Home Blog Page 46

AGK: Të gjeturat e raportit të Human Rights Watch, shqetësuese për gjendjen e sigurisë së gazetarëve në Kosovë

0

PRISHTINË, 15.01.2020 – Hetimet dhe ndjekjet penale për rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kanë qenë të ngadalshme, thuhet në raportin e publikuar të martën nga organizata ndërkombëtare me seli në New York, Human Rights Watch.

“Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalshme. Kërcënimet në platformat e mediave sociale mbetën një problem i përhapur. Midis muajve janar dhe shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 11 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave, përfshirë katër sulme fizike dhe shtatë kërcënime. Policia po hetonte katër nga rastet e raportuara në kohën e shkrimit të këtij raporti.” – shkruan në raportin e 30-të me radhë i cili përfshinë periudhën nga fundi i vitit 2018 deri në nëntor të vitit 2019.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehë shqetësimin për numrin e lartë të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që janë raportuar gjatë vitit 2019, duke rikujtuar se deri në përfundim të këtij viti numri i rasteve është rritur në 19 sosh. Asnjë nga kryerësit e këtyre sulmeve dhe kërcënimeve nuk është ndëshkuar. Mosndëshkimi i tyre mund të ndikojë në pasigurinë e gazetarëve për të shkruar për fenomene negative që ndodhin në Kosovë. Prandaj i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndalojnë këtë praktikë dhe sulmet ndaj gazetarëve t’i trajtojnë më me prioritet.

Në kapitullin për lirinë e medieve në Kosovë, përmenden gjithashtu tri raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dy të cilat të shkaktuara nga zyrtarë apo parti politike.

“Në gusht, qeverisja PDK (Partia Demokratike e Kosovës) lëshoi një deklaratë duke i quajtur lajmet e gazetës online “Gazeta Express” si “lajme të rreme”, duke inkurajuar qytetarët t’i marrin me rezervë raportimet e saj. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte raportuar në maj që kreu i PDK-së Kadri Veseli i bëri presion kryeredaktorit të Gazetës Express. Ndërkohë që ky raport po përpilohej, policia po hetonte rastin.” – thuhet më tutje në raport.

AGK sërish fton të gjitha subjektet politike të distancohen nga sulmet, gjuha linçuse e cila gjithashtu mbetet një problem i përhapur në vend, apo çdo padrejtësi në drejtim të gazetarëve e cila cenon integritetin profesional të tyre.

Rikujtojmë që çdo sulm ndaj një gazetari është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

AGK dënon sulmin fizik dhe veprimet e personelit të Sllavko Simiqit ndaj ekipit të arbresh.info

0

 

PRISHTINË, 11.01.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar informatën se ekipi i arbresh.info është sulmuar dje gjatë raportimit të tyre për vizitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq, njëherësh edhe nënkryetar i Listës Serbe, në fshatin Prilluzhë të Komunës së Vushtrrisë.

Sipas raportimeve të arbresh.info, Simiq ka vizituar një shkollë të mesme të ulët dhe më pas të ashtuquajturën Komunën paralele të Prilluzhës. Ekipit të arbresh.info ju pamundësua të jetë i pranishëm për të raportuar ngjarjet, përderisa mediet serbe u lejuan të jenë prezente.

Për me tepër, siç bën të ditur gazetarja e arbresh.info, Elmedina Ballazhi, pas tentimit së saj për të hyrë në takimin e dytë, ajo është sulmuar nga personeli i Simiqit, duke e goditur atë me bërryl në gjoks dhe duke i mbyllur derën asaj dhe kameramanit.

Pas përfundimit të dy takimive, Simiq sërish nuk ka pranuar të deklarohej. Pavarësisht këtyre pengesave, ai përmes mesazheve i ka mohuar arbresh.info se personi që ka larguar gazetaren, është pjesë e stafit të tij.

“Nuk ishte stafi im. Gazetarët tuaj janë gjithmonë të respektuar. Më vjen keq për të gjitha këto keqkuptime. Shihemi në Prishtinë, dhe faleminderit për mirëkuptim”, është shprehur Simiq në formë të shkruar, pas gjithë këtyre telasheve në lidhje me raportimin nga këto vizita.

AGK i dënon fuqishëm këto akte të personelit të Simiqit dhe kërkojmë nga ata distancimin e menjëhershëm nga këto veprime të papranueshme. Zyrtarët shtetëror duhet të jenë transparent në punën e tyre dhe të ndihmojnë të gjithë gazetarët në raportim të drejtë dhe të paanshëm.

AGK dënon kërcënimin e drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Skenderaj, Ramiz Shala, ndaj gazetarit Kajtaz Gecaj

0

Prishtinë, 20.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim e ka pranuar informatën se drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Skenderaj, Ramiz Shala e ka kërcënuar me sulm fizik korrespondentin e gazetës “Zëri”, Kajtaz Gecaj.

Sipas gazetarit Gecaj, kërcënimi ka ndodhur si rrjedhojë e artikullit të publikuar “Sivjet Komuna e Skenderajt pagoi katër portale, asnjëri lokal.”

“Para pak çasteve, Ramiz Shala, drejtor i Kulturës më ka kërcënuar se do të më sulmojë fizikisht nëse edhe njëherë ia përmendi emrin në gazetë, edhe pse emrin ia ka përmendur kolegu i tij, Kastriot Gashi. Bile tha se “tash të kisha bë tokë veç e kam mik të mirë djalin tënd.” – ka shkruar Gecaj në rrjetin social Facebook.

Për më tepër, ky i fundit është kërcënuar se do të dëbohet nga zyra e tij.

“Ai gjithashtu me kërcënoi se nesër (e premtë) do të më dëbojë nga zyra në objektin e ish-TMK-së..” – thuhet në postimin e Gecajt.

AGK e fton drejtorin Shala të distancohet nga kjo qasje e patolerueshme dhe në rast se ka pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga Gecaj, t’i ndjek rrugët ligjore dhe asesi të mos përdorë gjuhë kërcënuese ndaj gazetarit.

AGK inkurajon gazetarët që të mos zbrapsen nga kërcënimet e tilla ndërsa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë gjithsesi edhe në polici.

AGK dënon ashpër sulmin fizik të ministrit Endrit Shala, ndaj gazetarit Ensar Ramadani

0

Prishtinë, 17.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër sulmin që i është bërë gazetarit të IndeksOnline, Ensar Ramadani, nga ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Siç shkruan IndeksOnline, ministri Shala e ka goditur në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës. Ai ishte duke përcjellë nga afër gjendjen e zyrtarit tjetër të Nismës, Luan Malokut, në QKUK.

Në vendngjarje, Shala i ka kërkuar telefonin gazetarit dhe pas refuzimit të kësaj kërkese, Shala e ka sulmuar fizikisht atë duke e goditur në fytyrë.

Për rastin në fjalë, AGK ka marrë edhe deklaratën e Policisë së Kosovës, sipas të cilëve, gazetari aktualisht është duke u marrë në pyetje në stacionin e “Jugut”, dhe se njësitet policore janë duke e trajtuar rastin.

AGK dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve.

AGK në të njëjtën kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi.

AGK: Paketa ligjore ‘anti-shpifje’ në Shqipëri, rast i paprecedent në botën demokratike

0

PRISHTINË, 16.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bashkohet thirrjes së gazetarëve dhe medieve shqiptare, organizatave të medias, të shoqërisë civile si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat kërkojnë nga qeveria shqiptare të tërheqë paketën ligjore ‘anti-shpifje’ që i është propozuar Kuvendit.

Me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mediat audiovizuale dhe Ligjin për komunikimet elektronike, Autoriteti i Medieve Shqiptare (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike (AKEP) do të lejohen të bllokojnë menjëherë faqet e internetit të medieve, të vendosin gjoba të papërballueshme për gazetarët dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve.

Edhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Désir paralajmëroi se “gjobat e tilla mund të çojnë në mbylljen e mediave dhe të shihen si presion indirekt.”

Thirrjes për tërheqjen e dy projektligjeve që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, i janë bashkuar edhe Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ / IFJ). Sipas tyre propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri.”

AGK vlerëson se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes. E drejta e fjalës, në çdo vend demokratik trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.

AGK dënon presionin dhe sharjet ndaj gazetares së emisionit “Betimi për Drejtësi”

0

PRISHTINË, 12.12.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë ankesën e drejtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, që një nga gazetaret e portalit të tyre “Betimi për Drejtësi”, është ofenduar, sharë dhe i është bërë presion gjatë seancës gjyqësore të cilën ajo po e monitoronte me datën 9 dhjetor 2019, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Seanca e raportuar nga gazetarja kishte të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj M.Z., E.K. dhe I.K.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 9 dhjetor 2019, lidhur me përdorimin e telefonit nga i akuzuari E.K., i cili kishte shikuar ndeshje të boksit, derisa po zhvillohej procesi gjyqësor.

Ndërsa, siç njoftojnë më tej drejtuesit e IKD-së për AGK-në, si rrjedhojë e publikimit të këtij lajmi, në seancën pasuese njëri nga të akuzuarit, M.Z. kishte filluar sharjet dhe ofendimet ndaj monitoruesve prezent, përfshirë edhe monitoruesen e IKD-së.

Për më tepër, njëri prej avokatëve mbrojtës kishte deklaruar se publikimi i lajmit lidhur me shikimin e ndeshjes së boksit në seancë gjyqësore nga klienti i tij, ishte veprim skandaloz i monitorueses dhe përbënte cenim të privatësisë.

AGK vlerëson se përmbajtja e publikuar nga “Betimi për Drejtësi” nuk ka të bëjë me publikimin e asnjë informacioni privat, aq më shumë kur për seancën në fjalë, nuk kishte pasur ndonjë vendim që ajo të mbahej e mbyllur.

AGK thekson se shoqëria civile dhe mediet luajnë një rol të rëndësishëm në monitorimin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha sferat për të cilat raportohet. Andaj, i bëjmë thirrje të gjithë akterëve relevantë si në sistemin e drejtësisë ashtu dhe në të gjitha fushat tjera që të ndalin presionin, ofendimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

AGK inkurajon të gjithë kolegët të mos nënshtrohet para presioneve e ofendimeve që iu bëhen, por të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm dhe etikë të lartë.

AGK e shqetësuar me qasjen e deputetit Veton Berisha ndaj gazetarit të Radio Kosovës, Denis Galushi

0

PRISHTINË, 11.12.2019- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka marrë me shqetësim qasjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, ndaj gazetarit të Radio Kosovës, Denis Galushi.

Galushi përmes një shkrimi autorial ka shkruar rreth komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ky shkrim, sipas deputetit Berisha përmban shkelje andaj të hënën, me datën 09.12.2019, ka dorëzuar kallëzim penal në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Bazuar në publikimin e tij të datës 18.10.2019 me titull: “Artikulli “Roma + Ashkali + Egjiptian = ROMA” kemi konstatuar se ka kryer vepër penale duke nxitur përçarje dhe mosdurim si dhe duke mohuar identitetin Egjiptian dhe Ashkali ne konstatojmë se ka shkelur Kushtetutën , ligjet në fuqi dhe nenin 141 i KPK-së”, ka shkruar Berisha në rrjetin social Facebook.

AGK thekson se çdo politikan mund të ndjekë rrugë ligjore karshi çdo gazetari mirëpo nuk mund të konstatoj siç ka bërë deputeti Berisha, që gazetari me shkrimin e tij ka kryer vepër penale, ende pa e thënë këtë organet e drejtësisë. Për me tepër, deputeti në fjalë ka vlerësuar shkrimin gazetaresk si “shpifje, përgojim dhe tentim të përçarjes”, çka për AGK është e papranueshme.

AGK kërkon nga deputeti Berisha të ndal linçimin publik ndaj gazetarit Galushi, si dhe thekson se liria e fjalës është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, dhe gazetarët si bartës të saj nuk duhet të pengohen e të diktohen nga politika.

Harlem Desir, përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medieve, reagon për thyerjen e zyrave të AGK-së

0

PRISHTINË, 11.12.2019 – Thyerja e zyrave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me datën 06.12.2019 ka shqetësuar të gjithë ata që përkrahin gazetarët e që janë në mbështetje të punës së tyre.

Një reagim i tillë ka ardhur edhe nga përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medieve, Harlem Desir. Ai përmes një postimi në Twitter ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me këtë akt, duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

“I shqetësuar për thyerjen e zyrave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës më 06.12., gjatë së cilës janë marrë disa mjete. Zyra ime do të përcjellë nga afër hetimet, dhe shpresoj që personat përgjegjës do të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Desir në Twitter.

Ky nuk ka qenë reagimi i vetëm për rastin e thyerjes së zyrave të AGK-së. Misioni i OSBE-së në Kosovë, Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve (SEWP), si dhe mbarë komuniteti i gazetarëve kanë dënuar këtë akt.

Gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti është fituese e çmimit për gazetarinë më të mirë kundër-korrupsion 2019

0

Prishtinë, 09.12.2019 – Fituese e çmimit për gazetari kundër korrupsionit për vitin 2019 është shpallur gazetarja Ardiana Thaçi Mehmeti, e cila ka realizuar një seri storjesh në lidhje me nepotizmin dhe korrupsionin në ndërmarrjet publike në Kosovë.

Shkrimi në linkun vijues:
https://jacaward.com/author/ardiana-thaci-mehmeti/

Çmimi është ndarë nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, përmes projektit për mbështetje të përpjekjeve anti-korrupsion në Kosovë, (SAEK II), mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka qenë pjesë e promovimit të thirrjes dhe përzgjedhjes së panelit për një pjesë të vlerësimit (33%) të storjeve të kualifikuara, ndërsa i gjithë procesi ka pasur tri faza vlerësuese.

Në finale të garës për këtë çmim ishin kualifikuar tre gazetarë me storiet e tyre:

  • Ardiana Thaçi Mehmeti (Kohavision-KTV): Me seri storjesh për nepotizëm dhe korrupsion në ndërmarrjet publike.
  • Kreshnik Gashi (Drejtësia në Kosovë): Katër emisione të bashkuara në një vend, “Lidhja e Policisë me Kontrabandën”.
  • Besnik Krasniqi (Koha Ditore): “Abuzimi me komasacionin lë fermerët pa tapi” dhe “Komasacioni lë belanë te fermerët dhe çon milionat te kompanitë”.

AGK uron fituesen e çmimit dhe shpreh mbështetjen për gazetari cilësore. AGK do të vazhdojë përkushtimin e saj për bashkëpunim të mëtejmë me organizatat që promovojnë gazetarët dhe gazetarinë në përgjithësi.