tyre i pa bazë, dhe t’u dalin në ndihmë gazetarëve, marrë parasysh që një numër i madh i tyre vazhdojnë të punojnë me pagë shumë të ulët 130 – 180 euro.

Nga 1080 raste obligative që t’i trajtojnë “pro bono”, OAK nuk mund të sigurojë mbrojtje ligjore as për 2 raste të kërkuara nga AGK. Pra, OAK refuzon t’iu dal në ndihmë gazetarëve të cilët e ndajnë të njëjtin mision me ta, kontribuojnë në sundimin e të drejtës dhe ligjit si dhe mbrojtjen e fjalës së lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën me dije të gjithë gazetarëve se në rast se Oda e Avokatëve të Kosovës sërish refuzon të vazhdojë bashkëpunimin përmes memorandumit ekzistues, AGK do të vazhdojë angazhimin e saj për të siguruar mbrojte dhe përfaqësim falas nga akterë tjerë kompetent.