Home Blog Page 39

Ndërhyrjet nga jashtë, mizogjinia dhe dezinformatat, gjetjet kryesore nga monitorimi i medieve gjatë fushatës zgjedhore nga NDI

0

PRISHTINË, 17.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK së bashku  me Institutin Kombëtar Demokratik – NDI, profesorë dhe udhëheqës të medieve, diskutuan mbi të gjeturat e NDI rreth mbulueshmërisë së fushatës zgjedhore nga mediet e vendit.

Sipas të gjeturave të publikuara nga NDI, mediet online kontribuuan në gjuhën përçarëse duke publikuar dhe në disa raste keqinterpretuar deklaratat e krijuesve të opinioneve dhe politikanëve, si dhe duke sulmuar drejtpërdrejt partitë politike dhe individët. Përdorimi i gjuhës së ashpër, përfshirë kërcënimet fizike, kontribuoi në përçarjet politike.

Raporti gjithashtu theksoi se rrjetet sociale përhapën dhe krijuan fotografi dhe video të manipuluara. Janë krijuar dhe janë shpërndarë përmbajtje, foto dhe video të manipuluara ose të trilluara me qëllim të deformimit të figurave politike apo aludimit për afera korruptive në lidhje me procesin e certifikimit të kandidatëve.

E gjetur tjetër nga NDI, ishte fenomeni i mizogjinisë. Mediet online dhe rrjetet sociale publikuan dhe shpërndanë përmbajtje të papërshtatshme për gratë kandidate gjatë kësaj periudhe.

Hapjen e diskutimit “Ridefinimi i rolit të gazetarëve në komunikimin politik”, e bëri Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë.  Ambasadorja Soderberg theksoi rëndësinë e integritetit të informatave.

“Demokracia e Kosovës bazohet në integritetin e informatave si një fakt vendimtar që iu mundëson qytetarëve të kenë njohuri adekuate për politikën dhe aferat publike dhe të kërkojnë llogari nga qeveria, duke u bazuar në informacione të sakta”.

Kryetarja  e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, vlerësoi  se marrë parasysh gjendjen aktuale të gazetarisë në Kosovë, veçmas të medieve online, shihet si mëse e domosdoshme angazhimi i udhëheqësve të medieve, shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar në profesionalizimin e mëtutjeshëm të gazetarëve me qëllim të rikthimit të besimit në medie.

Më shumë se 20 gazetarë të medieve qendrore dhe atyre lokale, diskutuan me panelin e përbërë nga Kreshnik Gashi, Kryeredaktor në kallxo.com dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Muhamet Hajrullahu, Kryeredaktor në Telegrafi.com, Tatjana Lazarevic, Kryeredaktore në Kossev dhe Abit Hoxha, Hulumtues në Universitetin Adger në Norvegji.

Përmbyllet cikli i trajnimeve mbi rolin e medieve në ndërtimin e paqes

0

PRISHTINË, 15.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me UN Women Kosovo, e ka përmbyllur ciklin e trajnimeve mbi rolin medieve në ndërtimin e paqes.

Si rezultat i trajnimeve të filluara në nëntor të vitit 2019, u hartua udhëzuesi “Gazetaria & Ndërtimi i Paqes”, i cili do të publikohet ditëve në vijim.

Hartuesi i këtij udhëzuesi, ish-reporteri i New York Times dhe BBC-së, Nicholas Wood, bashkëbisedoi me gazetarë të medieve qendrore dhe lokale rreth standardeve të raportimit, qasjen në informata, verifikimin e fakteve dhe burimeve, gjuhën e urrejtjes dhe çështjeve të tjera që shtjellohen në udhëzues.

Në fund të këtij takimi përmbyllës, gazetarët pjesëmarrës në të gjitha trajnimet u shpërblyen me mirënjohje.

Nicholas Wood, ish-reporter i New York Times dhe BBC-së, trajnon studentët e gazetarisë mbi temën “Lajmet e rreme & Psikologjia e medieve të reja”

0

Prishtinë, 05.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me UN Women Kosovo, ka vazhduar ciklin e trajnimeve, duke organizuar trajnimin e radhës online mbi lajmet e rreme dhe psikologjinë” e medieve të reja.

Studentët e Departamentit të Gazetarisë” në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, u trajnuan nga ish-reporteri i New York Times dhe BBC-së, Nicholas Wood dhe Dren Gërguri – ligjërues në UP.

Përmes këtij trajnimi u synua të zgjerohen njohuritë në lidhje me rrezikun nga lajmet e rreme gjatë raportimeve, pasi fenomeni “fake news”, është një nga sfidat me të cilat vazhdimisht po përballet gazetaria jo vetëm në vend, po mbarë botën.

Studentët kishin rastin të bashkëbisedojnë lidhur me pasojat e keqinformimit, standardet e raportimit, rëndësinë e edukimit medial dhe tema tjera të rëndësishme.

AGK-ja në bashkëpunim me UN Women Kosovo deri më tani ka organizuar dhjetëra punëtori për gazetarët e medieve lokale dhe qendrore, teksa ky është trajnimi i tretë që po bëhet me studentët e gazetarisë.

AGK: Të papranueshme akuzat e z.Shqiprim Arifit në drejtim të korrespodentit të RTK-së, Baki Rexhepi

0

PRISHTINË, 05.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, i vlerëson tejet shqetësuese deklaratat e Kryetarit të Alternativës për Ndryshime, Shqipërim Arifi, në drejtim të korrespodentit të Radio Televizionit të Kosovës në Luginën e Preshevës, Baki Rexhepi.

Arifi mbrëmë përgjatë një interviste në një televizion të Kosovës, e ka akuzuar Rexhepin se është një person i korruptuar dhe prandaj nuk deklarohet për RTK-në, duke shtuar se ka fakte për këto që flet.

“Jo unë nuk jap pikësëpari mas pari intervistë për RTK-në, pikë së pari….Unë e bojkotoj RTK-në, për arsye se korrespodenti i RTK-së në Preshevë është person korrupt…Unë kam edhe dëshmi për këtë, nuk është shumë problem edhe e kam njoftuar RTK-në edhe për këtë, s’kanë marrë masa, unë e bojkotoj RTK-në, e lëre më mediet lokale të cilat për mua në mënyrë personale shpifin në mënyrë  të pandërprerë”, ka deklaruar ai.

Në lidhje me këtë deklaratë, AGK-ja ka kontaktuar edhe drejtorin e RTK-së, Festim Kabashi, i cili ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë ankesë për korrespodentin, Baki Rexhepi.

“Prej fillimit të mandatit tim si drejtor i RTK-TV, (03.11.2020) nuk kam pranuar asnjë ankesë nga kryetari i Alternatives për Ndryshime, z.Shqiprim Arifi, për asnjë raportim apo angazhim jokorrekt te ndonjë gazetari apo korrespodenti të RTK-së”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kolegut tonë, Baki Rexhepi, duke i cilësuar akuzat në fjalë si jashtëzakonisht të rënda dhe që nuk përkojnë aspak me të vërtetën. Për më tepër, Rexhepi ka deklaruar se ai gjithnjë është bojkotuar si gazetar nga z.Shqipërim Arifi.

Rexhepi duke kërkuar reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka informuar që tashmë ka filluar t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore kundër deklaratave të z.Arifit, i cili sipas tij me këtë akuzë ka njollosur dinjitetin e tij personal dhe ka dëmtuar integritetin dhe kredibilitetin e tij profesional.

AGK-ja kërkon nga z.Shqiprim Arifi, që të kërkojë falje për gjuhën e përdorur në drejtim të kolegut tonë dhe të gjitha pakënaqësitë t’i adresojë përmes organeve të drejtësisë.

NPB vazhdon mbështetjen për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës

0

PRISHTINË, 04.03.2021 – Ndërmarrja Publike Banesore -NPB edhe për një vit siguron zyrat pa kosto finaciare për funksionimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK.

AGK-ja shpreh falënderim për ndihmën dhe mbështetjen e drejtuesve të NPB-së dhe Komunës së Prishtinës, të cilët përmes vazhdimit të kësaj marrëveshjeje kanë lehtësuar punën dhe funksionimin e organizatës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet e përkushtuar për respektimin e marrëveshjes dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit edhe gjatë viteve të ardhshme.

AGK dhe Këshilli i Evropës mbajtën ligjëratën “Liria e shprehjes dhe liria e medies”

0

PRISHTINË, 26.02.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian dhe Këshillin e Evropës “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medieve në Kosovë (JUFREX2)”, mbajtën ligjëratë me studentë të gazetarisë dhe juridikut mbi zbatimin e së drejtës së lirisë së shprehjes në praktikë.

Pjesëmarrës në këtë ligjëratë ishin rreth 20 studentë të gazetarisë dhe drejtësisë, ku ligjëruese ishin Flutura Kusari –juriste e së drejtës së medies dhe Jehona Zhitia – gazetare shumëvjeçare në Radio Televizionin e Kosovës.

Ligjërata u fokusua në temat si: liria e medies, mbrojtja e reputacionit, sinjalizimi, e drejta e qasjes në dokumente publike, të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve, si dhe siguria dhe mbrojtja e tyre.

Gjatë kësaj ligjërate për pjesëmarrësit u prezantua edhe mënyra e ushtrimit të profesionit të gazetarisë në kushte të pazakonta, sikur në rastin e pandemisë COVID-19. Trajnuesit diskutuan sfidat që paraqiten për gazetarët gjatë raportimit në rrethana të tilla, si dhe sigurinë e tyre e cila vihet në rrezik.

Ligjërata u organizua në kuadër të projektit JUFREX2, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Kjo ligjëratë është në vazhdën e një serie aktivitetesh të parapara në projekt për gazetarë, punonjës medialë, studentë të gazetarisë dhe persona të tjerë të interesuar për lirinë e shprehjes.

AGK: Sulmi fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi, shqetësues dhe i rrezikshëm për lirinë e shprehjes

0

PRISHTINË, 25.02.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin për sulmin fizik në drejtim të gazetarit të gazetës online Insjaderi, Visar Duriqi.

Duriqi mbrëmë rreth mesnatës para banesës së tij është sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur.

Gazetari për medie ka deklaruar se ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi si pasojë e sulmit fizik i ka dhëmbët dhe hundën e thyer.

Në lidhje me rastin, për medie është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK, për trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas është liruar nga aty”, thuhet në deklaratën e policisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë t’i hetojnë motivet e sulmit dhe ta zbardhin këtë rast, i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias.

AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë akterët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe njëherit iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre.

Çdo sulm në drejtim të gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë në vend.

AGK dhe NDI të përkrahur nga USAID, mbajtën punëtorinë “Gazetarët dhe Integriteti i Informacionit: Si t’i luftojmë dezinformatat gjatë procesit zgjedhor?”

0

PRISHTINË, 03.02.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik – NDI, ka mbajtur punëtorinë online, “Gazetarët dhe Integriteti i Informacionit: Si t’i luftojmë dezinformatat gjatë procesit zgjedhor?”, të mbështetur nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë.

Mbi 30 gazetarë të medieve qendrore dhe atyre lokale u trajnuan nga trajneri i gazetarisë dhe konsulet për Fondacionin Thomson Reuters, Rex Merrifield dhe Këshilltarja e Lartë për Zgjedhje dhe Proceset Politike në NDI, Julia Brothers.

Hapjen e kësaj punëtorie e bëri Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e lartë rezidente e NDI-së në Kosovë, e cila u shpreh e lumtur për fillimin e bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

“Jemi të nderuar që po e mbajmë këtë punëtori me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Demokracia e Kosovës është e varur nga integriteti e informacionit, një faktor kritik në mundësinë e qytetarëve që të diskutojnë idetë për politikë dhe aferat publike, në një mënyrë të saktë dhe të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria në bazë të informacioneve të sakta”, tha Soderberg.

Përmes diskutimit me gazetarë, të udhëhequr nga Gentiana Begolli Pustina, kryetare e bordit të AGK-së, u synua të zgjerohen njohuritë lidhur me çrregullimet e shpërndarjes së informacionit si dhe praktikat më të mira për t’i luftuar këto dukuri.

Folësit dhe pjesëmarrësit e këtij diskutimi vlerësuan se Kosova ka nevojë për një përpjekje të përbashkët për të parandaluar dezinformimin, keqinformimin dhe ndikimin e tyre degradues në diskursin demokratik të Kosovës.

Gjithashtu, gjatë kësaj punëtorie para kolegëve tanë gazetarë u prezantuan edhe gjetjet kryesore nga monitorimi i medieve online dhe atyre sociale realizuar nga NDI në periudhën mars 2020 – nëntor 2020.

AGK dhe UN Women mbajtën punëtoritë dy-ditore “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor”

0

PRISHTINË, 28.01.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me UN Women, ka mbajtur dy punëtori dy-ditore “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor”, në kuadër të projektit rajonal “Financimi Transformues për Barazinë Gjinore drejt qeverisjes më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme në Ballkanin Perëndimor”, financuar nga SIDA.

Pjesëmarrës në punëtori ishin gazetarët e medieve qendrore dhe lokale në Kosovë. Përmes diskutimeve të zhvilluara, u synua të zgjerohen njohuritë se çka është Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor, si të raportohet për BPGj-në në mënyrë të paanshme, të ndjeshme gjinore dhe etike, si dhe si të trajtohen pabarazitë gjinore përmes BPGj-së.

Në kuadër të punëtorisë është ofruar edhe mbështetje për gazetarët në lidhje me zhvillimin e ideve dhe metodologjive konkrete për hartimin e raporteve për BPGj.