Home Blog Page 51

Ambasadori Braathu premton përkrahje për AGK-në

0

PRISHTINË 21.09.2018 – Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli – Pustina është pritur sot në një takim pune nga udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu.

Kryetarja Begolli- Pustina e njoftoi ambasadorin Braathu me zhvillimet e fundit në AGK dhe strukturën e saj të re, e dalë nga Kuvendi i fundit zgjedhor. Më tej, kryetarja Begolli – Pustina e informoi ambasadorin Braathu me aktivitetet dhe projektet aktuale të AGK-së dhe planet e synimet për të ardhmen.

Në takim u kërkua intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet AGK-së dhe misionit të OSBE-së dhe realizimi i aktiviteteve të përbashkëta që lidhen me sigurinë e gazetarëve, gazetarinë hulumtuese dhe avokimin e lirisë së shprehjes.

Nga ana e tij, Ambasadori Braathu përgëzoi edhe një herë kryetaren Begolli-Pustina për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin që misioni i OSBE-së të përkrahë fuqishëm punën dhe angazhimet e AGK-së.

Ambasadori Braathu çmoi lartë rolin e organizatave profesionale dhe të pavarura në zhvillimin e demokracisë dhe shpalosi disa nga mundësitë e bashkëpunimit dhe përkrahjes për AGK-në.

AGK kërkon respektimin e kodit etik të gazetarisë

0

PRISHTINË, 19.09.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellur me vëmendje debatin e ditëve të fundit për listat e veteranëve të luftës së UÇK-së, që dyshohet se në mënyrë të rrejshme kanë fituar statusin e veteranit.

AGK shpreh shqetësim për publikimin e të dhënave personale të këtyre qytetarëve në media.

Kjo formë e raportimit, është shkelje e të drejtave të njeriut, Kodit Etik të gazetarisë dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste  të ndjeshme si kjo, por edhe në të tjera t’u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë.  E kuptojmë që jetojmë në një kohë kur bëhet përpjekje e madhe për lajmin dhe senzacionin, por kjo nuk nënkupton se duhet të realizohet duke  shkelur parimet elementare profesionale e duke iu shërbyer padashje grupeve të caktuara që tentojnë të përdorin disa media për interesa e agjenda të tyre.

AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjithë gazetarëve në një mjedis jo të lehtë në Kosovë por, në anën tjetër kërkon edhe respektimin e parimeve bazë të profesionit. Besojmë se ky shqetësim i yni do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë kolegët gazetarë.

AGK dënon ndërhyrjen në punën e gazetarëve

0

PRISHTINË, 18.09.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përdorur në një reagim të kompanisë “KAWA Group” ndaj gazetarëve të portalit “Insajderi” në lidhje me një shkrim të publikuar nga këta të fundit.

Për AGK-në, është e papranueshme dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në profesionin e gazetarëve dhe lirinë e medieve, përpjekja e kompanisë në fjalë për ta kontrolluar punën e gazetarëve dhe për t’i mësuar ata se si duhet ta kryejnë punën e tyre në terren.

Sikurse, për AGK, është e papranueshme edhe çfarëdo etiketimi mbi bazë të paragjykimeve ndaj gazetarëve, siç ka ndodhur në reagimin e kompanisë në fjalë ndaj gazetarëve të mediumit “Insajderi”.

AGK thekson se gazetarët kanë të drejtën e tyre të përcjellin çfarëdo ngjarje publike dhe të raportojnë të lirë.

AGK mbështet raportimin objektiv dhe profesional ndërsa inkurajon palët e pakënaqura që të ndjekin rrugët ligjore për çdo pretendim që mund të kenë, duke u përmbajtur nga etiketimet dhe ofendimet publike.

AGK kërkon siguri për gazetarët

0

PRISHTINË, 12/09/2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për rastet e raportuara të pengimit të kryerjes së detyrës nga gazetarët e Serbisë, respektivisht mediumeve në gjuhën serbe Insajderi, Deutsche Welle dhe Tanjug gjatë mbulimit të vizitës së Presidentit të Serbisë në Kosovë gjatë fundjavës së kaluar.

AGK ka kontakuar policinë e Kosovës e cila ka konfirmuar se pas marrjes së informatave nga terreni ka gjetur se një veturë me targa të Serbisë ishte parkuar në afërsi të vendit ku mbahej protesta në rrugën rajonale Mitrovicë-Skenderaj kundër vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic. Policia ka theksuar se kishte marrë masat e nevojshme për të mënjanuar ndonjë incident dhe ka krijuar siguri për të gjithë, duke përfshirë dy gazetaret e Deustche Welle-s të cilët janë larguar nga vendi me përcjellje të policisë.

Të tri rastet nuk ishin denoncuar zyrtarisht në policinë e Kosovës.

AGK inkurajon të gjithë gazetarët që të raportojnë incidentet apo rastet kurdoherë që ata janë të kërcënuar apo sulmuar gjatë punës së tyre.

AGK kërkon po ashtu nga të gjitha autoritetet e vendit që të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurtë dhe të ndriçojnë këto raste të raportuara.

Nëntë muaj burg për sulmuesit e gazetarit

0

PRISHTINË 15.08.2018 – Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi. I pandehuri Nexhat Dedia është dënuar me pesë muaj burgim, ndërsa i pandehuri i tjetër Labinot Krasniqi është dënuar me katër muaj burgim.

Të dy këta akuzoheshin për kryerjen e veprave penale “kanosja”, “lëndimi i lehtë trupor” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, pasi që të njëjtit më 26 janar 2016 në Vushtrri i kishin shkaktuar lëndim trupor gazetarit, Gazmend Morina.

Me 20 korrik të vitit 2016, Prokuroria Themelore e Mitrovicës kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Nexaht Dedia dhe Labinot Krasiqni për sulm fizik të bërë ndaj gazetarit Gazmend Morina.

Kujtojmë se gazetari i portalit “Veriu.info”, Gazmend Morina, më 26 janar 2016 është rrahur fizikisht me shufra hekuri nga ish-asamblisti i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës, Nexhat Dedia dhe Labinot Krasniqi.

AGK dënon gjuhën e Presidentit Thaçi ndaj gazetarit

0

PRISHTINË 08.08.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përdorur nga Presidenti Hashim Thaçi, ndaj gazetarit Fitim Gashi, në konferencën e sotme për medie duke i thënë atij se “unë në emër të Vuqiqit sikur që flisni ju nganjëherë, nuk mund të flasë”.

Etiketimi dhe diskursi i përdorur nga presidenti ndaj gazetarit Gashi për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është i papranueshëm dhe përbën cenim të integritetit profesional të punës së gazetarëve dhe të medieve.

AGK kërkon nga presidenti Thaçi që mos të përdor akuza dhe etiketime të pabaza ndaj gazetarëve dhe mediumeve që ata përfaqësojnë. AGK i bënë thirrje Presidentit Thaçi, që të distancohet nga gjuha e tillë linçuese dhe të tregohet më i përmbajtur në respektimin e punës së gazetarëve.

Gentiana Begolli – Pustina zgjedhet kryetare e re e AGK-së

0

PRISHTINË, 31.07.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur kuvendin e jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të AGK-së. Kandidatja për Kryetare të AGK-së, Gentiana Begolli – Pustina ka marrë gjithsejt 97 vota, ndërsa kandidati tjetër Alban Selimi 77 vota si dhe Fitim Gashi 63 vota. Në bazë të këtij rezultati, Gentiana Begolli – Pustina zgjedhet kryetare e re e AGK-së.

Ndërsa anëtarë të rinjë të bordit të AGK-së janë: Leonora Dalipi me 110 vota, Ardiana Thaçi me 90 vota, Arsim Halili me 75 vota, Elvira Berisha me 58 vota, Dardan Hoti me 57 vota, Mentor Gjergjaj me 48 vota, Besiana Krasniqi me 43 vota si dhe Mentor Buzhala me 40 vota. Ndërsa Besarta Maliqi, Beadin Syla dhe Pleurat Salihu nuk kanë arritur t’i marrin votat e nevojshme për të hyrë në bord të AGK-së.

Të regjistruar si pjesëmarrës në kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të AGK-së ishin 277 anëtarë, ndërsa në votim kanë marrë pjesë 239 anëtarë, ku 237 fletëvotime ishin të vlefshme, ndërsa 2 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon të gjithë kolegët gazetarë të cilët ishin pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor.

AGK kërkon nga institucionet që t’i hetojnë pretendimet ndaj mediumit “Tribuna Media Group”

0

PRISHTINË, 23.07.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me raportimin në lidhje me mos kryerjen e obligimeve financiare si dhe shkeljen e të drejtëve të punës nga “Tribuna Media Group”, ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe producentëve që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në këtë medium.

AGK ju bënë thirrje institucioneve të vendit, përkatësisht Inspektoratit të Punës dhe Prokurorisë së Shtetit që t’i hetojnë këto pretendime ku gazetarët nuk janë paguar për punën e bërë, me ç’rast ndaj tyre ka pasur edhe keqtrajtime dhe shkelje të të drejtave të punës nga pronarët e mediumit “Tribuna Media Group”, vepra këto të sanksionueshme me ligjet në fuqi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet i gatshëm t’i ndihmojë të gjithë kolegët e prekur, të cilëve ju është bërë çfarëdo shkelje dhe mohim i të drejtave të tyre, në mënyrë që ata t’i ndjekin rrugët ligjore pranë institucioneve gjegjëse.

Kujtojmë se AGK edhe para më shumë se një viti, pas raportimit të anëtarëve të vet se mediumi “Tribuna Media Group”, nuk i kishte kompensuar ata për punën e bërë, këtë rast e kishte përcjellur në Inspektoratin e Punës, ku lënda kishte shkuar për shqyrtim edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Po ashtu, AGK fton të gjithë gazetarët të cilët përballën me probleme të tilla në cilëndo medie në Kosovë të raportojnë në AGK dhe në institucionet përkatëse.

AGK mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe në krijimin e një ambienti sa më të mirë të të bërit gazetari në vend.

Kryetari i Mitrovicës shan dhe kërcënon gazetarin

0

PRISHTINË, 23.07.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari Shkumbin Kajtazi, se gjatë ditës së sotme ka pranuar një kërcënim nga Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Gazetari Kajtazi ka bërë të ditur se Bahtiri e ka marrë në telefon atë dhe i është drejtuar me fjalë kërcënuese dhe sharje.

Kërcënimi ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi vjen pas publikimit të një artikulli të publikuar në gazetën “Metro”, ku tregohej për punësimi e një vajze në pozitën e shefes së kabinetit se kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Policia dhe Prokuroria që këtë rast ta trajtojnë me prioritet dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Kujtojmë se ky kërcënim shënon rastin e 13-të më radhë të ndodhur ndaj gazetarëve përgjatë këtij viti.