Home Blog Page 57

Gjykata obligon ministrinë e zhvillimit ekonomik të zbulojë dokumentet publike

0

PRISHTINË, 11.01.2018 – Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi në favor të një konsorciumi të OJQ’ve të cilët kërkuan para katër vite e gjysëm qasje në kontratën ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe KEDS-it, një kompani turke që udhëheq distribucionin e energjisë elektrike që nga qershori 2012.

Verdikti i Gjykatës Themelore në Prishtinë e datës 9 Janar të këtij viti thotë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe KEK-ut janë gjetur fajtor duke shkelur Kushtetutën e vendit dhe ligjin në qasje në dokumente publike.

OJQ-ja GAP me seli në Prishtinë, në emër të KOSID-it, Konsorciumi  Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, kanë bërë kërkesë për qasje në dokumente publike në ministri dhe KEK duke kërkuar kontratën e nënshkruar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Turke Limak-Calik, në shumë prej 26.3 milion euro. Ministria ka refuzuar qasjen në këtë dhe kontrata tjera nga privatizimi duke thënë se janë dokumente të klasifikuara.

GAP paraqiti padinë e tij më 3 qershor 2013 në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pothuajse pas pesë vitesh, gjykata vendosi që ministria e zhvillimit ekonomik është  e obliguar që brenda 30 ditësh të lejoj qasje në dokumentet e kërkuara.

Agron Demi, analist i politikave në GAP theksoi se janë të kënaqur duke arritur këtë objektiv që ka për qëllim rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë në procesin e privatizimit dhe sektorit të energjisë. “Fatkeqësisht, aktgjykimi nuk ka ndonjë ndikim në proceset që vetëm se kanë kaluar,” Demi i tha AGK-së.

Ai shtoi se verdikti ka sjellur në vëmendje tri pika që përfshijnë, draft dokumentet konsiderohen dokumente publike, nëse këto dokumente janë me interes publik – institucionet nuk munden më të thirren në konfidencialitetin e tyre dhe ndërmarrjet publike janë subjekt i ligjit për qasje në dokumente publike.

Demi tha se zyra e tyre do të dërgoj një kërkesë tek ministria e zhvillimit ekonomik për të pasur qasje në pesë dokumente të rëndësishme sa i përket procesit të privatizimit të KEDS-it, duke përfshirë kontratën finale ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit fitues.

Në reagimin e konsorciumit të OJQ-ve thuhet se ministria po ashtu e ka mbajtur të fshehur nga publiku listën e aseteve nga privatizimi i KEDS-it. Lista përfshinte katër hidro-centrale që janë shitur në mënyrë të fshehur madje edhe nga Kuvendi i Kosovës.

“KOSID vlerëson se mos-qasja në asetet e KOSID-it në kohën kur është bërë kërkesa, do të mund të parandalonte dëmtimin e interesin publike”, thuhet në kumtesën për shtyp të KOSID.

KOSID shprehu zhgënjimin se aktgjykimi nuk ka ofruar dënimet për institucionin dhe personat përgjegjës që kanë bllokuar qasjen në dokumente publike, siç parashihet me ligj.

Gjykata Themelore në Pejë vendos në dobi të gazetarit

0
Foto: Pixabay

PRISHTINË, 03.01.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përshëndet aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, për zgjidhjen e kontestit gjyqësor të çështjes civile ndërmjet gazetarit të Gazetës Express, Berat Buzhala dhe kompanisë “Devolli Corporation”. Në bazë të këtij aktgjykimi, kompania “Devolli Corporation”, detyrohet t’i paguaj kompensim gazetarit Buzhala në vlerë prej 15.000.00 € për fushatën fyese të bërë ndaj tij me anë të stendave afishuese me datë 02.03.2015.

AGK inkurajon edhe gjykatat tjera në vend që brenda afateve të parapara me Ligj t’i trajtojnë rastet gjyqësore në të cilat janë të përfshira mediet dhe gazetarët. Konsiderojmë se procedimi dhe zgjidhja e këtyre rasteve nga ana e gjyqësorit ndikon drejtpërsëdrejti në krijimin e një ambienti me të sigurt në punën e përditshme të gazetarëve si dhe në rritjen e profesionalizimit të mediet.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ju bënë thirrje kolegëve gazetarë dhe profesionistëve tjerë medial, të cilët janë të përfshirë në konteste gjyqësore, konteste këto të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti me punën e tyre profesionale ta informojnë AGK-në, në mënyrë që kjo organizatë të mund t’i monitoroj dhe të raportoj nga afër për këto procese gjyqësore.

AGK reagon për vendimin e gjykatësit për moslejim të mediave për të mbuluar gjykimin ndaj katër deputetëve

0

PRISHTINË, 20.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon largimin e gazetarëve nga seanca në rastin ndaj deputetëve të Vetëvendosjes. Largimi i gazetarëve nga seanca është veprim i papranueshëm dhe paraqet tendencë për kufizim të mediave në raportimin për këtë proces gjyqësor.

AGK kërkon nga gjyqtari Beqir Kalludra që të tërheq këtë vendim dhe të mos ketë përsëritje në të ardhmen. Konsiderojmë se rasti i deputetëve paraqet interes të lartë për opinionin publik dhe kufizimi i qasjes së gazetarëve cënon një nga të drejtat kushtetuese, të drejtën për tu informuar. Po ashtu Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet që të ngrit zërin në këtë rast duke insistuar në transparencë nga gjyqtarët dhe gjykatat.

AGK ka kundërshtuar edhe në të kaluarën kundër rasteve kur gjyqtarët kanë vendosur t’i largojnë gazetarët, posaçërisht në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.

Frikësimi i familjes së gazetares nga zyrtari publik

0

PRISHTINË, 19.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër frikësimin e shkaktuar ndaj familjes së gazetares Saranda Ramaj nga një zyrtar publik. AGK është njoftuar nga anëtarja jonë, Saranda Ramaj se një person ka shkaktuar frikësim ndaj anëtarëve të familjes së saj gjatë kohës kur gazetarja Ramaj nuk ishte në shtëpi.

“Ejup Simnica, auditor në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm edhe pse person i panjohur për familjen time ai ka shkuar në shtëpinë time në Radavc të Pejës dhe prindërve të mi u ka lënë një vizitë kartë duke u thënë që të mos vazhdoj më të raportoj për të” tregon Ramaj ndër të tjera. Ajo ka njoftuar AGK-në se rasti tashmë është raportuar në Policinë e Kosovës.

Ramaj thekson se paraqitja e zyrtarit shtetëror tek familja e saj ka të bëjë me shkrimet e saj për bashkëshorten e Simnicës dhe si pasojë e shkrimeve është dënuar nga dy shkallë të gjykatës.

Ajo shtoi edhe një arsye të vizitës së tij të paparalajmëruar tek familja për shkak të një hulumtimi që ajo ka bërë në lidhje me punën e tij. Ramaj theksoi se ka hulumtuar një tender të jashtëligjshëm në Prokurorinë e Shtetit. Shkeljet e ligjit janë evidentuar edhe nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit, autor i së cilit është Ejup Simnica por të gjeturat janë larguar në raportin final. “Gazeta ka publikuar të dy raportet edhe draft raportin edhe raportin përfundimtar, ndërsa jemi në hulumtim e sipër të ndërlidhjes se mosarrestimit të zyrtares që është bashkëshortja e auditorit dhe fshehjen e shkeljeve nga auditori,” tha Ramaj.

Ky lloj frikësimi përpos se është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gazetarëve, po ashtu është kërcënim i kamufluar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njëkohësisht fton Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë dhe gjykojnë rastin sipas ligjeve në Kosovë dhe duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Raporti i PEC: 97 punëtorë të mediave të vrarë më 2017, një rënie prej 24 për qind

0

GJENEVË,  18.12.2017. – Për herë të parë që nga viti 2008 Press Emblem Campaign (PEC) ka regjistruar më pak se 100 fatalitete në mesin e punëtorëve mediatik në mbarë botën. Prej fillimit të vitit 2017, 97 gazetarë janë vrarë në 28 shtete, një zvogëlim prej 24 për qind të viktimave në media, thuhet në raportin vjetor të PEC-it.

Sipas kritereve të njëjta, PEC ka vërejtur që 127 gazetarë janë vrarë në vitin 2016 (pa viktimat e dy aksidenteve fatale me aeroplanë), 135 më 2015, 138 më 2014, 129 më 2013, 141 më 2012, 107 më 2011, 110 më 2010, 122 më 2009, 91 më 2008, 115 më 2007 dhe 96 më 2006. Për dhjetë vite, nga viti 2008 e deri më 2017, këto shifra mbledhin 1.197 punëtorë medial të vrarë, një mesatare prej 119 për vit dhe 2.3 për javë.

Sekretari i përgjithshëm i PEC, Blaise Lempen theksoi se ky zvogëlim i numrit është inkurajues. Është për shkak të mobilizimit të rëndësishëm duke përfshirë të gjitha masat e marra nga bashkësia ndërkombëtare siç janë rezolutat e anëtarëve të OKB-së, plani i veprimit të UNESCO-së, puna e OJQ-ve, masat e ndërmarra në nivele kombëtare për të luftuar mosndëshkueshmërinë, e të cilat të gjitha së bashku kanë dhënë fryte. Lempen shpreson se ky momentum vazhdon edhe në 2018.

Sidoqoftë, numri është ende shumë i lartë. Situata është përkeqësuar këtë vit në Meksikë, Irak, Indi, Afganistan. Krahasuar me vitin e kaluar përmirësimet janë dëshmuar në Siri, Guatemalë dhe Brazil.

Shtetet më të rrezikshme

Meksika ka numrin më të madh me 14 vrasje të gazetarëve që nga janari, Iraku me 9, Afganistani me 8, dhe me nga shtatë në Indi dhe Pakistan. Këto pesë shtete përfaqësojnë afër gjysmën e të vrarëve prej 45 sosh.

Filipinet dhe Siria vijojnë me nga 6 të vrarë, pastaj nga 5 gazetarë të vrarë janë shënuar në Somali, dhe 4 në Honduras.

Tre gazetarë janë vrarë në Nigeri, Rusi, Turqi dhe Jemen. Nga dy gazetarë të vrarë janë shënuar në: Kolumbi, Guatemala, Republika Dominikane dhe Peru. Nga një gazetarë janë vrarë në: Angolë, Bangladesh, Brazil, Kili, Danimarkë, Maldive, Malta, Mianmar, Papua Guinea e Re, Salvador dhe Sudani Jugor.

Aksidentet (bombat vetëvrasëse, eksplozivë, shkëmbim zjarresh nga armët) ishin përgjegjëse për vdekjen e një të tretës së viktimave, gjersa dy të tretat ishin cak i qëllimshëm.

Më shumë gra të vrara

Numri i gazetareve të vrara është ngritur shumë: nga 5 në 2016 në 16 të vrara më 2017, me siguri sepse më shumë gra gazetare janë duke punuar në situate të rrezikshme.

Sipas rajonit, Azia paraqitet si rajoni më i prekur me 32 gazetarë të vrarë, e pasur nga Amerika Latine e 29 të vrarë, pastaj Lindja e Mesme (përfshirë Turqinë) me 21, Afrika me 10 dhe Evropa me 5 gazetarë të vrarë.

Gjatë shtatë viteve luftë në Siri së paku 108 gazetarë janë vrarë. Gjatë periudhës së njëjtë (2011-2017) Meksika ishte vendi i dytë më i rrezikshmi me 72 gazetarë të vrarë. Iraku ishte shteti i tretë më i prekuri me 71 të vrarë.

PEC gëzohet në përparimin për mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare me miratimin unanim të rezolutave të OKB-së që merren me sigurinë e gazetarëve duke u bërë thirrje shteteve të angazhohen në një mënyrë që do të ndiqen me masa konkrete.

PEC përshëndet miratimin në nëntor nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), organizata udhëheqëse botërore në mbarë botën e një projekt-konvente për forcimin e mbrojtjes së gazetarëve.

Presidenti i PEC Hedayat Abdel Nabi tha me këtë rast se një mundësi e madhe është përpara komunitetit të medias për të shkruar historinë, dhjetë vjet pasi PEC-i nisi projekt-konventën për Mbrojtjen e Gazetarëve. Sot gëzojmë që IFJ-ja ka lëvizur në të njëjtin drejtim, shpresojmë që Konventa të miratohet në vitin 2018 dhe jo në vitin 2028, kur të miratohet, do të jetë një lajm i fundit dhe një ngushëllim i madh për shumë gazetarë që punojnë në terren, si dhe për gazetarët e lirë.

Për listën e viktimave ju lusim që të konsultoheni në www.pressemblem.ch

 

AGK dënon linçimin publik ndaj gazetares Arta Avdiu

0

PRISHTINË, 16.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër linçimin publik ndaj gazetares Arta Avdiu nga Këshilltarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Rafuna.

Asamblistja Rafuna, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar pa bazë gazetaren Arta Avdiu për lidhje të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, duke përdorur një fotografi nga jeta private e saj.

AGK konsideron se gjuha e tillë denigruese dhe shpifjet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cënojnë rëndë kredibilitetin e gazetarëve dhe lirinë e medieve.

Kjo gjuhë, e cila vjen nga një përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve është shqetësuese dhe e rrezikshme për demokracinë në vend.

AGK kërkon nga këshilltarja Rafuna që ta heq sa me parë këtë postim dhe të kërkoj falje publike ndaj gazetares Arta Avdiu ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës të distancohet nga kjo formë linçimi ndaj gazetarëve.

AGK dënon kërcënimin ndaj gazetarit Agim Ademi

0

PRISHTINË, 15/12/2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga anëtari Agim Ademi korrespondent i së përditshmes Koha Ditore, se ndihet i kërcënuar dhe i shantazhuar nga qytetari Naim Gashi, për shkak të shkrimeve të tij lidhur me një proces gjyqësor.

Ademi ka treguar se Gashi ka një kohë të gjatë që i bënë presion për shkak të shkrimeve që ai i ka shkruar në lidhje me të.

Presioni i fundit vjen pas artikullit të botuar në Koha Ditore me fokus në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë që Naim Gashi të lajmërohet te qendra korrektuese në Dubravë për mbajtjen e dënimit prej nëntë muajsh me burg.

“Pse po bënë shkrime për mua, a shumë ishe në zor me shkrujtë për urdhëresën e gjykatës. Hajt se tash edhe unë e kryej punën time”, kishte thënë Gashi përmes një telefonate më 9 dhjetor 2017, citon gazetari Agim Ademi.

Për AGK-në kjo është e papranueshme dhe kërkon hetim të shpejt të këtij rasti si dhe marrjen e masave të parapara me ligj.

AGK dënon sjelljen e pahijshme të zyrtares policore ndaj gazetarëve

0

PRISHTINË, 08.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim raportimin e anëtarëve të vet, të cilët gjatë ditës së enjte, deri sa po mbahej shqyrtimi gjyqësor ndaj deputeteve të Vetëvendosjes kanë pasur një trajtim mjaft të vrazhdë dhe aspak korrekt nga ana e rreshterës së Policisë së Kosovës, Dafina Gashi – përgjegjëse për sigurinë e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Oficerja Gashi pa ndonjë arsye të qëndrueshme, pas përfundimit të seancës gjyqësore, ka urdhëruar policët tjerë që ta shoqërojnë njërin gazetar, Mentor Gjergjaj. Ai u dërgua në një nga sallat në Pallatin e Drejtësisë dhe i cili u përball me presion verbal nga zyrtarja policore Gashi. “Nuk ki nevojë mem kallxu ti mu a me bërtit apo jo. Kush je ti?”, Gashi i tha gazetarit kur ky i fundit i ka kërkuar që të ulë tonin gjatë komunikimit.

Zyrtarja policore ka urdhëruar policët tjerë që t’i marrin informatat personale nga gazetari pa dhënë asnjë shpjegim për një veprim të tillë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon çdo presion verbal dhe trajtim jo adekuat që ju është bërë gazetarëve gjatë punës së tyre, deri sa po raportonin nga seanca gjyqësore, që ishte e hapur për mediet dhe publikun.

Konsiderojmë se një sjellje dhe presion i tillë, përbën cenim të drejtpërdrejtë në punën e gazetarëve. Andaj, AGK ju bënë thirrje të gjithë mekanizmave ligj-zbatues në vend që të kenë konsideratën për punën e gazetarëve dhe t’i trajtojnë ata me respekt dhe në mënyrë të dinjitetshme.