Home Blog Page 55

Sulmohet fotoreporteri në Mitrovicën veriore

0

PRISHTINË, 26.03.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) reagon kundër sulmit fizik që i është bërë anëtarit tonë, Blerim Uka nga disa qytetarë në veri të Mitrovicës.

Fotoreporteri Blerim Uka është sulmuar të hënën nga një grup personash në pjesën veriore të Mitrovicës. Uka është goditur disa herë me shkopinj dhe i janë thyer pajisjet e punës.

Situata në veri u tensionua pasi policia e Kosovës kishte arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriq pasi që ky i fundit nuk kishte leje paraprake nga qeveria e Kosovës për të vizituar pjesën veriore të vendit.

Uka për momentin është duke pranuar trajtimin mjekësor në spitalin e Mitrovicës.

AGK dënon ashpër këtë sulm ndaj Blerim Ukës dhe kërkon nga autoritetet që të hetojnë këtë rast dhe të sjellin sulmuesit para drejtësisë.

AGK dënon kërcënimin me vrasje ndaj ekipit të Insajderit nga drejtori i kompanisë “Euro Ida”

0

Prishtinë, 20.03.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin me jetë ndaj ekipit të gazetës online “Insajderi” nga pronari i një kompanie vendore që së fundmi ishte e përfshirë në një skandal me mish të skaduar.

Kur publikut kosovarë iu bë e ditur për skandalin me mishin e vjetër të importuar, Gazeta Online “Insajderi”, kishte publikuar se kompania “Euro Ida” nga Rahoveci ka importuar mish nga kompania belge “Veviba”.

Pas publikimit të këtij artikulli, pronari i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa, ka thirrur në redaksinë e Insajderit, me ç’rast e ka kërcënuar me vrasje ekipin e saj, bënë të ditur Insajderi.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, s’ka me e myt, vetëm kam me e copëtu me sakicë, kam me e coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ishin fjalët të cilat i kishte thënë Jupa ekipit të redaksisë së gazetës Insajder.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që ta trajtojnë dhe hetojnë me seriozitet këtë rast, dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Kujtojmë se raste të tilla ndaj Gazetës Online Insajder ka pasur edhe në të kaluarën, ku udhëheqësit e këtij mediumi kanë qenë cak i kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme për shkak të shkrimeve hulumtuese.

AGK ju bënë thirrje institucioneve gjegjëse që t’i trajtojnë me prioritet, rastet e gazetarëve dhe mediumeve të cilët kanë qenë objekt kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme.

AGK reagon ndaj vendimit të drejtorit të ASHNA-s

0

PRISHTINË, 19.03.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagon ndaj vendimit të drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Navigacionit Ajror për ndërprerje të komunikimit me gazetaren Ardiana Thaçi Mehmeti.

Gazetares Thaçi Mehmeti i është bërë me dije që vet drejtori i agjencisë, Bahri Nuredini ka dhënë urdhër që të ndërpritet komunikimi i këtij institucioni me të. Kjo është bërë e ditur kur gazetarja ka paraqitur së fundmi një kërkesë për qasje në dokumente publike në këtë agjencion dhe i është refuzuar qasja për shkak të vendimit të drejtorit.

Këto veprime të drejtorit të institucionit publik paraqesin shkelje të parimeve për respektimin e transparencës dhe shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për qasje në dokumente publike.

AGK kërkon nga drejtori Bahri Nuredini që ta tërheqë vendimin që ka marrë dhe e inkurajojmë që të krijojë raporte profesionale me mediat, në këtë rast edhe me gazetaren Thaçi Mehmeti.

Asociacioni po ashtu kërkon nga ky institucion dhe të tjerat që të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike si dhe të jenë të hapura për gazetarët.

Më 24 nëntor 2017, AGK ka reaguar ndaj një fushate shpifëse që po i bëhej gazetares Thaçi Mehmetit nga drejtori i ASHNA-së, Bahri Nuredini të cilit nuk i kishin pëlqyer shkrimet hulumtuese të gazetares.

Nuredini kishte publikuar masivisht vendimin e tij kundër Thaçi Mehmetit duke e publikuar edhe në ekranin që qëndron në hollin kryesor të këtij institucioni. Lajmi linçues ka qëndruar edhe në web faqen e agjencisë për një kohë dhe gazetarja është quajtur me emra të ndryshëm, si ‘dezinformatore’ dhe gazetare që punon për ‘grupe të interesit’.

Ky lajm është larguar nga ekrani dhe web-faqja menjëherë pas reagimit të AGK-së.

AGK dënon kërcënimin ndaj gazetares nga anëtari i sigurimit në Kuvend të Kosovës

0

PRISHTINË, 16.03.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetares Lumturie Blakaj e cila ishte duke mbuluar seancën e ditës së enjte.

Gazetarja e RTK-së, Lumturie Blakaj ka informuar AGK-në se në kohën kur ajo po mbulonte seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është penguar në punën e saj nga një pjesëtar i sigurimit të Kuvendit të Kosovës.

“Unë jam fyer me fjalët më poshtëruese dhe me një sjellje arrogante nga pjesëtari i Sigurimit të Kuvendit të Kosovës”, tha Blakaj.

Gazetarja Blakaj thekson se është penguar nga pjesëtari i sigurimit deri sa ajo ishte duke biseduar me një deputet dhe është poshtëruar madje edhe në prani të disa gazetarëve të tjerë.

Ajo thotë se ofendimi është përcjell edhe me veprim fizik duke e nxjerrë atë dhunshëm nga salla ku qëndronin deputetët. Ajo shtoi se pjesëtari i sigurimit e ka kërcënuar verbalisht duke i thënë se nuk do të lejohet në të ardhmen që të hyjë më në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

“Përgjatë këtyre 18 viteve karrierë që përcjell Kuvendin e Kosovës, nuk jam ndjerë më e injoruar dhe më e fyer nga zyrtarët e shtetit të Kosovës”, tha Blakaj.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër kërcënimin e pjesëtarit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetares dhe kërkon që të merren masa adekuate ndaj këtij pjesëtari.

Ky është rasti i dytë që për një kohë të shkurtër kanë ndodhur kërcënime dhe sjellje arrogante nga anëtarët e sigurimit të Kuvendit të Kosovës ndaj gazetarëve që përcjellin punën e këtij institucioni.

AGK do të dërgojë letër shqetësuese tek kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe drejtori gjeneral i policisë së Kosovës që të ndërmarrin masa për të ndaluar këto sjellje të pahijshme të anëtareve të sigurimit.

Kërcënim me vdekje ndaj Kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani

0

Shkup, 09.03.2018 – Platforma Regjionale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, e cila përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, e dënon fuqishëm kërcënimin e fundit  ndaj kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani.

Pasi Selmani ka shkruar status në rrjetin social Facebook, Bejtula Asani, vëllai i Bekir Asanit  – i cili është i lidhur me partinë DUI, i ka dërguar atij kërcënim me vdekje përmes mesengjerit të Facebook. Selmani në profilin e tij zyrtar në Facebook ka shkruar status ku ai ka akuzuar autoritet që nuk kanë qenë në gjendje për ta mbrojtur zyrtaren e policisë, e cila dyshohet se ishte sulmuar nga Bekir Asani gjatë detyrës zyrtare si zyrtare policore e trafikut.

Pas publikimit të postimit, Bejtula Asani dërgoi mesazh privat tek Selmani, dhe në mesazh e kishte kërcënuar atë, gruan e tij, fëmijët dhe prindërit e tij. Selmani menjëherë kishte lajmëruar policinë e incidentit. Policia ka reaguar menjëherë, sidoqoftë Prokuroria Publike pas analizimit të mesazhit të dërguar tek Selmani nuk ka gjetur ndonjë element të kërcënimit.

Komuniteti ndërkombëtar një ditë pas incidentit të ndodhur, ka dënuar incidentin. Mes tyre ishte Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Desir i cili kishte shkruar në Twitter:

“Kërcënimi  dhe fyerja e Naser Selmanit, kryetar i AGM ka pranuar për positimin e tij në media sociale janë të papranueshme. Ky është sulm i drejtpërdrejtë në shprehjen e lirë dhe duhet me shpejtësi të hulumtohet dhe gazetarët të sigurohen.”

Gjatë kohërave kur gazetarët në Evropë kanë qenë të kërcënuar dhe të vrarë për publikimin e ngjarjeve kundër kriminelëve, autoritetet ndërkombëtare duhet shpejtë të ndërmarrin masa për të parandaluar ndonjë vrasje të mëtejshme të gazetarëve. Tolerimi i një incidenti të tillë dhe mosndëshkimi inkurajon në të ardhmen dhunën ndaj gazetarëve.

Platforma fuqishëm dënon incidentin dhe do të dërgoj letër shqetësuese tek të gjitha autoritetet relevante në Maqedoni duke iu kërkuar të parandalojnë cdo formë të dhunës ndaj gazetarëve, urgjentisht dhe tërësishtë të hulumtohen të gjitha faktet e këtij rasti dhe më në fund të fillohet të veprohet në përputhje me rrethanat. Gjithashtu ne do të raportojmë rastin tek platform për të promovuar dhe mbrojtur gazetarinë dhe sigurinë e gazetarëve.

Në tri vitet e kaluara, AGM ka regjistruar 33 raste të sulmeve dhe kërcënimeve mbi gazetarët në Maqedoni, duke përfshirë edhe incidentin e fundit.

Sulmi dhe kërcënimi i gazetarëve është sulm direkt në lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të informuar. Çdo sulm mbi gazetarët është sulm mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës

Unioni i Mediave të Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Edhe një OJQ sfidon shtetin për qasje në dokumente publike

0

Prishtinë, 07.03.2018 – Gjykata Themelore e Prishtinës e ka aprovuar padinë e Lëvizjes FOL në lidhje me qasjen në kontratën e ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”. Në bazë të këtij aktgjykimi, Ministria e Infrastrukturës detyrohet që brenda afatit prej tridhjetë ditësh t’i lejoj qasje Lëvizjes FOL në dosjen e tenderit dhe kopjen e kontratës së ndërtimit të autostradës ‘Ibrahim Rugova”.

Gjykata këtë vendim e ka marrë pasi që Lëvizja FOL me datë 28.09.2010 kishte ushtruar padi ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila nuk i kishte ofruar qasje në dosjen e tenderit si dhe kopjen e kontratës së ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”.

Gjykata në aktgjykimin e saj, ka bërë të ditur se ky vendim është bazuar në ligjin 41 të Kushtetutës dhe ligjin 2003/12 për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Pas shpalljes se aktgjykimit, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u prononcua për media, duke bërë të ditur se ministria që ai drejton do të respektojë çdo vendim të gjykatave. “Ne jemi këtu si institucione të Kosovës që të respektojmë çdo vendim të gjykatave, nuk kam ndonjë koment tjetër”, citohet të ketë thënë ministri Lekaj, raporton Kosova Press.

Ky është rasti i katërt me radhë që gjykata vendos në favor të kërkesës së medieve dhe shoqërisë civile për qasje në dokumentet publike.

Në tetor të vitit 2015, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) kishte fituar një betejë ligjore me Zyrën e Kryeministrit, ku pas ushtrimit të padisë më 2012, gjykata kishte detyruar zyrën e kryeministrit që t’i zbuloj shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, dhe pesë zëvendes kryeministrave.

Përkundër vendimit të gjykatës për qasje në këto shpenzime, zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës ka vazhduar të refuzoj BIRN-in në disa kërkesa të bëra nga këta të fundit.

BIRN ka vazhduar me rrugë tjera ligjore dhe rasti tani është me përmbarues privat. Zyra e Kryeministrit edhe njëherë refuzon ekzekutimin e vendimit të gjykatës, dhe janë nisur procedurat për ndjekje ligjore kundër zyrtarëve përgjegjës për zbatimin e aktgjykimit.

“Gjithashtu kemi dorëzuar edhe kallxim penal në prokurorinë e Prishtinës me pretendimin që zyra e Kryeministrit po e keqpërdorë detyrën zyrtare me moszbatimin e aktgjykimit”, tha Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com.

Ndërsa, në rastin e dytë Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur në favor edhe në një padi tjetër të BIRN-it, me ç’rast e kishte detyruar Këshillin Prokurorial t’i shpalosë dokumentet që lidhen me masat disiplinore për shkelje të supozuara nga ana e prokurorëve.

Gjithashtu në janar të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte aprovuar si të bazuar padinë e Institutit GAP, ku kishte konstatuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK kanë shkelur nenin 41 të Kushtetutës dhe Ligjin për qasje në dokumente publike. Ministria nuk ka lejuar qasje në asetet e privatizimit të KEDS dhe në dokumentet tenderuese për termocentralin “Kosova e Re”.

Në janar 2017, ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka i bëri publike dokumentet tenderuese dhe kontratën ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane Contour Global, e lidhur në dhjetor 2017, për ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë.

AGK dënon gjuhën e përdorur nga deputetja kundër gazetarit

0

PRISHTINË, 23.02.2018 – Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, deputetja e Vetëvendosjes! Albulena Haxhiu, ka akuzuar gazetarin Adriatik Kelmendi për kinse organizim të protestave qytetare për çështjen e bllokuar të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Në protestën e sotme u vërejt mungesa e Adriatik Kelmendit. Organizatorët duhet të jenë në ballë të protestave, e jo të fshihen në zyra. Like-at nuk ecin në Shesh,” ka shkruar Haxhiu.

Pak minuta më vonë, deputetja Haxhiu postoi një letër të shkurtër dukek thënë se gazetari Kelmendi qe disa ditë ka filluar një fushatë dhe presion mbi deputetët që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar në lidhje me postimet e deputetes Haxhiu duke thënë se gjuha e saj përbënë shpifje dhe kërcënim publik për të.

“Ky është kërcënim publik për mua dhe të gjithë atyre që guxojnë ta thonë mendimin e tyre hapur, siç garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës. Më mirë heshtni se shpifim për ju dhe pastaj ju linçojmë. Jo, nuk kam asfarë lidhje me asnjë protestë. Nëse do të kisha – do ta bëja të ditur. Pra, deputetja po shpif!”, thuhet në reagimin e gazetarit Kelmendi.

AGK konsideron se kjo gjuhë dhe qasje e deputetes Albulena Haxhiu kundrejtë gazetarit Adriatik Kelmendi është e papranueshme dhe përbënë cenim të mendimit dhe fjalës së lirë.

AGK i bënë thirrje deputetes Haxhiu që të distancohet nga përdorimi i çfarëdo gjuhe e cila e cenon integritetin profesional të gazetarit Adriatik Kelmendi.

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër marrëveshjes kufitare me Malin e Zi duke thënë se Kosova do të humb territor për shkak të kësaj marrëveshje.

Çështja e kufirit ka sjellur shumë tensione në vend që nga nënshkrimi i marrëveshjes më 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kosova nuk do të mund të përparojë në liberalizimin e vizave gjersa nuk e zgjedh këtë problem.

Shoqatat e gazetarëve nga rajoni dënojnë fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit

0

SARAJEVË – 23.02.2018 – Platforma rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, që përfaqësojnë më shumë se 8000 anëtarë, fuqimisht dënojnë sulmin fizik ndaj Nedzad Latic, gazetar dhe redaktor i portalit The Bosnia Times nga Sarajeva. Sulmi ka ndodhur pranë banesës së tij, pak kohë pasi kishte dalur nga xhamia ku është falur.

Sulmi ndaj Nedzad Latic, që i ka shkaktuar lëndime trupore, është një sulm brutal ndaj një gazetari dhe lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Në të njëjtën kohë, është një lloj presioni ndaj lirisë së mediave për të mos shkruar kritika rreth ngjarjeve të fundit në Bosnje dhe Hercegovinë, duke përfshirë edhe sjelljet e anëtarëve të Vehabizmit.

Platforma shpreh brengën e saj të madhe për këtë dhe sulme tjera ndaj gazetarëve. Ne kërkojmë një hetim urgjent për sulmin ndaj Latic, identifikimin e autorëve të krimit dhe të zbulohen motivet e sulmit, dhe po ashtu që të merren masa ligjore efikase.

Shoqata e gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës ka dokumentuar 24 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2017, por vetëm disa prej tyre janë dërguar në gjykatë.

Platforma do të dërgoj letrat shqetësuese tek të gjitha autoritetet relevante të Bosnje dhe Hercegovinës duke kërkuar nga ata që të parandalojnë çdo formë të dhunës ndaj gazetarëve, urgjentisht dhe në mënyrë të hollësishme të filloj hetimi i të gjitha fakteve për këtë dhe raste tjera të dhunës.

Duke e bërë këtë ata do të dërgojnë porosi të fortë tek publiku se sjelljet e tilla nuk janë të prranueshme. Gjithashtu, ne do të raportojme rastin tek Platform e Këshillit të Europës që promovon mbrojtjen e gazetarëve dhe sigurisë së gazetarëve.

Platforma jona rajonale fuqishëm përkrah shoqatën e gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe përpjekjet e saja për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e shprehjes.

Platforma po ashtu i bënë thirrje organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve për të kërkuar nga autoritetet boshnjake që urgjentisht t’i hetojnë autorët e krimit.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Sigurimi largon me dhunë gazetarin nga Kuvendi i Kosovës

0

PRISHTINË, 22.02.2018 – AGK ka kuptuar se gazetari Taulant Osmani nga Kallxo.com është larguar dhunshëm nga hapësirat e Kuvendit, nga një person i cili paraqitet herë si staf i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit e herë si pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Sipas raportit të incidentit, gazetari ka qenë duke qëndruar në korridor pranë zyrës ku po mbahej takimi i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare me Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

“Fillimisht doli një person i cili më kërkoi akreditimin dhe unë e paraqita. Mandej doli një person tjetër i cili më tha se akreditimi nga Kuvendi më ka skaduar në Dhjetor të vitit të kaluar dhe se nuk mund të qëndroj aty. Mirëpo ne dhe të gjitha mediat kemi aplikuar me kohë për vazhdim dhe është Kuvendi ai i cili nuk e ka proceduar vazhdimin e akreditimeve të mediumeve”, kujton ngjarjen gazetari Osmani duke shtuar se “…pastaj më ka shtrënguar për krahu dhe me dhunë më ka tërhequr jashtë objektit të Kuvendit”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës këtë ngjarje e konsideron si pengesë direkte dhe ushtrim i dhunës ndaj gazetarit, përkundër arsyetimit se akreditimi ka skaduar – për shkak se askush nuk ka të drejtë që të ushtroj dhunë ndaj punëtorëve të mediave e sidomos në situata kur raportimi ka të bëjë direkt me interesat e qytetarëve dhe të vendit tonë.

Kjo ngjarje shpërfaq edhe njëherë mendësinë dhe mungesën e respektit të institucioneve tona publike ndaj punës së gazetarëve.