Home Blog Page 37

Fjalimi i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës para Kuvendit të Republikës së Kosovës, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

0

Të nderuar kolegë gazetarë,

Të nderuar të pranishëm,

Edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e Misionit të OSBE-së, Ekipin e Kombeve të Bashkuara dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, edhe sivjet shënon 3 majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me qëllim që bashkërisht të reflektojmë për gjendjen e lirisë së shtypit dhe etikën profesionale.

Kjo datë, edhe kësaj here kolegët tanë gazetarë i gjen në betejë me pandeminë COVID-19, duke rikonfirmuar rolin fisnik e shumë të rëndësishëm të profesionit tonë. Edhe sot, AGK ua rikujton institucioneve detyrimin në respektimin e fjalës së lirë dhe krijimin e një ambienti të sigurt e demokratik, me liri të garantuar e të pacenueshme për të ushtruar këtë profesion.

Nga viti në vit shtohen atakimet e formave të ndryshme në drejtim të gazetarëve. Cenzura, vetëcenzura e varshmëria financiare e medias vazhdojnë të ndikojnë në të bërit e gazetarisë objektive.

Nga ana tjetër, zvarritja e rasteve gjyqësore të sulmeve ndaj gazetarëve dhe dënimet simbolike – për të mos thënë qesharake, vazhdojnë të mbeten pengesat kryesore në ushtrimin e profesionit. Madje, dënimet që shqiptohen ne këto raste konsiderohen inkurajuese për keqbërësit.

Në adresë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës edhe sivjet është rritur numri i rasteve të raportimit për pengim në punë, ofendime, shantazhe e forma tjera të presionit mbi kolegët tanë gazetarë.

Prandaj, ne vazhdojmë t’i përsërisim thirrjet tona karshi institucioneve relevante që t’i bashkojmë forcat në luftimin e dukurive që kanë për qëllim pengimin e punës së gazetarëve dhe demotivimin në përmbushjen e misionit, që është informimi i drejtë për të gjitha zhvillimet me interes publik.

Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, AGK në bashkëpunim me akterët e saj mbështetës e shënon nën moton “BLACKOUT MAY”, që nënkupton atë se si do të dukej një ditë pa media në Kosovë.

Aktivitetet e ditës së sotme kanë për qëllim avokimin për lirinë e medieve dhe për krijimin e një ambienti të lirë e të papenguar të ushtrimit të profesionit, që gazetarët të kenë qasje të pakufizuar në informata dhe në dokumente zyrtare, gjë që garantohet me ligj, gjithashtu për t’i përkujtuar të gjithë kolegët tanë të vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe pas luftës në Kosovë, me kërkesën drejtuar organeve të drejtësisë se e vërteta duhet të ndriçohet.

Përgjatë gjithë ditës do të keni mundësi t’i shihni adresimet e akterëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilët gjithmonë jo vetëm që kanë bërë thirrje për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, por që pa asnjë hezitim kanë përkrahur AGK-në në secilën nismë për tu siguruar gazetarëve dhe medieve lirinë që iu garantohet me ligj.

Pas kësaj konference, nga ora 12:00 ju ftojmë të na bashkoheni në tryezën e diskutimit (virtuale & me prani fizike) mbi lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve ku do të marrin pjesë ambasadorë, përfaqësues relevantë të medieve dhe të shoqërisë civile.

AGK dhe KE mbajtën trajnimin “Raportimi etik nga gjykatat; të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”

0

PRISHTINË, 28.04.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës – Zyra në Kosovë, kanë mbajtur trajnimin për gazetarë “Raportimi etik nga gjykatat; të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”.

Trajnimi u fokusua në përgjegjësitë dhe të drejtat e gazetarëve në procesin e raportimit për çështje të drejtësisë, kuadrin institucional dhe ligjor ndërkombëtar, si dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ekspertja e Këshillit të Evropës e angazhuar për këtë sesion – Mirela Bogdani, prezantoi para pjesëmarrësve dispozita të veçanta të Kartës Globale të Etikës për Gazetarët dhe shpjegoi procedurat që duhet të ndjekur me qëllim realizimin e një raportimi sa më korrekt nga gjykatat. Bogdani ndër të tjera, paraqiti një mori shembujsh ilustrues nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

Në këtë takim të ftuar të veçantë ishin Angela Griep – Shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun e Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe Solene Moutier. Ato paraqitën një përmbledhje të mënyrës se si funksionon kjo gjykatë në përgjithësi, me fokus në komunikim me publikun. Griep u shpjegoi të pranishmëve se si të qasen në informacione dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt zyrtarët përgjegjës.

Krahas këtyre, në takim kontribuuan me përvojën e tyre gazetarët: Arta Avdiu, Genc Godanci dhe Florijeta Dernjani, të cilët mbulojnë çështjet e drejtësisë. Sipas tyre, raportimi nga gjykatat ka sfida të mëdha dhe komunikimi i tyre me mediet është njëra prej tyre.

Trajnimi u organizua në kuadër të projekti për Liri të Medies dhe Liri të Shprehjes JUFREX2, i financuar nga Këshilli i Evropës dhe implementuar nga AGK-ja.

Komunikatë për media

0

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – KMShK dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) kanë pranuar me shqetësim raportimet se në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media të Kuvendit të Kosovës është përmendur edhe mundësia e rregullimit të përmbajtjes online të mediave nga ana e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdoqoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore.

KMShK është mekanizmi i vetëm në Kosovë që merret me etikën e mediave të shkruara dhe online (gazetat, mediat online, revistat, agjencitë e lajmeve) dhe vazhdimisht vendos për ankesat e qytetarëve dhe institucioneve në lidhje me shkeljet e etikës nga mediat e shkruara dhe online.

Andaj KMShK dhe AGK kundërshtojnë fuqishëm çdo përpjekje dhe iniciativë për futjen e etikës së mediave të shkruara dhe online si pjesë e ligjit për KPM-në. Iniciativa të tilla janë në kundërshtim të hapur me rregullat ndërkombëtare të gazetarisë dhe frymën e gazetarisë të instaluar në Kosovë tash e një kohë.

Secila nga mediat e shkruara (online apo të shtypura) duhet të japin përgjegjësi për veprimet e tyre para organeve shtetërore, bazuar në ligjet përkatëse, por fillimisht vlerësimin e etikës së tyre nuk mund ta bëjë askush më mirë se vetë mediat për media, apo profesionistët e fushës.

KMShK nëpërmjet mekanizmit të kontrollit dhe vlerësimit të etikës së mediave të shkruara është njohur edhe nga vetë Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Ligjit për Shpifjen dhe Fyerjen dhe vendimet që KMShK merre për palët dhe për mediat respektohen dhe vlerësohen lart nga gjykatat vendore në rastet kur ata vendosin për shpifjen dhe fyerjen.

Iniciativat për kontroll dhe vlerësim të etikës për mediat e shkruara dhe online nga një organizatë shtetërore janë të dëmshme dhe nuk iu ndihmojnë mediave dhe gazetarëve.

Kosova pëson rënie për 8 vende në raportin e “Reporterëve Pa Kufij”

0

PRISHTINË, 20.04.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK,shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2021.

Kosova është renditur në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit. Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks, dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.

Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të medieve, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e medieve që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj medieve online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së medieve.

Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Aty gjithashtu theksohet rasti i shoqërimit në polici i gazetares, Tatjana Lazarevic, për çka pati reaguar AGK-ja.

Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999, mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport.

Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnje dhe Hercegovina 58.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

AGK: Intervistimi i Ollurit nga Policia, shkelje e skajshme e ligjeve që mbrojnë gazetarët dhe mediet

0

PRISHTINË, 17.04.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, që mbrëmë është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e zhvilluara pas publikimeve të Gazetës Insajderi.

Për AGK-në është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, Drejtor i Gazetës Insajderi me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë akterëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun.

AGK: FFK të merr masa ndaj gjuhës seksiste të Tahir Batatinës në drejtim të gazetares Qendresa Krelani

0

PRISHTINË, 12.04.2021- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shprehet tejet i shqetësuar me gjuhën seksiste dhe fyese të trajnerit të futbollit, Tahir Batatina, në drejtim të gazetares së sportit në RTK, Qëndresa Krelani.

Batatina gjatë një emisioni televiziv i është drejtuar gazetares me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”

Gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme. Për AGK-në, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato.

AGK-ja gjithashtu kërkon nga Federata e Futbollit e Kosovës – FFK, të merr masa ndaj trajnerit Batatina për gjuhën e përdorur, si dhe inkurajon të gjitha gazetaret që pavarësisht seteorotipave të shoqërisë, të mos heqin dorë nga ushtrimi i profesionit të tyre, në cilëndo fushë që ato dëshirojnë të raportojnë.

Raporti i DASH: Gazetarët në Kosovë kërcënohen të largohen nga puna nëse publikojnë shkrime kritikuese

0

PRISHTINË, 31.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet e Raportit të Departamentit të Shtetit i SHBA-ve për Kosovën, në lidhje me kufizimet e padrejta në medie nga vetë pronarët e tyre dhe dhuna ose kërcënimet për dhunë në drejtim të gazetarëve, në raportin e publikuar për vitin 2020.

Raporti evidenton se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, u kanë bërë presion gazetarëve dhe përfaqësuesve të medieve që të mos publikonin artikuj dhe storje të caktuara.

“Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet ndër të tjera në raportin e Departamentit të Shtetit.

Sipas raportit, mediet e pavarura në Kosovë ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medieve, i kanë penguar ata të publikonin ose transmetonin materiale që kritikonin qeverinë, partitë politike ose disa zyrtarë publikë.

“Në disa raste, pronarët e medieve thuhet se kërcënuan të largonin nga puna gazetarët nëse publikonin shkrime kritikuese. Gazetarët, gjithashtu u ankuan se pronarët e medieve i kanë penguar të raportonin për korrupsionin e nivelit të lartë të qeverisë”, thuhet më tej në raport.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.

Aplikimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, një obligim ligjor i domosdoshëm

0

Në raportimet për të drejtat e punonjësve dhe obligimet ligjore ndaj tyre, rrallë herë deri më tani kemi hasur në përdorimin e termit “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ)”, dhe i cili jo përherë gjendet në raportet  e baraspeshuara.

Parimisht pabarazia gjinore gjithnjë ka dominuar në sektorë të ndryshëm edhe pse obligimet ligjore ndaj gjithsecilit punonjës duhet të jenë të barabarta. Preokupimet e tilla në vendin e punës, mospërfillja e BPGJ-së është barrë e rëndë, sidomos për gratë. Andaj, këto të fundit duke qenë pjesë e veprimtarive të ndryshme, duke u mobilizuar së bashku dhe duke u informuar për zbatueshmërinë e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, mund të ndikojnë në barazi gjinore e cila iu takon ligjërisht.

Lëvizjet e tilla do të sillnin edhe përgjigjet e pyetjeve të shumta si: a janë programet lehtë të arritshme në mënyrë të barabartë për burrat dhe për gratë; a i plotësojnë ato synimet për të cilat janë dedikuar; efektet dhe ndikimi i programeve për burrat dhe për gratë, duke i marrë parasysh edhe karakteristikat e tjera si përkatësia etnike, mosha, vendbanimi; cili është avancimi i programeve nga aspekti i aplikimit të perspektivës gjinore; cilat janë mekanizmat nëpërmjet të cilave mund të respektohet BPGJ; etj.

Gratë dhe vajzat në komuna të ndryshme të Kosovës përballen me një numër të konsiderueshëm të këtyre sfidave. Edhe vetë termi “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor”, është sfidë në vete për gratë përderisa vështirësitë në adresimin e tij lidhen kryesisht me faktin e problemeve strukturore dhe për më keq, mendësia apo stereotipat e ndryshëm karshi grave, vazhdojnë t’i penalizojnë ato.

Tejkalimi i shumë paragjykimeve, të cilat mund të krijojnë barriera duhet të bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes së grave në tregun e punës. Parimisht edhe pse si term i ri “Buxhetimi Përgjegjshëm Gjinor”, mund të ndikojë në lehtësimin e qasjes fizike të grave në sektorë të ndryshëm duke u fokusuar në gratë me vështirësi ekonomike, atyre që i përkasin komuniteteve jo-shumicë, pasi që ato janë pre e niveleve të shumëfishta të diskriminimit, duke u nisur nga gjendja socio- ekonomike, niveli i ulët i  arsimimit, qasja jo e duhur në jetën institucionale, apo në tregun e punës në përgjithësi, etj.

Pra, për të luftuar diskriminimin e grave në proces të aplikimit për punë dhe atyre në vend të punës, kërkohet bashkëpunim më i ngushtë i autoriteteve të të dyja niveleve, atyre lokale dhe qendrore, për t’u siguruar që në rastet përkatëse të rritet angazhimi në identifikimin dhe parandalimin e diskriminimit  të grave.

Pra, edhe pse duke u konsideruar relativisht si një koncept  i ri në vend, pritet  që të punohet shumë në mënyrë që zbatueshmëria  e BPGJ-së, të sjellë një tjetër realitet  pozitiv, pasi që kjo shihet  në të njëjtën kohë si  një sfidë e shtetit  në sigurimin e barazisë gjinore. Në shumë shtete perspektiva gjinore  është e integruar  në politika publike pikërisht si rezultat i aplikimit të suksesshëm të BPGJ-së për shumë vite, andaj aplikimi i njëjtë duhet të ndodhë edhe në Kosovë, duke përpiluar politika progjinore, duke u realizuar  veprime konkrete.

Sidoqoftë, barazia gjinore do të thotë se gratë dhe burrat gëzojnë të drejta, përgjegjësi dhe mundësi të plota dhe të barabarta, pavarësisht sektorit dhe se parimet e barazisë gjinore nuk duhet të aplikohen vetëm në sektorin publik, por dhe në atë privat.

Praktika e BPGJ-së, ka shtrirje pothuajse në të gjitha programet që kanë të bëjnë me komunitetin qofshin këto qeveritare apo jo, por që nuk përjashtojnë as familjet dhe është një term që përfshinë marrëdhëniet gjinore, kontrollin mbi burimet ekonomike, integrimet gjinore dhe shumë aspekte të tjera në funksionim të zhvillimit dhe konsolidimin e një shoqërie.

Imponimi i situatave të ndryshme, mospajtueshmëria me qasjen e instancave përgjegjëse,çojnë në një situatë të rënduar dhe thuajse të papërballueshme sidomos për gratë. Derisa, ne ende vazhdojmë të shohim dallime e metoda të ndryshme të cilat synojnë daljen nga kriza e sektorëve të ndryshëm, aplikimi i BPGJ-së, parimisht do të lehtësonte jetën profesionale të grave apo vajzave dhe do të ndihmonte në zbehjen e stereotipave me të cilat vazhdojnë të përballen.

Autore: Nora Xhuzi