Home Blog Page 40

AGK i ndanë mirënjohje Ambasadorit Jan Braathu, për ndihmën, besimin dhe përkrahjen e pakursyer dhënë asociacionit dhe komunitetit të gazetarëve në Kosovë

0

PRISHTINË, 25.12.2020 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Gentiana Begolli Pustina, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jan Braathu.

Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer që OSBE-ja i ka ofruar AGK-së në realizimin e aktiviteteve të ndryshme përgjatë këtyre viteve.

Ambasadori Braathu, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të ndërsjellët.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë e vlerëson shumë bashkëpunimin me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë partneritetin ndërmjet organizatave tona dhe të mbështesim gazetarët, sepse pa punën dhe informacionet e tyre, nuk mund të ketë qeveri demokratike. Gjithashtu, së bashku duhet të vazhdojmë të flasim publikisht për sulmet ndaj gazetarëve sepse ato padyshim ndikojnë në punën e tyre.”

Teksa, kryetarja Begolli Pustina u shpreh tejet falënderuese për përkrahjen e pakursyer të OSBE-së në Kosovë në krye me Ambadasorin, Jan Braathu. Sipas saj, funksionimi i AGK-së, pa mbështetjen e këtij mekanizimi do të ishte shumë i vështirë për mos të thënë i pamundshëm.

“E kam potencuar në disa konferenca dhe shfrytëzoj rastin ta them edhe në këtë takim lamtumirës se ju ambasador me të drejtë jeni cilësuar mik i vërtetë i gazetarëve dhe i vetë AGK-së. Shpresojmë që edhe shefi i ri i OSBE-së do të ofrojë mbështetjen që ju ja keni ofruar AGK-së, në mënyrë që së bashku të vazhdojmë të avokojmë për të drejtat e gazetarëve”.

Begolli Pustina falënderoi edhe Shefin e Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, z. Dane Koruga, i cili për asnjë rast nuk ka hezituar t’iu përgjigjet kërkesave të AGK-së. “Keni qenë partneri më i afërt i AGK-së, për çka do të ju jemi mirënjohës gjithmonë”, theksoi Begolli Pustina.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ndau mirënjohje Ambasadorit Jan Braathu me rastin e përfundimit të mandatit të tij si shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, për ndihmën e pazëvendësueshme dhe besimin e dhënë për AGK-në dhe anëtarët e saj.

AGK dënon sulmin në drejtim të gazetarit, Valon Syla

0

PRISHTINË, 22.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, dënon ashpër sulmin fizik në drejtim të gazetarit, Valon Syla.

Një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale, Syla shihet duke u grushtuar nga një person i panjohur.

Në lidhje me rastin, AGK-ja ka kontaktuar Policinë e Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se kanë pranuar informatën për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

“Sot rreth orës 12:05, kemi pranuar informatën se në lagjen Pejton është sulmuar gazetari. Njësia policore ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar përmes telefonit me gazetarin, i cili ka deklaruar se për momentin nuk ka nevojë për trajtim mjekësor. Jemi duke e pritur për të marrë informata të tjera”, ka thënë Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për AGK-në, Baki Kelani.

AGK kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.

Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

OSBE ndihmon me mjete mbrojtëse, xhaketa dhe jelekë, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët në Prishtinë

0

PRISHTINË, 16.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka pranuar donacion, mjete mbrojtëse, xhaketa dhe jelekë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët e medieve në Prishtinë.

Në donacionin e siguruar, shpërndarja e të cilit do të fillojë të hënën, bëjnë pjesë: 55 xhaketa, 55 jelekë, 50 veshje mbrojtëse, 50 mburoja fytyre, 180 pako maska, si dhe 180 dezinfektues 100ml.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës posedon listat e kolegëve tanë që punojnë në terren dhe janë pajisur me mjete mbrojtëse nga donacionet e mëparshme. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen ditëve në vijim.

AGK-ja do ta vazhdojë angazhimin drejtë sigurimit të donacioneve të tjera, në mënyrë që kolegëve tanë t’u lehtësohet sado pak puna që po e bëjnë përgjatë pandemisë COVID 19.

Sjellja e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati në drejtim të gazetares Leoreta Abazi, e pahijshme dhe e papranueshme

0

PRISHTINË, 15.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e ka parë me shqetësim sjelljen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, në drejtim të gazetares së “Gazeta Infokus”, Leoreta Abazi.

Murati përderisa ishte pyetur se sa para të kursyera i ka në Trust, ia ka kapur dhe shtyer mikrofonin gazetares. Për AGK-në, një sjellje e tillë nga një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, është arrogante dhe e papranueshme.

Gazetarët kanë të drejtë të parashtrojnë pyetje pa kërkuar leje paraprake, po aq sa kanë të drejtë zyrtarët politikë dhe shtetërorë të përgjigjen ose të mos përgiigjen në to. Por, asnjëherë të tentojnë t’i pengojnë kolegët tanë në ushtrimin e profesionit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje të gjithë akterëve politikë dhe publikë që të mos i pengojnë gazetarët në kryerjen e detyrës së tyre.

AGK inkurajon të gjithë kolegët që të mos ndalen së raportuari për çfarëdo shkelje që iu bëhet gjatë ushtrimit të profesionit.

AGK dhe OSBE organizuan punëtorinë “Gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes në media gjatë raportimit të pandemisë COVID-19”

0

PRISHTINË, 08.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, dje më 7 dhjetor mbajtën punëtorinë “Gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes në media gjatë raportimit të pandemisë COVID-19”.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin: Dren Gërguri (Ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në UP), Jehona Zhitia (gazetare në Radio Televizionin e Kosovës), Arbreshë Uka (gazetare në Klan Kosova), Ibelinda Halili (psikologe), gazetarë të medieve të ndryshme, si dhe studentë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë punëtori u diskutua për përhapjen e gjuhës së urrejtjes në medie gjatë raportimit për pandeminë COVID 19, raportimin gazetaresk të gjuhës së urrejtjes, si dhe ndikimin e kësaj gjuhe në shëndetin mendor të gazetarëve dhe mënyrat se si të përballen me të.

Për shkak të situatës epidemiologjike, punëtoria është mbajtur online në platfrmën “Zoom”.

AGK dënon gjuhën denigruese dhe kërcënuese të anëtares së LDK-së, Melihate Tërmkolli, në drejtim të gazetarit Arsim Lani

0

PRISHTINË 01.12.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e vlerëson tërësisht të papranueshme gjuhën ofenduese dhe kërcënimet nga anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Melihate Tërmkolli, në drejtim të gazetarit të Televizionit 7, Arsim Lani.

Tërmkolli gjatë ditës së djeshme përmes një mesazhi elektronik të dërguar pas emisionit ‘Frontal’ udhëhequr nga Lani, e ka quajtur atë “bërllok” dhe “i pafytyrë”, për shkak se siç e ka bërë të ditur gazetari për AGK-në, Tërmkolli nuk ishte njoftuar paraprakisht për të ftuarin tjetër në studio. Krahas ofendimeve, ajo gjithashtu e ka kërcënuar gazetarin, duke i thënë se “do ta paguajë për mundin dhe ftohjen” që sipas saj, ai ia ka shkaktuar.

Për AGK-në është shqetësuese fakti që gazetarët janë ende pre e ofendimeve të tilla nga zyrtarët politikë. Gjuha e tillë denigruese e përdorur nga Tërmkolli, është tërësisht e papranueshme dhe e cenon lirinë e shprehjes dhe medieve.

AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve politikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të përmbahen nga ofendimet në drejtim të tyre.

AGK dhe KE – Zyra në Prishtinë mbajtën trajnimin “Mediet dhe sinjalizimi: sinjalizuesit si burim informacioni”

0

PRISHTINË, 27.11.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovë – AGK në bashkëpunim me Këshillin e Evropës – Zyra në Prishtinë, në kuadër të projektit JUFREX 2, dje (26 nëntor), kanë mbajtur trajnimin për gazetarë “Mediet dhe sinjalizimi: sinjalizuesit si burim informacioni.” 

Pjesëmarrës në trajnim ishin gazetarë të medieve të ndryshme në Kosovë dhe aktivistë të shoqërisë civile, me të cilët është diskutuar për rëndësinë e sinjalizimit, për transparencën publike dhe kuadrin ligjor që rregullon këtë fushë.  

Çështjet në të cilat u fokusua trajnuesja, Flutura Kusari dhe pjesëmarrësit ishin: burimet e informacionit për gazetarë, llojet e sinjalizimit dhe mbrojtja e sinjalizuesve, duke sjell në vëmendje edhe rreziqet që mbart me vete kjo veprimtari.  

Gjatë trajnimit pos të tjerash u prezantuan legjislacioni i aplikueshëm në Kosovë për sinjalizim, shembuj konkret të cilët kanë ndodhur në vend si dhe standardet ndërkombëtare të sinjalizimit. 

Trajnimi është vazhdimësi e një cikli aktivitetesh të projektit JUFREX 2, i cili ka për qëllim ofrimin e njohurive për gazetarë në fusha të caktuara si: sinjalizimi, raportimi i gazetarëve për proceset gjyqësore, etikën e gazetarisë dhe të ngjashme si këto.  

Për shkak të pandemisë COVID 19, trajnimi u organizua në mënyrë virtuale përmes platformës “Zoom”.

CEREMONIA E NDARJES SË ÇMIMEVE VJETORE TË GAZETARISË

0

PRISHTINË, 20.11.2020 – Me moton “Gazetarët në vijën e parë të frontit”, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë (OSBE) dhe Entitetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave (UN Women), sot ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore të gazetarisë.

Jeta Xharra dhe Visar Prebreza nga KALLXO, u shpërblyen me Çmimin e Gazetarisë për Ekonomi “Ibrahim Rexhepi”, të cilin e mbështeti OSBE në Kosovë, në krye me Shefin e Misionit, ambasadorin Jan Braathu.

Ata mbështetën edhe dy çmime për Storjet më të mira për Pandeminë, të cilat i fituan gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Jehona Zhitia dhe gazetarja e Klan Kosova, Arbreshë Uka.

Ndërsa, për Çmimin e Gazetarisë për Fuqizimin e Gruas, u shpërblye Donika Lamaxhema për storjen e saj të publikuar në Kosovo2.0, çmim ky i ndarë dhe i mbështetur nga Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore të gazetarisë u moderua nga Gentiana Begolli Pustina, e cila ndër të tjera shprehu mirënjohje për kolegët për përkushtimin e dhënë gjatë këtij viti.

“Fatëkeqsisht me ulëse të pakta në një ambient shumë më të zbehtë se siç jemi mësuar të shohim më herët në raste të tilla, ne po fillojmë ndarjen e këtyre çmimeve tashmë tradicionale vjetore që kanë të bëjnë me Çmimin për Ekonomi “Ibrahim Rexhepi” dhe Çmimin për Fuqizimin e Gruas. Ndonëse jemi mësuar që këto çmime të sjellin gëzim dhe optimizëm meqë vlerësojnë punën vjetore të gazetarëve që bëjnë në tema të caktuara, fatkeqsisht sot nuk i kemi të gjithë fituesit në mesin tonë, meqë njëra nga ta gjendet e karantinuar. Kjo dëshmon më së miri që kolegët tanë rrezikuan shëndetin e tyre e të familjes që ta përmbushin jo vetëm detyrën, por misionin e tyre, e që është informimi i saktë dhe i shpejtë.”

Teksa, të pranishmëve përmes një video iu adresua edhe ambasadori Braathu, i cili përgëzoi gazetarët për punën e tyre.

“Ne përgëzojmë gazetarët që vëzhgojnë shpenzimin e parasë publike dhe shërbejnë si mbikëqyrës të ngjarjeve që formësojnë ndërveprimet midis ekonomisë, politikës dhe shoqërisë në Kosovë. Për më tepër, unë mendoj se kemi nevojë për më shumë raportim ekonomik në Kosovë. Raportim ekonomik jo vetëm për gjërat që duhet të bëhen më mirë, por edhe për disa nga gjërat që tashmë janë bërë mirë, pra, ato në të cilat shohim se është bërë progres, për shembull në sektorin privat. Pandemia gjithashtu ka sjellur sfidat e saj për komunitetin e medieve në Kosovë. Sidoqoftë, disa nga këto sfida janë sfida me të cilat gazetarët janë përballur për një kohë të gjatë. Nuk janë aspak risi. Si të tilla, ato kontribuojnë në një përshkallëzim që ilustron se sa e vështirë është të ofrohen informacione të sakta me shpejtësi për publikun e gjerë”, tha ai.

Gazetarët u falënderuan edhe nga Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovës, Vlora Tuzi Nushi.

“Njëjtë sikur mjekët, gazetarët kanë luajtur një prej roleve më të rëndësishme në shpëtimin e jetëve sepse po të mos kishim pranuar informata nga ju, nuk do të dinim si të kujdesemi apo çfarë po ndodhë sepse të gjithë ishim të izoluar pa njohuri për rrezikun e madh, i cili na është kanosur. E çmoj punën tuaj në terren dhe sfidat me të cilat jeni ballafaquar, aq më shumë duke i pasë parasysh ndryshimet politike që ndodhën, pra, ishit pikërisht në front”, tha ajo.

Organizimi i sotëm u mbajt për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila shënohet më 3 maj, por për shkak të situatës me pandeminë COVID 19, eventi është shtyer për në muajin nëntor.

 

AGK: Pengimi i ekipit realizues të Klan Kosovës në palestrën “Shani Nushi”, i papranueshëm

0

PRISHTINË, 12.11.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar me shqetësim informatën se është penguar ekipi realizues i Klan Kosovës në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë.

Ekipi i përbërë nga: Petrit Mulliqi (përgjegjës, regjisor), kameramanët Urim Bajçinovci, Rinor Topalli, Mustafë Tenezhdolli (Re-play), Bajram Emini (audio), Liridon Sefa (ndriçim), Gazmend Salihu (shofer) dhe Dardan Haxhija (IT ArtMotion), janë penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga përgjegjësi i palestrës dhe i një pjesëtari të sigurimit.

Pengimi ka ndodhur dje më 11 nëntor rreth orës 17:00, kur ekipi kishte kërkuar asistencë nga zyrtari i palestrës për t’i futur pajisjet në sallë dhe për t’u përgatitur për transmetimin e ndeshjes Vllaznimi – Trepça.

Sipas Drejtorit të Programit të Sportit në Klan Kosova, Agon Fehmiu, ekipit realizues i është refuzuar hyrja në palestër nga përgjegjësi i saj, duke u përcjellë me ofendime, kanosje dhe sulm fizik.

“Pas kontakteve me zyrtarë të FBK-së dhe KB Vllaznimit për raportimin e rastit, fillimisht në palestër ka arritur zyrtari i KB Vllaznimit, por pavarësisht nga prezenca e tij sjelljet kërcënuese dhe fyerjet e zyrtarit të sallës në drejtim të ekipit realizues nuk janë ndërprerë. Ndërkohë, me thirrje të KB Vllaznimit për asistencë policore, patrulla e Policisë së Kosovës ka arritur në palestër rreth orës 18:30 minuta, që ishte vonë dhe ka pamundësuar realizimin e transmetimit e ndeshjes së basketbollit”, ka thënë për AGK-në Fehmiu.

Në lidhje me rastin, AGK-ja ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se mosmarrëveshja ka ndodhur pasi që ekipi realizues i Klan Kosovës ka tentuar të hyjnë në palestër dy orë para ndeshjes.

“Patrulla policore i është përgjigjur rastit, ka kontaktuar më të dy palët e përfshira në mosmarrëveshje dhe nga personeli i sigurimit ka marrë njohuri se ekipi xhirues i “KLAN KOSOVA”, ka tentuar të hyjë në brendi të qendrës dy orë më parë para kohës së caktuar. Të njëjtëve i është pamundësuar hyrja dhe nga kjo ka lindur mosmarrëveshja verbale. Patrulla policore ka kontaktuar dhe shefin e ekipit të televizionit që ishte prezent, dhe nga ai kanë pranuar deklarim të njëjtë mbi moslejimin e tyre të hyrjes dy orë para, por më pastaj iu është lejuar hyrja, dhe kjo ekipë ka refuzuar të hyjnë dhe janë larguar nga aty”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Policia gjithashtu ka bërë ditur se pas vlerësimit të çështjejes nuk kanë inicuar rast.

Pengimi i ekipit realizues së Klan Kosovës përderisa ishin në krye të detyrës është tërësisht i papranueshëm dhe paraqet trysni.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa ndaj sjelljes së përgjegjësit të kësaj palestre.