Home Blog Page 7

Mbahet moduli i fundit i Akademisë për Integritetin e Informacionit

0

Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë për Integritetin e Informacionit, të shtunën iu është ligjëruar për sigurinë kibernetike në media.

Në këtë modul të Akademisë, të cilin e ligjëroi Prof. Dr. Blerim Rexha – profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, u diskutua për rëndësinë e sigurisë kibernetike, për mënyrat si të mbrohemi e si ta mbrojmë informacionin që e posedojmë.

Gjithashtu, pjesëmarrësit bashkëbiseduan për mundësitë online të cilat ofrohen për të mbrojtur vetën, median dhe të dhënat e tyre. Pjesëmarrësit ndanë përvojat dhe vështirësitë që i kanë hasur gjatë ushtrimit të profesionit të tyre në fushën e sigurisë kibernetike.

Me këtë modul u bë përmbyllja e edicionit të dytë të Akademisë për Integritetin e Informacionit që mbështetet nga NDI Kosovo dhe USAID Kosovo, dhe në javët në vazhdim, pjesëmarrësit e këtij edicioni do ta realizojnë vizitën studimore në rajon, ku do të kenë mundësinë e shkëmbimit të përvojave me kolegët.

AGK-ja e shqetësuar me thirrjen nga Prokuroria për vepër penale ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim të madh njoftimin nga gazetari i Albanian Post, Lirim Mehmetaj, për thirrjen që i është bërë si i pandehur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Në thirrjen për paraqitje më 7 mars, Mehmetaj është ftuar si i pandehur për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga Neni 141 i KPR-së.
Derisa AGK është në pritje të informacioneve zyrtare, thirrja e tillë ndaj një gazetari është alarm për një shoqëri demokratike, siç pretendon të jetë Kosova.
AGK-ja, do të kërkojë informacionet zyrtare dhe do ta ndjekë nga afër të enjten këtë zhvillim të pashembullt të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Mbahet moduli i pestë i Akademisë për Integritetin e Informacionit

0

Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë për Integritetin e Informacionit, të shtunën iu është ligjëruar për algoritmet dhe mediat sociale.

Në këtë modul të Akademisë të cilin e ligjëroi Gëzim Bala – ekspert i marketingut dhe themelues i kompanisë LVL UP, u diskutua për rëndësinë e mediave sociale, mënyrën se si funksionojnë algoritemet në aplikacione të ndryshme e po ashtu edhe për mënyrën se si të krijojnë përmbajtje që të jetë më miqësore me përdoruesit.

Gjithashtu, pjesëmarrësit bashkëbiseduan për mënyrat se si të mbrohen në mediat sociale e si t’i përdorin duke e maksimizuar profitin e tyre.

Akademia për Integritetin e Informacionit, do të ketë edhe një modul të fundit për këtë edicion të dytë, e që do të mbahet në javët në vazhdim.

Kërcënohet ekipi i KALLXOs në Skënderaj

0

Ekipi i medias online Kallxo.com, i përbërë nga gazetarja Adelinë Ahmeti dhe kameramani Jetmir Hoxha, janë kërcënuar gjatë ditës së sotme në fshatin e Skënderajt, Klina e Mesme, nga një qytetar me inicialet M.H.

Ekipi i Kallxo, është penguar nga qytetari në fjalë pasi të njëjtit ishin duke e trajtuar një problematikë rreth ndërtimit të një kishe në këtë fshat.

Në raportimin e medias, thuhet se qytetari përveç se ka penguar ai ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj ekipit të tyre – të cilën më pastaj e kanë raportuar në stacionin policor të Skënderajt.

“Ec, ec, veç të shkoj në shpi se pa jau ** atë nanë s’e la…Po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë, unë po ta dha besën e Zotit që telash ka me ju dalë”, ishin kërcënimet që M.H., i kishte thënë atyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar me kërcënimin e bërë ndaj kolegëve të Kallxos, dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që rastin ta trajtojë me prioritet.

Dënojmë çdo formë të kërcënimit ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe punonjësve të tjerë medialë, dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente që të vendosin drejtësi për të gjitha kërcënimet dhe sulmet në drejtim të medieve.

Çdo sulm ndaj gazetarëve dhe medieve, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe demokracisë.

Takim koordinues mes AGK-së, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Policisë së Kosovës

0

Sot në zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha dhe Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi, mirëpritën zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Rexha dhe Mulliqi u takuan me Shefin e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, Major Baki Kelani, Shefen e Sektorit për Informim, Analizë dhe Komunikim, Majoren Luljeta Mehmeti-Quigley, Zyrtaren e Misionit të OSBE-së në Kosovë për Siguri Publike, Shpresa Mulliqi, Zyrtaren e Programit Kombëtar në Seksionin e Medias, Arlinda Osmanaj dhe Asistenten e Projekteve, Lavdije Zeqiraj.

Ky takim u bë me qëllim të koordinimit të aktiviteteve mes AGK-së, Misionit të OSBE-së, si dhe Policisë së Kosovës lidhur me sigurinë e gazetarëve, kameramanëve dhe fotografëve përgjatë raportimit nga tubimet, protestat, si dhe situatat e tensionuara.

Gjatë muajve në vijim, do të organizohet një akademi me ligjërata, trajnime e simulime me gazetarët, kameramanët dhe fotografët që e mbulojnë fushën e sigurisë, se si të sillen në situata të tilla në koordinim me Policinë e Kosovës.

Ky do të jetë viti i parë që do të fillojë një akademi e tillë për kolegët dhe do të bëhet me qëllim që të rritet niveli i bashkëpunimit mes gazetarëve dhe Policisë së Kosovës, pasi që të dyja palët e kanë për qëllim interesin publik.

Dënohet me 4 vjet burgim personi i akuzuar për sulmin ndaj gazetarit Selimi

0

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj Arsim Limanit, duke e dënuar me 4 vjet burigm për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, me ricilësimin e veprës “vrasje në tentativë”, pas aktakuzës për djegien e garazhit të gazetarit njëherësh redaktorit të RTK-së, Alban Selimi.

Të dëmtuarit Alban Selimi dhe Flora Mehmeti-Selimi për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 gusht 2023, thuhet se më 16 mars 2023, në garazhin që është ngjitur me shtëpinë e tani të dëmtuarit Alban Selimi, në Fushë-Kosovë, i akuzuari Arsim Limani nga motive deri më tani të panjohura, ka tentuar që ta privojë nga jeta të njëjtin, i cili në ato momente nuk ishte në shtëpi, duke rrezikuar jetën e anëtarëve të tjerë të familjes, përkatësisht bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve.

Këtë tentativë, i akuzuari thuhet se e ka bërë pasi është afruar tek dera e garazhit dhe aty ka hedhur një shishe benzinë të ndezur, ku flaka ka përfshinë garazhin, e nga temperatura e lartë është dëmtuar vetura e të dëmtuarve.

AGK-ja kishte reaguar në kohën e incidentit, duke u bërë thirrje autoriteteve që ta trajtonin rastin me urgjencë.

Mbahet diskutimi për qëndrueshmërinë financiare të medieve lokale

0

Sot u mbajt tryeza e diskutimit me temë “Qëndrueshmëria financiare e medieve lokale”, në kuadër të Akademisë së Integritetit të Informacionit që mbështetet nga NDI Kosovo dhe USAID Kosovo.
​​​​​​​
Paneli përbëhej nga Fatmir Menekshe – Radio Romano Avazo, Urall Boshnjaku – Mitropol, dhe Florandë Morina, anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Teksa, tryeza u moderua nga Xhemajl Rexha.

Gjatë diskutimit të sfidave me të cilat ballafaqohen mediat lokale në Kosovë, u tha se shpeshherë ato duhet të operojnë pa kompensim ose të hasin vështirësi në sigurimin me kohë të pagave për të gjithë gazetarët.

Duke qenë se audienca jonë janë komuniteti rom në Kosovë, atëherë është e vështirë që të kemi një stabilitet financiar e të kemi të hyra nga reklamat. Kjo reflektohet edhe në pagat për gazetarët, ku shpesh ndodhë që të hasim në vështirësi për të siguruar fondet e nevojshme”, tha Menekshe.

Një nga sfidat që u diskutua është edhe çështja e mos citimit nga kolegët e medieve qendrore.

“Është shumë e rëndësishme që mediet lokale të citohen nga mediet qendrore në momentin që informacioni publikohet nga portalet lokale, kjo edhe për vizibilitetin tonë. Respektimi i të drejtës së autorit është kyçi në këtë aspekt”, tha ndër tjerash Boshnjaku.

Po ashtu, u diskutua edhe për mënyrat se si mund të lehtësohej puna e medieve lokale nga institucionet vendore.

Duke qenë se mediat nacionale kanë shtrirje më të madhe, rrjedhimisht edhe mbështetje nga reklamat më shumë, atëherë do të duhej të krijoheshin mekanizma nga institucionet dhe nga Komisioni i Pavarur i Medieve për lehtësira në pagesat e licencave për mediat lokale dhe mediat e komuniteteve jo-shumicë”, shtoi Morina.

‍ Po ashtu, u diskutua çështja për gjetjen e modaliteteve për draft ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediat lokale e shohin si rrezik dhe pengesë shtesë për operimin e tyre.

Diskutimi u fokusua në gjetjen e mënyrave për të forcuar dhe mbështetur mediat lokale, duke siguruar që ato të kenë burime të mjaftueshme për të funksionuar në mënyrë efektive, dhe për të përfaqësuar diversitetin e nevojat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Kërcënim ndaj gazetarit Korab Rexhepi

0

Gazetari i DTV, Korab Rexhepi, ka pranuar disa mesazhe kërcënuese nga një person me inicialet M.B.

Rexhepi ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se këto kërcënime janë bërë pasi që M.B., i është ndërprerë telefonata e drejtpërdrejtë pas disa fjalëve banale që i njëjti kishte thënë në emisionin që gazetari drejton.

Në një nga mesazhet kërcënuese të M.B., thuhet se gazetarin “do ta zhdukë me gjithë familje”.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, këto kërcënime janë të papranueshme dhe ftojmë Policinë e Kosovës që ta trajtoj rastin në mënyrë që kërcënuesi të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë që të mos hezitojnë që t’i raportojnë rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre jo vetëm në AGK, por edhe në Policinë e Kosovës.

AGK-ja dënon fushatën denigruese të Komunës së Prishtinës kundër Sarandaj Ramajt dhe KTV-së

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka përcjellur me shqetësim fushatën e orkestruar nga udhëheqja e Komunës së Prishtinës kundër gazetares Saranda Ramaj, dhe televizionit KTV, pas publikimit të serisë së raporteve për këmbimin e tokave.

Kryetari Përparim Rama në një sërë intervistash e ka akuzuar KOHA-n për “dezinformim”, kurse akuza të rënda ka bërë edhe Drejtoresha për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës, Doruntina Maloku.

Në seancën e anulimit të vendimit Maloku disa herë e ka sulmuar grupin KOHA, duke thënë mes tjerash: “A nënkupton kjo që ka pasur interes të kalojë kjo pikë apo vetëm pasi kjo u bë publike nga media të caktuara për qëllime krejtësisht që i shërbejnë interesave politike grupore e biznesore:”

Ndërkohë, disa llogari në Facebook, të hapura së fundi kanë postuar statuse denigruese për gazetaren Ramaj, duke e mbrojtur Ramën dhe Komunën e Prishtinës.

Këto sulme dhe kjo gjuhë janë të papranueshme, dhe AGK-ja e fton Komunën e Prishtinës që të distancohet, e të ofrojë përgjigje zyrtare e institucionale për të gjitha pretendimet e ngritura.