Home Blog Page 52

Platforma rajonale fuqishëm dënon sulmin brutal fizik ndaj gazetarit Hrvoje Bajlo

0

ZARË, 28.06.2018 – Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, fuqishëm dënon sulmin brutal fizik ndaj gazetarit Hrvoje Bajlo, pronar i portalit Zadar Neës dhe korrespondent i Index.hr dhe të së përditshmes Nacional.

Hrvoje Bajlo, i cili ishte duke përcjellur mënyrat se si qyteti i Zarës po menaxhohej dhe i ka dokumentuar lidhjet ndërmjet politikës, biznesit sportit dhe çështjeve sociale në Zarë, ishte sulmuar të dielën më 24 qershor në mbrëmje në një vend parking nga ish-futbollisit i klubit futbollist të qytetit dhe sot biznesmen, Jakov Surac.

Sipas raportimit të Bajlos, sulmi fizik pasoi pas ofendimeve të drejtuara ndaj tij. Sulmuesi ka thënë se Bajlo ka shkruar për “Index-in e Çetnikëve” dhe “të përditshmen e dhjerë Nacional” dhe e ka kërcënuar se “do ti këpus kokën” nëse ai vazhdon të shkruaj për shokët e tij Zdravko Livakovic, Bozidar Kalmeta dhe HDZ. Fyerjet ishin pasuar me grushta në kokë dhe trup të Bajllos, ishte rrëzuar përtokë, dhe kishte humbur ndjenjat. Në spitalin e qytetit të Zarës ai ishte diagnostifikuar më frakturë të krajut të djathtë dhelëndime serioze në trup dhe kokën e tij. Lëndimet janë kualifikuar si të rënda.

Në vitet e mëhershme Hrvoje Bajlo ishte kërcënuar dhe fyer për shkak të puëns së tij të pakompromis në gazetari. Edhe pse të gjitha këto kërcënime janë raportuar në polici, asnjëra prej tyre nuk është zgjedhur deri më tani.

Më 26 qershor June Surac ishte liruar nga paraburgimi nga gjykata e Zarës. Në vendimin e gjykatës të nënshkruar nga gjyqtari hetues të këtij rasti, Hrvoje Viskovic është theksuar se kushtet për paraburgim ekzistojnë për shkak të “rrethanave specifike se i dyshuari mund të përsëris veprën penale”. Sidoqoftë, masat e sigurisë më të buta u vendosën – urdhër ndalimi dhe ndalim kontakti. Gjyqtari Viskovic ka thënë për agjencinë e lajmeve kroate HINA se, sipas mendimit të tij, “nuk ka rrezik të përsëritjes së veprës penale “.

Platforma bënë thirrje për veprime të vendosura nga ana e policisë dhe institucioneve të drejtësisë. Po ashtu, Platforma i bënë thirrje përfaqësuesve më të lartë të administratës që qartësisht të dënojnë kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve. Me heshtje dhe racionalizim, institucionet më të larta shtetërore marrin anën e sulmuesve kundër të drejtave themelore të gazetarëve dhe lirisë së shprehjes duke inkurajuar nga kjo një atmosferë frike dhe dhune në shoqëri.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve jaën sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm i drejtpërdrejtë në interesin publik, demokraci dhe të drejtat e gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 28.06.2018.

Asociacioni i Gazetarëve të BeH
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

AGK takon koordinatorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastet e gazetarëve

0

PRISHTINË, 27.06.2018 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës kanë takuar koordinatorin e sapo emëruar për rastet e gazetarëve në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Arben Hoti, të cilit i kanë dorëzuar një listë me lëndët e kontestit penal dhe civil ku janë të përfshirë gazetarët.

Gjatë takimit me koordinatorin Hoti, përveç që u diskutua për zhvillimin e takimeve të rregullta mujore ndërmjet përfaqësuesve të AGK-së dhe koordinatorit për rastet e gazetarëve, u darkordua që të krijohet edhe një databazë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në të cilën do të shënohen të gjitha lëndët e pranuar, ato që janë në punë dhe ato që presin të zgjidhën, lëndë këto që kanë të bëjnë me mediet dhe gazetarët.

Përfaqësuesit e AGK-së, kanë kërkuar nga koordinatori Arben Hoti, që këto lëndë të trajtohen me prioritet dhe seriozitet nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ndërkaq, koordinatori Hoti ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tij që të gjitha lëndët e medieve dhe gazetarëve ta marrin një epilog sa më të shpejtë gjyqësorë.

Lista me lëndët e kontestit penal e cila iu dorëzuar të koordinatorit Arben Hoti është listë e marrë nga Prokuroria e Shtetit e që ka të bëjë me sulme fizike dhe kërcënime verbale të ndodhura përgjatë viteve ndaj gazetarëve në Kosovë. Ndërkaq, rastet e kontestit civil janë raste të cilat, vetë gazetarët e kanë njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, që gjinden në konteste civile gjyqësore dhe si të tilla janë regjistruar në këtë listë. Lista me rastet e gazetarëve qoftë nga lëmi penal apo civil do të përditësohen sa herë që paraqitën raste të reja, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i dorëzohen koordinatorit Arben Hoti.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon të gjitha mediet dhe gazetarët të cilët gjenden në çfarëdo kontesti gjyqësor, qoftë civil apo penal, e që janë në pritje të procedimit të rasteve, të na njoftojnë duke na e dërguar numrin e lëndës, sepse shqyrtimi i këtyre lëndëve brenda afateve të parapara ligjore do të ndikonte në krijimin e një ambienti më të sigurt për punën e gazetarëve si dhe rritjen e profesionalizmit të mediet.

Kujtojmë se Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, ditë më parë ka emëruar gjyqtarin, Arben Hoti si koordinator për rastet e gazetarëve i cili është edhe nënkryetar i kësaj gjykate.

AGK vlerëson përkushtimin e institucioneve të drejtësisë që më në fund rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritetin dhe seriozitetin maksimal, duke ndikuar kështu që të krijohet një ambienti i përshtatshëm dhe i sigurt në të bërit gazetari në vend.

AGK kundërshton mbylljen e komisionit parlamentar ku po shqyrtohej projektligji për RTK-në

0

PRISHTINË, 20.06.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kundërshton mbylljen e komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ku po shqyrtohej projektligji dhe skema e financimit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) pa dhënë ndonjë arsyetim në lidhje me shkaqet e mbylljes së kësaj mbledhjeje.

Të vetëdijshëm se rregullorja e punës së Kuvendit, përkatësisht neni 65 i dispozitave plotësuese të Komisioneve të Kuvendit, parasheh mbylljen e komisioneve në raste të caktuara, mirëpo diskutimi i sotëm me dyer të mbyllura për projektligjin e RTK-së, konsiderojmë se nuk ka pasur kurrfarë arsye të zhvillohet pa prezencën e medieve dhe publikut, duke e ditur kështu rëndësinë e veçantë të cilin e ka përmbajtja e këtij projektligji për qytetarët e vendit.

AGK konsideron se një praktikë e tillë nuk i shërben transparencës së punës së Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht përbën cenim të së drejtës qytetare për t’u informuar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bënë thirrje komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, përkatësisht kryetarit të këtij komisioni , Nait Hasani, të tregojnë shembull të mirë të llogaridhënies dhe transparencës në mënyrë që mbledhjet e tilla, si kjo e sotmja për projektligjin e RTK-së, të jenë të qasshme për mediet dhe publikun.

Gjykata Themelore në Prishtinë emëron koordinator për rastet e gazetarëve

0

PRISHTINË, 18.06.2018 – Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, ka emëruar gjyqtarin, Arben Hoti, si koordinator të kësaj gjykate për rastet e medieve dhe gazetarëve.

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, ka bërë të ditur se që nga dita e sotme, nënkryetari i kësaj gjykate, Arben Hoti, do të jetë koordinator i rasteve të gazetarëve.

“Ju njoftoj se për rastet e medieve dhe gazetareve që trajtohen në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kemi emëruar koordinator, gjyqtarin-nënkryetarin e Gjykatës, z. Arben Hoti. Andaj, për çdo rast (lëndë) që trajtohet në GJTH të Prishtinës dhe degëve të saj, mund ta kontaktoni gjyqtarin Hoti”, bënë të ditur kryetarja Bytyçi.

Emërimi i gjyqtarit Arben Hoti, si koordinatori për rastet e medieve dhe gazetarëve vjen pas një takimi të zhvilluar ditë më parë ndërmjet përfaqësueseve të AGK-së, me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizin dhe kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi, me ç’rast ju është dorëzuar kërkesa zyrtare për emërimin e një koordinatori në Gjykatën Themelore të Prishtinës, duke e parë kështu ngarkesën e madhe të cilën e ka kjo gjykatë me lëndët e medieve dhe gazetarëve.

AGK mirëpret emërimin e koordinatorit Hoti në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sepse, besojmë se tani e tutje këto lëndë do të trajtohen me prioritet dhe seriozitet nga ana e gjykatës, gjë që pashmangshëm do të ndikoj në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve në Kosovës si dhe rritjen e profesionalizmit te mediet.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon të gjitha mediet dhe gazetarët të cilët gjenden në çfarëdo kontesti gjyqësor, qoftë civil apo penal, e që janë në pritje të procedimit të rasteve, të na kontaktojnë duke na e dërguar numrin e lëndës, sepse do të krijohet një databazë me rastet e medieve dhe gazetarëve, e cila, do t’i dorëzohet koordinatorit të sapo emëruar, në mënyrë që këto lëndë të marrin një epilog sa më të shpejtë gjyqësorë.

Kujtojmë se përveç koordinatorit të sapo emëruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, edhe Prokuroria e Shtetit ka emëruar një Koordinator Nacional për rastet e gazetarëve si dhe në secilën Prokurori Themelore është caktuar nga një koordinator i posaçëm cili do të merret ekskluzivisht me lëndët e gazetareve.

Prandaj, AGK vlerëson përkushtimin e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që më në fund rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritetin dhe seriozitetin maksimal, duke ndikuar kështu që të krijohet një ambienti i përshtatshëm dhe i sigurt në të bërit gazetari në vend.

Gazetari i zhdukur është i gjallë dhe shëndosh, thotë Presidenti i Serbisë

0

BELA CRKVA, 15.06.2018. – Gazetari Stefan Cvetkovic i cili u zhduk në orët e vona të së të mërkurës është i gjallë dhe i palënduar dhe gjendet në një stacion policor në qytetin verior të Bela Crkva, tha Aleksandar Vucic, Presidenti i Serbisë në një konferencë shtypi.

Ai nuk dha shumë detaje, raporton N1, përveç që Cvetkovic është gjetur në zonë më të gjërë të Bela Crkvas dhe se ai ka dhënë versionin e tij se çfarë ka ndodhur që nga nata ndërmjet së mërkures dhe të enjtes ku “shërbimet tona të sigurisë janë duke shikuar në të.”

Zhdukja e Cvetkovicit shkaktoi brengë vendore dhe ndërkombëtare pasi që disa banorë lokal gjetën veturën e tij të ndezur dhe me dyer të hapura dhe disa gjëra personale afër veturës.

Policia dhe xhandarmeria e Serbisë, zhytësit dhe helikopterët ishin të angazhuar në një kërkim që nga zhdukja është raportuar. As Vucic, as Ministri i Brendshëm, por as shefi i Sigurimit të Shtetit nuk kanë ndarë ndonjë detaj me gazetarët.

Cvetkovic është thënë se ishte duke punuar në një shkrim rreth vrasjes në janar të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanovic. Hetimi mbi vrasjen nuk ka prodhuar asnjë rezultat deri më tash.

Qeveria e Kosovës miraton ligjin e avancuar për sinjalizuesit

0

PRISHTINË, 14.06.2018 – Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve e ka marrë dritën jeshile nga Qeveria e Kosovës dhe është proceduar për votim në Kuvend. Ky projektligj parasheh mbrojtjen e sinjalizuesve të cilët shpalosin informacione për çfarëdo shkelje ligjore apo dyshimi i cili kërcënon dhe cenon interesin publik në vendin e tyre të punës, qoftë në sektorin publik apo edhe në atë privat, pa pasur frikë së mund të ndëshkohen nga punëdhënësi i tyre.

Ministria e Drejtësisë si hartuese e këtij projektligji në konsultime publike me akterë tjerë relevant të shoqërisë civile kanë paraparë që ky projektligj t’i ketë tri lloje të sinjalizimeve, që përfshinë sinjalizimin e brendshëm, të jashtëm dhe atë publik.

Raportimi i informacionit tek punëdhënësi sipas dispozitave të këtij ligji konsiderohet të jetë sinjalizim i brendshëm, raportimi tek autoritetet kompetente siç janë Prokuroria dhe Policia konsiderohet të jetë sinjalizim i jashtëm si dhe publikimi apo shpalosja e çfarëdo informacioni nga sinjalizuesit tek mediet është konsideruar si sinjalizim publik.

Ky projektligj, përveç që parasheh mbrojtjen e të drejtave të sinjalizuesve dhe konfidencialitetit nga personat përgjegjës të cilët i pranojnë dhe i trajtojnë informacionet nga sinjalizuesit për çfarëdo shkelje të kryera nga punëdhënësi i tyre, rëndësi të veçantë i kushton edhe mbrojtjes gjyqësore për sinjalizuesit, të cilët në rast se ju cenohet e ardhmja brenda institucionit, organizatës apo kompanisë ku punojnë kanë të drejtë në mbrojtje gjyqësore duke ushtruar padi për dëmin që i është shkaktuar në lidhje me sinjalizimin e tyre.

Në rast të miratimit të këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës, atëherë ky ligj, pashmangshëm do ë ndikonte në forcimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes në vendin tonë.

Rrjeti rajonal: Gjejeni gazetarin serb Stefan Cvetkovic

0

BELA CRKVA, 14.06.2018 – Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, shpreh brengën e thellë për zhdukjen e gazetarit serb, Stefan Cvetkovic dhe përshëndet veprimin e menjëhershëm nga autoritetet serbe në kërkimin e tyre për Cvetkovicin.

Në natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit, Stefan Cvetkovic është raportuar i zhdukur në qytetin e Vojvodinës, Bela Crkva. Policia locale ka konfirmuar se vetura e Cvetkovicit është gjetur e parkuar me dyer të hapura dhe drita të ndezura. Mediet kanë raportuar se motori i veturës ishte duke punuar dhe se dëshmitarët kanë konfirmuar se rrypi i orës së Cvetkovicit ishte gjetur me byzylykun e këputur afër saj. Telefonat mobilë të tij janë të ndalur.

Edhe pse Cvetkovic është i njohur për shkrimet e tij për tema të ndryshme, hulumtimi i tij për vrasjen e Oliver Ivanovicit, politikan serb nga Kosova, e vendosin atë në një qendër tjetër të vëmendjes. Pas kthimit të tij nga Kosova në maj, ai ishte mbajtur nga autoritetet kosovare për gjashtë orë për shkak të të kontakteve që ai kishte bërë gjatë hulumtimit. Cvetkovic është kërcënuar edhemë herët për shkak të punës së tij, shpesh nga politikanët lokal. Njëherë telefoni i tij ishte thyer dhe në një rast tjetër vetura e tij ishte dëmtuar pasi që ishte bërë cak i politikanëve lokal duke e emëruar atë si “cak legjitim’ dhe një ‘mercenar i huaj’.

“Stefan Cvetkovic ka raportuar një numër të kërcënimeve që vinin nga qarqe të ndryshme kriminale dhe politike në Serbi,” tha Slavisa Lekic, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Pavarur të Serbisë. “Zhdukja e tij duhet të jetë prioritet e policisë lokale e Ministrisë së Brendshme. Ne kërkojmë që të angazhohen të gjitha burimet me shpresën se Cvetkovic do të gjendet i padëmtuar.”

Platforma rajonale i bashkohet NUNS-it në kërkesat e saja për autoritetet kompetente të Republikës së Serbisë që të vazhdojnë me hetime efikase dhe të përdorin të gjitha mjetet për të gjetur Stefan Cvetkovic.
Kjo po ashtu përkujton se zyrtarët e serbisë duhen të ndalen nga etiketimi i gazetarëve dhe legjitimimin e dhunës kundër tyre.

Më 2018, Serbia ka regjistruar 13 incidente kundër gazetarëve, 2 ishin sulme fizike dhe 11 kërcënime verbale e frikësime.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtës së qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 09.05.2018

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje-Hercegovines
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sulmohet gazetari Valon Rashiti nga disa qytetarë

0

PRISHTINË, 12.06.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari Valon Rashiti, që i njëjti është sulmuar rreth orës 19.00 te Qendra Klinike Universitare e Kosovës nga disa persona.

Gazetari i televizionit T7, Valon Rashiti, ishte në hapësirat e QKUK-së, duke raportuar nga afër për një rast të plagosjes së dy personave i cili kishte ndodhur në orët e pasdites në Prishtinë, ku familjarët e njërit nga të plagosurit janë vërsulur në drejtim të gazetarit, Rashiti, me ç’rast e kanë goditur në kokë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me mjaft shqetësim këtë rast dhe vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me gazetarin në fjalë, të cilit i ka rekomanduar që menjëherë ta paraqes rastin në stacionin më të afërt policor.

AGK, ju bënë thirrje institucioneve përkatëse, Policisë dhe Prokurorisë që ta trajtojnë me seriozitet këtë rast dhe sulmuesi të sillet para drejtësisë.

Kujtojmë se ky sulm përbënë cenim të drejtpërdrejtë të punës së medieve dhe gazetarëve në informim të qytetarëve.

AGK që nga janari deri më sot ka regjistruar 12 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe rastin e sotëm.

Gazetari Bujar Vitija kërcënohet nga zyrtari shtetëror

0

PRISHTINË, 09.06.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është informuar nga gazetari Bujar Vitija për kërcënimin që ka marrë nga zyrtari shtetëror, Zenel Kuqi. Rasti është raportuar në polici.

Gazetari Vitija ka thënë se të premten pasdite është kontaktuar nga Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), dhe ka kërkuar që të takohet me të por gazetari ka refuzuar.

Vitija, kryeredaktor në portalin Gazeta Shneta, thotë se ai e kishte thirrur për shkak të një shkrimi të publikuar disa ditë më parë e që kishte të bënte me lirimin e Kuqit nga aktakuzat që e ngarkonin për dëmtim të buxhetit të shtetit.

Pas refuzimit për takim, Vitija është kërcënuar nga Kuqi i cili e ka sharë dhe ofenduar, dhe i ka sugjeruar që ta lajmërojë policinë. “Lajmëroje policinë e mos humb kohë sa të ka mbetur”, kishte thënë Kuqi.

Vitija e ka raportuar rastin në polici dhe ka dorëzuar si dëshmi audio incizimin e bisedës telefonike. Ai shtoi se Kuqi mund të ketë motive shtesë për kërcënime ndaj tij për shkak të një hulumtimi tjetër që ka nisur në lidhje me disa tenderë të fundit në SHSKUK dhe MSH. “Kërcënimi mund të jetë një përpjekje për të ndaluar shkrimet e radhës”, tha Vitija.

AGK dënon fuqimisht këtë kërcënim të zyrtarit shtetëror ndaj gazetarit Vitija dhe kërkon nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast brenda afateve ligjore.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.