Home Blog Page 10

Mbahet moduli i dytë i Akademisë për Integritetin e Informacionit

0

Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë për Integritetin e Informacionit, sot iu është ligjëruar për verifikimin e fakteve, informacioneve, videove dhe imazheve.

Këtë modul të Akademisë të cilin e ligjëroi Shkëlzen Osmani – themelues i platformës për kontroll të fakteve (fact-checking), hibrid.info, pjesëmarrësve u shfaqi platforma online se si mund të verifikohen faktet, videot e imazhet. Gjatë shembujve që u trajtuan, pjesëmarrësit patën rastin t’i praktikojnë mjete online për verifikimin e fakteve, videove dhe imazheve. Shembujt praktikë i lejuan ata t’i zbatonin këto mjete praktikisht.

Gjithashtu, u diskutua për aspekte thelbësore të integritetit të informacionit dhe u trajtuan sfidat e verifikimit të imazheve dhe videove, duke përfshirë teknologjinë “deepfake”.Akademia për Integritetin e Informacionit, do të vazhdojë edhe me katër module të tjera në muajt pasues.

Vazhdon trajnimi i gazetarëve ukrainas dhe afganë për gazetari mobile

0

Gazetarët ukrainas dhe ata afganë që janë strehuar në Kosovë, në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, kanë vazhduar trajnimin për gazetari mobile.

Kolegët dje dhe sot, janë trajnuar për teknikat e xhirimit për #MOJO, dhe formatimin e tyre në platformat e ndryshme online.

Këtë fazë të trajnimit të gazetarisë mobile, e ligjëroi kameramani Burim Tufa.

Trajnimi po mbahet në kudër të programit JiR – Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, iniciativa Hannah Arendt, dhe OSCE Mission in Kosovo.

Deri më tani, nga ky program kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve e kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve, si dhe pesë gazetarë nga Afganistani.

Shpërndahen mjetet mbrojtëse për gazetarët – donacion i Free Press Unlimited dhe Reporters Without Borders

0

Sot, është bërë shpërndarja e mjeteve mbrojtëse për gazetarët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri, të dhuruara nga FPU dhe RSF – me ndërmjetësimin e Zyrtares Ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari.

Mjetet mbrojtëse – të përbëra nga jelekët antiplumb, helmetat dhe pakot e ndihmës së parë, janë shpërndarë tek 20 medie (televizione dhe portale), që kanë raportuar nga pjesa veriore e Republikës së Kosovës.

Shpërndarja e këtyre mjeteve mbrojtëse u bë në Ministria e Punëve të Brendshme, zyrtarët e së cilës treguan gatishmëri dhe bashkëpunim të mirë gjatë gjithë procesit, në koordinim me zyrën përkatëse në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas nevojës, AGK-ja, do të vazhdojë të kërkojë mbështetje të kësaj natyre nga organizatat partnere ndërkombëtare.

Kërcënohen me vrasje Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga Plus TV në Viti

0

Janë kërcënuar me vrasje gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.

Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.

Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.

AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.

AGK-ja e dënon sulmin e imamit nga Vushtrria ndaj ekipit të “Insajderit”

0

Një ekip i portalit “Insajderi” është sulmuar të premten, në Vushtrri nga një imam lokal, e ka njoftuar AGK-në ky portal.

Gazetarja, Dijellza Preniqi dhe kameramani Albert Bislimi, janë sulmuar në xhaminë “Sheikh Zayed” nga hoxhë Bedri Halili, pasi kishin shkuar të bisedojnë me të për disa deklarata të publikuara online ku dëgjohet të ketë fyer gratë, duke thënë se nuk duhet të organizohen “dasma për k*rva”.

Sipas deklaratës së gazetares Preniqi me ta kuptuar pyetjen, imami Halili e ka sulmuar fizikisht atë.

“Hoxha me një vrull dhe një zë të lartë, më drejtohet duke thënë menjëherë ik nga këtu. Me forcë ma kap krahun më shtrëngon dhe më shtyn në distancë një metër. Më referohet me fjalën njëra prej atyre që po pyet je edhe ti”, tha ajo, duke shtuar se Halili ka tentuar ta godasë me një stol të vogël, edhe pas mbërritjes së Policisë në vendin e ngjarjes.

AGK-ja, e konsideron të rëndë dhe të papranueshëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve, që ka rrezikuar sigurinë e tyre dhe ka penguar zhvillimin e punës profesionale. Përkundër faktit që sulmi ka vazhduar edhe në prezencë të Policisë, imami është liruar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit.

AGK-ja, i bën thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet rastin, dhe që ta mbajnë përgjegjës personin që ka sulmuar fizikisht gazetarët.

Kërcënohet me jetë gazetari Herolind Ademi

0

 

Redaksia e emisionit KIKS Kosova në Klan Kosova, e ka njoftuar AGK-në, për kërcënimin që i është bërë gazetarit, Herolind Ademi, për shkak të hulumtimit që është duke realizuar për piraterinë e IPTV. 

  

Qytetari B.B, i ka dërguar disa mesazhe telefonike, Ademit duke e kërcënuar me jetë për shkak të përgatitjes së raportit, ku ai është një nga subjektet.  

 

Një pjesë e mesazhit shqetësues është:  

 

“Haver, vec mbyllunse sakt ta kam adresen pot tregoj veq mbyllun dhe kos dil. Vec pot kallxoj terheku prej meje e mos munperzij se nuk han ma buk. Fol me kon dush pot kallxoj mos mu perzij ne pun te mija qe din me jetu edhe naj dit qikaq di met than pik”.  

 

AGK-ja, shpreh shqetësim të thellë dhe e konsideron si të papranueshëm dhe shumë të rrezikshëm mesazhin e këtij individi ndaj gazetarit.  

 

Redaksia e ka paraqitur rastin në Policinë e Kosovës, dhe AGK-ja, e fton Policinë që me urgjencë ta trajtojë rastin dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet për t’i ofruar sigurinë e nevojshme gazetarit.

Gjithashtu, organet e drejtësisë duhet ta bëjnë punën e tyre pas këtij kërcënimi, në mënyrë që puna e gazetarit dhe e redaksisë të vazhdojë në mënyrë të papenguar.

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën: Gazetarëve u rrezikohet siguria nga sulmet fizike, dhe fushatat denigruese – nuk u adresuan rekomandimet e vitit të kaluar

0

Komisioni Evropian ka vërejtur “progres të limituar”, sa i përket rekomandimeve nga viti i kaluar sa i përket lirisë së medies në Kosovë dhe sigurisë së gazetarëve. Në raportin vjetor, të publikuar të mërkurën, thuhet se mbesin shqetësuese sulmet fizike dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, si edhe fushatat publike denigruese dhe gjuha e urrejtjes.

Jo të gjitha sulmet ndaj gazetarëve dhe medieve u raportuan tek autoritetet, edhe pse viti 2022 pa një rritje të sulmeve të raportuara. Posaçërisht shqetësuese është liria e shprehjes në veriun e Kosovës, duke përfshirë vetë-cenzurën dhe sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të medies. Nuk ka pasur përparim në amandamentimin e Ligjit për Radio Televizionin e Kosovës dhe as në amandamentimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve, për ta përshtatur me Direktivën e BE-së për Mediat Audio-vizuele. Ky proces duhet të jetë transparent, dhe të përfshijë aktorë medial dhe shoqërinë civile”, thuhet në Raport.

Raporti denoncon sulmet fizike ndaj gazetarëve, sidomos rritjen e tyre në vitin 2023, në veri të vendit, dhe gjuhën intimiduese të zyrtarëve të lartë publikë kundër gazetarëve, duke iu referuar statistikave dhe reagimeve të AGK-së.

“Me vendosjen e barrikadave dhe rritjen e tensionit politik në veri të Kosovës, kanë ndodhur një seri e sulmeve që kanë pasur cak gazetarët dhe profesionistët e tjerë medialë të medieve në gjuhën shqipe. AGK-ja dhe shoqatat e gazetarëve kanë dënuar sulmet dhe kanë ftuar Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, që të ofrojnë siguri për gazetarët dhe profesionistë të tjerë medialë. Ata kanë bërë thirrje gjithashtu për hetime të shpejta dhe të thella. Gjatë majit dhe qershorit 2023, një numër i paprecedent sulmesh kundër gazetarëve dhe profesionistëve medialë ka ndodhur. AGK-ja,ka regjistruar mbi 30 sulme, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të paisjeve dhe veturave”, thuhet në Raport.

Raporti citon shqetësimet e shoqërisë civile dhe opozitës për emërimin e Rilind Gërvallës në postin e Drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, për shkak të lidhjeve të tij me partinë politike në pushtet, “Bordi duhet të sigurohet që individë profesionalë dhe të pavarur, pa lidhje me partitë politike të emërohen në poste menaxheriale.”, thuhet në raport, ku shprehet shqetësimi për mos-amandentimin e Ligjit për RTK-në, dhe ulja e buxhetit përgjysmë nga ana e shtetit.

Raporti flet edhe për kushtet e gazetarëve brenda redaksive, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të punojën me kontrata afat-shkurtra, apo pa to fare. Komisioni Evropian thotë në raport se AGK-ja, ka kontribuar në programin “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”, me të cilin Kosova u ka ofruar hapësirë të sigurte 20 gazetarëve nga Ukraina, shumica nga to gra, si edhe 6 gazetarëve nga Afganistani.

Rekomandimet që mbesin nga viti i kaluar janë:

Të përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe reagimin e institucioneve kyçe për sulmet kundër gazetarëve dhe format e tjera të presionit, duke forcuar kapacitetet e prokurorisë, gjykatave dhe organeve të rendit për t’u marrë me rastet e lirisë së shprehjes dhe informacionit;

Të rishikojë Ligjin për Radio Televizionin e Kosovës për të gjetur financim të qëndrueshëm në mënyrë që të ruhet pavarësia e tij; të rishikojë Ligjin për KPM-në, që t’i përditësojë kompetencat e tij, duke përfshirë mbi mediet audio-vizuale, në linjë me Direktivën e Shërbimeve Audio-Vizuale;

Të rrisë qasjen në të dhënat për tregun audio vizual, posaçërisht mbi pronësinë e medieve.

Filloi Edicioni i Dytë i Akademisë së Integritetit të Informacionit

0

“Edukimi Medial për Gazetarët” – është moduli që hapi edicionin e sivjetmë të Akademisë së Integritetit të Informacionit, dhe u ligjërua nga Besa Luci – kryeredaktore në Kosovo2.0.

Para fillimit të ligjëratës, studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve, iu drejtua Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Rexha veçoi rëndësinë e kësaj Akademie për gazetarët e rinj, dhe falënderoi Institutin Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, për mundësinë e dhënë që studentët e gazetarët të mësojnë praktikat më të mira për verifikimin e informacionit.

Në modulin e parë të këtij edicioni, u diskutua për principet gazetareske, kulturën mediatike, krijimin e përmbajtjes, përdorimin e mjeteve digjitale, standardet profesionale, dhe rolin e medias në shoqëri. Gjithashtu, gazetarët patën rastin të analizojnë përmbajtjet mediatike lokale dhe ndërkombëtare.

Akademia për Integritetin e Informacionit, do të vazhdojë edhe me pesë module të tjera në muajt pasues.

Stafi i JiR – Kosovo takohet me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe iniciativës Hannah Arendt

0

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, së bashku me stafin e programit Journalists in Residence – Kosovo, u takuan me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, si dhe iniciativës Hannah Arendt.

Gjatë këtij takimi u shfaqë dokumentari i realizuar për implementimin e programit në Kosovë, si dhe u diskutua për planet dhe mundësitë e vazhdimit të tij, i cili u mundëson strehim të përkohshëm 12 gazetarëve ukrainas dhe 5 afganë, në Kosovë.

Zyrtarët nga MPJ e Gjermanisë, programin JiR Kosovo, e konsideruan si një program tejet të suksesshëm, njëherësh përshëndetën punën dhe gatishmërinë e AGK-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për t’i dalë në ndihmë gazetarëve ukrainas dhe atyre afganë.

Në këtë takim ishin prezent edhe partnerët nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Lutz Kinkel – Drejtor, Andreas Lamm – Zv. Drejtor, si dhe Zyrtarja Ligjore, Flutura Kusari.

Journalists in Residence – Kosovo, është program i iniciuar nga ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, iniciativa Hannah Arendt, dhe OSCE Mission in Kosovo.

Deri më tani, nga ky program kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve e kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve, si dhe pesë gazetarë nga Afganistani.