Home Blog Page 24

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ndanë Çmimet Vjetore në Gazetari për vitin 2022

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, Bashkimit Evropian, Zyrës së UN Ëomen, dhe Ambasadës Gjermane, i ndau sot në Prishtinë Çmimet Vjetore në Gazetari për vitin 2022 për gazetarët dhe storiet e tyre në gjashtë kategori të ndryshme.

Përmes këtyre çmimeve, AGK-ja dhe partnerët e saj duan ta promovojnë lirinë dhe sigurinë e mediave dhe gazetarinë profesionale, dhe t’i nderojnë gazetarët të cilët kanë krijuar storie të jashtëzakonshme gjatë vitit 2022.

“Me lirinë e mediave në rënie në mbarë botën, është jetike që mediat ta përdorin fuqinë dhe ndikimin e informacionit në mënyrë të përgjegjshme, dhe ta informojnë publikun me lajme të sakta, objektive dhe të pavarura të cilave mund t’u besojnë. Jam i lumtur që këto çmime u shkojnë gazetarëve të tillë në Kosovë, dhe e përshëndes punën e tyre në interes të publikut,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, teksa ia ndau Çmimin e Gazetarës së Vitit Saranda Ramajt.

Saranda Ramaj, është gazetare në Grupin Koha. Ajo ka shkruar shumë artikuj me interes për publikun dhe ka bërë shumë storie investigative. Ato kanë të bëjnë me korrupsionin, parregullsitë në sistemin e drejtësisë, keqpërdorimet në shëndetësi dhe prokurim, dhe dhunën kundër vajzave dhe grave.

“Me këto çmime, ne e tërheqim vëmendjen kah e gjithë puna e bërë nga mediat, dhe të gjitha vështirësitë me të cilat përballen ato gjersa e mundësojnë demokracinë përmes informimit të publikut dhe mbajtjes së qeverive dhe zyrtarëve si llogaridhënës dhe përgjegjës. Ne të gjithë duhet të sigurojmë që gazetarët të mund të punojnë të lirë derisa të gjitha sulmet kundër mediave duhet të hetohen dhe gjykohen menjëhere,” tha Tomas Szunyog, Ambasadori i BE-së në Kosovë. Ai ia ndau çmimin e Web Stories më të Mirë të Vitit Adelina Ahmetit.

Adelina Ahmeti është gazetare në KALLXO. Seria e saj e artikujve ka të bëjë me Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili e ka anuluar rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional në zyrat e prokurorisë në Gjakovë, Pejë dhe Prizren, pasi që BIRN kishte raportuar se Kryeprokurori në Gjakovë, Ramiz Buzhala, i kishte shpërndarë pyetjet e testimit.

“Jam krenare që zyra e UN Women e ka themeluar “Çmimin Vjetor në Gazetari për Fuqizimin e Grave”. Në kohën kur mediat dominohen nga çështjet politike, dhe e minimizojnë hapësirën për çështjet siç janë barazia gjinore apo ndikimi i krizës globale mbi gratë dhe vajzat, ky çmim që do të ndahet sot po ashtu përqendrohet në rëndësinë e avancimit të barazisë gjinore, dhe në fuqizimin e grave përmes mediave në Kosovë” tha Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë. Ajo ua ndau këtë çmim Riola Morinës dhe Medinë Dautit.

Riola Morina dhe Medinë Dauti, janë gazetare në QIKA. Ato e fituan çmimin për artikullin e tyre “Gratë e padukshme”. Ky hulumtim i kryer prej tyre e shtjellon natyrën ndërsektoriale të sfidave me të cilat përballen gratë e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane, dhe e nxjerr në pah faktin që ato gra janë në mënyrë të veçantë të prekura nga varfëria dhe përjashtimi. Ato përballen me diskriminim në shumë nivele: edhe si gra, edhe si pjesëtare të një grupi etnik të margjinalizuar.

“Jam me të vërtetë i mahnitur me punën tuaj. Fakti që seria juaj e raportimit ka nxitur reagime të panumërta jo vetëm nga OJQ-të dhe publiku në përgjithësi, por edhe nga institucionet qeveritare, do të thotë që me këtë njoftim për praktikat dhe qëndrimet diskriminuese ndaj nxënësve nga komunitetet pakicë nga RAE, storia juaj bëri një ndryshim!! Madje do të shkoja edhe më tej. Ndalimi i diskriminimit ndaj këtyre fëmijëve shumë të rinj do ta ndryshojë në mënyrë të qëndrueshme jetën e tyre për të mirë. Çfarë mund të dëshiroj një gazetar/e më shumë!” tha Jörn Rohde, Ambasadori Gjerman në Kosovë teksa ia ndau çmimin TV Storja më e Mirë e Vitit Qendresa Tërshanit.

Qendresa Tërshani, është gazetare në Klan Kosova. Raportimet e saj kanë të bëjnë me Festën Abetares për nxënësit e klasës së parë ku fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë janë diskriminuar në baza etnike. Me këtë rast, janë shkelur të drejtat e tyre të gjithëpërfshirjes në aktivitetet kulturore shkollore. Publikimi i kësaj kronike ka nxitur shumë reagime nga ana e të gjitha institucioneve në nivelin qendror dhe lokal, duke i përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Si rezultat i kësaj kronike, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i ka nisur hetimet përkatëse.

Xhavit Kajtazi, gazetar i sportit dhe anëtar i jurisë ia ndau çmimin e Storjes më të mirë nga Sporti Dardan Idrizit.

Dardan Idrizi, është gazetar në RTV Dukagjini. Storia e tij ka të bëjë me Sabri Çabrën dhe Astrit Hasanin, të dy tifozë të KB Trepça, të cilët asnjëherë nuk mungojnë në asnjë ndeshje të këtij klubi, edhe pse të dy këta persona janë të palëvizshëm.

Besnik Latifi, kameraman dhe anëtar i Bordit të AGK-së ua ndau çmimin e Kameramanit më të Mirë të Vitit Korab Bashës dhe Burim Mjekut.

Korab Basha dhe Burim Mjeku, janë kameramanë në Telegrafi. Ata e fituan çmimin me filmimin e bërë për storien “Pjesëtarët e FSK-së gjatë ushtrimeve në “Barrakat e Ushtarëve të NATO-s në Istog”.

“Jam shumë i lumtur që e shoh punën e palodhur dhe përkushtimin e kolegëve tanë të shpërblehet sot, në këtë ceremoni. Ne e kemi parë një gazetari shembullore këtë vit e cila ka hedhur dritë mbi tema të tilla si keqpërdorimi i fondeve publike në sistemin shëndetësor e deri tek diskriminimi racor në vend, apo shkeljet serioze etike në sistemin e drejtësisë. Është tepër inkurajuese të shohësh se shumica e fitueseve të çmimeve janë gra, gjë kjo që tregon se çfarë roli kyç e luajnë ato në skenën tonë mediatike” tha Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Anëtarë të jurisë në edicionin e sivjetmë të Çmimeve Vjetore të Gazetarisë ishin: Ismet Hajdari – Gazetar shumëvjeçar, Blerjana Bino – Hulumtuese në platformën SafeJournalists, Xhavit Kajtazi – Gazetar shumëvjeçar i sportit, Arben Hajredinaj nga Misioni i OSBE-së dhe Fatmire Tërdevci nga zyra e Bashkimit Evropian.

AGK-ja e dënon ashpër sulmin ndaj kamermanit, Jetmir Muji në veri të Mitrovicës

0

Kameramani i portalit “Insajderi”, Jetmir Muji, është sulmuar sot paradite në Mitrovicën e veriut nga një grup i serbëve lokalë, derisa ishte duke xhiruar për një emision.

Sipas kësaj medie, Muji bashkë me gazetarin, Visar Duriqi, kanë qenë në veri për të përgatitur një emision, kur kanë parë futjen në veturë të një të riu nga disa persona. Kur Muji e ka xhiruar ngjarjen, ai është sulmuar nga këta persona, dhe ka përfunduar në Emergjencën e Spitalit në jug të Mitrovicës.

AGK-ja shpreh shqetësim dhe tronditje me sulmin, njëherësh e fton Policinë e Kosovës, që ta hetojë me urgjencë rastin dhe t’i identifikojë personat përgjegjës.

SafeJournalists: #HIDHDRITE mbi rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve

0

Anëtarët e rrjetit Safejournalist nisën fushatën #HIDHDRITE me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, e cila shënohet sot, 2 nëntor.

Qëllimi i fushatës është ndërgjegjësimi për problemin e mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili është i pranishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Janë të pakta rastet me epilog gjyqësor dhe dënime për autorët.

Dita Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve shënohet sot, 2 nëntori. Rrjeti SafeJournalists lufton çdo ditë për të përmirësuar kushtet e punës në gazetari, për të mbrojtur gazetarët dhe të drejtat e tyre.

Shumica e partnerëve brenda rrjetit tonë SafeJournalists i janë bashkuar fushatës së Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) për miratimin e një Konvente Ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes së gazetarëve dhe profesionistëve të medias. Për të shënuar 2 Nëntorin, IFJ u bën thirrje qeverive në mbarë botën, gazetarëve dhe grupeve mediatike që të mbështesin miratimin e Konventës së OKB-së për Sigurinë dhe Pavarësinë e Gazetarëve dhe Profesionistëve të tjerë të Medias. Sipas IFJ, pavarësisht nga shumë protokolle, udhëzime dhe propozime, gazetarët ende përballen me kërcënime çdo ditë – dhe mosndëshkimi vazhdon të përkeqësojë situatën. Nëntë në çdo dhjetë vrasje të gazetarëve mbeten të pandëshkuar.

Çdo ditë gazetarët sulmohen, rrahen, ndalohen, ngacmohen dhe kërcënohen për kryerjen e punës së tyre dhe megjithatë, nuk ka asnjë instrument ndërkombëtar detyrues që do t’i detyronte shtetet anëtare të hetojnë dhe t’u përgjigjen sulmeve kundër medias. Kërcënimet e vazhdueshme për sigurinë dixhitale të gazetarëve, duke përfshirë sulmet kibernetike, vjedhjen e të dhënave, hakerimin dhe ngacmimin në internet, kërcënojnë sigurinë e profesionistëve të lajmeve duke e bërë edhe më urgjente miratimin e një instrumenti që do t’i detyronte qeveritë të adresojnë mosndëshkimin. Të gjitha sa më sipër, si dhe zhgënjimi në rritje me mungesën e veprimeve dhe, në shumë raste, mungesën e vullnetit për të trajtuar krizën e mosndëshkimit – bëri që IFJ të niste një fushatë për miratimin e një Konvente Ndërkombëtare kushtuar mbrojtjes se gazetarëve dhe profesionistëve të medias.

Për të rritur edhe më shumë ndërgjegjësimin për rëndësinë e çështjes së punës gazetareske dhe mbrojtjen e gazetarëve sy e vesh të demokracisë, ruajtesit e saj, nisim fushatën. #HIDHDRITE.

Mbi çfarë duam të hedhim dritë? Ne duam që 160 rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që ndodhën në vitin 2021 në Ballkanin Perëndimor të marrin një epilog gjyqësor. Janë raportuar 179 sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve në institucionet kompetente në vitin 2021 në rajonin e Ballkanit Perëndimor (Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci dhe Shqipëri). Nga ky numër, vetëm 19 raste janë zgjidhur para gjykatës si aktgjykime të shkallës së parë dhe të formës së prerë, nga të cilat 12 ishin dënime.

Jemi të shqetësuar për numrin e madh të rasteve të pazgjidhura dhe numrin e vogël të autorëve të dënuar. Rrjeti Safejournalists kërkon nga organet kompetente që të marrin të gjitha masat në mënyrë që rastet të procedohen në mënyrë më efikase dhe të shpejtë dhe në këtë mënyrë të tregohet gatishmëria e shtetit në luftën kundër mosndëshkimit sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u dërgojmë mesazh të qartë autorëve të mundshëm se një sjellje e tillë është e papranueshme.

AGK-ja dënon linçimin nga deputeti i VV-së, Sali Zyba kundër T7 dhe Express

0

Deputeti i partisë në pushtet, Vetëvendosje, Sali Zyba, ka publikuar sot në profilin e tij në Facebook, një videomontazh ku paraqet kryeredaktorin e televizionit T7, Arsim Lani dhe drejtorin e T7 dhe Gazeta Express, Leonard Kërquki duke prezantuar emisione të ndara të vitit 2016 dhe 2022 me mbishkrimin “E njëjta luftë e UÇK-së, i njëjti medium”.

AGK-ja konsideron se një video-montazh e tillë e publikuar nga një deputet dhe e shpërndarë nga dhjetëra pjesëtarë të VV-së, është thirrje për linçim të dy gazetarëve dhe mediumeve në fjalë, dhe paraqet rrezik direkt për sigurinë e tyre.

Për të satën herë, AGK-ja fton deputetët dhe anëtarët e tjerë të Vetëvendosjes, që të mos përdorin fuqinë e tyre të pushtetit për të sulmuar mediet dhe gazetarët, në mënyrë që ata ta kryejnë punën e vet të papenguar, dhe pa presionin e vazhdueshëm të këtij pushteti.

Kërcënohet gazetari i Plus TV, Irfan Maliqi

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar sot nga redaksia e Plus TV, se gazetari i këtij mediumi, Irfan Maliqi, është kërcënuar nga Sylë Salihu -Udhëheqës i Shërbimeve Sociale brenda QPS-së në Viti.

Maliqi gjithashtu ka pranuar mesazhe nga Hysen Ymeri – Shef i Zyrës së Burimeve Njerëzore në Komunën e Vitisë në lidhje me kronikën për mungesën e profesionistëve në degët e punëve sociale në këtë komunë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e dënon këtë veprim të Salihut dhe Ymerit, njëherësh e cilëson se bie në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes. Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të raportojnë, është tendencë për kontrollim të informatave.

Kërcënohet gazetarja e Gazetës Shneta, Diellza Luzha

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për kërcënimin e gazetares së Gazetës Shneta, Diellza Luzha.

Sipas ankesës së kolegëve të kësaj medie, gazetarja është kërcënuar nga njëri shofer i autoambulancës në Spitalin e Mitrovicës.

“Gazetarja Diellza Luzha ka raportuar sot përmes një artikulli për keqpërdorimin e autoambulancës në Spitalin e Mitrovicës. Për këtë shkrim, Luzha është kërcënuar nga njëri prej shoferëve, Bajram Ferati. Ferati është kontaktuar fillimisht nga gazetarja për të marr një sqarim në lidhje me keqpërdorimin e autoambulancës, por ai nuk ka pranuar të flas. Ndërkaq”, pas publikimit të artikullit, ai e ka kontaktuar gazetaren duke e kërcënuar dhe ofenduar”, thuhet në ankesën drejtuar AGK-së.

“Ngom mirë. 15 herë unë me marr autoambulancën, bonu e bindur që nuk ke me thirr ma kërkon. A u kuptuam”, ka kërcënuar Ferati. “Unë e kam marr autoambulancën dhe apet e marr”, ka thënë shoferi i autoambulancës.

AGK dënon gjuhën fyese dhe kërcënuese ndaj gazetares Luzha, njëherësh fton organet kompetente ta trajtojnë rastin me prioritet.

AGK-ja dënon sulmet e vazhdueshme të eksponentëve të pushtetit ndaj mediave

0

Ka vazhduar fushata e intensifikuar e disa individëve, pjesë të strukturave ose të afërt me partinë në pushtet, Vetëvendosje kundër mediave në Kosovë.

Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj, ish-këshilltarë të Kryeministrit Kurti dhe Sadri Ramabaja, ish-asamblist i Vetëvendosjes, kanë bërë komente publike fyese kundër gazetës online “Nacionale”, duke i targetuar gazetarët dhe raportimet e këtij medium rreth grevës në arsim. Për më tepër, Hoxha para pak ditësh kishte shkruar se “në mediat tona ka shumë që flasin serbisht në shqip”.

E gjithë kjo fushatë kundër medieve është e papranueshme dhe shumë e rrezikshme, dhe ua vështirëson punën gazetarëve duke i bërë target sulmi edhe nga përkrahës të tjerë të pushtetit.

AGK-ja u bën thirrje këtyre individëve që të ndalin sulmet, dhe qeverisë e partisë së tyre të distancohen qartë nga kjo fushatë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës angazhon avokat për përfaqësimin e gazetarëve

0

Yll Zekaj – është angazhuar si Avokat në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e dhënë të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Për AGK-në, është tejet i rëndësishëm përfaqësimi dhe mbrojtja ligjore për gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët, dhe kjo do të mundësohet me angazhimin e z. Zekaj.

AGK-ja, ju inkurajon që t’i raportoni rastet kur pengoheni gjatë kryerjes së detyrës, ose jeni subjekt i sulmeve dhe kërcënimeve.

Shqetësimet apo kërkesat për konsultime mund t’i adresoni në këtë e-mail: [email protected] .

Gazetareve ukrainase u vazhdohet lejeqëndrimi në Kosovë

0

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka miratuar vendimin për zgjatjen e lejeqëndrimit të gazetareve ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë.

Zgjatja e lejeqëndrimit është bërë në 31-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës, dhe është bërë e ditur nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në solidaritet dhe festë të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, sot ua zgjatëm qëndrimin gazetarëve ukrainas në Kosovë, ngritëm flamurin ukrainas krahas atij të Kosovës, dhe ngjyrosëm ndërtesën e Qeverisë sonë”, ka thënë Kurti.

Në Kosovë deri më tani janë strehuar 9 gazetarë ukrainas në kuadër të programit të ECPMF-së “Journalists in Residence – Kosovo” – i cili mbështetet financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës mirëpret vendimin e Qeverisë për zgjatjen e lejeqëndrimit të kolegëve ukrainas, njëherësh shpreh gatishmërinë që të vazhdojë angazhimin për t’i ofruar atyre ndihmën e nevojshme.