Home Blog Page 8

Reagim: Dënojmë ashpër ndërhyrjen politike në punën e KPM-së

0

Ne të poshtëshënuarit kemi përcjellur me shqetësim të thellë mbledhjen e jashtëzakonshme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal në Kuvendin e Kosovës të mbajtur sot. Mbledhja ishte ftuar nga katër deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe në të të ftuar ishin anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme nuk ishte përcaktuar agjenda e takimit dhe as nuk iu ishte komunikuar ndonjë agjendë anëtarëve të KPM-së, të cilët ishin ftuar në raportim, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe publikut të interesuar lidhur me monitorimin e kësaj mbledhjeje të Komisionit.

Në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, deputetët e LVV-së në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjin për KPM, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që promovojnë pavarësinë institucionale të mekanizmave të tillë, ushtruan presion publik të paprecedent ndaj anëtarëve të KPM-së lidhur me miratimin e vendimeve që hyjnë në fushëveprimtarinë e këtij institucioni të pavarur kushtetues. Dëgjimi “mbikëqyrës” i deputetëve të Kuvendit të Kosovës i përcjellur me sulme dhe etiketime ndaj anëtarëve të KPM-së, përveç se ka shkelur pavarësinë institucionale, po ashtu ka cenuar edhe integritetin dhe dinjitetin personal të anëtarëve të këtij institucioni kushtetues. Kjo sjellje e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.

Dëgjimi “mbikëqyrës” ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, anëtarët e KPM-së i marrin vendimet në mënyrë të pavarur dhe duke u bazuar në profesionalizëm, njohuri dhe bindje të tyre. Vendimet e KPM janë subjekt i të drejtës për ankesë përfshirë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet juridike në gjykatë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.

Duke i ofruar mbështetje të plotë anëtarëve aktualë të KPM-së në ruajtjen e integritetit dhe pavarësisë së këtij institucioni, po ashtu ftojmë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i ndalin sulmet e tilla që cenojnë pavarësinë e këtij institucioni dhe të përmbahen nga komentimi publik apo në Kuvend i vendimeve të tij. Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit për Media që projektligjin problematik për KPM-në, i cili parasheh kontroll shtetëror për media, ta trajtojnë duke adresuar kërkesat e shoqërisë civile dhe standardet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës

Flutura Kusari

Lëvizja FOL

Instituti i Kosovës për Drejtësi

Çohu

INPO

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA

Instituti i Prishtinës për Studime Politike– PIPS

Instituti Musine Kokalari

Instituti Demokratik i Kosovës – KDI

Qeveria duhet të tërhiqet nga tentativa për kontroll shtetëror të mediave online

0

Më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga z. Albin Kurti ka miratuar në mbledhje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Projektligjit është proceduar në Kuvendin e Kosovës në janar 2024.

Propozimi ligjor – për herë të parë në historinë e re të Kosovës – ndryshon radikalisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video (tutje: mediat online) nga sistemi i vetërregullimit në rregullim shtetëror, duke i detyruar ato që t’i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror. Ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë europian janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Ndryshimet kryesore ligjore të propozuara janë:

1.Mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja;

2.Mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit;

3.Mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja;

4.Mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%;

5.Mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro;

6.KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht;

7.Anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

Ne konsiderojmë se iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat online nëpërmjet licensimit është sulmi i radhës ndaj të drejtës së lirisë së medias dhe pluralizmit.

Aparati shtetëror do të përdoret lehtësisht kundër secilit medium online nën kërcënimin e gjobave të mëdha deri në 40,000 mijë euro, gjobë kjo që mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë. Projektligji duhet të shihet si vazhdimësi e qasjes armiqësore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe
tentativës së saj të vazhdueshme për t’i disiplinuar ato.

Direktiva e rishikuar e Shërbimeve të Medias Audiovizuale (AVMS) me të cilën pritet të përafrohet legjislacioni për media në Kosovë, parasheh rregullimin e platformave për shpërndarjen e videove nga rregullatorët e mediave. Mirëpo, për qëllime të kësaj iniciative ligjore direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë fare parasysh kontekstin lokal dhe duke injoruar trupin vetërregullativ ekzistues në Kosovë. Direktiva në asnjë formë nuk parasheh që shteti t’i vë mediat online nën kontroll nëpërmjet procesit të licencimit të detyrueshëm.

Në fakt, Direktiva e BE-së në nenin 4A inkurajon shtetet që të përdorin sistemin e vetërregullimit. Për këtë arsye, në Finlandë gjatë transpozimit të AVMS-së, qeveria dhe parlamenti atje pasi kishin marrë për bazë kontekstin lokal dhe duke u bazuar në nenin 4A të direktivës, ishin dakorduar që këtë kompetencë të vazhdonin t’ia linin këshillit të mediave (trupit vetërregullativ finlandez). Në Shqipëri, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias kishin kundërshtuar fuqishëm propozimet e njëjta ligjore që ishin bërë nga qeveria shqiptare e udhëhequr nga z. Edi Rama. Ndërsa Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) kërkon në mënyrë të qartë që regjistrimi i mediave online asesi të mos jetë procedurë e detyrueshme.

Një pasojë tjetër do të jetë dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) që përbëhet nga përfaqësues të mediave, përderisa do të fuqizohet një organ administrativ shtetëror si KPM-ja, anëtarët e të cilit zgjedhen nga partia në pushtet. Historikisht KPM-ja –me disa përjashtime – është përbërë nga persona që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë me udhëzime direkte ose indirekte nga politika apo sektori privat.

Qeveria, përtej mediave, tentativën për kontroll e ka shtrirë edhe tek vetë institucioni i KPMsë. Rritja e numrit të anëtarëve në 11 është e paarsyeshme dhe bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj. Kjo konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate, ashtu që ata që emërohen gjatë kësaj legjislature në Kuvend dhe vazhdojnë ta gëzojnë mbështetjen e partive në pushtet edhe në një tjetër legjislaturë, pra, mund të jenë pjesë e KPM-së për tetë vjet gjithsej.

Ne, po ashtu, shprehim indinjatën tonë me nivelin e lartë të mostransparencës gjatë kësaj iniciative legjislative. Draftligji është përgatitur me mungesë të thellë të transparencës dhe pa përfshirjen e gazetarëve, mediave, aktivistëve dhe organizatave tjera të shoqërisë civile.

Vetëm pas përfundimit të draftit të parë, ai është prezantuar para një grupi të kufizuar si akt i kryer. Kjo qasje është tërësisht jodemokratike, e papranueshme dhe zhgënjyese. Nuk mund të draftohet legjislacion për media pa përfshirjen e mirëfilltë të sektorit të mediave.

Ne i kemi ofruar Zyrës së Kryeministri dialog dhe mundësi bashkëpunimi për të përmirësuar draftligjin. Një vit më parë, në një takim me shefin e stafit të Kryeministrit z. Luan Dalipi dhe këshilltaren ligjore të Kryeministrit znj. Tea Blakaj, ata na kishin siguruar që projektligji nuk do të procedohej në atë mënyrë në Kuvend. Më pastaj ata kishin injoruar në tërësi kërkesat tona rreth informacioneve për projektligj.

Ndryshimet ligjore – të bëra në fomën siç janë tani – nuk do rezultojnë në përmirësimin e mediave, por në kontroll politik mbi mediat online, kontroll që do të ushtrohet nga cilado parti politike që do të gëzojë pushtet.

Ne kërkojmë nga Zyra e Kryministrit të tërheqë projektligjin nga Kuvendi i Kosovës dhe të bëjë ndryshimet e duhura në pajtim me standardet e KiE dhe OSBE-së. Ndryshimet ligjore duhet të bëhen me përfshirje të mirëfilltë të gazetarëve, organizatave joqeveritare dhe të gjithë të interesuarve. Njëkohësisht, shteti duhet të angazhohet për pavarësinë e plotë të KPM-së duke zgjedhur profesionistë të pavarur, e jo simpatizues të partisë në pushtet.

Sinqerisht,
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK)
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias

Mbahet moduli i katërt i Akademisë për Integritetin e Informacionit

0

Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë për Integritetin e Informacionit, sot iu është ligjëruar për mbrojtjen e të dhënave personale.

Në këtë modul të Akademisë të cilin e ligjëroi Adison Gara – bashkëthemelues dhe drejtor i projektit në Institutin për Teknologji dhe Shoqëri, u diskutua për rëndësinë e mbrojtjes së informacionit personal në epokën digjitale dhe për pjesën etike e ligjore në raportim, duke theksuar raportimin e përgjegjshëm të informacionit.

Gjithashtu, pjesëmarrësit bashkëbiseduan për praktikat më të mira për konfidencialitetin, duke njohur rolin në ruajtjen e besimit dhe privatësisë.

Akademia për Integritetin e Informacionit, do të vazhdojë edhe me tre module të tjera në muajt pasues.

Kërcënohet redaksia e portalit “Periskopi”

0

Gazeta online “Periskopi”, ka njoftuar AGK-në, për një e-mail kërcënues që ka pranuar rreth publikimit të artikullit të titulluar “Nëntë punonjës të Fakultetit të Mjekësisë marrin rrogë në QKUK pa punuar fare”.

Në emailin e pranuar me 15 janar, kërkohet largimi i artikullit me porosinë “ju gazetart kujdes me shkrime sepse shume gazetarve po jau heqin kryt per shkrime ose po jau zajn peng familjaret. ma mire duje pa problem se paret per klikime e me probleme familjare”, shkruan në një pjesë të mesazhit.

AGK-ja, është e shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj redaksisë së këtij portali, dhe e fton Policinë e Kosovës që urgjentisht të hetojë prej nga vjen kërcënimi dhe të marrë masat e duhur për të ofruar siguri për gazetarët e këtij medium. Gjithashtu, ftojmë Prokurorinë dhe organet e tjera të drejtësisë që të bëjnë punën e duhur për të trajtuar rastin.

Mbrojtja e afërt e Kryeministrit pengon gazetaren Blerta Dalloshi Berisha

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha.

videon e publikuar nga kolegia, Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin.

Maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.

AGK-ja, kërkon nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga Kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut.

U mbajt punëtoria mbi raportimin e përgjegjshëm për shëndetin riprodhues

0

Të premten e kaluar, u mbajt punëtoria rreth raportimit të përgjegjshëm për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Punëtoria u fasilitua nga Getoarbë Mulliqi – Drejtore Ekzekutive njëherësh hulumtuese në Asociacionin e Gazetarëvve të Kosovës, Dr.Merita Vuthaj – Ministria e Shëndetësisë / Divizioni për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës dhe Shëndeti Riprodhues, si dhe nga Zv. e Avokatit të Popullit, Majlinda Sinani Lulaj.

Në këtë punëtori u diskutua për sfidat e gazetarëve gjatë raportimit, përdorimin e termeve adekuate, si dhe praktikat më të mira të raportimit për shëndetin seksual dhe riprodhues.

Punëtoria u organizua nga K10 që mbështetet nga UNFPA Kosovo.

Gazetarja Rinë Haziri sulmohet e pengohet në Brezovicë

0

Gazetarja e Lajmi.net, Rinë Haziri, është sulmuar e penguar gjatë ditës së sotme nga një qytetar teksa po raportonte nga Brezovica.

Në pamjet e publikuara nga media ku edhe punon Haziri, shihet dhe dëgjohet një person teksa i thotë të mos incizojë.

Më tej bëhet e ditur se i njëjti person ka dalë nga vetura dhe me dhunë ia ka kapur telefonin nga dora, duke vazhduar ta kërcënojë edhe me fjalë të tjera.

Redaksia e Lajmi.net, kanë bërë të ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me pengimin dhe sulmin ndaj gazetares, Rinë Haziri, dhe i bënë thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet në mënyrë që personi të mbahet përgjegjës për veprimet.

Kërcënohet me jetë gazetari Fatlum Berisha

0

Gazetari Fatlum Berisha ka pranuar kërcënime me jetë në rrjetin social Tik Tok.

Në njoftimin dërguar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, shihen komentet e lëna nga një llogari në videot e gazetarit me përmbajtje si “31 plumba t’i kisha dhanë”. Njëherësh, thuhet se rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me kërcënimet në drejtim të gazetarit Berisha, dhe i bënë thirrje Policisë së Kosovës që të marrë hapat e nevojshëm për identifikimin e personit/personave që fshihen prapa kësaj llogarie.

Për AGK-në, kërcënimet e këtij lloji janë tërësisht të papranueshme dhe dënueshme. I bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve online, në mënyrë që të mos kalojnë pa u ndëshkuar nga organet kompetente.

Lëvizja FOL i ndanë Çmimin për Guxim Qytetar punonjësve medialë që raportuan nga veriu i Kosovës

0

Gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që kanë raportuar nga veriu i Republikës së Kosovës gjatë këtij viti, u nderuan mbrëmë me Çmimin për Guxim Qytetar.

Çmimi i cili ndahet nga Lëvizja FOL, është ndarë për punonjësit medialë për arsye se kanë raportuar nga atje pa mjete mbrojtëse duke rrezikuar kështu jetën për informim të qytetarëve.

Në emër të gjithë gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve çmimin e pranoi Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Krahas Çmimit për Guxim Qytetar, FOL, ndau mirënjohje për AGK-në, për angazhimin në sensibilizimin e publikut për rreziqet në të cilat punonjësit medialë janë ballafaquar gjatë raportimeve në veri të vendit, si dhe mirënjohje për juristen e së drejtës së medias, Flutura Kusari, për përkushtimin e saj dhe dedikimin e jashtëzakonshëm në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët që raportojnë nga terrenet me rrezikshmëri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon Lëvizjen FOL për vlerësimin e dhënë ndaj kolegëve që raportuan nga veriu i Republikës së Kosovës.