Home Blog Page 47

Thyhen zyrat e AGK-së

0

Prishtinë, 06.12.2019- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton opinionin, se zyret e organizatës që gjenden në lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në rrugën ” Perandori Justinian”, në Prishtinë janë thyer. Aty janë marrë sende me vlerë, të cilat kanë qenë mjete pune të organizatës: një aparat fotografik, një televizor dhe një llaptop.

Për rastin është njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi i Forenzikës për t’i bërë hetimet e nevojshme.

AGK është jashtëzakonisht e shqetësuar me këtë situatë dhe dënon ashpër këtë akt. Duke pas parasysh faktin që përball zyrës së AGK-së është Katedralja “Nënë Tereza”, si dhe lokalet tjera, të cilat kanë kamera përreth, AGK fton Policinë e Kosovës që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e kryerësve të kësaj vepre penale.

Pavarësisht kësaj situate AGK mbetet e përkushtuar që ta kryejë misionin e saj e që është mbrojtja e punëtorëve medial dhe avokimi për të drejtat e tyre.

 

AGK kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

0

 

Prishtinë, 05 dhjetor 2019-Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar drejtësi për të gjithë gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005. Në konferencën e organizuar nga AGK në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ku ishin të pranishëm dhe familjarë të gazetarëve të vrarë u tha se mungesa e drejtësisë për këto raste paraqet një njollë të zezë për institucionet e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për kolegët e tyre të vrarë duke u bërë thirrje për ndihmë organizatave ndërkombëtare në themelimin e një fondi të veçantë që do të përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuuar për ndriçimin e fatit të kolegëve tonë, por edhe në shenjë kujtimi për veprën e tyre.

“Per mua si nënë e dy fëmijëve, si gazetare, si përfaqësuese e gazetarëve të Kosovës, nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të ketë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelet e tjerë. E të njëjtën e presim të gjithë,ashtu si ju familjarët e dhe ne gazetarët.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se rastet e gazetarëve të zhdukur dhe të vrarëve nuk janë çështje etnike.

” Kjo nuk është është një çështje etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Kjo ka të bëj me njerëzit , civilët, gazetarët që kanë bërë punën e tyre. Ne duhet të flasim për këta njerëz. Ata nuk janë statistikë, ata janë baballarë, vëllezër të dikujt, këtë ia kemi borxh familjeve të tyre,” tha ai.

Zbardhja e këtyre rasteve u kërkua edhe nga përfaqësuesi i gazetarëve serb në Kosovë, Budimir Nicic.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatë Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili theksoi se për institucionin që përfaqëson zbardhja e këtyre raste ka rëndësi të veçantë dhe se si mekanizëm do t’u qëndrojnë pranë AGK-së dhe asociacioneve të gazetarëve serb për të thelluar bashkëpunimin në këtë pikë.

Këtë ngjarje e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medieve Harlem Desire.

Roli i medias në ndërtimin e paqes

0

 

Gazetarët e rajoneve të Pejës dhe të Gjakovës në punëtorinë e parë të AGK dhe UN WOMEN

PRISHTINË, 30.11.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me UN Women filluan ciklin e punëtorive dy ditore për gazetarët e nivelit lokal, mbi temën “Roli i medieve në ndërtimin e paqes”.

Në punëtorinë e parë po marrin pjesë gazetarët e rajoneve të Pejës dhe të Gjakovës. Ligjëruese është Gjeraqina Tuhina, gazetare shumëvjeçare e cila ka raportuar për luftën e fundit në Kosovë, që nga viti 2000 punon si korrespodente nga Brukseli dhe mbulon temat mbi integrimet evropiane, dialogun Kosovë – Serbi, etj.

Përmes këtij cikli të punëtorive synohet të zgjerohen njohuritë mbi raportimin ndaj konflikteve dhe rolin e medieve në ndërtimin e paqes. Gjithashtu synohet të forcohen kapacitetet e gazetarëve duke aplikuar një qasje sa më korrekte gjatë raportimeve të tyre ndaj konflikteve dhe njëkohësisht të aplikojnë edhe perspektivën gjinore.

Deri në fund të projektit janë planifikuar katër punëtori, të cilat do të udhëhiqen nga ekspertë ndërkombëtar dhe si rezultat i këtyre punëtorive me gazetarë të nivelit lokal dhe trajnimeve me gazetarë të nivelit qendror që veçse kanë filluar, do të hartohet një udhëzues mbi temën e mësipërme.

Memorandum Bashkëpunimi AGK-OAK: Nga sot gazetarët kosovarë do të kenë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas

0

 

Prishtinë, 16. 11. 2019 – Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre.”, thuhet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.

Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej kolegëve tanë, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.

“Në një klimë të këtillë ku kemi dhjetëra raste të kërcënimeve, privimit të së drejtës së gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre, mbrojtja ligjore falas ka qenë më shumë se e domosdoshme. Falënderoj kreun e OAK-ut, z.Osman Havolli i cili pati gatishmëri që në 46 vjetorin e themelimit të OAK-ut ta nënshkruajmë këtë Memorandum Bashkëpunimi.”, ka thënë pos tjerash Begolli-Pustina.

Ky është një hap më shumë në përpjekjet e AGK për t’ju dalë në ndihmë anëtarëve të vet me qëllim të krijimit të një ambienti më të lehtë të punës së tyre.

AGK dënon sulmin fizik ndaj gazetares Mejreme Gashi

0

 

Prishtinë, 07. 11. 2019 – AGK është e shqetësuar me sulmin fizik ndaj gazetares së Klan Kosovës, Mejreme Gashi në fshatin Karaçevë të Kamenicës, nga persona brenda një kazinoje.

Ekipi i Klan Kosovës ishte duke e realizuar një kronikë për operimin e disa kazinove në vendin e përmendur, kur persona që punonin në një kazino i ka penguar prezenca e medias dhe u janë vërsulur verbalisht dhe më pas e kanë sulmuar fizikisht gazetarën.

”Fillimisht mua dhe Rilindit na janë vërsulur duke na sulmuar verbalisht me fjalët më të rënda, na shanë, na ofenduan me fjalë banale. Pastaj njëri nga ta më goditi pas koke me dorë. E kjo nuk i mjaftoi prapë vazhdoi me sulme verbale ndaj tërë ekipit të Klan Kosovës derisa u shoqërua nga të pranishëm të tjerë duke na thënë ”Ikni nga këtu”, ”Mos na xhironi veturat”, kjo pasi aty kishte njerëz që ushtronin këtë veprimtari”. Ka deklaruar ajo për mediumin në të cilin punon.

Kjo është hera e dytë brenda javës që pengohet i njëjti ekip në kryerjen e detyrës, krahas atij që ndodhi në Zhabar të Mitrovicës, për të cilin AGK ka reaguar.

AGK edhe një herë fton organet e rendit me theks të veçantë policinë dhe prokurorinë që ta trajtojnë rastin me prioritet dhe autorët e sulmit t’i sjellin para drejtësisë. Sulmet ndaj gazetarëve kohëve të fundit kanë marrë përmasa shqetësuese, aq sa e ka bërë këtë si profesion, nga më të vështirët për tu punuar në Kosovë. Për këto dhe arsye tjera, organet e rendit duhet të veprojnë menjëherë për t’iu mundësuar gazetarëve të punojnë pa shqetësime.

Njëherësh, AGK inkurajon gazetarët që të mos dorëzohen përballë kërcënuesve të tillë dhe të punojnë me përkushtim për të informuar publikun.

AGK dënon ashpër kërcënimin e ekipit të Klan Kosovës, nga familjari i imamit Sead Bejta

0

 

Prishtinë, 06.11.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me kërcënimin që i është bërë ekipit të Televizionit Klan Kosova, nga një familjar i imamit të xhamisë së Zhabarit, Sead Bejta.

“Nëse publikohet vetëm një sekuencë për këtë rast, ose ti ose unë do të jemi mi tokë”, është kërcënimi që i është bërë ekpit të Klan Kosovës, përderisa ata ishin duke realizuar një storje, ku protagonistë ishin imami Sead Bejta dhe një grua me iniciale S. B.

Kërcënimi me jetë ndaj dy punonjësve të medias, është akt i lig dhe i papranueshëm që cenon lirinë e medias.

AGK fton organet e rendit, me theks të veçantë Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit, që menjëherë të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj kërcënuesit në fjalë, konform dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

AGK në vazhdimësi thekson nevojën e reagimit me kohë të organeve të shtetit në rastet e kërcënimeve të gazetarëve, në mënyrë që të mundësohet një ambient i lirë i ushtrimit të profesionit, pa frikën e kanosjes!

Mbi 75 gazetarë të medieve qendrore dhe lokale do të jenë përfitues të ciklit të trajnimeve, organizuar nga AGK dhe UN Women

0

 

PRISHTINË, 04.05.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me UN Women filluan ciklin e trajnimeve për gazetarët e nivelit qendror, mbi temën “Media si një instrument i paqes”.

Trajnimi i parë u organizua së bashku me Ambasadën e Finlandës në Kosovë, ku mori pjesë edhe Ambasadorja Finlandeze, Pia Stjernvall, Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe Shefja e Zyrës së UN Women, Vlora Tuzi Nushi.

Ligjëruese në trajnim ishte Susanna Inkinen, Këshilltare për media në organizatën International Media Support dhe Themeluese e Afghan Journalists Safety Committee.

Përmes këtij cikli të trajnime synohet të zgjerohen njohuritë mbi temën e ‘Raportimit ndaj konflikteve dhe rolin e medieve në ndërtimin e paqes’ sidhe të forcohen kapacitetet e gazetarëve duke aplikuar një qasje sa më korrekte gjatë raportimeve të tyre ndaj konflikteve, dhe njëkohësisht të aplikojnë edhe perspektivën gjinore.

Deri në fund të projektit janë planifikuar 4 trajnime me gazetarë të nivelit qendror dhe 4 punëtori me gazetarë të nivelit lokal, të cilat do të udhëhiqen nga ekspertë ndërkombëtar dhe si rezultat i këtyre aktiviteteve, do të hartohet një udhëzues mbi temën e lartëcekur.

AGK e shqetësuar nga sulmi fizik ndaj gazetares Norë Kelmendi

0

 

PRISHTINË, 28.10.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim veprimin e pronarit të një kompanie ndërtuese, Arsim Rexhepi, ndaj gazetares së Ekonomia Online, Norë Kelmendi.

Kelmendi ka qenë duke realizuar një kronikë për një incident në kryeqytet, ku nga shembja e dheut janë dëmtuar disa vetura. Gjatë kryerjes së detyrës, ajo është penguar nga z. Rexhepi, i cili e ka tërhequr për krahu gazetaren, duke e larguar nga vendpunishtja, ani pse ekipi i EO kanë poseduar leje për xhirime nga inspektori i ndërtimit.

Gjatë këtij incidenti, ka ndërhyrë edhe policia, me ç’rast kanë marr deklaratat e të dyja palëve të përfshira.

AGK fton Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që janë të thirrur për të mbrojtur dhe ruajtur rendin e ligjin, që të marrin masa konkrete dhe të mos lejojnë që gazetarët të pengohen gjatë kryerjes së detyrës.

Gjithashtu, AGK inkurajon të gjithë punonjësit medial të mos heshtin dhe të raportojnë për çdo padrejtësi që iu bëhet gjatë punës së tyre.

AGK dënon gjuhën linçuese të Hysen Durmishit ndaj gazetarëve

0

 

PRISHTINË, 26.10.2019 – Linçimi publik i bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, për AGK është shqetësues dhe i papranueshëm.

Përmes një shkrimi në Facebook, Durmishi, ndër të tjerë, ka kërkuar arrestimin e dy gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve.

AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike.