Home Blog Page 9

Kërcënohet gazetari Burim Pacolli

0

Burim Pacolli – gazetar në Nacionale ka pranuar kërcënime nga një person përmes rrjetit social Instagram.

Personi me nofkën “Edon Edon”, fillimisht e ka kërcënuar në komente gazetarin, e më pastaj në profilin e tij, ka kërkuar t’ia gjejnë adresën e banimit të Pacollit, me arsyetimin se po i duhet.

Në njoftimin dërguar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Pacolli ka bërë të ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

AGK-ja, është e shqetësuar me trendin në rritje të kërcënimeve online në drejtim të gazetarëve dhe medieve, kaq lehtësisht nga qytetarët. Për AGK-në, kërcënimi ndaj Pacollit është i papranueshëm dhe dënueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi të mbahet përgjegjës.

Ndahen Çmimet Vjetore të Gazetarisë për vitin 2023

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet të ngushtë me European Union in Kosovo dhe me mbështetjen e dhënë nga European Endowment For Democracy, OSCE Mission in Kosovo, Kosovo Foundation for Open Society (KFOS), Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, ka ndarë sot Çmimet Vjetore për Gazetari.

Në tetë kategori konkurruese sivjet, fitues të çmimeve u shpallën 11 kolegë.

Çmimi kryesor, “Gazetari/ja i/e Vitit”, u nda pas një gare tejet të ngushtë mes gazetares Alberta Hashani nga “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit të Nacionales, Vullnet Krasniqi.
Hashani u vlerësua për hulumtimin “Mashtrimet në emër të avokatëve”, i cili tregon se si qytetarët vihen në lajthitje nga persona që nuk janë avokatë, por marrin para nga qytetarët për t’i përfaqësuar në raste gjyqësore.

Krasniqi, u vlerësua për serinë e videove dhe shkrimeve mbi skandalin e VISAMETRIC, që nxiti nisjen e hetimeve e më pas edhe ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria, arrestimin e pronarit të kompanisë si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës duke ua kthyer paratë e mbledhura jashtëligjshëm në duart e qytetarëve, si dhe duke hequr pagesën obligative për aplikuesit tjerë prej majit të këtij viti.

Çmimi për gazetarët më të mirë të vitit, u dorëzua nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport.

Në kategorinë “TV Storja më e mire”, triumfuan gazetarët nga Kallxo.com, Behar Mustafa dhe Valon Fana, të cilët ishin konkurrent të njëri-tjetrit, dhe në një garë të barabartë juria vlerësoi që ata do ta ndajnë çmimin.

Çmimi u nda nga Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Si kameramani më i mirë i vitit u shpall Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë, me pamjet e xhiruara nga protesta e 29 majit, në Zveçan.

Pamjet e kameramanit kosovar u ritransmetuan në mediet ndërkombëtare si CNN, BBC, dhe të tjera. Çmimi u nda nga Ambasadori i German Embassy Pristina, Jörn Rohde.

“Jemi në një geto të vërtetë” – është hulumtim i Aulonë Kadriut, gazetare nga Kosovo 2.0 që triumfoi në kategorinë Ueb Storja më e mirë e viti. Çmimi u nda nga Lura Limani, Drejtore Ekzekutive në Kosovo Foundation for Open Society (KFOS).

Hulumtimi disa-mujor vë në pah shkeljet e ambasadave të shteteve të Bashkimit Shengen.
Në kategorinë ”Çmimi për fuqizimin e gruas” u vlerësua me më së shumti pikë artikulli i Dardan Hotit në bashkautorësi me Aulonë Kadriun, me titull “Nëse dalin videot, unë kam mi hup krejtë“. Ky shkrim flet për abuzimet seksuale përmes pamjeve, avancimin e të drejtave të njeriut, rolin e grave në ndërtimin e paqes por edhe synon vetëdijesimi për rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave. Çmimi u nda nga Vlora Tuzi Nushi – Shefe e UN Women Kosovo.

Në kategorinë “Raportimi më i mirë nga sporti”, ka triumfuar reportazhi i gazetares Vjosa Çerkini të Deutsche Welle, me titull “Të boksosh me politikën”. Reportazhi i dedikohet problemeve të sportistëve kosovarë për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare sportive.
Çmimi për raportimin më të mirë rreth anti-gjipsizmit iu dha gazetarëve Besarta Hoti nga Nacionale dhe Herolind Ademi nga Klan Kosova.

Hoti u vlerësua për një seri të storieve që ka realizuar në Prizren, pas një tendence për të ndarë fëmijët në baza etnike shkaku i presionit shoqëror në shkollën “Mati Logoreci”.

Teksa, Ademi, u vlerësua për hulumtimin për zhvillimin dhe format e ndryshme të përdorimit të fëmijëve lëmoshë-kërkues në Kosovë me titull “Në vend të shkollës zgjedhin rrugën – rrëfimet e fëmijëve që punojnë në rrugë”.

Çmimi u nda nga Drejtori i Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, Isak Skenderi.
Për raportimin më të mirë në shëndetësi, u nderua gazetarja e KOHA-s, Saranda Ramaj, me hulumtimin e realizuar për rrezikun që pacientëve kosovarë u kanoset jo vetëm nga sëmundjet për çka kërkojnë ndihmë në spital, por edhe nga infeksionet e pakontrolluara spitalore.

Çmimi u nda nga gazetarja e ABC News,njëherësh anëtare e jurisë, Esiona Konomi.

Aplikimet për Çmimet Vjetore të Gazetarisë këtë vit, u vlerësuan nga juria e përbërë prej: Arbana Xharra, gazetare, Aleksandra Jovanovic,gazetare – RTK2, Esiona Konomi – ABC News, Fatmire Terdevci- Zyra e BE-së në Kosovë, Saranda Selimi – gazetare, Alsat M – dhe fotografi veteran Hazir Reka.

Sot u mbajt moduli i tretë i Akademisë së Integritetit të Informacionit

0

Studentët e gazetarisë dhe gazetarët pjesëmarrës në edicionin e dytë të Akademisë së Integritetit të Informacionit diskutuan rreth raportimit të përgjegjshëm gjinor.

Fjalimin hyrës e mbajti Ambasadorja Nancy Soderberg, Drejtore e Lartë Rezidente e NDI Kosovo, e cila theksoi rëndësinë e akademisë me gazetarët.

“Një mirënjohje e thellë i shprehet të përkushtuarve që angazhohen për të luftuar dhunën ndaj grave dhe dezinformimin”, tha Ambasadorja Soderberg.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Kerry Monaghan-Hogler – U.D Drejtore e USAID Kosovo, e cila theksoi rolin kryesor të raportimit të saktë në formësimin e perceptimeve dhe kundërshtimin e stereotipeve.

“Siguroni saktësinë e raportimit tuaj; fjalët tuaja ndikojnë në perceptimet dhe mund të përforcojnë ose thyejnë stereotipet. Akademia e Integritetit është jetike për pajisjen kundër çrregullimeve si dezinformimi, gjuha e urrejtjes dhe dhuna me bazë gjinore. Dezinformimi gjinor kërcënon Kosovën dhe demokracitë në mbarë botën. Mësoni për të zbuluar raportimin e dezinformatave gjinore dhe për të fituar aftësi për gazetari të përgjegjshme, duke zgjedhur fjalët dhe imazhet me mençuri”, tha Monaghan-Holger.

Xhemajl Rexha – Kryetar i Bordit të AGK-së, theksoi rëndësinë e modulit të tretë për raportimin me ndjeshmëri gjinore në kuadër të Akademisë për Integritetin e Informacionit.

“Jemi shumë mirënjohës për bashkëpunimin e madh me NDI dhe USAID, teksa vazhdojmë Akademinë tonë të dytë vjetore të Integritetit të Informacionit. Ky modul i tretë për raportimin e ndjeshmërisë gjinore, nuk do të mund të vinte në një moment më vendimtar, pasi anëtarët tanë të rinj të Asociacionit do të kenë mundësinë të mësojnë praktikat më të mira ndërkombëtare për raportimin e përgjegjshëm gjatë portretizimit të grave në media”, tha Rexha.

Moduli i tretë u mbajt nga Jennifer Adams, konsulente dhe avokuese për çështjet gjinore dhe mediatike.

Pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime mbi aspekte të ndryshme, duke përfshirë dezinformimin dhe gjininë. Një fokus kryesor ishte përfaqësimi i grave në media dhe sferën publike.

Moduli i fuqizoi pjesëmarrësit me aftësitë për të identifikuar dhunën në internet ndaj grave, për të raportuar me saktësi për çështjet që lidhen me gjininë dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për përfaqësimin e grave në media.

Pjesëmarrësit fituan njohuri në trajtimin e dezinformatave me bazë gjinore, duke kontribuar në një diskurs më të barabartë dhe më të informuar mbi raportimin gjinor.

Akademia për Integritetin e Informacionit, do të vazhdojë edhe me tre module të tjera në muajt pasues.

AGK-ja, e shqetësuar me situatën e gazetares Behare Bajraktari në Radio Kosova

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e ka pranuar me shqetësim denoncimin që gazetarja e Radio Kosovës, Behare Bajraktari, ka bërë në një njoftim për organizatën rreth situatës së saj të punës në radion publike.

Bajraktari ka shkruar se asaj këtë javë i janë larguar sendet personale dhe të punës nga zyra ku ka punuar, pak kohë pas ndërprerjes së emisionit në Radio Kosova.

Menaxhmenti i Radios, ka pohuar se gazetarja është njoftuar me kohë për rilokimin, dhe se emisioni ka ndryshuar përmbajtje si pjesë e skemës së re programore.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton Menaxhmentin që ta menaxhojë situatën duke ndjekur rregulloret e brendshme të RTK-së, dhe duke respektuar punën dhe kontributin gati dy dekadash të gazetares Bajraktari në Transmetuesin Publik.

Kërcënim ndaj gazetareve Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli

0

Autoret e emisionit KIKS Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, pas një hulumtimi të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira.

Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook.

Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt t rrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke…”, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar, ku bëhet e ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

Gjithashtu, bëhet e ditur se pas përfundimit të emisionit ku është shfaqur ky hulumtim, ka reaguar edhe vetë personi i apostrofuar në të, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.

Kërcënimet e tilla drejtuar gazetarëve janë tejet shqetësuese për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi që fshihet prapa këtij profili të rremë të mbahet përgjegjës.

AGK-ja i bën thirrje IPK-së të hetojë brutalitetin e Policisë kundër pjesëtarëve të medies

0

Pamje dhe fotografi të reja kanë shfaqur brutalitetin a paprecedent, me të cilin janë ballafaquar sot gazetarët, fotografët dhe pjesëtarë të tjerë të medieve, gjatë protestës së PSD-së.

Në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer punën e vet profesionale.

Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medies, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve te medieve.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës që të tregojë profesionalitet në ballafaqimin me situata të tilla, dhe të mos bëjë në asnjë formë target gazetarët e kameramanët, duke i lejuar ata që të papenguar të bëjnë punën e tyre në informim të publikut.

(Foto: Rrahman Osmani/REL)

Protesta e PSD-së kundër Trëndafilovës, gazetarët pengohen nga Policia e Kosovës gjatë raportimit

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar si pasojë e zhvillimeve të ditës së sotme nga protesta e PSD-së, kundër Ekaterina Trendafilova – Kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, ku është hedhur sprej dhe gaz lotsjellës në drejtim të gazetarëve.

Nga ky veprim i policisë, kanë pësuar kolegët Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, andaj i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale. Njëherësh, u bëjmë thirrje kolegëve që raportojnë nga terreni të bartin me vete ID-të e tyre të punës, si dhe jelekët me mbishkrimin PRESS, ashtu që të identifikohen që janë punonjës të medieve, dhe jo protestues.

 

Gazetarët ukrainas dhe stafi i AGK-së ishin pjesë e konferencës RE: COVER në Krakow të Polonisë

0

Dhjetë gazetarë ukrainas të strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, morën pjesë në kampusin dhe konferencën RE: COVER të organizuar në Krakow të Polonisë.

Në ditën e parë të kampusit e cila është organizuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit Voices of Ukraine – i financuar nga Qeveria Gjermane, para mbi 100 gazetarëve nga Ukraina, u shfaq dokumentari për programin JiR Kosovo – i realizuar nga Xhemajl Rexha.

Pas dokumentarit u organizua diskutimi me panelistë Kryetarin e AGK-së, Xhemajl Rexha, Zyrtaren Ligjore të ECPMF-së, Flutura Kusari, dhe gazetaren e parë ukrainase e strehuar në Kosovë, Lyudmila Makei.

Gazetarët ukrainas patën mundësinë të ndjekin panele të shumta diskutimi që kishin të bëjnë me sigurinë fizike, sigurinë psikologjike, sigurinë për gazetaret, dokumentimin e krimeve të luftës, si të hulumtohen krimet e luftës, mbrojtjen ligjore, e shumë tema të tjera që lidhen me situatën aktuale të gazetarëve dhe mediave në Ukrainë.

Journalists in Residence – Kosovo, është program i iniciuar nga ECPMF, implementohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, iniciativa Hannah Arendt, dhe OSCE Mission in Kosovo.

Deri më tani, nga ky program kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve e kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve, si dhe pesë gazetarë nga Afganistani.

Kosova për herë të parë do të jetë nikoqirja e Federatës Evropiane të Gazetarëve për takimin vjetor të organizatës

0

Federata Evropiane e Gazetarëve për herë të parë do të mbajë takimin vjetor të organizatës në Kosovë, në maj të vitit 2024.

Vendimi në favor të Kosovës është marrë sot nga Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, i cili shënon një moment historik të rëndësishëm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, pasi që do të jetë bashkë organizatore e këtij takimi.

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë për organizatën që i besohet një organizim i tillë.

Është një moment i jashtëzakonshëm në historinë e re 20-vjeçare të AGK-së, që t’i besohet një organizim kaq i madh. Ne do të mirëpresim vitin e ardhshëm në Prishtinë qindra gazetarë nga mbarë Evropë, për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë e gazetarëve në kontinentin tonë, dhe do të jetë mundësi edhe për të treguar mikpritjen e jashtëzakonshme për të cilën njihet shteti jonë.”, ka thënë Rexha.

Për këtë takim, ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili ka thënë se me padurim po presin ta mbajnë takimin në Kosovë.

Bordi Ekzekutiv i EFJ-së, nuk e ka pasur vendimin e lehtë, pasi që përpara kishte dy kandidatë të jashtëzakonshëm: Shkupin dhe Prishtinën. Kjo e tregon vendosmërinë e kolegëve tanë në Ballkan për të punuar për kushte më të mira të punës dhe siguri më të madhe në një botë jostabile. Ne mezi po presim që ta mbajmë për herë të parë Takimin Vjetor të EFJ-së në Kosovë.”, ka thënë Gutierrez.