Home Blog Page 35

AGK-ja dënon pengimin në punë të ekipit të KALLXO.com në Spitalin Rajonal të Mitrovicës

0

Bordi i AGK-së e ka pranuar me shqetësim lajmin për kërcënimin dhe pengimin në detyrë të gazetares, Diellza Luzha dhe kameramanit, Blendi Shaqiri, kolegë të portalit KALLXO.com. Ekipi medial po realizonte një kronikë në oborrin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.

Ekipi i KALLXO është penguar nga tre persona të paidentifikuar, pjesë e stafit të spitalit, të cilët kanë penguar xhirimin dhe i kanë bërë presion fizik kameramanit, duke ia kufizuar ekipit lëvizjen dhe duke kërcënuar me konfiskim të paisjeve.

Një veprim i tillë për AGK-në përbën presion të papranueshëm dhe rrezikon sigurinë e gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës.

AGK-ja i bën thirrje menaxhmentit të Spitalit Rajonal të Mitrovicës që të marrë masa ndaj këtyre personave dhe të mos lejojë përsëritjen e një situate të tillë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që t’i identifikojë autorët dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të trajtuar rastin.

AGK-ja dënon kërcënimin ndaj gazetarit Bujar Vitija

0

Gazetari i portalit “gazetashneta.com”, Bujar Vitija e ka njoftuar AGK-në se është kërcënuar nga një person që supozohet se është babai i anesteziologut, Kemajl Gashi për të cilin portali ka raportuar se është dënuar nga Inspektorati Shëndetësor për shkak të lënies së vendit të punës në kohën e kujdestarisë në QKUK.

“Paske shkru diqka. Veten ski me njoft. Shum shpejt kemi mu taku”, i ka shkruar gazetarit Vitija, mes tjerash ky person. AGK-ja e vlerëson kërcënimin të rëndë dhe që rrezikon sigurinë e gazetarit.

AGK-ja kërkon nga Policia ta trajtojë me seriozitet këtë rast, pas paraqitjes nga ana e gazetarit.

AGK-ja qëndron për respektim të Kodit Etik të Mediave

0

Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.

AGK-ja e ka parasysh se kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve.

AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi.

AGK shpreh shqetësim për tentim-hyrjen me dhunë në zyrat e “Botapress”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar të premten se një person i panjohur ka tentuar të futet me dhunë në zyrat e portalit online “Botapress”.

AGK shpreh shqetësim për këtë akt ndaj kësaj medie, dhe fton Policinë e Kosovës që ta hetojë me prioritet rastin, në mënyrë që gazetarët të kenë ambient të sigurt të punës.

Gjithashtu, AGK-ja pret që Policia të zbardhë edhe motivet prapa një tentimi të tillë.

U mbajt takimi i parë i Bordit të ri të AGK-së

0

Është mbajtur sot për herë të parë takimi i Bordit të ri të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ku kanë marrë pjesë 8 nga 9 anëtarët e Bordit.

Në këtë takim u diskutua për punën, projektet dhe angazhimin e deritashëm të organizatës, në një raportim nga ish-kryetarja e Bordit, Gentiana Begolli – Pustina. Më pas, anëtarët e Bordit diskutuan projekte e ide të reja, të cilat do të shërbejnë për promovimin e mëtutjeshëm të punës së gazetarëve dhe përmirësimin e ambientit të tyre të punës.

Bordi i ri i AGK-së, në krye me gazetarin Xhemajl Rexha, u votuan më 19 korrik, në Kuvendin e AGK-së, ku morën pjesë 320 anëtarë.

Kjo është udhëheqësia e re e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, e prirë nga kryetari Xhemajl Rexha

0

PRISHTINË, 19.07.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, gjatë ditës së sotme ka mbajtur Kuvendin për Zgjedhjen e Kryetarit dhe Anëtarëve të Bordit të AGK-së.

Xhemajl Rexha është zgjedhur Kryetar i Bordit të AGK-së me 171 vota, teksa tri fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Ndërsa, anëtarë të rinjë të Bordit të AGK-së janë zgjedhur: Naile Dema Selmani me 143 vota, Albionetë Ademi me 109 vota, Besnik Latifi me 88 vota, Naim Sadiku me 83 vota, Burim Zariqi me 82 vota, Dukagjin Rudari me 78 vota, Pranvera Behluli me 67 vota dhe Mentor Buzhala me 66 vota, teksa një votë ka qenë e pavlefshme.

Pjesëmarrës në Kuvendin Zgjedhor të AGK-së ishin 320 anëtarë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon të gjithë kolegët të cilët ishin pjesëmarrës në këtë proces zgjedhor.

Xhemajl Rexha zgjedhet Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës

0

PRISHTINË, 19.07.2021 – Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, është zgjedhur Xhemajl Rexha me 171 vota.

Ndërsa, kandidati tjetër, Arton Mulliqi ka marrë gjithsej 146 vota. Tri fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.

Teksa, për anëtarë të rinj të Bordit të AGK-së do të njoftoheni me kohë pasi të numërohen të gjitha fletëvotimet marrë parasysh numrin e madh të kandidatëve për anëtarë të bordit, si dhe numrin e pjesëmarrësve në zgjedhje.

AGK: Të ndërpriten akuzat dhe gjuha nënçmuese ndaj gazetarëve

0

PRISHTINË, 18.07.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, i vlerëson të papranueshme akuzat dhe nënçmimet e zëdhënësit të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala në drejtim të gazetares së “Institutit i Kosovës për Drejtësi”, Albijona Hoxhaj dhe kolegëve të saj.

Pas raportimit të “Betimit për Drejtësi” për qasjen e Viktor Buzhales në drejtim të gazetares, Albijona Hoxhaj, Buzhala ka vazhduar të përdorë gjuhë akuzuese e ofenduese ndaj gazetarëve edhe përmes një komenti në Facebook.

“Thuani që unë paskam fyer dhe ofenduar pse një pyetje konstatuese të një gazetareje tuaj e paskam quajt qesharake… Nuk është faji im pse ju mbani në punë injorantë dhe e keni nivelin e tillë”, ka shkruar ndër të tjera Buzhala.

Krahas komentit me gjuhë ofenduese për gazetarët, Buzhala ka shkruar edhe një status në profilin e tij në Facebook, ku sipas tij Instituti i Kosovës për Drejtësi rreshtohet prapa “veprimeve potenciale kriminale”.

“I njejti “Institut”, ne emer te drejtesise eshte i rreshtuar fuqishem ne mbrojtje te krimit potencial dhe aktiviteteve potenciale kriminale. Disa here eshte ndale rryma ne Pallatin e Dresise gjate seancave te rendesisishme, si Stenta 2, ndaj Uke Rugoves apo ndaj 4 ministrave. Keto ndalesa kane be qe senacat te nderpriten. Asnje ndalese nuk ka ndodhe nga KEDS. Pikerisht, ky “Institut”, e ka kamufluar ndalesen para opinionit gjate raportimit, duke thene vetem u ndal rryma”, ka shkruar pos tjerash Buzhala.

Për AGK-në është shqetësues fakti që gazetarët janë ende pre e akuzave, ofendimeve dhe sjelljeve të tilla nga zyrtarët publikë.

AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve publikë të njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të distancohen nga akuzat, ofendimet dhe nënçmimet në drejtim të tyre.

Publikohet raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”

0

PRISHTINË, 01.07.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, sot publikoi raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”.

Raporti është hartuar nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe fokusohet në tre tregues; kornizën ligjore, pozitën e gazetarëve në dhomën e lajmeve, si dhe sigurinë e gazetarëve.

Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, ka thënë se klima e të bërit gazetari në Kosovë është shumë më e rëndë se që pasqyrohet në statistika.

“Klima e të bërit gazetari po rëndohet nga viti në vit. Nga viti në vit rastet e sulmeve në drejtim të gazetarëve po shënojnë rritje. Është shqetësues fakti që gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët edhe për hulumtime tē ndryshme hezitojnë të flasin për cenzurën, vetëcenzurën dhe shkeljen e të drejtave të tyre nga mediumi ku punojnë. Kjo na lë të kuptojmë se klima e të bërit gazetari është shumë më e rëndë sesa statistikat që ne disponojmë”.

Ndërsa, hulumtuesja e raportit, Getoarbë Mulliqi Bojaj, shpalosi para të pranishmëve të gjeturat e raportit.

“Marrë parasysh rrethanat përgjatë vitit 2020, në veçanti pas marsit është vërejtur dukshëm tendenca për sulme dhe kërcënime në drejtim të gazetarëve. Më 2018 kemi pasë 17 raste të sulmeve, më 2019 janë raportuar 21 raste, ndërsa gjatë vitit 2020 janë regjistruar 24 raste. Fatkeqësisht, kërcënimet verbale dhe linçimeve nga zyrtarë publikë e politikanë kanë shënuar rritje përgjatë vitit 2020. Teksa, legjislacioni i medieve në Kosovë është shumë i pasur, krahasuar me vendet me demokraci të avancuar, por problemi sipas njohësve ligjorë, si dhe vetë gazetarëve është implementimi i tij.”

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe Imer Mushkolaj – Drejtor ekzekutiv në KMShK, Yll Zekaj – Ekspert ligjor, dhe Dren Gërguri – Ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – KMShK, Imer Mushkolaj, e cilësoi si tejet shqetësuese vetëcenzurën e gazetarëve.

“Dy çështje që për mua janë specifike, e që e tregojnë mënyrën se si funksionojnë gazetarët, është ajo çka e nxjerr raporti sa i përketë vetëcenzurës së gazetarëve për shkak se në bazë të fokus grupeve dhe bisedave që janë zhvilluar me gazetarë del se gazetarët jo që kanë presione të drejtpërdrejta nga menaxherët brenda medieve ku ata punojnë, por kanë një lloj vetëcenzure të kuptueshme. Pra gazetarët e dinë se cilat tema nuk duhet t’i prekin, e dinë cilat subjekte qoftë biznesore, qoftë politike nuk duhet t’i prekin për shkak se në këtë mënyrë cenohet interesi i pronarit/mediumit. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh për shkak se këtu flasim për një presion jo të drejtpërdrejt por të them më ‘elegant’, në mënyrë që gazetarëve tu bëhet e qartë se çfarë nuk duhet të shkruajnë”.

Eksperti ligjor, Yll Zekaj, theksoi se gjetjet e raportit duhet të jenë udhërrëfyes për institucionet e vendit dhe të gjithë akterët e përmendur në raport.

“Gjetjet e këtij raporti duhen me qenë udhërrëfyes për ata që e gjejnë vetën brenda këtij raporti dhe për institucionet e Kosovës, e sidomos për udhëheqësit e mediave në bazë të gjetjeve që kanë dalë nga ky raport. Kur një konstatim i tillë për bazën ligjore bëhet nga vetë gazetarët, unë nuk kam se çka të them tjetër përveçëse ta konfirmoj atë se kemi një bazë ligjore të mirë në letër që ofron mbrojtje qoftë për gazetarët, qoftë për kritikat në drejtim të gazetarëve, por që është krejtësisht ndryshe në praktikë, kemi probleme të zbatueshmërisë në praktikë”.

Teksa, Dren Gërguri – Ligjërues në Universitetin e Prishtinës e vlerësoi punën e AGK-së në evidentimin e saktë të klimës së të bërit gazetari në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka puna e gazetarit, nëse shoqëria edhe më herët ka pasë luhatje rreth rëndësisë së profesionit të gazetarëve për një shoqëri. Besoj se pandemia na ka treguar se sa e rëndësishme është gazetaria dhe sa i rëndësishëm është informacioni i saktë dhe i drejtë sepse në pandemi kur të gjithë kërkonin të kishin informacione të sakta, të gjithë i kthyem sytë nga gazetarët. Ata na informonin dhe ne i kthyem sytë nga njerëzit që kanë një pagë e cila nuk iu mjafton për të bërë jetë në këtë vend”.

Raportin e plotë mund ta shfletoni në këtë link.