Home Blog Page 26

AGK-ja kërkon hetime rreth sulmeve kibernetike ndaj portalit “Nacionale”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar sot nga redaksia e portalit online “Nacionale”, se po përballen me një seri sulmesh kibernetike, që ndikojnë direkt në punën e gazetarëve të kësaj medie.

AGK-ja kërkon nga Policia e Kosovës, dhe Njësiti për Krime Kibernetike që të hetojnë urgjentisht burimin e këtyre sulmeve dhe gjetjen e autorëve të këtij organizimi.

Mediet kosovare kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe në të kaluarën, dhe kjo ndikon përvec financiarisht edhe në lirinë e medias për të vepruar si dhe sigurinë e informacioni. Prandaj, AGK-ja fton institucionet e sigurisë së Kosovës që ta trajtojnë fenomenin me prioritet.

AGK-ja e dënon sulmin ndaj Ekipit të RTK-së

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me shqetësim ka pranuar lajmin për sulmin fizik ndaj Ekipit të RTK-së.

Ekipi i përbërë nga gazetarja Qëndresa Duraku dhe kameramani Besnik Latifi, janë sulmuar në Tregun e Gjelbër teksa po realizonin temën e shitësve ambulantë.

Sipas njoftimit të televizionit, njëri nga shitësit ka sulmuar kameramanin dhe gazetaren, duke ua pamundësuar kështu realizimin e temës.

AGK-ja e dënon këtë sulm dhe u bënë thirrje organeve të drejtësisë rastin ta trajtojnë me prioritet dhe autorin ta sjellin para drejtësisë.

Kosova mirëpret gazetaret e radhës ukrainase

0

Mesditën e sotme në Kosovë, kanë mbërritur gazetaret e radhës ukrainase, Maryna Zhyvotkova dhe Viktoriia Kaidash – si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

Gazetaret janë mirëpritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Boja, përfaqësues të MPB-së dhe Policisë së Kosovës.

Deri më tani si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo” që financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, janë strehuar katër kolegë ukrainas.

Në kuadër të këtij programi, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor.

ECPMF dhe AGK janë duke bërë përgatitje që në ditët në vijim të presë gazetarë të tjerë nga Ukraina.

AGK dënon sjelljen e kryetarit të Shtërpcës ndaj gazetarit të RTK2, Bojan Tomic

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës -AGK, e konsideron të papranueshme sjelljen e kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ndaj gazetarit të kanalit të dytë të transmetuesit publik, RTK2, Bojan Tomic.

Gazetari e ka njoftuar AGK-në se në ditën e aksionit të Policisë në Komunën e Shtërpcës ka pritur në radhë që të marrë një prononcim të kryetarit Jevtiq për aksionin, por ai ka refuzuar duke e ofenduar gazetarin.

“Ti mos m’u drejto. Të gjithëve mund t’ju jap deklarata, vetëm ty jo. Ti nuk je gazetar, ti përhapë gënjeshtra dhe të pavërteta. Ti nuk je gazetar. Flas për të gjithë, por për ty jo”, citon Tomic t’i ketë thënë kryetari Jevtiq.

Sipas gazetarit të RTK2, arsyeja e sjelljes së Jevtiqit mund të lidhet me një kronikë të këtij televizioni për nivelin e ujit të pijshëm në këtë komunë.

AGK-ja e dënon gjuhën e përdorur nga kryetari Jevtiq, dhe u kujton zyrtarëve të zgjedhur publik që e kanë për detyrë të japin informacione në interes të publikut.

AGK dhe KE organizuan punëtorinë dyditore “Sfidat e dygjuhësisë”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e projektit të përbashkët të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medias (JUFREX)”, organizoi punëtori dyditore me gazetarë shqiptarë dhe serbë “Sfidat e dygjuhësisë”.

Në punëtorinë e udhëhequr nga Nenad Sebek – Konsulent Ndërkombëtar për Media dhe Shoqëri Civile, Slaviša Mladenović dhe Ivana Pavlović nga Zyra e Komisionerit për Gjuhët, gazetarët pjesëmarrës diskutuan për ligjin mbi përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe pengesat e gazetarëve në raport me zbatimin e tij, rregulloret dhe praktikat komunale në Kosovë për njohjen dhe përdorimin e gjuhëve, si dhe përkthimet e dokumenteve zyrtare dhe përmbajtjeve online në uebfaqet e institucioneve publike.

Gazetarët gjithashtu u informuan më detajisht për të drejtat e tyre për të pasur qasje në informata në të dyja gjuhët zyrtare, procedurat e ankimit në rastet e vonesave ose mungesës së informatave, rolin e tyre në sigurimin e dygjuhësisë, si dhe për përvojat ndërkombëtare se si raportimi kontribuon në zgjidhje në këtë fushë.

AGK-ja së shpejti do të publikojë rekomandimet e nxjerra nga kjo punëtori.

Pengohet ekipi i TV SYRI nga shefi i Repartit të Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë

0
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka pranuar me shqetësim pengimin e raportimit të Ekipit të TV SYRI në Gjakovë.
Sipas ankesës së kolegëve të TV SYRI, gazetarja e këtij televizioni, Edmonda Avdija, nuk është lejuar të hyjë në Repartin e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin “Isa Grezda”, në Gjakovë, nga shefi i këtij reparti, Kreshnik Abrashi.
“Gazetarja Edmonda Avdija nuk është lejuar te hyjë në Repartin e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin “Isa Grezda”, nga shefi i këtij reparti, Kreshnik Abrashi, me arsyetimin se më keni publikuar në portal kur jam arrestuar. Ai e ka mbyllur derën me sjellje të vrazhda dhe ka thënë se derisa është shef këtu nuk keni me xhiru”, thuhet në ankesën e televizionit drejtuar AGK-së.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e dënon këtë veprim të z.Abrashit, njëherësh cilëson se është shkelje flagrante e së drejtës për qasje në informacion, dhe bie në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes. Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të raportojnë, është tendencë për kontrollim të informatave.
AGK-ja, njëherësh inkurajon gazetarët që të vazhdojnë të raportojnë dhe të mos heqin dorë nga informimi i qytetarëve.

Pjesëmarrësit e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit certifikohen në konferencën “Ndikimet nga jashtë në mediat në Kosovë”

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik – NDI dhe USAID në Kosovë, sot ka mbajtur konferencën “Ndikimet nga jashtë në mediat në Kosovë; Çfarë nxorri në pah lufta në Ukrainë?”.

Fjalët hyrëse të konferencës u prezantuan nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha dhe Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtore e Lartë Rezidente e NDI në Kosovë.

Në pjesën e parë të konferencës, paneli i përbërë nga Ardita Zejnullahu – Drejtore Ekzekutive e Asociacionit të Mediave të Pavarura të Kosovës, Besnik Berisha – Anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, Nazim Rahimi – Kryetar i Bordit të ARKEP-it dhe Shpend Lutfiu – Zyrtar i Lartë për Siguri Kibernetike në po të njëjtën organizatë, diskutuan për mekanizmat parandalues për shpërndarjen e propagandës.

Panelistët së bashku me pjesëmarrësit e Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit, diskutuan për propagandën nga jashtë dhe lajmet e rreme në Kosovë, legjislacionin në fuqi për mbylljen e ueb faqeve si dhe sigurinë kibernetike.

Teksa, ndërtimi i rezistencës së mediave ndaj dezinformatave nga jashtë u diskutua në pjesën e dytë të konferencës së bashku me Visar Prebrezën nga BIRN dhe Lyudmila Makey – Gazetare nga Ukraina.

Në këtë pjesë u diskutua për mënyrat e verifikimit dhe filtrimit të informacioneve para se të publikohen ato, identifikimi i informacioneve që dalin nga burime që mund të kenë ndikim negativ në mjedisin medial në Kosovë, si dhe luftën e vet mediave në këtë drejtim.

Gjithashtu, në fund të konferencës u bë certifikimi i pjesëmarrësve të Akademisë së Gazetarëve për Integritetin e Informacionit. Akademi kjo që filloi në nëntor të vitit 2021 dhe përmes së cilës u ofruan një seri e trajnimeve dhe diskutimeve lidhur me integritetin e informacionit, profesionalizmin në gazetari dhe prezencën e dezinformimit, etikën gjatë raportimit me fokus të veçantë në portretizimin e grave në media dhe perspektivën ligjore të gazetarisë dhe mediave.

 

 

Gazetarët ukrainas pritën në takim njoftues Ambasadoren Nancy Soderberg – Drejtore e NDI në Kosovë

0

Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, së bashku me gazetarë nga Ukraina Lyudmila Makey, Liudmyla Mekh, Serhii Shevchenko dhe Daria Meshchriakova, pritën në takim ambasadoren Nancy Soderberg – Drejtore e NDI në Kosovë.

Ambasadorja Soderberg u njoftua nga afër me kolegët ukrainas, përvojat e tyre personale e të raportuarit nga zonat e konflikteve, sfidat që kanë hasur përgjatë këtij rrugëtimi, njëherësh diskutuan edhe mundësitë për bashkëpunim.

Në takim prezent ishin edhe Drejtoresha Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, Adea Beqaj – Zyrtare e Programit në NDI dhe Pajtim Gashi – Menaxher i Programit në NDI.

Mbërrin në Kosovë gazetarja ukrainase Daria Meshchriakova

0

Të hënën pasdite ka mbërritur në Kosovë gazetarja, Daria Meshchriakova, e katërta gazetare që sistemohet në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Zonja Meshchriakova është e specializuar për raportim në fushën e sportit, dhe është njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë dhe rajon.

Në programin e mbështetur financiarisht nga Qeveria e Kosovës, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor.

Meshchriakova është pritur në aeroport nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësuesja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, organizata këto implementuese të projektit.