Home Blog

Certifikimi i gazetarëve të Akademisë për Integritetin e Informacionit

0

Prishtinë – 18 Korrik 2024 – Gazetarët e Akademisë për Integritetin e Informacionit u certifikuan pas përfundimit me sukses të gjashtë moduleve dhe vizitës studimore, projekt ky i NDI Kosovo, e mbështetur nga USAID Kosovo, në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Nancy Soderberg, Drejtore e Lartë Rezidente, NDI Kosova hapi ngjarjen me një fjalim urimi, duke theksuar arritjet e pjesëmarrësve.

Sot, ne njohim jo vetëm punën tuaj të palodhur dhe përkushtimin, por edhe të ardhmen e ndritur që përfaqësoni për fushën e gazetarisë“, tha ajo.

Ajo shtoi më tej për rëndësinë e programit të trajnimit me gjashtë module që pajisi gazetarët e rinj me aftësi të rëndësishme për peizazhin modern të medias.

“Ndërsa vazhdoni rrugën tuaj në karrierë, mbani mend se roli juaj si gazetarë nuk është vetëm të informoni por të frymëzoni, të edukoni dhe të sillni ndryshime pozitive. Sot, ne festojmë ndikimin e jashtëzakonshëm që do të keni në botë si gazetarë të përkushtuar ndaj integritetit dhe së vërtetës,” shtoi ajo.

Xhemajl Rexha, Kryetari i AGK-së, shprehu vlerësimin e vazhdimit të akademisë për vitin e dytë.

“Jemi të lumtur që po vazhdojmë akademinë për vitin e dytë radhazi. Këto trajnime kanë qenë të vlefshme, veçanërisht duke pasur mundësinë për të fituar njohuri nga trajnerë vendas dhe ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Pas fjalimeve, 15 gazetarë u certifikuan për përfundimin e Akademisë për Integritetin e Informacionit.

Ngjarja vazhdoi me Konferencën “Hapësira për Gazetarët e Rinj në Media,” e moderuar nga Florandë Morina, redaktore njëherësh Anëtare e Bordit të AGK-së.

Paneli përfshinte Getoarbë Mulliqi, Drejtore Ekzekutive dhe Hulumtuese në AGK, Selamir Qerimi, gazetar, Agnesa Qorri, gazetare e pavarur dhe pjesëmarrëse e Akademisë për Integritetin e Informacionit, si dhe Naim Kryeziu, gazetar.

Gjatë konferencës, Qorri theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në trajnime si gjatë ashtu edhe pas arsimimit formal. Ajo theksoi se pjesëmarrja në programet e trajnimit të realizuara nga AGK, duke përfshirë edhe Akademinë për Integritetin e Informacionit, i siguroi jo vetëm njohuritë më të fundit mbi integritetin e informacionit, por edhe mundësi për të rrjetëzuar me gazetarët e rinj.

Si gazetar i ri, Naim Kryeziu, kërkoi më shumë mundësi për gazetarët e rinj për të treguar talentet e tyre në profesionin e gazetarisë.

Në shoqërinë tonë, ku e vërteta është e vështirë për t’u besuar, është e vështirë të jesh gazetar, sidomos gazetar i ri“, tha Selamir Qerimi.

Getoarbë Mulliqi prezantoi të dhëna nga rrjeti SafeJournalists, duke theksuar se mosha mesatare e gazetarëve në Kosovë është më e reja në rajon.

Ngjarja përfundoi me nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me shtatë gazetarë të mediave lokale në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të gazetarisë lokale.

AGK-ja dënon sulmin kibernetik ndaj “Sbunker”

0

Media online “Sbunker”, ka njoftuar se sot ka qenë cak i një sulmi të madh kibernetik, që ka cenuar përmbajtjen e saj.

Sbunker dëshiron të informojë publikun se sot, më 16 korrik, faqja e tij www.sbunker.org pësoi një sulm kibernetik të koordinuar dhe të sofistikuar. Uebfaqja është kthyer dhe po punojmë për të rikuperuar përmbajtjen e cila është komprometuar përkohësisht. Megjithëse qemë në gjendje të ruanim shumicën e përmbajtjes sonë, sulmuesit arritën të fshijnë përmbajtjen e katër muajve të fundit. Vlerësimi i plotë i dëmeve të shkaktuara nga ky operacion keqdashës është ende në vazhdim. Megjithatë, duke gjykuar nga përmasat dhe sofistikimi i sulmit, mund të konkludojmë se ky operacion u krye nga një grup profesionistësh”, thuhet në njoftim.

AGK-ja, e dënon sulmin dhe e sheh si përpjekje kundër lirisë së medies dhe shprehjes në Kosovë.

AGK-ja, e fton Njësinë Kibernetike të Policisë së Kosovës që të hetojë rastin me prioritet dhe ta informojë median në fjalë për rezultatin e hetimeve.

AGK-ja i kërkon Presidentes qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po ndjek me interesim reagimet pas miratimit javën e kaluar të Ligjit për KPM-në, nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.

AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve.

Mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE.

AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Kurti, e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.

Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre.

Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës.

AGK-ja, bën thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

Në këtë link mund të gjeni vërejtjet kryesore:  https://tinyurl.com/5bctfvtu 

Bordi i ri i AGK-së, mbanë mbledhjen e parë të mandatit trevjeçar

0

Në udhëheqje me Kryetarin e rizgjedhur, Xhemajl Rexha, Bordi i ri i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i votuar nga Kuvendi i Anëtarëve më 6 korrik 2024, ka mbajtur mbledhjen e parë të mandatit.

Rexha së bashku me Nënkryetaren e AGK-së, Naile Dema Selmani dhe anëtaren e rizgjedhur, Florandë Morina, informuan kolegët për angazhimin e deritanishëm të organizatës, projektet të cilat janë duke u implementuar, organizatat vendore e ndërkombëtare që e mbështesin AGK-në, si dhe diskutuan ide të reja për përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve, e të tjera.

Në Kuvendin e 6 korrikut, Anëtarë të Bordit të AGK-së, u votuan: Naile Dema Selmani (Radio Dukagjini), Milot Hasimja – (Klan Kosova), Florandë Morina (T7), Blerta Dalloshi (TV Klan), Mehmet Krasniqi (TV Dukagjini), Fatlum Jashari (ATV), Jehona Hulaj (Telegrafi) dhe Besnik Velija (Gazeta Express).

Lirohet kameramani i “Betimi për Drejtësi”, u pyet si i dëmtuar

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e mirëpret lirimin e kameramanit të “Betimi për Drejtësi”, pas mbajtjes së tij më herët gjatë ditës në Prizren.

Media ku punon Arianit Tahiri ka njoftuar se ai është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa dëshmi si dëshmitare për këtë rast ka dhënë edhe gazetarja e “Betimi për Drejtësi”, Alberta Hashani.

“Betimi për Drejtësi” kërkon nga institucionet e sistemit të drejtësisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, që të marrin masa që rastet e tilla të pengimit të punës së gazetarëve dhe kameramanëve mos të përsëriten, pasi që legjislacioni pozitiv garanton ushtrimin e profesionit të profesionistëve të mediave si dhe mbron në mënyrë adekuate pajisjet e punës së tyre. Njëherit, për gjithë këtë situatë të krijuar, “Betimi për Drejtësi” fton Prokurorin e Shtetit që të adresojë përgjegjësinë e prokurorit Nixha dhe stafit të lokalit në Prizren, që kanosën dhe kundërligjshëm privuan nga liria kameramanin Tahiri.”

AGK-ja, i bashkohet thirrjes së “Betimit për Drejtësi” për hetime të plota për incidentin dhe marrjen e masave ndaj të gjithë përgjegjësve, në mënyrë që të mos përsëritet në asnjë rrethanë kufizimi dhe frikësimi i gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre.

Arrestohet dhe shoqërohet në Polici, kameramani i “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është alarmuar me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit të medias “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.

Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani, duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve në Prizren.

Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty. Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm. Pas arritjes së Policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj, dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për deklaratë.

AGK-ja, e dënon fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës, kërkon lirimin e menjëhershëm të Tahirit, lirimin e mjeteve të punës si dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.

Gjuhë e urrejtjes ndaj gazetarit Rid Berisha

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka përcjellur me shqetësim disa postime online që kanë targetuar gazetarin, Rid Berisha, nga KosovaLive.net.

Berisha e ka njoftuar AGK-në, se një punonjës i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka shkruar me gjuhë të urrejtjes ndaj tij dhe ka nxitur edhe të tjera komente kundër, duke bashkuar disa foto të Berishës, duke bërë homazhe për sulmet e 7 tetorit në Izrael.

Për AGK-në, gjuha fyese dhe linçuese ndaj gazetarëve është e papranueshme.

AGK-ja, e fton Bashkësinë Islame të Kosovës të distancohet nga gjuha që fton për mos durim fetar në Kosovë.

Karikaturat e Ekspozitës për Lirinë e Medias i dhurohen Departamentit të Gazetarisë në UP

0

Të premten e kaluar, në ditën e fundit të misionit të saj në Kosovë, Ambasadorja e Holandës, Carin Lobbezzo, së bashku me Drejtoren Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhuruan karikaturat e Ekspozitës për Lirinë e Medias për Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Lobbezzo dhe Mulliqi u mirëpritën nga Shefi i Departamentit të Gazetarisë, Muhamet Jahiri, profesorët Alban Zeneli e Arben Fetoshi, si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik.

Karikaturat që u ekspozuan në Lapidarimuin e Muzeut Kombëtar nga 29 prilli deri më 3 maj, në nder të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, gjenden të ekspozuara në hapësira të ndryshme në kuadër të departamentit, përfshirë sallat e mësimit dhe të praktikës.

Kujtojmë se kjo ekspozitë u realizua në kuadër të konkursit për karikatura të Ballkanit Perëndimor. Nga gjithsej 186 aplikime të 96 artistëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, u përzgjodhën 44 karikatura.

Vendin e parë e kishte fituar Dusan Petricic nga Serbia, teksa vendin e dytë, kolegu nga Maqedonia e Veriut, Armend Ajredini.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon Ambasadoren Lobbezzo për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm në adresimin e respektimit të të drejtave të njeriut, me theks në lirinë e medias dhe gazetarëve, si dhe respektimin e lirisë së shprehjes.