Home Blog Page 19

Gazetarët ukrainas dhe afganë pajisjen me kartela udhëtimi nga Trafiku Urban

0
Që nga sot deri në fund të vitit 2023, kolegët ukrainas dhe afganë të strehuar në Kosovë, do të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e Trafikut Urban në Prishtinë.
Këtë vendim e ka miratuar Komuna e Prishtinës, me kërkesën e paraqitur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për të pajisur me kartela 18 gazetarë të strehuar në Kosovë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.
Kartelat e udhëtimit ia ka dorëzuar sot Drejtores Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Kyreshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”, Burim Maraj.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e frytshëm Komunën e Prishtinës dhe Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban”.
Gazetarët janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, i cili është iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe iniciativa Hannah Arendt.
May be an image of 1 person, studying, money, ticket stub and text
May be an image of 5 people, suit and text
May be an image of 2 people, ticket stub, money and text

Dy raste të pengimit të punës së gazetarëve nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar pas denoncimit të gazetarit, Kosovë Gjoci, të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.

Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë.

Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

AGK-ja, i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.

AGK-ja shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “Protect Journalists, Defend the Truth”

0

Nën moton “Protect Journalists, Defend the Truth”, është mbajtur konferenca për shënimin e 3 Majit – Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e dhënë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, Bashkimi Europian në Kosovë, dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Konferenca filloi me thirrjen e organizatave partnere të eventit për një mjedis më të sigurt për gazetarët.

Në vitin 2022, në databazën e AGK-së janë regjistruar 33 raste të sulmeve të ndryshme ndaj gazetarëve, dhe deri në momentin që po flasim 11 të tilla në vitin 2023. Gjatë gjitë kësaj periudhe, ndaj gazetarëve dhe komunitetit medial ka pasur organizim fushatash të denigrimit dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes, që nxisin mosbesim të audiencave për punën e tyre. Një pjesë e këtyre fushatve vijnë nga zyret më të larta të pushtetit në Kosovë”, ka thënë kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

Ai ka thënë se sulmi më i rëndë ishte ai ndaj gazetarit, Valon Syla. “Por, ajo që ka treguar sulmi ndaj tij, është ngirtja në këmbë edhe njëherë e një shoqërie të tërë për të treguar se në Kosovë liria e medias mbrohet. Se liria e shprehjes nuk negociohet”, tha Rexha.

Nëpërmjet një video-mesazhi, u adresua Ambasadori Michel Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili tha se në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ështëkritike të kujtohet rëndëisa të medias së pavarur dhe të lirë.

“Misioni i OSBE-së dënon pa rezervë çdo përpjekje për të kërcënuar, poshtëruar ose ngacmuar gazetarët dhe punonjësit e medias në përgjithësi dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje maksimale për profesionistët e medias.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, tha se edhe pse Kosova gëzon një mjedis medialë të larmishëm, sulmet fizike, kërcënimet dhe kampanjat urrejtje-nxitëse kundër gazetarëve, me theks te gazetaret, është ende shqetësuese.

Krahasuar me vitin 2021, një rritje e lehtë e sulmeve ndaj medieve është shënuar në vitin 2022, dhe fakti se deklaratat denigruese, gjuha e urrejtjes dhe gjuha intimiduese kundër gazetarëve e bërë nga zyrtarët publik, janë shqetësuese”, tha Szunyog.

Ai vlerësoi Kosovën për pritjen dhe strehimin e gazetarëve ukrainas dhe afganë, duke u zotuar për mbështetje të mëtejshme të BE-së dhe partnerëve të saj për zhvillimin e mediave të lira dhe profesionale si një shtyllë e demokracisë.

Të pranishmëve u adresua edhe Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, e cila theksoi se kur liria e shtypit kërcënohet, kërcënohen të gjitha liritë e shoqërisë.

Gazetarët që prodhojnë informacion të besueshëm, na ndihmojnë të gjithëve të marrim vendime të informuara, një element i rëndësishëm i procesit demokratik. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i mbrojtur ata dhe punën e tyre. Ne i bëjmë jehonë thirrjes së Raportuesit Special të OKB-së për Lirinë e Opinionit dhe Shprehjes, znj. Irene Khan, për të adresuar shkeljet e kaluara dhe aktuale kundër gazetarëve në Kosovë. Duke u kërkuar autoriteteve që të marrin masat e duhura për të siguruar llogaridhënie dhe për të promovuar përmirësime të mëtejshme në lirinë e shtypit”, tha Spence.

Konferenca vazhdoi me diskutimin e parë me temën “Siguria e gazetarëve gjatë raportimit”, e përbërë nga panelistët: Jehona Grantolli – Anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës; Antigona Uka – Zyrtare për Komunikim në Gjykatën Supreme të Kosovës, Qendresa Bellagoshi – gazetare në Klan Kosova dhe Jelena Đorđević – gazetare në RTK.

Në këtë panel u diskuta nevoja e rritjes së dënimit të sulmeve dhe sulmuesve të gazetarëve e medieve, meqenëse gazetarët ende ndihen të pasigurtë për të raportuar, si shkak i rritjes së kërcënimeve, sulmeve, dhe mosndëshkimit të tyre. Institucionet kompetente u zotuan se do t’i trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve, dhe se do të bashkëpunojnë e jenë më transparent me AGK-në, gazetarët e mediet.

Pjesa e dytë e konferencës vazhdoi me transmetimin e rrëfimit të kameramanit, Albion Selitaj, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovë, në shkurttë vitit të kaluar, përderisa po mbulonte drejtpërdrejt ndërhyrjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për të marrë nën menaxhim zyrat e ndërmarrjes “AgroKosova Holding”.

Në pjesën e fundit është diskutuar për “Pozitën e gazetarëve në dhomat e lajmeve ndër vite”, me panelistët: Dafina Halili – gazetare në Kosovo2.0, Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv në Këshilin e Mediave të Shkruara të Kosovës, Teuta Arifaj – redaktore në ATV, Valbona Bytyqi – gazetare në KTV, dhe Naim Sadiku – Anëtar i Bordit të AGK-së.

Në këtë panel u diskutua për disa nga problemet me të cilat fatkeqësisht ende përballen gazetarët e që janë si orari, pagesa, kontratat e punës, pagesa e kontributeve, e të tjera. Krahas këtyre, si problem mjaft shqetësues u përmend edhe pozita e grave në redaksi, si dhe ngacmimet seksuale ndaj tyre. U theksua nevoja e unitetit të gazetarëve që t’i raportojnë sa më shumë problemet që kanë në punë, si dhe përkrahje më e madhe në adresimin e këtyre cështjeve.

Deklarata e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për 3 Majin – Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

0

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, sot në nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ka mbajtur një deklaratë për medie përballë Pallatit të Drejtësisë, për të bërë thirrje për prokurorët dhe gjyqtarët që të trajtojnë me prioritet rastet e dhunës ndaj gazetarëve.

Deklarata pa ndërhyrje:

KËRKESË PËR PROKURORËT DHE GJYQTARËT

Përmes kësaj shkrese, na lejoni të shprehim shqetësimet tona në lidhje me trajtimin e rasteve të dhunës kundër gazetarëve duke kërkuar nga ana e juaj si pjesa kryesore e sistemit të drejtësisë, të trajtoni me seriozitet më të madh mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e cila vien si rezultat i ushtrimit të aktivitetit të tyre si raportues të çështjeve të cilat përbëjnë interes publik.

Në pesë vitet e fundit, AGK-ja ka regjistruar 120 raste kërcënimesh, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Gjithsej, 17 raste janë regjistruar në vitin 2018, 21 raste në vitin 2019, 24 raste në vitin 2020, 29 raste në vitin 2021 dhe 33 raste gjatë vitit 2022. Vetëm këtë vit deri në momentin që po flasim janë shënuar 11 raste sulmesh, me më të rëndin atë fizik kundër gazetarit Valon Syla. Kështu, numri i rasteve të kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve është rritur vit pas viti.

Sulmet ndaj gazetarëve, pos që paraqesin vepra penale kundër jetës dhe trupit, ato cenojnë edhe një prej lirive bazë në një shoqëri demokratike, që është liria e shprehjes. Duke mos minimizuar rrezikun e asnjë vepre penale, rastet e sulmeve ndaj gazetarëve kanë një rrezikshmëri të veçantë, që përpos në palën e dëmtuar, e vënë në rrezik edhe lirinë e shprehjes së gazetarëve dhe lirinë e informimit të qytetarëve.

Rritja e sulmeve ndaj gazetarëve kërkon reagim urgjent dhe adekuat nga ana e sistemit të drejtësisë.

AGK-ja, e vlerëson lartë miratimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi me të cilin parashihet që rastet e gazetarëve të trajtohen brenda një afati të shkurtër kohor ashtu siç e vlerëson edhe caktimin e koordinatorëve për rastet e dhunës kundër gazetarëve nga ana e prokurorëve.

Përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, shqetësimet tona kryesore mbesin kualifikimi i gabuar i veprave penale nga ana e prokurorëve ndaj sulmueseve të gazetarëve, kryesisht duke përzgjedhur vepra më të lehta penale dhe zvarritja e rasteve në gjykata dhe dënimet jashtëzakonisht të ulëta ndaj sulmueseve të gazetarëve të shqiptuara nga gjykatësit. Ne kërkojmë nga prokurorët që në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të ndërmarrin hetime profesionale dhe të pavarura dhe akuzat ndaj sulmueseve të gazetarëve t’i përpilojnë duke marrë parasysh jo vetëm rrethanat lehtësuese por edhe ato rënduese me qellim të dekurajimit të sulmeve ndaj gazetarëve. Nga gjyqtarët kërkojmë që rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të trajtohen me prioritet të lartë dhe sulmuesit të marrin dënime që reflektojnë rrezikshmërinë që iu kanoset gazetarëve e jo të shqiptohen dënime të lehta.

Duke pasur për bazë misionin e AGK-së në mbrojtjen e lirive dhe të drejtat e gazetarëve, promovimin, inkurajimin dhe përmirësimin e gazetarisë cilësore dhe të hapur në Kosovë, si dhe pozitën e gazetarëve në Kosovë, na lejoni që të shprehim gatishmërinë e plotë të AGK, për çfarëdo forme të bashkëpunimit e cila ka për qëllim sigurinë e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të lirë medialë.

Ju faleminderit për kohën tuaj.

RSF, Kosova shënon progres për pesë vende, por gazetarët sulmohen nga politika

0

Reporterët Pa Kufij sot ka publikuar Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, dhe e rendit Kosovën në vendin e 56-të, pesë vende më mirë se vitin e kaluar, ku ishte renditur në pozitën e 61-të.

Raporti konsideron skenën mediale të Kosovës si diverse, por që gazetarët vazhdojnë të mbetën cak i sulmeve nga politikanët. Teksa, përmend edhe Komisionin e Pavarur të Meidve, që është përfshirë në një rast korrupsioni, si dhe kritikon përzgjedhjen e Drejtorit e Transmetuesit Publik.

Rregullatori i mediave, KPM, ka qenë joefektiv dhe së fundmi është përfshirë në një rast korrupsioni. Pavarësia e transmetuesit publik, RTK, është vënë në pikëpyetje për shkak të zgjedhjes si drejtor një aleat i partisë në pushtet. Mediat në gjuhën serbe janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacione publike, veçanërisht në gjuhën e pakicës kushtetuese.”

Raporti gjithashtu përmend edhe ekspozimin e gazetarëve ndaj sulmeve fizike nga grupe të caktuara të interesit, si dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe ekipeve televizive në fund të vitit, në veri të Kosovës.

Vrasjet dhe zhdukjet që kanë ndodhur para dhe gjatë luftës në Kosovë (1998-2005), kanë mbetur të pandëshkuara. Gazetarët që hetojnë trafikimin e drogës ose ndotjen e mjedisit janë ekspozuar ndaj sulmeve fizike dhe kanë raportimi i tyre është tentuar të pengohet nga grupet kriminale. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe zyra e prokurorit, ato rrallëherë çojnë në procedime ligjore. Sulmet kundër gazetarëve në veri të Kosovës u shtuan gjatë një periudhe tensioni politik mes Prishtinës dhe Beogradit në fund të vitit 2021.”

Një pjesë e raportit u referohet vështirësive financiare të mediave, me theks të atyre të komuniteteve pakicë.

AGK-ja priti në takim lamtumirës Dane Koruga – Shef i Seksionit për Media në Misionin e OSBE-së në Kosovë

0

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Drejtorja Ekzekutive, Getoarbë Mulliqi Bojaj, pritën në takim lamtumirës Shefin e Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, Dane Koruga.

Rexha dhe Mulliqi Bojaj falënderuan Korugan për mbështetjen e pakursyer të OSBE-së dhënë AGK-së, si dhe komunitetin e gazetarëve. Njëherësh, theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet organizatave, për avokimin e sigurisë së gazetarëve dhe lirinë e medieve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është mirënjohës për partneritetin e mirë që e gëzon me OSBE-në, ndihmën dhe besimin e dhënë për të realizuar aktivitete të shumta që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve të gazetarëve në Kosovë.

May be an image of 2 people and text

May be an image of 3 people, newsroom and text

Kërcënohet gazetarja e TV Syri, Edmonda Avdija

0

Edmonda Avdija – gazetare në Televizionin Syri në Gjakovë, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, se është kërcënuar.

Avdija ka treguar se personi me inicialet B.A, ka përdorur gjuhë kërcënuese në drejtim të saj, përderisa ishte në fshatin Mejë të Komunës së Gjakovës.

“Nuk guxon më të shkelësh në fshatin Devë, sepse ta prishi fytyrën dhe t’i thej këmbët”, i është drejtuar B.A, rrëfen gazetarja për një storie që ajo kishte publikuar për shpronësimet që ishin bërë në këtë fshat, për të ndërtuar poligonin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.

AGK-ja, e ka pranuar me shqetësim këtë kërcënim në drejtim të gazetares së TV Syri, dhe u bënë thirrje organeve të rendit që sa më parë të zbardhin rastin.

Arrestohen tre personat që sulmuan fizikisht gazetarin Valon Syla

0

Policia e Kosovës ka arrestuar, të mërkurën në mbrëmje, tre personat që dyshohet se sulmuan fizikisht një natë më herët, gazetarin njëherësh drejtuesin e Gazeta Metro, Valon Syla.

“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit.”, ka njoftuar Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

AGK-ja, mirëpret veprimin e shpejtë të Policisë së Kosovës. Njëherësh, i bëjmë thirrje Prokurorisë dhe Gjykatës, që konform ligjit, të shqiptojnë dënimet e duhura për autorët e këtij sulmi në përputhje me sulmin e rëndë ndaj gazetarit, që cenon të drejtën themelore të një qytetari për lirinë e shprehjes.

AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente

0

Gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të martën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë.

Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë.

Rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë.

AGK-ja, u bënë thirrje institucioneve kompetente që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë.