Home Blog Page 36

Nga nesër gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim

0

PRISHTINË, 30.06.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK, njofton të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët se që nga nesër do të mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër COVID 19.

Kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sot komiteti respektiv ka marr vendim per perfshirje te Gazetareve me prioritet per imunizim! Me siguri qe nga neser edhe platforma e – Kosova do e mundesoj versionin me kete ndryshim, dhe do njoftoheni sapo te jete bere perditesimi i ndryshimit ne platformen e cekur”, thuhet në njoftimin e ministrisë për AGK-në.

AGK-ja e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave. E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne.

Ambasada Amerikane në Prishtinë përkrah AGK-së në mbrojtjen dhe promovimin e gazetarisë cilësore në Kosovë

0

PRISHTINË, 24.06.2021 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, dje priti në takim përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Prishtinë në krye me Eric Brassil – Zëdhëndës i Ambasadës Amerikane.

Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit në mes të AGK-së dhe Ambasadës Amerikane, për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes, ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve, krijimin e një ambienti më të mirë të të bërit gazetari dhe luftimin e padrejtësive ndaj kolegëve tanë.

Begolli Pustina e vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Ambasadës Amerikane dhënë AGK-së dhe komunitetit që organizata përfaqëson, duke i falënderuar ata për besimin e dhënë më 3 maj – Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.

AGK, PK dhe përfaqësues të mediave me nismë të përbashkët në parandalimin e aksidenteve dhe në sensibilizimin e çështjeve jetikepër sigurinë e qytetarëve

0

PRISHTINË, 15.06.2021- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – PK, sot, mbajtën takim me kryeredaktorët dhe redaktorët e mediave në vend, me qëllim të fillimit të një nisme për parandalimin e aksidenteve dhe publikimin e veprave të ndryshme penale.

Të pranishëm në këtë takim ishin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti, Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, Drejtori i Operacioneve në PK, Gazmend Hoxha, Zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani dhe Drejtori i Divizionit të Trafikut Rrugor në PK, Nënkolonel Jeton Rexhepi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, theksoi rëndësinë e madhe që kanë mediat tek vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e aksidenteve, kundërvajtjeve dhe veprave të ndryshme penale.

Fokusi ynë është të bashkëpunojmë me mediat në ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të komunikacionit. Ajo çfarë ju mund ta arrini me vetëm një kronikë apo shkrim, ne nuk mund ta arrijmë as me shqiptimin e 20 mijë gjobave. Andaj, ndihma juaj në këtë aspekt është e pamohueshme“.

Teksa, Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, tha se përkushtimi i gazetarëve për të raportuar për të mirën e qytetarëve veçse është dëshmuar gjatë raportimeve për çështje të ndryshme si politike, shoqërore, ekonomike e sociale.

Gazetarët, kameramanët, fotoreporterët dhe punonjësit e tjerë medialë, tashmë e kanë dëshmuar se kur është në interes të publikut ata nuk e kursejnë vetën e tyre e as familjen. Pra, një gjë të tillë e kanë dëshmuar edhe përgjatë kohës së pandemisë dhe padiskutim se do ta dëshmojnë edhe me rastin e kësaj nisme të përbashkët me PK-në, ku gazetarët do të mundohen që përmes punës së tyre të parandalojnë çdo rrezik në komunikacion, marrë parasysh që ditëve të fundit kemi pasë aksidente me pasoja fatale dhe po ashtu do ta tregojnë rolin e qytetarëve për të bërë qytetari aktive.”

Gjatë takimit me përfaqësues të medieve, kryeredaktorë e redaktorë u diskutua po ashtu bashkërendimi i aktiviteteve në sensibilizimin e opinionit, realizimi dhe publikimi i spoteve sensibilizuese për sigurinë në trafik, dhuna në familje, parandalimi i narkotikëve, ngacmimet seksuale e të tjera.

Përfaqësues të AGK-së pjesëmarrës në konferencën dyditore ”DISICON”, organizuar nga NDI dhe USAID

0

PRISHTINË, 14.06.2021 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, javën e kaluar ishte pjesë e panelit diskutues në konferencën dyditore “DISICON”, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik – NDI dhe në partneritet me USAID.

Hapjen e konferencës për Integritetin e Informacionit “DISICON”, e bëri Drejtorja e Lartë Rezidente për NDI në Kosovë, Ambasadorja Nancy Soderberg. Teksa, Ambasadori amerikan, Phillip Kosnett dhe Presidenti i NDI-së, Derek Mitchell, mbajtën fjalët hyrëse me ç’rast theksuan rëndësinë e ruajtjes së integritetit të informacionit për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë.

Në panelin e dytë të kësaj konference u diskutua për praninë dhe përhapjen e dezinformimit, profesionalizmin në industrinë e medias, çështjet ligjore dhe rregullative, rolin e medieve sociale në përhapjen e dezinformimit, si dhe përpjekjet e nevojshme për t’i luftuar këto dukuri.

Kryetarja e Bordit të AGK-së, Begolli Pustina theksoi se përhapja e dezinformatave më së shumti bëhet si rrjedhojë e kërkesave nga udhëheqës të politikave redaktoriale brenda mediumeve ose nga vet pronarët e medieve, dhe atë ekskluzivisht për interesa të ndryshme politike, ekonomike etj.

“Ajo se çfarë kam parë nga këndvështrimi im si gazetare por edhe në cilësinë e përfaqësueses së AGK-së, është se përgjatë afro një viti e gjysmë që shteti ynë ballafaqohet me pandeminë kanë qenë të pakta rastet kur ka pasur ‘fake news’, edhe pse po ballafaqohemi me nje pandemi me shumë të panjohura edhe për vet OBSH-në. Ndërkaq, nëse flasim për një muaj fushatë zgjedhore, atëherë mund të shohim afro qindra sosh. Kjo dëshmon që gazetarët dijnë se si ta bëjnë punën e tyre, por janë faktikisht pronarët apo eprorët që përcaktojnë politikat editoriale ato që tentojnë që përmes punës së gazetarëve t’i shtyjnë përpara agjendat e caktuara. Pra, nuk kemi të bëjmë me mungesën e njohurive të gazetarëve për ta kryer punën e tyre, por kemi të bëjmë me çështjen e interesave të disa pronarëve të medieve, të cilat tentojnë t’i shtyejnë para përmes gazetarisë”.

Pjesëmarrës të konferencës dyditore “DISICON”, ishin amabasadorë, drejtorë të organizatave joqeveritare, përfaqësuesë të intitucioneve, pjesëtarë të shoqërisë civile, gazetarë dhe njohës të medieve.

Tema kryesore e këtij viti në konferencën dyditore “DISICON”, ishte “Rritja e dezinformimit në demokracinë digjitale”.

AGK e shqetësuar për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj nga Prokuroria Themelore në Gjakovë

0

PRISHTINË, 21.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është tejet e shqetësuar që edhe pas reagimit në rastin e ftesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë drejtuar gazetarit Mentor Gjergjaj, nuk është marrë parasysh kërkesa që gazetarët të mos ndiqen për shkak të ushtrimit të profesionit të tyre.

AGK është njoftuar që, megjithëse ka kërkuar që të tërhiqet ftesa ndaj Gjergjajt për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, Prokuroria e Shtetit, përmes Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kundërligjshëm kanë urdhëruar intervistimin e tij si gazetar, në cilësinë e të dyshuarit, në bazë të një Kallëzimi Penal, të paraqitur ndaj tij nga i njëjti person i cili para 3 vitesh, gjegjësisht më 3 maj 2018, e ka kanosur ekipin e gazetës Express.

Për më tepër, sipas Gjergjajt, Kallëzimi i paraqitur Penal, nuk përmbante asnjë datë të shënuar se kur është dorëzuar apo ditë të hartimit të tij, me anë të së cilit Prokuroria e ka cilësuar atë si të dyshuar, gjë që për shumë arsye të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ka shumë rendësi gjatë procedurës hetimore.

Meqenëse këto ftesa nga Prokuroria së fundmi janë kthyer në praktikë, AGK, më 19 maj, përmes një kërkese dërguar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar që të kërkojë nga institucionet që kanë për mision zbatimin e ligjit të veprojnë konform ligjeve në fuqi dhe të respektojnë liritë dhe të drejtat e gazetarëve, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Repulikës së Kosovës.

Ne gjithashtu kemi kërkuar nga z. Lumezi që të ndërmarr masat e duhura ndaj Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe Prokurorit të rastit.

Të nesërmen, AGK ka pranuar letër nga Zyra për Komunikim Publik në Prokurorinë e Shtetit, ku thuhej: “Pas pranimit të emalit tuaj, ne kemi kërkuar informacione nga prokurori i rastit, i cili na ka njoftuar se për rastin konkret nuk ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve por është duke e kryer verifikimin e detyrueshëm ligjor të pretendimeve të paraqitura në kallëzimin penal nga një qytetar ndaj gazetarit në fjalë për incizim të paautorizuar.”

AGK rikthekson se ftesat e këtilla janë skandaloze dhe kanë tendencë të kërcënojnë dhe të heshtin gazetarët. Ndërsa, ne ftojmë gazetarët që të mos dorëzohen përballë shantazheve të tilla.

AGK edhe më tutje do të vazhdojë të monitorojë rastin dhe ftojmë Kryprokurorin e Shtetit, z. Lumezi të dalë me një sqarim publik lidhur me këtë veprim të kundërligjshëm në raport me gazetarin Gjergjaj.

Shkeljet si këto përbëjnë rrezik dhe tundin themelet e një shoqërie demokratike.

AGK: Prokuroria duhet të tërhiqet nga ftesa për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj

0

PRISHTINË, 17.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, që nga dita e shtunë (15 maj), i ka përcjellë me shqetësim zhvillimet në lidhje me rastin e gazetarit, Mentor Gjergjaj, i cili me urdhër të Prokurorisë Themelore në Gjakovë është ftuar për tu paraqitur këtë të martë, në stacionin e Policisë në Gjakovë për tu intervistuar për një rast që lidhet me një artikull të botuar nga gazetari më 3 maj 2018, në Gazetën Express.

Gjergjaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit nga një hetues i Policisë së Gjakovës për “inçizim pa autorizim”, ndonëse siç deklaron vetë gazetari audio-inçizimi nuk është publikuar asnjëherë në medie, por është dorëzuar vetëm në prokurori si dëshmi për kanosjen që i është bërë atij atë ditë në Gjakovë, derisa po raportonte nga tereni.

“Nëse është fjala për audio-incizimin, atëherë kemi dyfish problem këtu. Ai incizimin e as pjesë të shkëputura nga aty nuk është bërë publike kurrë, as në Express as askund tjetër. Përveç në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, që unë personalisht ia kam dorëzuar një prokurori si dëshmi, siç parashihet me legjislacionin në fuqi, për kanosjen ndaj meje dhe ekipit të gazetës, atë ditë, nga një shtetas shqiptar. Bashkë me incizimin, kam dorëzuar edhe emrat e dy dëshmitarëve të rastit që sot e kësaj ditë s’janë thirrur kurrë për intervistim.”

Në komunikatën për media nga Prokuroria Themelore e Gjakovës thuhet se kallëzimi penal i ngritur nga G.A, i parashtruar në Prokurorinë Speciale në vitin 2019, ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë së Gjakovës këtë vit.

“Prokuroria e Gjakovës, Ju njofton se kallëzimi penal privat i të dëmtuarit G.A., i parashtruar në Prokurorinë Speciale në vitin 2019, ka kaluar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë në vitin 2020. Prokurori i Shtetit, më 07 maj 2021, ka ndërmarrë veprimet hetimore, për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205 paragrafi 1 të KPRK-së, ku i njëjti, në rolin e gazetarit ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit, dhe e ka incizuar në banimin e tij personal, duke cenuar privatësinë e tij. Lidhur me këtë , Prokurori i rastit, ka kërkuar intervistimin e të dëmtuarit, G.A., dhe në cilësinë e të dyshuarit Mentor Gjergjaj.”

Për AGK-në është tërësisht e papranueshme, shqetësuese dhe skandaloze ftesa për intervistimin e gazetarit Mentor Gjergjaj në cilësinë e të dyshuarit, andaj ftojmë Prokurorinë Themelore të Gjakovës të tërheqë ftesën për intervistim, meqenëse audio-inçizimi nuk është publikuar asnjëherë në medie.

Ftesat si këto, përbëjnë cënim të të drejtave të gazetarëve, lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, si dhe së fundmi janë kthyer në praktikë të ndërhyrjes së institucioneve në punën e gazetarëve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime brenda kompetencave të tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë zyrtarëve shtetërorë që të ndalin presionin dhe pengimet ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Lidhur me rastin konkret, AGK-ja do të njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare që avokojnë për të drejtat e gazetarëve.

AGK: Të ndalet gjuha denigruese në drejtim të gazetarëve

0

PRISHTINË, 17.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, e vlerëson tërësisht të papranueshme gjuhën ofenduese të zyrtares së Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, Anita Xhabiri dhe kërcënimet nga bashkëshorti i saj në drejtim të dy gazetarëve të Gazetës Express.

Anita Xhabiri, të shtunën ka ofenduar një gazetare të Gazetës Express, pasi ajo ka kërkuar qëndrim të Drejtorisë së Arsimit, pas raportimeve se një nxënëse e klasës së parë është abuzuar seksualisht nga disa nxënës të tjerë.

“A bën më ditë, a e di çfarë dite është sot. Edhe? Çfarë rasti i jashtëzakonshëm prej gazetës po thirr të shtunën? A je normal ti? Kurrë ma mos gabo me thirr në këtë numër. Hiç kurrë. Budallica e thiut”, janë fjalët me të cilat i është drejtuar Xhabiri gazetares sipas raportimeve të Gazetës Express.

Pas publikimit të lajmit për ofendimin e bërë, raportohet se redaksia e Gazetës Express të shtunën ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga bashkëshorti i Xhabirit. Ai ka kërkuar që të largohet lajmi për bashëshorten e tij, ku ka kërcënuar se nëse një gjë e tillë nuk bëhet, gazetarët do të kenë punë privatisht me të.

“E hek lajmin, une jom tu shku në polici, po nuk e hek lajmin, përveç policisë ki punë personalisht me mu. Ti ki problem me familjen tem, sjelljet apo çkado qoftë që ti shkrun, e hani m*t, atë ki problem. Kur te thirrësh gruan tem, ki problem me mu. Nuk o tu m’hangër për çka je tu e thirrë grun tem, ti je tu e thirrë gruan tem, për informata zyrtare shko n’rrotë t’samës. Këtë që e ke publiku ki qasje private me mu, jo zyrtare. E largon, unë po shkoj në polici edhe po vi te ju edhe e zgjidhim rastin menjëherë, a u kuptum?”

Pas raportimit të rastit në polici, gazetari i Gazetës Express është intervistuar në cilësinë e viktimës. Teksa, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti sipas viktimës mashkull kosovar përmes telefonit e ka kanosur viktimën i cili është gazetar. I dyshuari ka mohuar se e ka kanosur, por vetëm ka kërkuar që të fshihet një shkrim që ka të bëjë me bashkëshorten e të dyshuarit. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, bëhet e ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

Për AGK-në është shqetësuese fakti që gazetarët janë ende pre e ofendimeve dhe kërcënimeve të tilla nga zyrtarët publikë. Gjuha e tillë denigruese nga zyrtarja e komunës dhe kërcënimi i bërë në drejtim të gazetarëve nga bashkëshorti i saj është tërësisht e papranueshme dhe e cenon lirinë e shprehjes dhe medieve.

AGK-ja u bën thirrje zyrtarëve publikë që ta njohin rolin e gazetarëve në një shoqëri demokratike dhe të distancohen nga ofendimet dhe kërcënimet në drejtim të tyre. Teksa, për çfarëdo padrejtësie që mendojnë se iu bëhet t’i drejtohen organeve kompetente.

Prolongimet e rasteve në drejtim të gazetarëve vazhdojnë të jenë shqetësuese për AGK-në

0

PRISHTINË, 12.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me shqetësim ka pranuar ankesën e kolegëve tanë, Dush Gashi dhe Ali Cenaj, për prolongimin e rastit të tyre nga Gjykata e Apelit lidhur me largimin e tyre nga puna nga Gazeta Zëri në fund të vitit 2014, pas punës së tyre 14 vjeçare.

Kolegët e kanë deponuar padinë e tyrë në Gjykatën Themeore në Prishtinë më 8 janar 2015, ku i njëjti institucion ia ka aprovuar gazetarit Gashi të gjitha pikat e padisë së tij: Kthimi në punë dhe kompensimi i gjitha pagave, në ndërkohë që padia e gazetarit Cenaj është aprovuar pjesërisht, pra vetëm me kompensim të pagave, por jo edhe kërkesa e tij për t’u rikthyer në punë. Por, pas ankesës së bërë nga pala tjetër në këtë rast, Gazeta Zëri, më datë 13 shkurt 2016, kjo lëndë vazhdon të mbetet në Gjykatën e Apelit.

Në lidhje me këtë rast, AGK-ja ka dërguar pyetje në Gjykatën e Apelit, por që deri në momentin e publikimit të këtij reagimi nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.4

Për AGK-në është e patolerueshme dhe absurde vonesa për shqyrtim e kësaj lënde që tashmë është bërë më shumë se gjashtë (6) vite që nga paraqitja e saj. Prolongim i këtyre rasteve nuk arsyetohet me asgjë dhe e përkeqëson klimën e të bërit gazetari në Kosovë, gjithashtu bën që për shkak të vonesave dhe mos shqiptimeve të dënimeve meritore, gazetarët të hezitojnë t’i paraqesin rastet e tyre pranë organeve kompetente.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bënë thirrje organeve përkatëse që sa më parë të marrin hapat e nevojshëm në shqyrtimin e lëndëve të kolegëve Dush Gashi dhe Ali Cenaj, si dhe të gjitha rasteve të tjera të kolegëve tanë që janë kërcënuar e sulmuar.

AGK shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit nën moton “Blackout May”

0

PRISHTINË, 03.05.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sot ka shënuar 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Blackout May”. Kjo moto shërben si thirrje për të gjitha institucionet që të shohin se si do të dukej një ditë pa medie.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, AGK-ja në bashkëpunim me partnerët e vetë si dhe këtë vit me mbështetjen edhe të Ambasadës Amerikane në Kosovë, mbajti një tryezë diskutimi me temën “Sfidat e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë”.

Ambasadori Michael Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, u adresua përmes një video mesazhi, me ç’rast u bëri thirrje medieve që ta luftojnë keqinformimin duke raportuar drejt dhe me fakte.

“Publiku mbështetet në profesionistët e mediave për të dhënë informata të sakta dhe për ta luftuar keqinformimin, bazuar në raportimin etik dhe me bazë në fakte. Kohët kritike si këto u bëjnë thirrje pronarëve të mediave, redaktorëve dhe gazetarëve që ta ushtrojnë ndikimin e tyre me përgjegjësi dhe qeverive që t’i krijojnë kushtet e duhura për këtë”.

Ulrika Richardson – Koordinatore për Zhvillim e KB-së, foli për rolin e rëndësishme të gazetarëve në shoqërinë tonë.

“Gazetarët kanë një rol shumë të privilegjuar në shoqëritë tona, ata kanë veshin dhe besimin e njerëzve, dhe që natyrisht kjo vjen me një përgjegjësi të madhe për të qenë në gjendje të japin informacion në mënyrë të paanshme dhe të pavarur sa më shumë që të jetë e mundur. Tani, me këtë vijnë edhe përgjegjësitë e institucioneve që kanë për të siguruar që ekzistojnë kushtet e duhura që gazetarët të kryejnë profesionin e tyre, e që është profesion Nobel”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u adresua përmes një thënie ku tha se sulmet ndaj gazetarëve janë sulme ndaj vetë demokracisë.

“Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”.

Lars-Gunnar Wigemark – Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit gjatë fjalimit të tij tha se liria e medieve nuk duhet të merret e mirëqenë, por duhet të mbrohet si njëra nga shtyllat kryesore të shoqërisë.

“Liria e medias është në themel të një sistemi demokratik dhe si e tillë, ajo kurrë nuk duhet të merret si e mirëqenë, por përkundrazi duhet të ushqehet dhe mbrohet si një ndërtesë e një shoqërie më të mirë për të gjithë”.

Në lidhje direkte ishte edhe Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI-së në Kosovë, e cila u shpreh se mediet luajnë një rol kyç në stabilitetin demokratik.

“Gazetarët janë në vijën e parë të frontit në mbrojtje të demokracisë dhe padyshim jeni pushteti i katërt…. Ju dhe mediet keni një rol kyç në mbajtjen e stabilitetit demokratik dhe për të ju kërkuar liderëve llogaridhënie”.

Para të pranishmëve për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, u adresua edhe Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, e cila theksoi se klima e të bërit gazetari po vazhdon të rëndohet nga viti në vit.

“I keni parë edhe vetë ju, me sa lehtësi sulmohen fizikisht kolegët tanë, ne mes të ditës, e në qendër të Prishtinës. Për shumicën e sulmeve nga organet e drejtësisë e kemi përgjigjen e zakonshme “ hetimet vazhdojnë”, “jemi në rrugë të mirë për ndriçim të rastit” e të ngjashme.. Derisa kemi përgjigje të njëjta nga viti në vit, klima e të bërit gazetari po rëndohet. E përderisa ky realitet vazhdon neve shoqërisë civile, gazetarëve, e mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë na mbetet që të vazhdojmë ta ngrisim zërin për domosdoshmërinë e përmirësimit të klimës së të bërit gazetari”.

Në këtë 3 maj, u përkujtuan edhe gazetarët e vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë, ku iu kërkua institucioneve përkatëse që e vërteta për ta të ndriçohet sa më parë, nën sloganin “Të vërtetën e keni para syve”.

Në panelin diskutues përmes platformës Zoom, gjithashtu ishin të pranishëm: Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI për Kosovë, Ricardo Gutiérrez – Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Imer Mushkolaj – Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës , Ardiana Thaçi – Gazetare , Betim Musliu – Gazetar , Darko Dimitrijevic – Gazetar , Flutura Kusari – Juriste e së drejtës së medias dhe kolegë të tjerë gazetarë.

Diskutimin e plotë virtual mund ta shikoni në këtë vegëz: https://fb.watch/5fOWSG5BIm/