Home Blog Page 11

Stafi i AGK-së takohet me stafin e ECPMF-së për programin “Gazetarët në Residencë”

0
Stafi i programit Journalists in Residence – Kosovo vizituan partnerin e programit “Gazetarët në Rezidencë ”, European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në Leipzig të Gjermanisë.

Vizita e udhëhequr nga Kryetari i Bordi të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, u bë me qëllimin e shkëmbimit të përvojave të implementimit të programit, i cili si i tillë ka nisur në shtetin gjerman, në vitin 2016.

Gjatë vizitës dyditore në Leipzig, u diskutua për punën e ekipit të programit nga Kosova, si dhe atij nga Gjermania, dhe u shkëmbyen praktikat më të mira për implementimin e programit, si dhe sfidat e sukseset e arritura.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari, ishin të shoqëruar nga Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, Adem Sylejmani – Koordinator i Terrenit, Liridona Gërxhaliu – Financiere dhe Zyrtarja për Komunikim, Rabije Hyseni.

Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, program i iniciuar nga ECPMF, e që po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës , OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

Nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve strehim në Kosovë. 

Shtime, kërcënohet gazetari Agim Ademi

0

Gazetari i Grupit Koha, Agim Ademi e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se ka marrë një kërcënim nga një person, S.B në Shtime.

Sipas Ademit, ngjarja ka ndodhur në Godanc derisa po përurohej fillimi i punimeve për ndërtimin e çerdhes publike, dhe se ky person i ka thënë se “nuk guxon më asnjëherë të shkruash asgjë për kryetarin dhe ekzekutivin në Shtime dhe për njerëzit që funksionojnë rreth tij”.

AGK-ja, e dënon këtë kërcënim ndaj gazetarit Ademi dhe e konsideron si të papranueshëm, dhe pengesë për kryerjen e punës së tij profesionale.

Kjo nuk është hera e parë që Ademi merr kërcënime të ngjashme. Ai e ka njoftuar Policinë në Shtime për kërcënimin, dhe i bëjmë thirrje organeve të rendit që ta ndjekin seriozisht rastin, kurse kryetarit të Shtimes që të distancohet publikisht.

IFJ, EFJ dhe grupet e lirisë së medias kërkojnë drejtësi për vrasjen e Daphne Caruana Galizia

0
Në gjashtë vjetorin e vrasjes së gazetares malteze, Daphne Caruana Galizia, e cila u vra nga një bombë derisa po udhëtonte me veturën e saj, Federata Ndërkombëtare dhe Evropiane e Gazetarëve, si dhe grupet e lirisë së medias, kanë bërë thirrje për vendosjen e drejtësisë.
Në një komunikatë të përbashkët, IFJ, EFJ dhe grupet e lirisë së medias e ripërsërisin kërkesën ndaj qeverisë malteze që të sjellin para organeve të drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e gazetares, si dhe të zbatojnë në tërësi rekomandimet e hetimit publik që është bërë për Cauana Galizian.
Sërish, ne bëjmë thirrje për forcimin e tri ligjeve të propozuara që synojnë përmirësimin e sigurisë së mediave në mënyrë që të përmbushen standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë legjislacionin e zbehur të qeverisë kundër padive SLAPP.
Autoritetet malteze duhet të shënojnë gjashtë vjetorin e vrasjes së Caruana Galizia duke bërë deklarata të qarta në mbështetje të drejtësisë së plotë për vrasjen e saj, duke u zotuar se do të zbatojnë rekomandimet e raportit të hetimit publik, dhe duke garantuar një konsultim transparent mbi legjislacionin në pritje me përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë të medias dhe shoqërisë civile., thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Caruana Galizia, vitin që u vra shkaktoi zgjedhje të parakohshme duke publikuar akuza që e lidhnin Josep Muscat – kryeministrin e atëhershëm me skandalin e #PanamaPapers, ku u ekspozua përdorimi i lehtësimeve fiskale nga të pasurit.
Për vrasjen e gazetares, u pati akuzuar Yorgen Fenech – biznesmen i njohur, që kishte lidhje të afërta me qeverinë, por që i njëjti i pati mohuar akuzat ndaj tij.
Në vitin 2021, u publikua një raport 437 faqe, i hetimit publik të vrasjes së gazetares, në të cilin konstatohej se Malta ishte përgjegjës për vrasjen e saj. Ani pse, Qeveria e Maltës nuk luajti një rol të drejtpërdrejtë, raporti thekson se e njëjta nuk kishte arritur ta mbronte gazetaren Caruana Galizia nga kërcënimet me jetë.

AGK-ja e dënon gjuhën seksiste të Ismet Munishit ndaj gazetares Qëndresa Krelani

0

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i konsideron të papranueshme, denigruese dhe seksiste komentet e trajnerit të futbollit, Ismet Munishi bërë në një emision televiziv ndaj gazetares së sportit në Radio Televizionin e Kosovës, Qëndresa Krelani.

Gjuha e tillë nuk ka vend në diskursin publik të asnjë sektori, dhe as në sport kështu që nuk duhet të lejohet.

Krelani është vetëm njëra nga shumë pak gra që punojnë në gazetarinë sportive dhe kjo gjuhë shërben për dekurajimin e grave të tjera që të punojnë në këtë fushë.

Gazetarë të medieve qendrore dhe lokale morën pjesë në punëtorinë dyditore të AQH dhe IHS për raportimin për shëndetësinë

0

Në një punëtori dyditore të IHS Project dhe AQH Project, projekte të Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH), rreth 20 gazetarë nga mediume qendrore dhe lokale diskutuan për sëmundjet kronike jo-ngjitëse, raportimin e përgjegjshëm, si dhe shfrytëzimin e rrjeteve sociale në mënyrë efektive për promovimin e storieve që kanë ndikim dhe interes publik.

Në këtë punëtori, para gazetarëve ligjëroi ekspertja e komunikimit nga Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH), njëherësh dhe ish-gazetare, Layla Hasler, si dhe dy gazetarët kosovarë, që trajtojnë tema të shëndetësisë, Arton Konushevci dhe Saranda Ramaj.

Gazetarët patën mundësinë të diskutojnë me ligjëruesit për praktikat më të mira për raportimin për temat e shëndetësisë, si duhet t’i qasen sinjalizuesve, si dhe në cilat instanca duhet të drejtohen kur bëjnë pyetje për çështje të caktuara në shëndetësi.

Në punëtori, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të komunikimit me publikun në institucionet shëndetësore, ku gjithashtu u diskutua edhe për Simpoziumin Ndërkombëtar për Sëmundje Kronike Jo-ngjitëse, që do të mbahet më datat 27-29 shtator, në Kosovë.

Kjo punëtori është realizuar nga IHS, AQH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e zv/kryeministrit Bislimi kundër medieve të Kosovës

0

Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia”.

Në konferencën për shtyp bashkë me Kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai ka bërë deklarata skandaloze.

“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë.

AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare.

Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit.

Sulmohet në finalen e Superkupës mes Trepçës dhe Pejës gazetarja, Ulpiana Emra

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me lajmin për sulmin ndaj gazetares së ArtMotion, Ulpiana Emra.

Emra është sulmuar nga tifozët derisa po raportonte në finalen e Superkupës në basketboll mes Trepçës dhe Pejës.

Raportohet se gazetarja është sulmuar me shishe nga tifozët në tribunë, dhe ka marrë lëndime në trup.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon këtë sulm ndaj koleges Emra, dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që sa më parë të identifikojë sulmuesin/it, dhe t’i sjellë pranë drejtësisë ashtu që të marrin dënimet konform ligjit.

AGK dhe forumZFD publikojnë raportin dhe manualin mbi gazetarinë e ndjeshme ndaj konfliktit

0

Raporti “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën”, i hulumtuesve Getoarbë Mulliqi, Abit Hoxha dhe Milan Spirovski, u publikua sot në ngjarjen e përbashkët të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe forumZFD në Kosovë.

Në këtë raport është folur për kompleksitetin dhe diversitetin e peizazhit mediatik në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu është theksuar nevoja për lirinë e shtypit, transparencën dhe miratimin e standardeve profesionale.

Hulumtuesja Mulliqi tha se në Kosovë mjedisi mediatik është pluralist, me penetrim të lartë të internetit dhe një treg vibrant mediatik të përqendruar kryesisht në kryeqytet. Megjithatë, konteksti historik vendor, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe ndihmat e pasluftës kanë ndikuar në këtë peizazh mediatik. Ndërsa, sa i përket Maqedonisë së Veriut, sfida më të mëdha u identifikuan në rënien e të ardhurave, si dhe ndikimin politik.

Ashtu si në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut gazetarët e kuptojnë rëndësinë e mbulimit objektiv të temave të ndjeshme dhe shmangies së sensacionalizmit, por ata përballen me sfida emocionale dhe etike. Mediat duhet të sigurojnë ndjeshmëri në qasjen e tyre dhe të japin paralajmërime kur është e nevojshme”, u shpreh ajo.

Në këtë event, u prezantua edhe Manuali për Raportimin e Përgjegjshëm të Ballafaqimit me të Shkuarën, nga Menaxherja e Projektit, Vjollca Islami Hajrullahu.

Për më tepër, një tryezë diskutimi me temën e njëjtë e përmbylli këtë event. Tryeza u udhëhoq nga gazetarja, Gresa Bardhecaj, ndërsa pjesëmarrës ishin Besa Luci (Kosovo 2.0), Serbeze Haxhijaj (RTK), Muhamet Hajrullahu (Telegrafi), si dhe Remzije Shahini – Hoxhaj (Profesoreshë, UP).

Raportin “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën” në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, mund ta gjeni në këtë link.

AGK-ja, e zhgënjyer me diskriminimin gjinor në pozitat menaxheriale në RTK

0

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës është vënë në dijeni me detajet e konkurseve të kohëve të fundit në Transmetuesin Publik, RTK për pozitat menaxheriale.

AGK-ja, shprehet e zhgënjyer me diskriminimin gjinor që rezulton të jetë praktikuar ndaj gazetareve shumëvjeçare, Ilire Zajmi e Flora Masurica Durmishi dhe juristes, Mihrije Beiqi, të cilat nuk janë zgjedhur në pozitat përkatëse përkundër faktit që kanë dalë më të poentuarat në konkurset e hapura.

AGK-ja, konsideron se ky është një shans i humbur për të promovuar barazinë gjinore në RTK nga ana e Bordit të këtij institucioni, që në përbërje reflekton barazi gjinore.

RTK-ja, duhet të motivojë gratë për të konkurruar në pozitat më të larta, dhe t’i bëjë ato pjesë të barabartë të vendimmarrjes, duke njohur kështu kontributin e jashtëzakonshëm që ato kanë dhënë ndër vite për zhvillimin e Transmetuesit Publik.