Home Blog Page 5

AGK-ja dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë shënojnë Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, shqetësim për përkeqësimin drastik të gjendjes

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot, e ka shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në bashkëpunim me partnerin shumëvjeçar, Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Konferenca filloi me fjalën hyrëse të Kryetarit të AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili citoi Indeksin e Lirisë së Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF.

“Si rrallë ndonjëherë mëngjesi ka nisur me një raport të Indeksit të Reporterëve Pa Kufij, që në vitet e fundit Kosova shënon regresin më të madh, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56-të.Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve dhe medieve në Kosovë për shkak të asaj se çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në këtë rënie…dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës, Qeverinë e Kosovës”, tha Rexha.

Të pranishmëve iu adresua edhe Ambasadori Michael Davenport – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili tha se OSBE do t’i mbështesë gazetarët që të kryejnë punën e tyre.

“Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në cilëndo demokraci, për ta informuar publikun dhe për t’i mbajtur autoritet përgjegjëse…Po ashtu, nuk është keq që të kujtojmë sot, që gazetarë duhet të ndjehen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre, ata duhet së pari të ndjehen të sigurtë dhe të lirë, dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet dhe shantazhimet… Siç tha edhe Xhemajli, raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të, i cili ka shënuar një rënie nga vendi 56 që ishte vitin e kaluar, dhe nuk ka nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve.”, tha ai.

Konferenca vazhdoi me diskutimin për Sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe Kodit të Etikës gjatë raportimit, me panelistë: Imer Mushkolaj – Drejtor Ekzekutiv në Këshillin e Medieve të Shkruara të Kosovës, Jeton Mehmeti – Kryetar i Bordit të Komisionit të Pavarur të Medieve, Fatmir Menekshe – Drejtor Ekzekutiv i Radio Romano Avazo dhe Gentiana Hasani – Gazetare në IndeksOnline.

Në këtë panel u diskutua për disa nga sfidat që gazetarët përballen përgjatë raportimit nga terrene të ndryshme, si i qasen Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo dhe Komisioni i Pavarur i Mediave – KPM, ankesave drejt shkeljeve të mundshme gjatë raportimit të gazetarëve dhe medieve, si dhe mënyrat e praktikat më të mira për të përmirësuar raportimin e gazetarëve dhe medieve në të ardhmen.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës javën e filloi duke e hapur ekspozitën me karikatura në nder të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në bashkëpunim me Embassy of the Netherlands in Kosovo, në hapësirën e Lapidariumit të National Museum of Kosova – Muzeu Kombëtar i Kosovës.

Kosova shënon regres alarmant për 19 vende në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij

0

Publikimi i indeksit vjetor për lirinë e medies nga Reporters sans frontières / Reporters Without Borders / RSF, Reporterët Pa Kufij e rendit Kosovën në vendin e 75 në botë, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56.

Organizata më e madhe botërore për lirinë e medies, jep një sërë arsyesh për përkeqësimin e lirisë së medies në vendin tonë.

Edhe pse media me sukses vazhdon t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori joefikas i medieve, KPM, po provon të reformojë veten. Televizioni më i madh, Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor. Mediet në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport.

Raporti përmend edhe sulmet fizike në kohën e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe shtimin e padive SLAPP ndaj gazetarëve.

Edhe pse gazetarët kanë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh cak i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në medie sociale. Ata akuzohen në mënyrë të padrejtë se janë ‘bashkëpunëtorë të armikut’, retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare”, përfundon raporti.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://rsf.org/en/country-kosovo.

Mbahet diskutimi për avokimin e lirisë së medieve nëpërmjet artit

0

Në kuadër të javës së shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Embassy of the Netherlands in Kosovo, mbajtën diskutimin për avokimin e lirisë së medias nëpërmjet artit.

Fjalët hyrëse të këtij diskutimi, i bëri Ambasadorja Holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo, e cila tha se liria e shprehjes online dhe offline është një prioritet i të drejtave të njeriut në Kosovë.

Pjesë e diskutimit të udhëhequr nga Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ishin Alban Zeneli – Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Armend Ajredini – Karikaturist, Meneta Zekaj Nushi – RTK, dhe Gazmend Syla – Klan Kosova.

U diskutua për artin si formë të shprehjes për të komunikuar mesazhe sa i përket përpjekjeve të vazhdueshme të qeverive për të kufizuar lirinë e medies dhe lirinë e shprehjes.

Gjithashtu, një pjesë e diskutimit i është kushtuar sigurisë fizike të gazetarëve, pas sulmeve të vitit të kaluar në veriun e vendit, si edhe sulmeve online nga eksponentë të qeverisë dhe partisë në pushtet kundër gazetarëve dhe medieve.

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Njësiti Special i Policisë së Kosovës trajnojnë gazetarët e kameramanët rreth situatave kur raportojnë nga terrene me tension

0

Gazetarë dhe kameramanë medieve qendrore e lokale, nga data 24 prill e deri më 30 prill, kanë qenë pjesë e trajnimit për raportimin nga tubimet publike, protestat dhe situatat me rrezikshmëri.

Trajnimi i cili u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Njësiti Special i Policisë së Kosovës – NJSO, me kërkesë të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, pati për qëllim t’i mësojë gazetarët, kameramanët dhe fotografët si të sillen në rastet kur raportojnë nga protestat dhe krizat, në mënyrë që të qëndrojnë të sigurtë.

Trajnimi përfshiu sesione interaktive dhe shkëmbim të përvojave me trajnerët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, duke u fokusuar në përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve për raportimin e sigurt nga protestat dhe situatat me rrezikshmëri.

Përveç trajnerëve të Njësisë Speciale, pjesë e këtij takimi ishte edhe kameramani Sylejman Kllokoqi, i cili ndau me kolegët përvojën e tij dhjetëvjeçare për raportimin nga luftërat dhe konfliktet.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon për gatishmërinë Misionin e OSBE-së dhe Policinë e Kosovës që të organizojë një trajnim të tillë, si dhe të gjithë kolegëve që ishin pjesë e tij.

Hapet ekspozita me karikatura për Lirinë e Medias

0

Embassy of the Netherlands in Kosovo në bashkëpunim të ngushtë me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, sot hapën Ekspozitën për Lirinë e Medias, në nder të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Medias, që shënohet më 3 Maj.

Në ceremoninë inauguruese, të pranishmëve iu drejtuan Ambasadorja e Holandës, Carin Lobbezoo dhe Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha.

Kjo ekspozitë është rezultat i konkursit për karikatura të Ballkanit Perëndimor për Lirinë e Medias. Nga gjithsej 186 aplikime të 95 artistëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, një juri ekspertësh nga të gjitha këto shtete, përzgjodhi 44 karikatura.

Vendin e parë e zuri karikaturisti nga Serbia, Dusan Petricic, teksa vendin e dytë, kolegu nga Maqedonia e Veriut, Armend Ajredini.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 3 maj, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës.

AGK-ja dënon fyerjet dhe kërcënimet ndaj gazetarit të sportit, Lorik Gashi

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka pranuar me shqetësim kërcënimet që janë bërë ndaj gazetarit të sportit, redaktor në Kanal10, Lorik Gashi.

Gashi ka prezantuar komunikimin që presidenti i klubit, Phoenix, Muhedin Ferati, ka bërë me të në rrjete sociale, ku ai e fyen dhe e kërcënon në mënyrë të përsëritur.

“Krejt robt ti q***a. Qite si lajm ti q***a krejt familjen. Veq edhe ni fjal po ta them po se hjeke postimin e rrejshem ateher kom me te befasue”, shkruan në një pjesë të mesazheve.

AGK-ja, e dënon fuqishëm gjuhën fyese dhe kërcënimin e drejtuesit të këtij klubi dhe fton organet e FFK-së të reagojnë, sikurse edhe Policinë e Kosovës që të merret me rastin.

Kërcënime të tilla rrezikojnë seriozisht punën e gazetarëve, të të gjitha sektorëve në këtë rast edhe ata të sportit.

Gashi kishte raportuar për vonesën e pagave për futbollistët në klubin që e drejton Ferati.

Freedom House: Qeveria e angazhuar në fushata kundër gazetarëve, me përpjekje për politizim të KPM-së

0

Raporti i detajuar i Freedom House për lirinë e medies në Kosovë, liston një sërë problemesh me të cilat gazetarët dhe mediet janë ballafaquar gjatë vitit 2023 në Kosovë.

“Përkundër faktit që Kosova ka një peizazh divers mediatik, duke përfshirë televizione, një kanal publik televiziv, radio stacione, dhe disa portale online, në përgjithësi liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar, me disa incidente dhe trende shqetësuese në vitin 2023. Shumë medie hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për qeverinë. Gazetarët dhe mediet kanë hasur në disa pengesa, duke përfshirë mungesën e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës e deri tek fushatat denigruese të shpifjes nga qeveria, sulmet nga bizneset dhe kërcënimet e kohëpaskohshme të medieve sociale”, nis raporti në pjesën për medie.

Aty përmenden shifrat e AGK-së për totalin e sulmeve deri në tetor 2023, me 30 prej tyre që kanë ndodhur në veriun e Kosovës, në mujat maj dhe qershor. Raporti përmend emërimin e Luljeta Aliut, për anëtare të KPM-së, si një përkrahëse e hapur e Qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje. Po për KPM-në në raport përmendet kundërshtimi i shoqërisë civile për Projektligjin e ri të KPM-së që shihet si tendencë për kontrollimin e medieve online.

Sa i përket fushatave të Qeverisë kundër gazetarëve përmenden sulmet e zv/kryeministrit Besnik Bislimi dhe Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla ndaj Nacionales dhe Berat Buzhalës pas publikimit të audio incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila me zyrtarë të Listës Serbe. Raporti vë në pah përpjekjen e Qeverisë së Kosovës për ta mbyllur televizionin Klan Kosova, dhe vendimin e Komerciales kundër përpjekjeve të MINT për ta mbyllur atë.

“Në qershor 2023, juristja e medies dhe aktivistja Futura Kusari u ballafaqua me thirrje për dhunë kundër saj online. Ajo fillimisht u veçua nga Rron Gjinovci, një përkrahës i madh i Qeverisë së Kosovës, që bëri komente mizogjeniste kundër saj, pasi që ajo e kundërshtoi vendimin e qeverisë për të revokuar licencën e Klan Kosovës dhe ishte e zëshme për të kritikuar qeverinë që dështoi të ofrojë masa mbrojtëse për gazetarët që po raportonin nga veriu”, thuhet në raport.

Aty lavdërohet vendimi i shpejtë i Gjykatës për të dënuar 3 sulmuesit e gazetarit Valon Syla.

“Gjatë vitit 2023, Kosova vazhdoi të strehojë gazetarët nga Ukraina, dhe AGK-ja ofroi programe trajnimi për gazetarët ukrainas dhe ata afganë”, përfundon raporti.

Të plotë mund ta lexoni në linkun në vazhdim: https://rb.gy/dl2gcj

Raporti i DASh: Gazetarët në Kosovë, target i fushatave denigruese nga Qeveria dhe sulmeve fizike në veri

0

Departamenti i Amerikan i Shteti ka publikuar Raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023, në Kosovë. Në pjesën për lirinë e medies e shprehjes, Raporti konstaton gjetjet e AGK-së, për rrezikimin e sigurisë fizike ndaj gazetarëve gjatë raportimit në veri, si dhe sulmet e vazhdueshme nga elementë të pushtetit me fushata denigruese ndaj gazetarëve dhe medieve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka raportuar se ka qenë target i fushatave online të njollosjes disa herë kur ka mbrojtur gazetarët dhe mediet. AGK-ja ka raportuar se zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin dhe zyrtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata denigruese në përpjekje për të minuar besimin e publikut në medie. Deri në shtator, AGK-ja raportoi 60 raste kur zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, staf gjykatash, pjesëtarë të grupeve të biznesit, grupe komuniteti, protestues, apo grupe fetare fizikisht të kenë sulmuar gazetarët, apo i kanë kërcënuar verbalisht, duke përfshirë dëmtimin e pajisjeve, ose duke kryer sulme kibernetike kundër medieve”, thuhet në raportin vjetor.

Raporti përmend sulmin fizik ndaj gazetarit, Valon Syla, për komentet e tij rreth një imami, dhe tregon se për këtë ka pasur një proces gjyqësor.

Në raport përmenden sulmet më të rënda në veri, dhe proceset për sulmet fizike ndaj gazetarëve atje.

AGK-ja, ka shënuar 30 sulme ndaj gazetarëve që kanë mbuluar tensionet politike në veri të Kosovës në maj dhe qershor, duke përfshirë dëmtimin e pajisjeve, djegien e veturave dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve, Më 16 qershor, individë të maskuar kanë ndjekur 9 përfaqësues të medieve në Leposaviq dhe e kanë sulmuar fizikisht një kameraman të transmetuesit publik. Gazetarët pohuan se disa prej sulmeve ndodhën me aprovimin e lidershipit politik në veri, edhe pse zyrtarët mohuan ndonjë lloj përfshirje duke dënuar publikisht sulmet ndaj medieve. Policia arrestoi 8 serbë për sulmet fizike në gazetarët që raportonin për tensionet në veri, në qershor. Deri në shtator, 5 të dyshuar u liruan për t’u mbrojtur në liri, kurse 3 të tjerë mbesin në paraburgim”, thuhet në raport.

Gjithashtu, përmendet edhe pezullimi i certifikatës së biznesit ndaj Klan Kosovës, si dhe kundërshtimin e këtij vendimi të ndërmarrë nga MINT nga Gjykata Komerciale.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu: https://rb.gy/39ov8n

Mbahet moduli i fundit Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt

0

Studentëve të gazetarisë dhe gazetarëve pjesëmarrës së edicionit të dytë të Akademisë, të shtunën iu është ligjëruar për roli i gazetarisë në procesin e pajtimit.

Në këtë modul të Akademisë, të cilin e ligjëroi Besa Luci – Kryeredaktore, u diskutua rreth terminologjisë bazë për konfliktet, thelbin e tyre si dhe rolin gazetarisë në nxitjen ose zgjidhjen e konflikteve, dhe përfundimisht rëndësinë e pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Gjithashtu, përmes trajtimit të ngjarjeve të ndryshme historike, u diskutua se si roli i medias dhe gazetarisë në konflikt dhe pas-konflikt është dydimensional. Nga njëra anë, media ka qenë e instrumentalizuar për të nxitur urrejtje dhe konflikt, nga ana tjetër, media dhe gazetaria luajnë një rol vital në ndërtimin e paqes dhe pajtimit, duke ofruar platforma për tregimin e së vërtetës, ndarjen e narrativave dhe dialogun për të transformuar marrëdhëniet dhe rindërtuar besimin.

Gjatë ligjëratës u diskutua edhe për dy shkollat e rëndësishme të mendimit, gazetaria e paqes, e promovuar nga Johan Galtung dhe Jake Lunch dhe Gazetaria e ndjeshme ndaj konfliktit. Veç tjerash, pjesëmarrësit bashkëbiseduan se si në shoqëritë e ndikuar nga konfliktet, gazetaria luan një rol thelbësor në ndërtimin e perceptimeve dhe njohurive të publikut rreth identitetit, historisë, konflikteve dhe përpjekjeve për paqe. Gazetarët nuk janë thjesht shpërndarës të informacionit mbi konfliktin, por ata gjithashtu e formësojnë dhe strukturojnë atë, ndikojnë në mënyrën sesi publiku e percepton.

Me këtë modul u bë përmbyllja e Akademisë në fushën e raportimit për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Raportimin e Sensibilizuar për Konflikt, dhe në javët në vazhdim, pjesëmarrësit e kësaj Akademie do ta realizojnë vizitën studimore në rajon, ku do të kenë mundësinë e shkëmbimit të përvojave me kolegët.