Home Blog Page 43

AGK e dënon ashpër gjuhën e përdorur nga zyrtari i lartë i PDK-së, Gani Koci, në drejtim të gazetares Jeta Xharra

0

PRISHTINË, 03.07.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e dënon ashpër gjuhën e përdorur nga zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Koci, në drejtim të gazetares Jeta Xharra.

Koci në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar: “Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!”, duke i quajtur gropa septike serbe që duhet mbyllur me beton, disa personalitete duke përfshirë edhe gazetaren e BIRNI-it, Jeta Xharra.

Për AGK-në, kjo mënyrë e shprehjes ndaj gazetarëve përbën një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve, por edhe për demokracinë në vend.

Gazetarët kanë të drejtë të kryejnë punën e tyre lirshëm, pa pasur frikën ndaj etiketimeve të kësaj natyre.

Gjithashtu, AGK-ja u bën thirrje të gjithë zyrtarëve politikë t’i ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbejë opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë.

Nicholas Wood ish-reporter i New York Times dhe BBC-së trajnon gazetarët kosovarë mbi temën “Lajmet e rreme”

0

Prishtinë, 02.07.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me UN Women Kosovo, ka vazhduar ciklin e trajnimeve, duke organizuar trajnimin e radhës online mbi lajmet e rreme.

Gazetarët kosovarë u trajnuan nga ish-reporteri i New York Times dhe BBC-së, Nicholas Wood. Përmes këtij trajnimi u synua të zgjerohen njohuritë në lidhje me rrezikun nga lajmet e rreme gjatë raportimeve, pasi fenomeni “fake news”, është një nga sfidat me të cilat vazhdimisht po përballet gazetaria jo vetëm tek ne, po në mbarë botën. Në kuadër të trajnimit është zhvilluar edhe debat në mes të gazetarëve dhe Nicholas Wood.

AGK në bashkëpunim me UN Women Kosovo deri më tani ka organizuar katër punëtori për gazetarët e medieve lokale, teksa ky është trajnimi i tretë për gazetarët e medieve qendrore.

AGK mirëpret reagimin e Prokurorisë në rastin e Gazetës Online “Insajderi”, ku rrezikoheshin të humbnin punën 43 gazetarë

0

PRISHTINË 17.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret arrestimin e njërit nga personat e dyshuar për sulme kibernetike ndaj Gazetës Online “Insajderi”, Ardian Alaj.

Arrestimin e Alajt e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Alaj dyshohet për veprat penale, “Hyrje në sisteme kompjuterike”, “Vetëgjyqësia” dhe “Keqpërdorim i besimit” ndaj Gazetës Online “Insajderi” dhe disa mediave tjera.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftojmë se hetuesit policorë kanë zbatuar vendimin e Prokurorisë Themelore Prishtinë për arrestim dhe ndalim e të dyshuarit A.A (1985) nën dyshimin për kryerje të veprave penale: ‘Hyrje në sisteme kompjuterike, neni 327 i KPRK-së’, ‘Vetëgjyqësia, neni 410 i KPRK-së’ dhe ‘Keqpërdorim i besimit, neni 330 i KPRK-së’. I dyshuari, me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Krahas këtyre veprave penale, në portalin insajderi.com, javëve të fundit janë publikuar edhe shkrime linçuese ndaj gazetarëve Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi, të cilët e kanë në pronësi portalin “Insajderi”.

AGK kërkon nga strukturat kompetente të sqarojnë urgjentisht rastin e Gazetës Online “Insajderi” dhe të informojnë publikun për masat që do të ndërmarrin.

Zvarritja e këtij procesi rrezikon 43 punëtorët e këtij mediumi që të mbesin pa paga.

AGK mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit Endrit Shala, por kërkon transparencë më të madhe nga Prokuroria

0

PRISHTINË 15.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret vendimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për veprën penale “Sulm”, ndaj gazetarit të portalit Indeksonline, Enis Ramadani.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 10.02.2020, ka ngritur Aktakuzë ndaj personit me inicialet E.Sh., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, citohet të ketë thënë ajo në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”.

AGK shprehet tejet e shqetësuar me qasjen selektive të Prokurorit të Shtetit, i cili në pothuajse të gjitha rastet e tjera njofton publikun në lidhje me ngritjen e aktakuzave, ndërsa në këtë rast ka anashkaluar këtë praktikë. Qasja e tillë selektive përbën shkelje të Ligjit të Prokurorit të Shtetit, i cili njoftimin e publikut duhet ta bëjë në mënyrë të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, sikurse vepron për të gjitha palët.

AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në mënyrë që t’iu mundësohet përmbushja e rolit të tyre jetik për garantimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Dënimet e merituara duhet të jenë të pashmangshme në të gjitha rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, të cilat raportohen në vazhdimësi.

“Rreziku nga dezinformatat në kohë pandemie”, trajnim i organizuar për gazetarët e komunitetit serb në Kosovë

0

PRISHTINË, 14.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me UN Women Kosovo kanë vazhduar ciklin e trajnimeve, duke organizuar trajnim online për gazetarët e komunitetit serb që punojnë në Kosovë.

Përmes trajnimit mbi temën “Rreziku nga dezinformatat në kohë pandemie” u synua të zgjerohen njohuritë mbi temën e infodemisë si dhe të forcohen kapacitetet e gazetarëve në raportimin e fakteve të vërteta dhe të besueshme.

Deri në fund të projektit do të organizohen edhe 2 trajnime me gazetarë të nivelit qendror, të cilat do të udhëhiqen nga ekspertë ndërkombëtar dhe si rezultat i këtyre aktiviteteve, do të hartohet një udhëzues për gazetarë.

 

AGK dënon ashpër kërcënimin ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi

0

PRISHTINË 14.06.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka marrë lajmin se është tentuar të digjet vetura e gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

Kajtazi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se mbrëmë në rrugën “Evlia Çelebia” në Mitrovicë, një person kishte tentuar t’ia digjte me benzinë veturën e tij. Këtë akt, sipas gazetarit e kanë parandaluar banorët e kësaj rruge, të cilët e kishin njoftuar edhe Policinë e Kosovës.

Sipas Kajtazit, PK ka siguruar një videoincizim ku duket kryesi, e po ashtu Forenzika ka gjetur në vendin e ngjarjes shishen nga e cila u derdh benzina.

AGK menjëherë ka dërguar pyetje në Policinë e Kosovës që të marrë më shumë informacione rreth këtij rasti. AGK kërkon nga organet e drejtësisë që urgjentisht të hetohen motivet e sulmit dhe kryesi i këtij akti të dal para drejtësisë.

Kërcënimet e tilla për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë tërësisht të papranueshme, të cilat e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë.

AGK dënon etiketimet dhe gjuhen e zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj punës së gazetarëve

0

PRISHTINË, 23.05.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka marrë me shqetësim gjuhën e përdorur nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Kryeredaktorit të Kohës Ditore – Agron Bajrami, gazetarit të Kohes Ditore Besnik Krasniqit dhe autorit të “Rubikon-it” në Klan Kosova, Adriatik Kelmendit.

Në postimin e tij, Liburn Aliu shkruan – “Kjo që ka thënë Agron Bajrami, e që po ‘hulumton’ Besnik Krasniqi, është ajo që dëshiron Kadri Veseli. Po, mund të jetë koincidencë. Kadri Veseli dëshiron që Gjykata Kushtetuese ta godas edhe Thaçin edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe t’ia hap të dytit rrugën për Kryeministër. Ai e din që në zgjedhjet e ardhshme fiton LVV por po ashtu beson që PDK del e dyta dhe me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, bëhet presedani që i hap rrugën atij për t’u bërë Kryeministër. E përsëris, po, mund të jetë koincidencë.”

Pas postimit të Aliut, edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka shkruar rreth po të njëjtës çështje – “Gazetari i cili vete na tregon se GjK qenka e kapur nga PDK, pastaj del me burime te brendshme sipas tij nga GjK. Kah keto burime te brendshme kur GjK qenka e kapur nga PDK? E respektojme punen e pavarur te medias, e sic e tha edhe Liburni, mund te jete teresisht koincidence qe interesat e Kadri Veselit perputhen me ate qe parashikon gazetaria e burimeve anonime. Ne e dime qe do te jemi fitues mbi 50%, por Kadri Veseli shpreson qe jo. Pra, Veseli beson qe VV-ne nuk mundet me e ndale, por shpreson qe ajo nuk do t’i merr mbi 50% dhe mundet me u be ai pastaj kryeminster.”

Ndërkaq, edhe zyrtari i të njëjtës parti, Adnan Rrustemi, gjatë ditës së djeshme, po ashtu përmes një postimi në Facebook ka shkruar – “Adriatik Kelmendi paska deklaruar mbrëmë që gjendja në Gjykatën Kushtetuese është 7 me 2 në favor të Thaçit. E qartë, ai synon që gjyqtarët që po lëkunden t’i shpiejë kah pozicioni i Thaçit. Adriatiku nuk është det me ujë të freskët por turbullirë me ujë të PAN-it. Prandaj iku nga KTV për të zëvendësuar në klan Batanin.”

Kjo formë e shprehjes ndaj gazetarëve, për AGK-në përbënë një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve por edhe për demokracinë në vend.

Duke i akuzuar gazetarët se favorizojnë një parti apo tjetër, i bëjnë target te sulmeve. Çdo ankesë ndaj raportimeve, të cilat mund të vlerësohen jo profesionale, mund të drejtohen në institucionet përkatëse.

Gazetarët kanë të drejtë në kryerjen e punës se tyre lirshëm, pa pasur frikën e etiketimeve të kësaj natyre.

AGK ju bënë thirrje të gjithë zyrtarëve politik që të ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbej opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë sonë.

AGK dënon gjuhën e zëvendësministrit Enver Dugolli drejtuar gazetarëve

0

PRISHTINË, 09.05.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka reflektuar mbi gjuhën e përdorur në një status të fundit të zëvendësministrit në detyrë të Mbrojtjes dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

Me datë 8 maj, Dugolli ka shkruar një status të tillë në rrjetin e tij personal social Facebook – “Piskamat shterruese e dëshpëruese të disa “gazetarëve” për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht “viktimën plitike” madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se ç’farë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi…”

AGK e dënon fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, sidomos kur ajo vjen nga një individ që mban post kaq të respektuar, fjala e të cilit ka ndikim dhe i jep formë edhe mendimit të opinionit publik.

Gazetarët kanë të drejtë të raportojnë, dhe është detyrë e tyre e shenjtë që ky raportim të ndodhë, e të mos fshihet e manipulohet si i tillë. Gazetarët nuk performojnë ‘piskama’, ata mbulojnë ngjarje e zhvillime të ndryshme gjatë ditës, dhe rasti të cilit i është referuar Dugolli, nuk do të duhej të lihej në terr mediatik, siç pretendon ai.

AGK fton zyrtarët politikë dhe partitë e tyre politike të distancohen nga qëndrime të tilla të cilat vetëm sa e minojnë më shumë punën e gazetarëve në Kosovë.