Home Blog Page 62

Gjykata pranon rekomandimet e AGK, rastet e gazetarëve do të trajtohen me kohë

0

PRISHTINË, 17.03.2017 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kryetari Shkelqim Hysenaj si dhe hulumtuesi i lartë Petrit Çollaku kanë takuar të mërkurën kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi. Në takim u diskutua për rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve që gjenden si lëndë të papërfunduara në këtë gjykatë për disa vite të fundit.

Kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj prezantoi para kryetares Bytyçi raportin e fundit të asociacionit duke u fokusuar në rekomandimet e dala për gjyqësorin, ku ndër të tjera, kërkohet trajtim me kohë për të gjitha rastet kundër gazetarëve, duke përfshirë sulmet fizike, kërcënimet, frikësimet dhe shantazhet. Gjykata Themelore në Prishtinë përfshinë pothuajse shumicën e këtyre rasteve në vend.

Kryetarja Bytyçi theksoi se do të kërkojë nga gjykatësit përkatës që të punojnë më shpejt në rastet e gazetarëve që janë viktima të dhunës, si në lëminë civile po ashtu edhe penale. Gjykata në bashkëpunim me AGK-në do të identifikojnë të gjitha rastet e gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medial që janë si viktima e që presin drejtësinë të thotë fjalën e fundit.

Me këtë rast, AGK i bënë thirrje të gjithë kolegëve që në ndërkohë kanë pranojnë ftesa që të paraqiten në gjykata apo prokurori, që të lajmërojnë paraprakisht asociacionin.

AGK kërkoi nga kryetarja e gjykatës që të krjioj transparencë në proceset gjyqësore, sidomos ndaj figurave të larta publike që paraqesin interes të lartë për opinionin publik.

AGK dhe Prokuroria e Shtetit pajtohen për bashkëpunim më të mirë

0

Prishtinë: 08.03.2017 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kryetari Shkelqim Hysenaj si dhe Hulumtuesi i Lartë Petrit Çollaku kanë takuar sot Kryeprokurorin e Shtetit z.Aleksandër Lumezi. Në takim është diskutuar për problemet e gazetarëve në raport me sistemin e drejtësisë si dhe rritjen e efikasitetit në krijimin e një ambienti më të sigurtë për gazetarët në Kosovë.

Kryetari i AGK-së Shkelqim Hysenaj i ka prezantuar Kryeprokurorit rekomandimet e dala nga raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”. Hysenaj ka kërkuar nga Kryeprokurori z.Lumezi që prokuroria t’i trajtoj në mënyrë me aktive rastet e gazetarëve.

Gjatë takimit AGK dhe Prokuria e Shtetit u pajtuan që Kryeprokurori i Shtetit të nxjerrë një vendim me të cilin do të caktohet një prokuror nga Zyra e tij koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre. Me këtë vendim do të obligohen kryeprokurorët e Prokurorive Themelore që të caktojnë nga një prokuror, të cilët do të merren edhe me rastet e raportuara ku gazetarët paraqiten si të dëmtuar.

Poashtu kryeprokurori Lumezi informoi se prokurorët do t’i trajtojnë rastet e tilla me prioritet dhe prokurorin e ngarkuar si koordinator do ta mbajnë të informuar për të gjitha veprimet e marra në procedure.

Duke u bazuar në këtë vendim parashihet që prokurori i caktuar si koordinator të mbajë një databazë të posaçme në lidhje me këto raste dhe me vendim obligohet që në baza të rregullta mujore të informojë Kryeprokurorin e Shtetit për të gjitha veprimet e ndërmarra në këtë drejtim.

Gjithashtu Kryeprokurori u pajtua me kërkesën e AGK-së që në të ardhmen të dhënat për rastet e gazetarëve të veçohen në raportin vjetor të këtij institucioni.

Në fund AGK-ja ka kërkua nga Prokuroria që të kundërshtojnë mbylljen e seancave gjyqësore në të cilat të akuzuar janë persona të profilit të lartë.

Platforma e Ballkanit Perëndimor i bënë thirrje gazetarëve që të bojkotojnë raportimet nga protestat e dhunshme

0

Asociacionet e gazetarëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor fuqishëm dënojnë sulmet ndaj kolegëve të A1.on nga Shkupi, gazetarit Aleksandar Todevski dhe kameramanit Vlladimir Zhelqevski të cilët u rrahën më 28 shkurt nga pjesëmarrësit e protestës të organizuar nga iniciativa qytetare “Për Maqedoninë e përbashkët”.

Ne presim nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë që të identifikojë shpejt dhunuesit dhe te ngrisë akuzat dhe dënimet e duhura kundër tyre.

Dhuna kundër gazetarëve përbën sulmin më serioz ndaj lirisë së mediave dhe mohon të drejtën e publikut për t’u informuar.

Politika e pandëshkueshmërisë për dhunën kundër gazetarëve që po mbrohet nga qeveria këto pesë vitet e fundit në mënyrë të drejpërdrejtë inkurajon këto sulme.

I bëjmë thirrje udhëheqësit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, që publikisht të dënojë sulmin e 28 shkurtit ndaj gazetarëve dhe t’i bëjë thirrje përkrahësve të tij, në këtë rast të protestës, që mos ti sulmojnë gazetarët.

Si shenjë proteste, për shkak të sulmeve të shpeshta, thërrasim të gjithë gazetarët nga Maqedonia që mos të raportojnë nga protesta e sontme të iniciativës “Për Maqedoninë”. Në të ardhmen, pozita jonë për këto ngjarje do të varet nga gatishmëria e organizatorëve të protestës dhe Ministrisë së Brendshme, që të ofrojnë kushte të punës për gazetarë.

Reagim i perbashket AGK dhe UNS

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Serbisë (UNS) bashkërisht dëshirojmë që të shprehim zhgënjimin tonë për institucionet e drejtësisë në Kosovë për mospjesëmarrje në konferencën regjionale për sigurinë e gazetarëve që u mbajt dje në Prishtinë.

Siç është theksuar tashmë në shumë raporte dhe tryeza, institucionet e drejtësisë luajnë një rol kyç në përmirësimin e kësaj situate në Kosovë. Fakti se shumica e rasteve të vrasjeve të gazetarëve tashmë janë mbyllur, siç u shpjegua gjatë konferencës nga Shefja e EULEX në Kosovë, është skajshmërisht shqetësues për ne.

Megjithatë, ne i ftojmë të gjitha institucionet përkatëse që të mos ndërprenë hetimet derisa të gjitha këto raste të zgjedhen – pasi se kurrë nuk është vonë për drejtësi. Ne përkushtohemi që të punojmë bashkë dhe të kemi nisma të përbashkëta në kërkimin tonë për drejtësi dhe procedim më efektiv të të gjitha rasteve eventuale që ndërlidhen me gazetarët në të ardhmen.

Reagim ndaj Komunës së Fushë Kosovës

0

PRISHTINE, 14.02.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim vendimin e Komunës së Fushë Kosovës për ndërprerje të komunikimit me gazetarët e Televizionit Kohavision. Ky veprim paraqet shkelje të parimeve për respektimin e transparencës.

Ne kërkojmë nga Komuna e Fushë Kosovës që të kërkojë falje për këtë veprim të papranueshëm si dhe ta tërheqë vendimin që ka marrë. Ne e inkurajojmë Komunën e Fushë Kosovës që të krijojë raporte profesionale me mediat, në këtë rast edhe me gazetarët e KTV-së. AGK, kërkon nga institucionet vendore, që të respektojnë Ligjin për Qasje në Dokumente Publike si dhe të jenë të hapura për gazetarët.

Reagim ndaj drejtorit të RTK-së

0

PRISHTINE, 08.02.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim një postim në rrjetin social Facebook të drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala.

AGK konsideron se gjuha e përdorur nga z.Shala paraqet ofendim dhe kërcënim për punëtorët e mediumit publik, duke përfshirë anëtarët tonë që punojnë në këtë medium.

AGK është njoftuar nga punëtorët e mediumit publik se ky reagim i z.Shala vjen pas takimeve të ndara që drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së kanë zhvilluar me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe me të gjitha grupet parlamentare lidhur me draftimin e ligjit per RTK-në dhe gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik.

AGK konsideron se gjuha ofenduese dhe denigruese e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është e papranushme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i rekomandon Bordit të RTK-së që si organ mbikëqyrës të distancohet nga fyerje të tilla.

Si gjithnjë, AGK kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për Radio Televizionin e Kosovës. Kuvendi e ka për obligim që të bëjë një zgjidhje të qëndrueshme për RTK-në, gjithmonë duke dëgjuar zërat e të gjithë akterëve relevant në këtë proces.

Gazetarët e rrezikuar, pak efikasitet nga mekanizmat shtetërorë

0

PRISHTINË, 03.02.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi një tryezë diskutimi mbi raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetareve”. Në këtë tryezë u diskutua edhe për rekomandimet e dala nga raporti.

Kryeministri Isa Mustafa u zotua se do të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës. Kryeministri theksoi se “janë duke punuar në strategji të ndryshme për të arritur deri në atë pikë ku gazetarët nuk do të mbesin asnjëherë pa përgjigje”.

Ndërkohë kryetari i AGK-së, Shkelqim Hysenaj kërkoi nga qeveria që të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës dhe krijimin e mekanizmave adekuat për të mbrojtur gazetarët. Hysenaj shprehi shqetësimin e gazetarëve sa i përket trajtimit të rasteve kur gazetarët janë viktimë e dhunës, kërcënimeve dhe fushatave linçuese.

Zëdhënësja e zyrës së përfaqësueses së BE-së, Dinka Zivalj ka vlerësuar raportin duke i dhënë mbështetje AGK-së. Zivalj ka ngritur një çështje tjetër si problem, pronësinë e mediave online, duke thënë se “duhet të gjendet një zgjidhje adekuate”. Ndërkohë avokati i popullit, Hilmi Jashari ka thënë se mungon linjë e qartë ligjore përmes së cilës do të sigurohej respektim i të drejtave të gazetarëve.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami ka qenë kritik sa i përket transparencës së institucioneve. Bajrami poashtu ka ngritur si shqetësim ndikimin e politikës në disa prej mediave.

Tryeza ishte e ndarë në tri panele, dy prej tyre profesionale duke përfshirë temën “Mekanizmat shtetëror për mbrojtjen e gazetarëve” dhe“Pozita ekonomike e gazetarëve, etika profesionale dhe censura”.

Kryetari i KMSHK-së Imer Mushkolaj ka thënë se duhet investuar më shumë në aspektin etik të mediave. Sipas Mushkolajt pozita e gazetarit është e rënë pasi ekziston një jostabilitet në fushën e mediave.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se policia ka trajtuar 154 raste, prej tyre në administrim policor sipas z.Rexha mbesin 17. Rastet e tjera janë përcjellë tek prokuroria. Ndërkohë qe zëvendësdrejtori Rexha ka thënë se rastet e mbetura janë nga viti 2016.

Ndërkohë në panelin e fundit për përvojat e tyre kanë folur, Kreshnik Gashi – Birn, Vehbi Kajtazi – Insajderi.com, Serbeze Haxhija – RTK dhe Blerim Xhemajli – Klan Kosova.

Komisioni parlamentar fshehurazi diskuton draft ligjin pёr RTK

0

PRISHTINE, 27.01.2017 – Sindikata e Pavarur e RTK-sё (SPRTK) ka reaguar kundёr komisionit parlamentar pёr media qё ka vendosur tё mbajё mbledhjen tё fshehtё ku u diskutua pёr draftligjin e RTK-sё.

Sindikata tha se takimi me dyer tё mbylluar pёr publikun nga ana e komisionit ka shkelur tё drejtёn e publikut pёr t’u informuar pёr median publike.

“SPRTK konsideron se diskutimet e mbyllura dhe jotransparenca e bëjnë edhe më të vështirë situatën brenda institucionit”, thuhet nё reagimin e sindikatёs.

Sindikata e RTK-sё shtoi se transmetuesi ёshtё duke vazhduar tё pёrballet me parregullsi duke pёrfshirё tё ardhmen e tё paqartё pёr shkak tё keqmenagjimit.

Ligji aktual i RTK-sё, qё ёshtё miratuar mё 2012, parashihte financa nga buxheti i Kosovёs pёr tre vite, pas sё cilёs do tё gjendej njё mekanizёm i pavarur financiar.

Draft ligji i rrjedhur nё media parasheh mbledhjen e 2.5 euro nga amvisёritё pёrmes faturimit tё energjisё elektrike dhe po ashtu do tё ndahen 0.4 pёr qind nga buxheti i vendit.

“Gazetarët për gazetarët”, emision nga KTV-ja

0

PRISHTINË, 07.01.2017 – “Gazetarët për gazetarët” është prodhim i KTV-së e cila trajton problemet e mediave në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe shumë gazetarë të tjerë bisedojnë për problemet dhe urgjencat e tyre.

Kliko në link dhe shiko emisionin 22 minutësh: http://bit.ly/2jkZ7nE